PROF.DR.VEBI XHEMAILI: KRYENGRITJA E RESNJES DHE KUVENDI I FERIZAJIT – 1908

Shkup, 20. 11. 2013 – Një ndër udhëheqësit kryesorë të revolucionit të Turqve të Rinj në Manastir me rrethinë, ishte edhe shqiptari Amed Nijazi Beu, i lindur në Resnjë, në vitin 1883.1 Ky doli në mal, me një çetë prej 50 pjesëmarrësish dhe ushtarësh të tij. Por sipas burimeve më të reja kapiteni i ushtrisë turke dhe komandanti i batalionit të Resnjes Nijazi Resna, doli në mal me batalionin e tij të përbërë nga 200 ushtarë, oficerë dhe disa civilë shqiptarë, pasi shumica nga ata vullnetarë ishin të veshur me tesha kombëtare shqiptare. Nijazi Resnja, doli në mal që të luftonte për rivendosjen e kushtetutës të vitit 1876, për heqjen e absolutizmit të sulltanit, për bashkimin e të gjithë nacionaliteteve të Perandorisë pa dallim feje e kombësie, nën parullën osmanizmit, ide e cila duhej ti përfshinte dhe ti bashkonte të gjithë nën flamurin e osmanizmit V.Xh).
Prandaj, në këtë revolucion shqiptarët u inkuadruan me të madhe, pasi ishin të bindur se me rrëzimin e Sulltan Hamitit do të ketë më shumë liri për të gjithë shtetasit e Perandorisë Osmane. Kësaj radhe, kryengritja filloi në Vilajetin e Manastirit, kur oficeri Nijazi Beu me lejen Komitetit qarkor të klubit “Bashkim e Progres” (Ittihad dhe terakki), vendosi të largohej nga repartet e Armatës III, me seli në Manastir, ku komandonte Ismail Pasha.2 Me këtë rast, sipas marrëveshjes së mëparshme në shtëpinë e Haxhi Agës, midis kryetarit të komunës Xhemat Beut, majorit të shtabit, Remzi Beut dhe komisarit politik të policisë, që kryengritja të fillojë në datën e caktuar, pra më 3 korrik, në Resnjë.3

Amed Nijazi Beu

Amed Nijazi Beu, me bashkëluftëtarët e tij.

 Nijazi Beu doli në mal ditën e premte, më 3 korrik 1908, sipas marrëveshjes paraprake. Kjo datë merret edhe si fillim i kryengritjes në Vilajetin e Manastirit, më konkretisht në Resnjë shpërtheu kryengritja e repartit ushtarak të Korparmatës III, nën komandën e oficerit shqiptar Ahmet Nijazi beut. Sipas deklaratave të Nijazi Beut, “Kryengritja në fillim u përkrah nga fshatarësia shqiptare e rretheve të Resnjës, Ohrit, Starovës, Elbasanit, Korçës dhe të Dibrës”. Në këto rrethe u formuan njësite vullnetare të armatosura dhe u hodhën në luftë kundër pushtetit autokratik të Sulltanit.4 Ndër çetat më të njohura ishin: Osman Efendiut nga Prespa, e kapiten Zenunit nga Dibra, Kurtish Novosllës dhe ajo e Emin Pisoçanit, të cilët kishin nga 30 vullnetarë shqiptarë. Sot fshati Pesoçan nuk ka asnjë banorë shqiptarë.5
Në një tubim të tillë të mbajtur në fshatin Llabunishtë të Strugës, para popullit të grumbulluar të këtij fshati, ai përveç tjerash tha edhe këto fjalë: ”Erdhëm që t’u ftojmë në luftën e shenjtë për të mirën dhe fatin e atdheut tonë, i cili ishte zhytur në robëri të rëndë. Çfarë bëjmë tani? Shtëpitë tona digjen në flakë. Tymi na e zë fytin, zjarri na djeg e ne presim të bjerë kulmi i shtëpisë e të na zhdukë nga faqja e dheut…Kudo çeta komitësh, luftë, gjak dhe pjesë të këputura nga trupi i fëmijëve tanë. Serbët thonë se ky është atdheu i tyre, bullgarët kërkojnë: Ohrin, Dibrën, Shkupin, Selanikun, grekët; Manastirin, Prilepin, Stambollin gjerë në Ankara. Por, mos harroni: Shkodra dhe Janina, Novi Pazari dhe Prishtina, Shkupi dhe Velesi, të gjitha këto vise janë tonat. Ne duhet të zgjohemi patjetër nëse kjo fatkeqësi nuk pengohet, atdheun tonë do na e copëtojnë armiqtë dhe do të hakmerren keq me ne. Do të na vënë në kokë kësula serbe, do të na i grisin mbulesat tona, do të na përdhunojnë gratë dhe motrat tona. Neve do të fitojmë nëse e japim besën se do të luftojmë gjer në pikën e fundit të gjakut. Më mirë të vdesim me nderë sesa gjallë me turp”. Ky u pritë si çlirues në të gjitha këto troje shqiptare, deri në Dibër.6
Meqë termi “Maqedoni” dhe e ashtuquajtura çështje “maqedonase”, u imponuan në mënyrë arbitrare në qarqet diplomatike, pa u marrë në konsideratë realitetet historike dhe etnografike, cenonte rëndë edhe tërësinë gjeografike dhe etnike të Shqipërisë, kufiri i së cilës në lindje shtrihej midis Shkupit e Velesit, mali Mokrino-fshati Barabaras në lindje të Makedonski Brodit, ndërmjet fshatrave Deviç dhe Ropotovë-fshati Sopot në juglindje të Kërçovës, i zhdukur në vitin 1913 nga forcat pushtuese serbe, vazhdonte ndërmjet fshatrave Vraneshnicë, Kërçovë dhe Dolencë, Demir-Hisar, Gjavatë, ndërmjet Manastirit e Resnjës dhe vazhdonte përmes Pelisterit.7 Shtrirja gjeografike e “Maqedonisë”, në kuptimin e saj më të gjerë, deri-diku përplasej me kufijtë e gjerë të Shqipërisë, konstaton edhe K. Pavlloviq. 8 Prandaj edhe termi “Maqedoni” ishte i pa pranueshëm për Perandorinë Osmane, kur dihet se administrata osmane gjatë gjithë sundimit të saj në këto territore, fare nuk njihte termin-emërtimin Maqedoni. Po ky ishte i papranueshëm me atë domethënie edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, për shkak të motiveve ekspansioniste që promovoheshin me atë emërtim apo nocion ndaj tokave shqiptare, përkatësisht Shqipërisë Lindore.9
Urrejtja ndaj absolutizmit të Sulltan Abdylhamidit II, gjithnjë e më tepër po rritej, pasi ai po bënte lëshime shumë të mëdha Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Nga këto rrethana, Manastiri me rrethinë ishte çuar në këmbë dhe kërkonte ndryshime. Stambolli urdhëroi Shemsi Pashën që të nisej nga Kosova, për të qetësuar Manastirin e trazuar, deri sa të arrinin përforcime të reja nga Stambolli. Ky më 3 korrik arriti në Ferizaj, por nuk u ndal që t’i bindej Mytesarifit të Prishtinës, për ngjarjet e Ferizajt, por me të shpejtë u nis për në Prizren, për të qetësuar shqiptarët lidhur me ngatërresat që kishin lindur me rastin e hedhjes së kokave të derrit në Xhaminë e Sinan Pashës. Në këtë kohë, Shemsi Pasha ishte gjenerali më i besuar i Sulltanit, ky ishte shqiptar nga Rozhaji, njëherësh edhe kundërshtar i madh i lëvizjes xhonturke, njëherit edhe mik i Isa Boletinit. Të cilët më vonë për këtë arsye e vranë Nijazi Beun pasi kishte hipur në amije në limanin e Vlorës, për të shkuar në Stamboll në 1914. V.Xh).
Ky me 20 batalione nga territori i Kosovës, u nisë për në Manastir. Shemsi Pasha, njiherësh njihej edhe si specialist për shtypjen e revoltave kundrejt shqiptarëve. Ky më parë ka shërbyer edhe si komandant i Divizionit ushtarak të Mitrovicës, së bashku me Sylejman Kylçen nga Tetova, i cili ka qenë adjutant i komandantëve të divizionit ushtarak të nizamëve në Mitrovicë dhe pjesëmarrës direkt në lëvizjen xhonturke.10 Shemsi Pasha, posa arriti në Manastir, mori masa të ashpra disiplinore kundër të gjithëve që favorizonin lëvizjen xhonturke, ku bartës kryesor të kësaj kryengritje ishin vetë shqiptarët me oficerët e tyre. Ky filloi të tregojë forcën e tij, duke thënë se do t’i nënshtrojë në zjarr e hekur Resnjën, Ohrin, Prespën, Korçën, Elbasanin dhe Dibrën. Pas kësaj propagande kundër tij, në Manastir oficerët xhonturq së bashku me komitetin e tyre, përgatitën atentat, ndërsa ky u vra nga dora e togerit Atif Bigali, në dalje të gjeneralit nga posta, në mëngjesin e 7 korrikut, ku gjenerali me telegram e kishte njoftuar sulltanin, për masat që do të ndërmerrte kundër rebelëve ushtarakë.11 Mendohet se atentatori Atif Beu, të ketë qenë nga treshet e Komitetit të Fshehtë për çlirimin e Shqipërisë, të themeluar në Manastir në vitin 1905. Pasi njeri nga mbrojtësit e gjeneralit, Haxhi Rifat Aga, po ashtu kishte lidhje të ngushta me Nijazi Resnjën para arratisjes së tij. V.Xh). Kjo vërtetohet në mbrojtje të gjeneralit, pasi në rastin kritik trup mbrojtësit e tij nuk gjuanin në atentatorin, por në ajër, përderisa në fund ai plagosë vetëm në këmbë, duke arritur të arratiset dhe të shërohet në Ohër. Kjo flet qartë për një koordinim të ngushtë të veprimeve midis anëtarëve të Komitetit “Bashkim e Progres” dhe Komitetit të Fshehtë Shqiptar për çlirimin e Shqipërisë, në luftë për mposhtjen e absolutizmit të Sulltan Abdylhamitit.
Kjo njëherësh ishte edhe fillimi i lëvizjes për autonomi në mbarë trevat shqiptare, ku me të madhe do të përfshinte Vilajetin e Manastirit deri në Dibër, pastaj do të shtrihej në drejtim të Tetovës, Gostivarit deri në Shkup.12 Për këtë ngjarje të rëndësishme, menjëherë më 4 korrik të vitit 1908, konsullata serbe në Shkup lajmëronte për kryengritjen dhe pa dëgjueshmërinë e ushtarëve dhe redifëve shqiptarë, për dezertimin e tyre nga kazermat turke. Po ashtu, edhe oficerët shqiptarë kërkonin në të shumtën e rasteve nëpër mitingje, që të mbrohet çështja shqiptare. Ditët e para të korrikut, kasnecët përhapën lajmin mbi marshimin e ushtrisë austro-hungareze drejt Kosovës, kështu që në katër anët u lëshua kushtrimi kinse për mbrojtjen e kufijve. Kjo propagandë turke si duket nuk pati sukses, për të çorientuar shqiptarët dhe udhëheqësit e tyre. V.Xh).
Në të njëjtën kohë, pra vetëm dy dytë pas kryengritjes së Resnjës, më 5 korrik 1908, krerët e Prishtinës, Mitrovicës dhe Gjakovës u tubuan në Ferizaj, i njohur në historinë tonë kombëtare si Kuvendi i Ferizajt, që pati jehonë dhe rezultate të jashtëzakonshme. Shkas për këtë kuvend ishte lajmi se janë duke ardhur nxënësit e gjimnazit, me personelin e konsullatës austro-hungareze dhe pjesëtarë të tjerë të grupit inxhinieringut nga Selaniku e Shkupi, për të vizituar kinse qytetin e Ferizajt, pasi që në atë kohë ishin përhapur zërat se njësite ushtarake austro-hungareze mbaheshin në gjendje gatishmërie në kufij me Bosnjën.
Pas tre javëve të kryengritjes, Nijazi beu kontrollonte Prespën, Strugën, Resnjën dhe Dibrën. Çdo kund ky i largoi nëpunësit turq dhe tagrambledhësit, duke emëruar njerëz të revolucionit. Më 22 korrik, kryengritësit e rrethojnë Manastirin, të nesërmen sëbashku me çetën e oficerit nga Ohri Ejup Sabriut, ky më vonë mori pjesë në Kongresin e Dibrës dhe të Manastirit,13 Këta si udhëheqës të revolucionit xhonturk, hynë në Manastir dhe i lëshuan të gjithë të Burgosurit.14
Shqiptarët e moshës madhore, sa u përhap ky lajm, me të shpejtë rrokën armët dhe u grumbulluan në drejtim të Ferizajt. Në këtë Kuvend morën pjesë, sipas të dhënave serbe, mbi 15 mijë shqiptarë nga kazaja e Gjilanit, Preshevës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës dhe regjioneve të tjera të Kosovës.15 Ky kuvend zgjati deri më 23 korrik 1908, në të cilin u zhvilluan diskutime rreth shumë çështjeve aktuale të ditës, madje edhe rreth miratimit të dokumentit në formë memorandumi, i përbërë prej 8 pikash.16
KONTRIBUTI I SHQIPTARËVE NË DEMOKRATIZIMIN E TURQISË NË KUVENDIN HISTORIK TË FERIZAJIT-KORRIK 1908
Siç pamë më lart, Kuvendi i Ferizajt filloi tubimin e tij më 5 korrik, konsultimet mbaheshin në xhaminë më të bukur të Ferizajt, në “Hamidije”. Sipas raporteve të konsujve të huaj për këtë tubim, thuhej “se qëllimet janë të errëta”. Në radhë të parë pengoheshin projektet e Austro-Hungarisë drejt Shkupit dhe Selanikut. Prandaj, diplomacia Austro-Hungareze, në këtë kohë bëri shumë zhurmë, trajtoi tubimin nga këndi i vet, duke aluduar “se ky tubim duhet të jetë tubuar në radhë të parë kundra Austrisë dhe trimave të Orientit”, në radhë të dytë kundra myshirit Ismail Pasha, i cili së bashku me mydyrin e Ferizajt u detyruan të japin dorëheqje nga detyra. Pa marrë parasysh presionet politike, shqiptarët vazhduan të tubohen, ku deri në pjesën e parë të korrikut, numri i tyre arriti mbi 10-15 mijë vetë. Tubimet e përgjithshme u mbajtën afër Stacionit hekurudhor, i njohur si vend i kuvendeve shqiptare, të cilët zgjatën deri më 23 korrik të vitit 1908.17 Kjo prani e madhe e shqiptarëve në këto Kuvende, pa marrë parasysh arsyet, u shfrytëzua nga Komiteti “Bashkim e Progres, me një mjeshtëri dhe zgjuarsi të jashtëzakonshme politike, përkatësisht nga udhëheqësi i xhandarmërisë dhe anëtarit të klubit të xhonturqve, Galip Beu, i cili për herë të parë vizitoi Ferizajn, më 7 korrik, me disa oficerë turq, që ishin të ndihmuar fuqishëm nga Rexhep Hoxhë Tetova dhe Sherif Efendiu. Ky i fundit, për të bindur të pranishmit në tubimet e Ferizajt, disa herë u bëri thirrje pjesëmarrësve përmes Kuranit, që të pranojnë ofertat e xhonturqve. Për këtë veprim pro, Sherif Efendiu në zgjedhjet e ardhshme parlamentare u nominua deputet. V.Xh).
Në praninë e Galip Beut në Kuvend, krahu xhonturk mori fuqi, tanimë ishin prezentë personalitetet më të shquara të vilajetit, ndërsa më të zëshmit ishin përsëri këto dy figura; Myftiu i ardhshëm i Manastirit, Rexhep Efendiu nga Tetova dhe Sherif Efendiu nga Prizreni.18 Pastaj radhiteshin paria e Shkupit, në krye me Sahit Hoxhën dhe myftiu i Prishtinës, Xhemail Aga dhe Fuat Pasha.
Po ashtu, në këtë tubim bënin pjesë edhe krahu luftarak si: Zejnulla Beu i Vushtrrisë me Hasan Prishtinën, nga Jeni Pazari, Murat Beu dhe Osman Pashiq; Sjenica, Ismail Spahoviq dhe Nazif Agai; Mitrovica, Isa Boletini, ky për shkak të vdekjes së vajzës e lëshoi tubimin më herët, Sulejman Agë Batusha, Qerim Beu, Sali Agai, Ferat bej Draga, Zejnulla Beu, Qenan Beu dhe Ahmet Agai. Po ashtu, nga Peja ishin: Jahaj Beu, Rasim Aga, Mahmut Beu, Zenjella Beu dhe Qerim beu; nga Budakova, Hasan Hyseni; Gjakova, Qerim Mahmut Begolli, Hasan Efendiu, Iljaz Beu e tjerë. Nga Prizreni ishin Jahja Aga dhe Rasim Agai; nga Luma, Mustaf Lita, Ramdan Zaskoci Sherif Aga dhe Haxhi Rust Kabashi,19 kurse nga Tetova, pos Rexhep Vokës, merrnin pjesë edhe Emin Beu, Halim bej Deralla, Murat Beu dhe Aqif Pasha, ky i fundit ishte pjesëmarrës edhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.20 Ndërsa gazeta “Kosova”, përmend gabimisht edhe emrin e Mehmet pashë Derrallës.21 Nga Presheva ka marrë pjesë, Kadri Hasani; nga Gjilani, Idriz Seferi dhe Ramë Abdyli; Nga Tërpeza, Sali Kupina dhe nga Pozharani; Ramë Topalli, Zeqë Pira dhe Islam Pira, që njihen edhe si organizatorë të këtij Kuvendi.22
Ky Kuvend zgjoi interesim të madh tek qarqet diplomatike dhe konsullore të shteteve të mëdha dhe diplomatëve të tyre të akredituar në vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit. Për këtë ngjare ka qenë shumë e interesuar diplomacia austro-hungareze, pasi që në këtë Kuvend shqiptarët u shprehën publikisht kundër politikës austro-hungareze. Shqiptarët në këtë Kuvend shprehën qëndrimin e tyre kundër çdo agresioni të jashtëm, të gatshëm që me armë ta kundërshtojnë çdo sulm nga jashtë, qoftë edhe atë nga dy super fuqitë e kohës ruso-austriake, të cilat në këtë kohë kishin fituar disa koncesione nga vetë Sulltani. Ky dyshim i shqiptarëve doli shumë i saktë, kur dy muaj më vonë në tetor 1908, austro-hungaria e shpalli aneksimin e Bosnjës.23 Këtë qëndrim të prerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare do të tentojnë ta përvetësojnë për interesa të veta shtetet e Ballkanit, në radhë të parë Serbia.
Numri i shqiptarëve në Kuvendin e Ferizajt, aty ka kah fundi i muajit korrik arriti mbi 30.000 vetë njoftonte gazeta bullgare “Iskra”, që botohej në Selanik.24 Sipas konsujve austro-hungarez, numri i shqiptarëve në këtë Kuvend ka qenë shumë më i madh. Sipas Prohaskës, “në këtë tubim pati mbi 44 mijë vetë”.25 Nga ky Kuvend; përfaqësues të Mitrovicës, Jeni Pazarit, Prishtinës, Ferizajt, Shkupit, Tetovës, Gostivarit dhe viseve të tjera të vilajetit të Kosovës, i dërguan Sulltanit, më 20 korrik të vitit 1908, një telegram me 180 nënshkrime. Këta përfaqësues të Vilajetit të Kosovës, kërkonin nga sulltan Abdyl Hamidi II, unanimisht hyrijetin (lirinë) dhe rikthimin e Kushtetutës së vitit 1876.26
Më 22 korrik, para se të miratohej Itifaknama, Kuvendi i Ferizajt i dërgoi Sarajit të Sulltanit një telegram tjetër, ku thuhej se në rast se nuk shpallej menjëherë Kushtetuta e vitit 1876, populli me armë në dorë do të zbriste drejt Stambollit. Në të vërtetë, organet e pushtetit gati në tërë Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit u paralizuan në të gjitha fushat e jetës politike dhe administrative, ato ishin plotësisht në duar të shqiptarëve, gati më se një muaj të zgjatjes së Kuvendit në Ferizaj, jeta në këto dy vilajete funksiononte bindshëm nën mbikëqyrjen e oficerëve dhe krerëve shqiptarë.27
Sulltani, nga kjo situatë e krijuar në Shqipërinë Verilindore, u gjind në një pozitë tejet të vështirë politike, ku masa prej 30.000 vetash prisnin komandën në gjendje gatishmërie, për të marshuar drejt Shkupit e Selanikut, për në Stamboll. Shqiptarët kanë një moral të lartë, nuk plaçkitin, “por kërkojnë pavarësi dhe çlirim kombëtar”.28 Kjo kërkesë e popullit shqiptar e shqetësoi pamasë jo vetëm sulltanin, por edhe xhonturqit, që kishin nxitur shqiptarët të bashkëpunonin me ta. Më 23 korrik, pa ardhur ende përgjigja nga Stambolli, kryengritësit shqiptarë e shpallën Kushtetutën në Selanik, pastaj e shpallën në Manastir, Shkup, Preshevë, Veles e shumë qendra të tjera shqiptare.29
Më 24 korrik, Sulltan Hamiti pranoi dhe shpalli rivendosjen e Kushtetutës, e cila u pritë në mbarë Perandorinë me gëzim të madh dhe me manifestime të ndryshme. Sipas konsullit Prohasaka: ”Tubimi i shqiptarëve në Ferizaj ishte një nga më të mëdhenjtë që me shekuj nuk mbahej mend”.30
_______________
Referencat :
1. Manol Pandevski, Politiçkite parti i organizaciji vo Makedonija 1908-1912, Shkup 1965, f. 281.
2. Ismail Qemali, Përmbledhje dokumentesh, shih, dok. 82, Raport i Esat Pashës, dërguar sulltanit, ku njofton për përfundimin e hetimeve lidhur me pjesëmarrjen e oficerëve në komitetet xhonturke dhe elementët e arratisur, më 12 korrik 1908. Esat Pasha, në këtë kohë ishte Gjeneral Divizioni, ëvendës i mareshalit të Armatës së Tretë perandorake.
3. Ismet Dërmaku, Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe kolonitë shqiptare të mërgimit në Rumani dhe Bullgari, Prishtinë 1987, f. 340; Reshat Nexhipi, Prespa dhe Manastiri nëpër shekuj, Kërçovë 2003, f. 61; Tajar Tetova është i lindur në Tetovë, me gradë ka qenë oficer ushtarak dhe ka shërbyer në ushtrinë turke. Në fillim ka mbrojtur fuqishëm Perandorinë dhe interesat e saja, por më vonë ka dhënë një kontribut të fuqishëm në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare edhe në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë.
4. Historia e popullit shqiptar, II, 2002 Tiranë, f. 374.
5. Fshatii Pesoçan, ky fshat sot fare nuk ka banorë shqiptarë, pasi u dogj nga ushtria serbe në vitin 1913, ku një pjesë të banorëve të saj i vrau në mënyrë më mizore duke i fut të gjallë në pus pranë fshatit, ndërsa pjesa tjetër u shpërngulën nga dhuna e ushtrisë serbe, pasi akuzoheshin se kishin marrë pjesë aktive në Kryengritjen e Shtatorit, që kishte filluar në Dibër, por më të madhe ishte përhapur në tërë trevat e Shqipërisë Lindore.
6. Reshat Nexhipi, Prespa dhe Manastiri nëpër shekuj, Kërçovë 2003, f. 60-61.
7. Halim Purrellku, Aspekte të Kryengritjes së Ilindenit në raport me interesat shqiptare, Çështja e reformave në “tre Vilajetet” (“Maqedoni”), dhe imponimi i të ashtuquajturës “çështja maqedonase”, Seminari i III, Ndërkombëtar i Albanologjisë, në USHT, Tetovë-Shkup 2009, f. 201.
8. Stefan K. Pavlloviq, Istorija Balkana, (përkthyer nga serbishtja Çedomir Antiq), KLIO, 2001, f. 247.
9. Halim Purellku, Aspekte të Kryengritjes së Ilindenit në raport me interesat shqiptare, çështja e reformave në “tre Vilajetet” (“Maqedoni”)…, f. 201.
10. Shefqet Pllana, Kuvendi i Ferizajt më 1908, sipas disa bashkëkohësve, “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë 1997, f.101-103.
11. Raport i konsullit Zambuar në Mitrovicë, Ministrit Erentall në Vjenë, më 8 korrik 1908; Ali Vishko, Kongreset e Alfabetit dhe të shkollës shqipe, Shkup 1992, f. 27.
12. Raport i përfaqësuesit serb Jeliçka nga Shkupi, dërguar Beogradit 27 qershor 1908; HHStA, Pa, ”Mendimi politik”, i Ambasadorit Pallvaçini nga Stambolli, dërguar Vjenës, më 5 maj 1910.
13. Ejup Sabriu, edhe pse ishte oficer në shërbim të Perandorisë Osmmane, mori pjesë edhe në Kongresin e Dibrës 1909 dhe të Manastirit në v. 1910.
14. Manol Pandevski, Politiçkite parti i organizaciji vo Makedonija…, f. 26.
15. Historia e popullit shqiptar II, vep. e cit. f. 375. Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Pollogut në luftë për çlirim e bashkim kombëtar, Tetovë 2003, f.
16. Zhivko Avramovski, Izveshtaji austro-hungarski i konzula u Kosovskoj Mitrovici, Prizrenu i Skoplju, o odborskoj Skupshtini u Ferizoviqu, 5-23 jula, 1908; “Vjetar-Godishnjak”, Arhiva II-III, Prishtinë 1970, f. 320-322.
17. Zhviko Avramovski, Raportet e konsujve austro-hungarezë në Mitrovicë, Prizren për Kuvendin e Shqiptarëve në Ferizaj, “Përparimi” Prishtinë 1976, f. 581.
18. Arkivi i Maqedonisë-Shkup, Fond. PP, mikrofilmi 332, raport i konsullit Millan Peqanacit nga Prishtina, më 18 korrik 1908. Zh. Avramovski, Izveshtaji austroungarskih konzula u Kosovskoj Mitrovici, Prizrenu i Skoplju o odborskoj Skupshtini u Ferizoviçu 5-23. jula 1908, “Vjetari”, II-III, Prishtinë 1970, f. 312-314.
19. Shefqet Pllana, “Gjurmime albanologjike”, (seria 26-1996), Prishtinë, 1997, f. 105; Gjyltekin Shehu, “Shqiptarët e Maqedonisë” ,(material i simpoziumit, ngjarjet në vilajetin e Kosovës sipas burimeve franceze, 1908- 1912), Shkup, 1994. f. 290
20. Vebi Xhemaili, Pjesëmarrja e shqiptarëve të Pollogut në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, “Fakti”, (fejton), Shkup 2003.
21. Gazeta “Kosova”, Konstancë, kallnor 1942; Në bazë të dëshmive që kemi, në vitin 1908, Mehmet pashë Tetova, ka qenë i internuar në Bagdad, pas mbajtjes së Kuvendit të Ferizajt ai fiton amnistinë nga Sulltan Abdylhamiti, prandaj nuk ka pasur mundësi të marrë pjesë në Kuvendin e Ferizajt. Gazeta “Kosova”, si duket e ka përzier me pjesëmarrjen e djalit të tij Halim bej Derrallën. Poashtu e konsulli francez në Shkup, Pichon, nuk e përmend fare emrin e Mehmet pashë Derrallës.
22. Historia e popullit shqiptar II…, f. 376.
23. V. P. Potemkin, Istorija Diplomatije…, f.167.
24. Dimitar Vllahov, Makedonija i maldoturska revolucija, “Istoriski çasopis”, III, Beograd , f. 35; Shaban Demiraj-Kristaq Prifti, Kongresi i Manastirit,Tiranë 2004, f. 52; Gazeta ”Iskra”, Selanik, viti 1908.
25. Zhviko Avramovski, Raportet e konsujve austro-hungarezë në Mitrovicë, Prizren për Kuvendin e Shqiptarëve në Ferizaj, “Përparimi” Prishtinë 1976, f. 581-582.
26. Zivko Avramovski, Izveshtaji austroungarskih konzulla u Kosovskoj Mitrovici, Prizrenu i Skoplju o odborskoj Skupshtini u Ferizoviçu 5-23. jula 1908. “Godishnjak”, II-III, Ahriv Koosva , Prishtinë 1970. f. 312-314. Kjo kushtetutë ishte përgatitur nga Mithat Pasha.
27. Zhivko Avramovski, Raportet e konsujve austro-hungarezë në Mitrovicë, Prizren e Shkup, për Kuvendin e Shqiptarëve në Ferizaj, mbajtur prej 5-23 korrik 1908, “Përparimi”, nr. 7, 1967, f. 868.
28. Raport nr. 80, i Zëvendës konsullit Pizhon, nga Shkupi, më 24 korrik 1908.
29. Historia e popullit shqiptar ii…, f. 377.
30.Raport i konsullit Prohasaka, nga Prizreni, Ministrit Erentall, në Vjenë, teleg. nr. 124, më 29 korrik 1908.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura