FAZLI VELIU: ZËRI I KOSOVËS – ZËRI I POPULLIT TONË PËR LIRI E BASHKIM KOMBËTAR

Pashtriku.org, 3. 12. 2016: (Parathënie e librit “Zëri i Kosovës”, ShB “Arbëria Design”, Tetovë 2016) – Zëri i Kosovës, që nga fillimi kur doli së bashku me revoltën e përgjithshme të studentëve, punëtorëve e fshatarëve kundër regjimit diskriminues të Beogradit, u bë tribunë e fuqishme e popullit të Kosovës.
Emri kuptimplotë, që sublimoi një popull të ndarë e të robëruar, i cili në të gjitha kohët bëri përpjekje të pandalshme për t’u çliruar dhe bashkuar me mbarë kombin shqiptar, i mbeti besnik atij, barti mesazhet e bijve dhe bijave më të përkushtuara-deri në ditët e sotme, kur po bëhet realitet përpjekja e përbashkët për të hequr prangat dhe zgjedhën sllave. Shkrimet e “Zërit të Kosovës” nuk ishin të rëndomta e të një rrjedhe të njëjtë si të gazetave të atëhershme e të mëvonshme legale. Ishin shënimet e të burgosurve shqiptarë që shkruheshin me duar të përgjakura nga gardianët e policët, udbashët dhe spiunët, tradhtarët e karrieristët. Ishin edhe shënimet e studentëve të përjashtuar nga procesi arsimor, mbasi kishin qenë të pandarë nga masat e gjera të popullit të shumëvuajtur. Ishin edhe shënimet e mërgimtarëve të shumtë, të ndjekur dhe të emëruar si të padëshirueshëm për regjimin dhe përkrahësit e tij shqiptarë.

Kumanovë, 23 tetor 2016: Redaktori i librit, Fazli Velu dhe autori Sejdi Gega, gjatë promovimit të librit “Zëri i Kosovës”.

Zërin e Kosovës e nxorën në dritë bijtë dhe bijat që patën mesazhin e madh të popullit të Kosovës: ndërgjegjësimin për çlirim dhe bashkim, jehonën e kushtrimit brenda dhe jashtë.
Jashtë vendit Zërin e Kosovës e përgatiti dhe shpërndau Jusuf Gërvalla me gjeneratën e betuar, ndërsa brenda vendit e ngritën dhe vulosën me gjakun e pastër Rexhep Mala në burgje me shumë të burgosur, Nuhi Berisha me të mërguarit dhe të mbeturit udhëkryqeve të Ballkanit. Afrim Zhitia me gjeneratën e ndërgjegjes së rëndë e të lartësuar për të vazhduar veprimtarinë kombëtare.
Zëri i Kosovës arriti të bëhet zëri i shqiptarëve në mbarë viset shqiptare të sunduara nga pushtuesit sllavë. Si i tillë ai depërtoi thellë në zemrën e çdo shqiptari, në viset ku flitej dhe shkruhej shqip. Prandaj, Zëri i Kosovës u bë një dell gjaku që arrinte te zemra e madhe e kombit dhe Atdheut. Në faqet e Zërit të Kosovës, që nga fillimi i luftës për liri, të motivuar, iniciuar dhe nisur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, gjetën vendin dhe përkrahjen e pakursyer luftëtarët e lirisë, bijtë dhe bijat e Kosovës martire, të vendosur në rrugën e vështirë por të vetme të çlirimit dhe bashkimit, me ribetimin: Liri a Vdekje.
Zëri i Kosovës nuk shfaqi dhe mbrojti në asnjë kohë vetëm anëtarësinë e tij dhe të organizatës së cilës i takonte dhe i takon – LPK-së, por mbarë çështjen kombëtare, mbasi edhe programin e pati dhe e ka të tillë, mbasi vetë populli i Kosovës është pjesë e pandashme e kombit shqiptar. Zëri i Kosovës, duke hapëruar me kohën, del ditor.
Ai bart mesazhet e të parëve dhe përpjekjet e të gjithëve, brenda dhe jashtë, shtytjen e luftës dhe çështjes në lartësinë që e meriton populli i pamposhtur i Kosovës, në shkallën që kthen dinjitetin tonë kombëtar.
Vite të tëra denoncuam politikën në të gjitha meridianët, e cila përsërit diplomacitë e fshehta e të hapura kundër nesh. Kaq vite kërkojmë nga ndërgjegjja e vrarë e Evropës që të korrigjojë gabimet dhe të na trajtojë siç jemi-një komb me autoktoni të dëshmuar në shekuj. Po kaq vite kërkojmë që të dënohen vrasësit e të gjithë bijve e bijave të popullit të Kosovës.
Betimit të madh në Kosovë iu përgjigjën shokë të të njëjtit ideal. Po në janar, dy vite pas, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha sfiduan njësitë policore e ushtarake jugosllave. Këta bij të Kosovës, të dhënë për çështjen e atdheut që në rini, pasi kryen veprimtari të dendur brenda dhe jashtë, bënë përgatitjet e para të kundërvënies me mjete vetëmbrojtjeje dhe mbrojtje. Rexhepi, mbasi shkroi me gjakun e tij e të shokëve ditarin në burgjet fashiste sllave, mbasi e kishte ndihmuar daljen e Zërit të Kosovës dhe kishte këmbëngulë që të qëndrojë në Kosovë, i ndjekur gjithmonë, nuk e la pa kryer betimin e dhënë.
Armiqve e tradhtarëve iu përgjigjet me zjarr e flakë. Pranë tij, Nuhi Berisha, veprimtari ynë edhe jashtë vendit, që më parë shkroi veprën për mënyrën e organizimit, si dhe atë të ngjarjeve të vitit 1981-“Pranverë e luleve të kuqe”, bashkoi armën kundër barbarëve sllavë.
Vitet që pasuan nuk qenë pa përpjekje dhe pa mund e sakrifica për çlirimin e viseve tona. Në radhën e luftëtarëve të lirisë u radhitën Bajram Bahtiri, Ali Ajeti, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Tahir Lush Berisha, Hasan Ramadani, Besim Ndrecaj e shumë të tjerë. Ajo vepër e bërë nga veprimtarët e pandalshëm, frymëzoi studentë, punëtorë e fshatarë etj. Dhe nuk ishte vetëm krijimtaria letrare e nisur në Shkup e Prishtinë. Jusuf Gërvalla përveç krijimtarisë së gjerë, bëri edhe atë të organizimit, të konsolidimit dhe përgatitjes së radhëve për çlirimin dhe bashkimin e viseve shqiptare në Jugosllavi.
Pena e Tij, e Kadri Zekës, e të gjithë veprimtarëve të kohës së Tyre ndryshonte krejtësisht, nga ato që shkruanin brenda vendit (të cilët ishin nën ndikimin e jetës së vëllazërim – bashkimit, që krijonin himne për satrapin Tito dhe bashkëpunëtorët e tij)…
***
Pas një hulumtimi të thellë shkencor e atdhetar, këtë verë përmbyllet punimi i shumëpritur për ecurinë e Zërit të Kosovës nga bashkëveprimtari i çështjes sonë – Sejdi Gega. Ideja për të kryer, nga afër, me përkushtim, këtë detyrë fisnike: Autori – të mbijetuarit e Zërit të Kosovës dhe Lëvizjes Popullore të Kosovës, si dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u realizua.
Në fillim kjo detyrë dukej shumë e vështirë. Ku, kur, si – të nisej shkrimi?!
Autori zgjodhi – fillimin – administratën, shënimet; kudo që ishin, pjesë – pjesë mandej edhe ekzemplarët e plotë, i radhiti në fletoren e punës, në kompjuter.
Ne që ishim hartues të shumë punimeve, rrudhnim krahët, në shenjë pëlqimi e miratimi, me drojën se një veprim i tillë, mund të mbetet në gjysmë të rrugës (nëse nuk i afronim të gjitha kushtet).
Duke e ditur këmbëngulësinë e Tij, ne i dëshiruam suksese në këtë fushë të pa grumbulluar e të pasistemuar…
Siç shihet, motivimi kryesor, i Atij dhe veprimtarëve, të cilët, me Zërin e Kosovës, në anën e zemrës, përfunduan nën torturat e gardianëve në burgje, policëve në rrugë, shkolla…, po lartësohej. Zëri i prindërve për bijtë dhe bijat e Tyre, që ranë duke shpërndarë zërin jehues, sikur u lartësua me lavdinë, krenarinë…
– Zëri i Nënë Ajshes, dëgjohej e shkruhej
– Zëri i Nënë Hanes, e cila qante më shumë për Kosovën sesa për djalin e Saj.
– Zëri i bijës së Rexhep Malës: Fitores, për babanë – Dëshmor të Atdheut.
– Zëri i prindërve të Luftëtarëve të tri Emblemave të UÇK-së…
Punimi do të bartë – dengjet e fletëve të shumta të shtypit tonë ndër dekada, përmes – Zërit të Kosovës e botimeve të tij…
Gjeneratat e Përkushtimit të madh, përjetuan tmerret e burgjeve fashiste jugosllave, ndjekjet e pandërprera, brenda dhe jashtë vendit. Sa herë që pushtuesit i duhej një shkas për të marrë masa shtrënguese ndaj popullit tonë të pambrojtur, të parët që i ndëshkonte ishin bijtë dhe bijat e revolucionit, Rilindjes Kombëtare, përkrahësit e masave të gjëra. Mbi ata dhe ato, vërsuleshin xhelatët, gardianët, UDB-ashët, mashat e tyre. Por, çdoherë të betuarit në Atdhe, Komb e Flamur shqiptar, ngjiteshin ngadhënjyes, të pamposhtur, fitues. Me plagë në shpirt, zemër, trup, ecnin drejt shtigjeve të lirisë, dritës, ardhmërisë…
Njeri nga Ata, Sejdi Gega na doli i pagjunjëzuar nga burgjet dhe iu bashkëngjit veprimtarisë sonë në mërgim: Ishte shëndetlig, i dërrmuar por i gatshëm për të marrë detyrë në kuadër të Lëvizjes sonë, të cilën, ne të mërguarit, e bartnim si trashëgim – thesar, nga i burgosuri i dekadave – Adem Demaçi, nga korifenjtë e Lëvizjes: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla e shumë të tjerë, të rënë e në këmbë…
Ai, në mesin tonë vinte me kujtimet e pashlyeshme për të burgosurit. Për ata, ai fliste me adhurim dhe besim, duke na sjellë edhe portretet e tyre, të krijuara në burgjet e hekurta jugosllave. Kur hyri në mesin tonë, kërkoi t’i caktonim detyra më të vështira dhe më të rëndësishme. Nga shtator/tetori i viti 1991 do të kalojë jetë ilegale deri në fillim të janarit 1992, kur detyrohet të lëshojë Kosovën.
Nga janari i vitit 1992 do të bëjë jetë mërgimtari në Zvicër. Tri vitet e para do të punojë mësues, në mësimin plotësues me nxënësit shqiptarë në Kanton Uri.
Anëtar aktiv i LPK-së, Dega jashtë vendit, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm deri në mbarim të luftës, anëtar i Kryesisë së Nëndegës së LPK-së për Zvicër, me përgjegjësin e arkëtarit. Nga korriku i vitit 1998, anëtar i Kryesisë së LPK-së, me përgjegjësinë e Përgjegjësit Financiar për Degën e LPK-së jashtë vendit.
Sejdi Gega, personalisht dhe me anëtarët e familjes së tij të ngushtë, si dhe me veprimtarët e përkushtimit të Madh Kombëtar, krijoi kushte veprimtarie, të cilat ishin në vazhdën e pararendësve të betuar në Atdhe, Komb, Flamur.
Një kujdes të veçantë, dëshmoi ndaj kryepersonazhit të lëvizjes Adem Demaçi, bashkëveprimtarit të këtij Ahmet Haxhiu, drejtpërdrejt ndaj Fadil Vatës, Ukshin Hotit, Behajdin Allaçit etj. Aktualisht është në lidhje të ngushtë me frymëzuesin kryesor të të gjitha gjeneratave- Adem Demën dhe familjen e tij të ngushtë.
Urime! Motivime të reja!
Fazil Veliu – Korrik, 2016, Lucern (CH).
LEXONI LIBRIN E PLOTËSUAR “ZËRI I KOSOVES” NË FORMATIN ‘PDF’:
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/sejdi%20gega%20zeri%20i%20kosoves%202016.pdf

_______________
KUSH ËSHTË SEJDI GEGA
Sejdi Gega, i lindur në fshatin Gurrë, ish Studençan, K.K. Therandë, ish Suharekë, më 16 prill 1955, në një familje mesatare bujqësore, babai – Sadik Hajdar Gega (01.10.1930) dhe Gjylferije Kovaçi – Gega (23.02.1928 lindur në Samadraxhë të Therandës). Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në mjedis familjar, me tre vëllezër dhe katër motra. Sejdiu është fëmija i dytë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje me sukses të shkëlqyeshëm, ndërsa të mesme-Gjimnazin e shkencave natyrore e kreu në Therandë, në vitin 1975. Studimet i kreu në Universitetin e Prishtinës, drejtimin e Teknologjisë së Përgjithshme, në Fakultetin Xehtaro – Metalugjik, në Mitrovicë. Në vitin 1979/1980, filloi të punojë si profesor i shkencave natyrore në Gjimnazin (QAMO)- “Jeta e Re” në Therandë. Në maj 1981, është arrestuar nga organet e sigurimit shtetëror jugosllav për veprimtari “armiqësor” dhe është dënuar më 6 gusht 1981, me 6 vite burg nga Gjykata e Qarkut në Prizren, nën kryesimin e trupit gjykues nga Orhan Rekathati, sipas paragrafit 1, lidhur me nenin 114, të LP të RFS-ës, në grup me Afrim, Hazirin, Halil Morinën dhe me Prof. Bislim Elshanin. Më 8 prill 1982, me një grup shokësh do t’i transferojnë në Pejë dhe nga Peja së bashku me një grup tjetër do t’i dërgojnë në Kroaci, nën përcjellje të rreptë policore në Burgun Qendror të Zagrebit, mandej në Gospiq dhe në Lepogllavë, ndërsa në prill 1983 transferohet në Stara Gradishkë, në burgun më famëkeq ku vuante dënimin Adem Demaçi. Sejdi Gega, anëtar i LPK-së, kryetar i Këshillit të Rrethit të Therandës nga viti 1989. Pjesëmarrës në Konferencën e Dytë të Jashtëzakonshme të OMLK-së (4 shkurt 1991 në Prapashticë), së bashku me Shefki Muçën dhe Ilaza Kadollin nga Theranda. (Veprimtaria e tij vazhdon në mërgim, e cila përfshihet në fillim të këtij libri).

………………………………………………………………………

(Përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura