PROF.DR.VALTER SHTYLLA: MANASTIRI I DEҪANIT RUAN SHANDANIN E GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT(FOTO)

Pashtriku.ortg, 27 maj 2017: Manastiri i Deçanit në Kosovë ndodhet pranë qytetit të Deçanit, por edhe ndërmjet Gjakovës dhe Pejës. Vendosja e këtij kompleksi arkitekturor është bërë nën këmbët e Bjeshkëve të Nemuna, ngjitur me shtratin e lumit Bistrica dhe qytetit të Deçanit. Natyra rreth manastirit përbën një peizazh mjaft piktoresk dhe çlodhës për vizitorët e shpeshtë të këtij objekti religjioz, me vlera të gjithanshme.
Pyjet e respektuara të Bjeshkëve të Nemuna krijojnë një harmoni të gjelbër rreth manastirit duke e bërë mjaft tërheqës ambientin, madje si një ndërlidhje e natyrës dhe manastirit. Koha e ndërtimit të manastirit i takon shekullit të XIV-të dhe pikërisht këtij intervali 1327-1335.
Si në çdo kompleks manastiresh, ndërtimi më i hershëm i manastirit, gjithnjë sipas përcaktimeve të studiuara është kisha, e cila në këtë rast përfaqëson një objekt tipik të arkitekturës romantiko-gotike të shekullit XIV-të. Kisha, përveç pozicionit në qendër të kompleksit si dhe për vlerat arkitektonike dhe artistike që mbart jashtë dhe në interjer, përfaqëson objektin më të rëndësishëm të këtij ansambli monumental. Në muret e brendshme, një numër i madh me skena të ndryshme përbën pikturën murale, e cila duhet thënë, ruhet në gjendje të mirë.

Nga pikëpamja funksionale kisha përbëhet nga narteksi në hyrje, nga navata qendrore, në anët e së cilës janë kapelat e Shën Dimitrit dhe Shën Nikollës dhe në fundin lindor të kishës shtrihet altari. Rreth kishës, ambienti kryesor i manastirit përbëhet nga konakët – ndërtime dykatëshe me çardak prej lënde druri.
Konakët mbyllin gjithë territorin e manastirit me mure të larta, duke i dhënë kështu këtij objekti religjioz pamjen e një manastiri të fortifikuar. Pas kishës, objekti më i rëndësishëm i manastirit të Deçanit është Trapezaria (mensa), e cila ndodhet në skajin veri-perëndimor të kompleksit. Trapezeria nga pikëpamja kronologjike përfaqëson objektin e dytë pas kishës. Ajo përbëhet nga dy salla për ngrënien, të ndara nga një korridor në mes. Në fillimet e saj, trapezeria kishte vetëm një sallë me përmasa 10.5 x 32.5 m, e cila në fundin e saj lindor mbyllej nga një apsidë gjysmërrethore.
Në këtë sallë ndodheshin katërmbëdhjetë deri në shtatëmbëdhjetë tavolina mermeri, ku mund të uleshin rreth 150 murgj njëkohësisht. Pas djegies së sallës në shekullin e kaluar, trapezeria u nda në tri pjesë përbërëse, siç e hasim në ditët e sotme. Salla e madhe lindore e trapezerisë sot shërben si ambient muzeal për ekspozimin e ikonave dhe të vlerave të tjera të manastirit si punime druri, shandanë, kryqe, etj.
Shandani
Pikërisht në këtë sallë, ku ruhen vlerat përfaqësuese të manastirit, në tavanin e apsidës gjysmërrethore është një shandan metalik prej bronzi. Shandani i trapezarisë, i varur mbi një zinxhir, përbëhet nga 8 krahë koncentrikë në fundin e të cilëve janë suportet për vendosjen e qirinjve, që lartësohen vertikalisht.
Në manastirin e Deçanit ekziston një traditë gojore, e transmetuar brez pas brezi, madje nga të gjithë arkimandritët që kanë drejtuar manastirin.
Tradita historike e transmetuar shprehet se shandani i trapezarisë që përshkruam më sipër është një dhuratë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, për manastirin e Deçanit në Pejë.
Veç këtij burimi, një fakt interesant mbështetës i kësaj dëshmie është dhe vetë forma me tetë cepa e këtij shandani. Dihet dhe është shqyrtuar nga historianë dhe studiues të shumtë, se simboli apo stema e familjes së Kastriotëve ka veç të tjerave, edhe yllin me tetë cepa. Këtë e shohim në vulën e tij, që ruhet në arkivin e Dubrovnikut (Raguza e dikurshme) në Kroaci.
Gjithashtu, ylli me tetë cepa është i gdhendur dhe në simbolin e familjes së Kastriotëve, që ruhet shumë i qartë në monumentin mortor të Konstantin Kastriotit, djali i Gjonit, pra nipi i Skënderbeut. Në të djathtë të monumentit mortor ndodhet e gdhendur një mburojë mbi shqiponjën dykrenore, ku janë incizuar dy kurora mbi krahët e shqiponjës dhe në mes sipër është ylli me tetë cepa. Ky varr monumental, sipas dokumenteve arkivore është ndërtuar në vitin 1500 nga gruaja e Skënderbeut, Donika, për nder të nipit, Konstantin, kryepeshkop i Izernias në Italinë jugore. Ylli me tetë cepa apo më shumë cepa në simbolet e dinastive historike përfaqëson simbolet e diellit.
Kështu, Filipi i Maqedonisë, i ati i Aleksandrit të Madh, përdori si simbol yllin me 12 dhe 16 cepa.
Në burimet e ndryshme historike theksohet qartësisht një lidhje ndoshta trashëgimie ndërmjet Lekës së Madh dhe Kastriotëve. Kështu, në një epitaf të nipit tjetër të Skënderbeut, edhe ai i ndërtuar nga Donika, për nipin Alfons në vitin 1503, i zbuluar në Real Manastirin San Trinidad, në Valencia të Spanjës, ndërmjet të tjerave është gdhendur “… Escardabech krahasohej me mbretin Aleksandër të Maqedonisë”.
Në burimet e ndryshme historike, gjithashtu theksohet se Gjergj Kastriot Skënderbeu ushtronte një aktivitet të dendur ndërkombëtar.
Dihen gjithashtu nga dëshmitë dhe dokumentet se, marrëdhëniet e Kastriotëve me Manastiret e Malit të Shenjtë në Selanik, ku në Manastirin e Hilandarit ndodhet kulla e Shën Gjergjit e quajtur me emrin “Pirgu i Shqiptarëve”, si dhe varri i Reposhit, vëllai i Skënderbeut. Kuptohet se në kuadrin e këtyre marrëdhënieve normale me fqinjët mund të shprehet dhe fakti i dhuratës – shandan që Gjergj Kastriot Skënderbeu i ka falur Manastirit të Deçanit.
*) Autori është drejtor i IMK-së.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura