Tetovë, 02. 02. 2014 – (TITO-HOXHA RANË DAKORD PËR FEDERATËN BALLKANIKE POR JO EDHE PËR ÇËSHTJEN E KOSOVËS) – Në atë kohë kishte dalë në paraskenë plani i Titos për krijimin e Federatës Ballkanike, që do të përfshinte Jugosllavinë, Shqipërinë, Bullgarinë dhe Greqinë, ishte një prej objektivave kryesore të politikës së Jashtme të Jugosllavisë për periudhën e pas luftës. Në pranverën e ardhshme u zbulua krejtësisht se cilat qenë synimet e vërteta të politikës Jugosllave në raport me Shqipërinë. Pikërisht kur qeveria e Titos i propozoi Nako Spiros, i cili ndodhej me mision në Beograd, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve, për nënshkrimin e një marrëveshjeje të fshehtë për siguri dhe mbrojtjen e interesave jugosllave në Shqipëri në rast rreziku të udhëheqjes së PKSH dhe hedhjen e njësiteve jugosllave në Shqipëri në rast rreziku.43 Por Naku refuzoi të firmos, ku marrëdhëniet Shqiptaro jugosllave bëhen më të ndera, nga sa ishin kur ai arriti në Beograd. Sipas Stalinit Nako Spiro tentoi të helmonte marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë”. Prandaj Nako ishte kundër marrjes së kësaj kredie prej dy miliard Lekë, që kapnin një vlerë 56,7% të ardhurave të buxhetit të vendit,44 të akorduar nga Kuvendi Popullor me propozim të Boris Kidriçit, për Shqipërinë, kjo ndihmë në të holla, u dha pa kamatë dhe pa afat kthimi. Me këtë gjest human, jugosllavët mendonin se do të jetë mirënjohës populli shqiptar, miqësisë jugosllave.45
Enver Hoxha i dha pëlqim të plotë propozim mendimit të Titos për Federatën Ballkanike, edhe pse kjo ide nuk ishte e panjohur për shumë njerëz me ide komuniste që kishin dalë nga shkolla e Kominternit; ”Për përfshirjen e Shqipërisë në federatën e ardhshme më së shumti interes tregonte pikërisht Enver Hoxha”.46 Me këtë rast duhet theksuar se Hoxha i ka shtrembëruar faktet historike dhe gjërat në lidhje me marrëdhëniet e shqiptaro-jugosllave, kur thotë: “se shqiptarët i kuptuan lojërat jugosllave që përgatitnin ata aneksimin e Shqipërisë si Republika e Shtatë e Jugosllavisë”, për këtë arsye populli ishte kundër çdo federate Ballkanike apo ndonjë federate tjetër të ngjashme. Hoxha më vonë harron se çfarë i kishte shkruar Titos më 17 mars 1948, ku vetë i drejtoi një letër Titos, ku kërkon bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë në Federatën Ballkanike.47 Kjo dëshmohet edhe në letër që i dërgoi Naku Spiru Hoxhës nga Beogradi, që në atë kohë ndodhej në Moskë, pasi fjalëve që i tha Zllatiqi, në prononcimet e Tempos dhe të Koça Popoviqit, “që Jugosllavia do të bashkohet me Bullgarinë, do të bëjnë një shtet të vetëm dhe tha se mund të ndodhë edhe me ne.”48 Kjo më vonë u vërtetua edhe në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PKSH për çështje të bashkimit me Jugosllavinë, ku ishte dakort edhe vetë Enver Hoxha.49
Titistët tani më kishin arritur të depërtonin te disa elementë filo-jugosllavë, që mbanin fortë në duart e tyre disa poste më rëndësi në krye të pushtetit popullor, në veçanti në funksionin kyç, Koçi Xoxi tentonte të izolojë Hoxhën, duke i bërë presion për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë.50 Qeveria shqiptare në krye me Hoxhën, të vetmin shpëtim e kishin në forcimin e pushtetit të tij, pasi Hoxha, lidhjet jugosllave më disa shqipfolës i shihte si rrezik për pushtetin e tij. Ndër ta ishin: Koçi Xoxe, Pandi Kristi, Kristo Temelko, Ramdan Çitaku. Por edhe vetë Enver Hoxha edhe më tutje i qëndronte besnik boshtit Beograd-Moskë.51 Prandaj u kritikua nga Tuk Jakova, në Plenumin e XI të KQ të PKSH, se nuk kishte rezistuar sa duhet presioneve të Beogradit.52 Por shumë shpejtë orekset jugosllave dolën në sipërfaqe kundrejt Shqipërisë sovrane dhe ato fare nuk dallonin nga politika e Jugosllavisë borgjeze.
Në fillim të vitit 1947 u zbulua krejtësisht politika dhe synimet e vërteta të Titos, në raport me Shqipërinë. Në këtë kohë Qeveria jugosllave i propozoi Nako Spirut (i cili ndodhej me mision në Beograd, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve), për nënshkrimin e një marrëveshje të fshehtë për sigurimin dhe mbrojtjen e interesave jugosllave në Shqipëri, në rast ndryshimi të udhëheqjes së PKSH. Nako Spiru edhe pse ishte Ministër i Ekonomisë refuzoi të firmos këtë kërkesë të palës jugosllave. Nga ky moment marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave do të bëhen më të ndera, nga sa ishin kur arriti Hoxha në Beograd.53
Në atë kohë kishte ridalë në paraskenë plani i Titos për krijimin e Federatës Ballkanike dhe për këtë arsye ai nënshkroi marrëveshje të njëllojtë edhe me Bullgarinë. Krijimi i Federatës që do të përfshinte Jugosllavinë, Shqipërinë, Bullgarinë dhe që ishte ide e kamotshme e shteteve sllave. Kjo ishte një prej objektivave kryesore të politikës së jashtme të Jugosllavisë, për periudhën e pasluftës. Por duhet pranuar se në aprovimin kësaj iniciative ka pasur edhe pëlqimin e Stalinit, pasi Bashkimi Sovjetik nuk ka pasur interes të vetin drejtpërsëdrejti, i ka deklaruar Gjillasit në Moskë, “se Jugosllavia i ka duart e lira ta gëlltisë Shqipërinë, kur të dojë”.54
Në verë të vitit 1947, me urdhër të Stalinit, Tito ishte i angazhuar për organizimin e Informbyrosë (Byroja Informative e Partive Komuniste e Punëtorëve) e cila mbledhjen konstituive e mbajti në shtator 1947 në Varshavë me pjesëmarrjen e partive komuniste evropiane. Selia e parë e saj ishte në Beograd, ku bënin pjesë: Bashkimi Sovjetik, Bullgaria, Çekosllovakia, Hungaria, Polonia, Rumania, Jugosllavia dhe dy parti tjera komuniste të Perëndimit, ajo e Italisë dhe Francës, por jo edhe Shqipërinë.55
Në të njejtën kohë Stalini e thirri fshehtas Hoxhën në Moskë.56 Aty Hoxha u skandalizua, sapo konstatoi paditurinë e Stalinit lidhur me Shqipërinë dhe afrimin e saj në të gjitha fushat me Jugosllavinë. Ky sekret apo mos njoftim u provua në takimin e Stalinit me Eduart Kardelin – këshilltar i Titos për çështje e politikës së jashtme, – që u realizua gati në të njëjtën kohë. Stalini i drejtoi Kardelit disa pyetje, por edhe atë lidhur me prejardhjen e shqiptarëve, duke shtuar se “… paraqiten ndoshta njerëz prapanikë dhe primitivë”; atëherë ambasadori jugosllav iu përgjigj: “ndërkaq janë shumë trima dhe të besës” – d.m.th. në një farë mënyre mbështeti mendimin e Stalinit për shqiptarët, pasi ky plotësoi: “Po mund të jenë të besës si…, por dhe kjo është karakteristikë e primitivizmit”.57
Ndërkohë, kishte nisur të funksiononte Lidhja e Informbyrosë, në tetor 1947, siç përmendëm më lartë, Shqipëria ishte vendi i vetëm i bllokut komunist që nuk u thirr të merrte pjesë në konstituivin e Informbyrosë, ndoshta nga që konsiderohej se do të mbështeste qind-përqind Jugosllavinë, në çarë do lloj mosmarrëveshje që do të rezultonte, pasi dhe vetë Stalini i parashikonte serioze problemet që kishte me Titon. Marrëdhëniet sovjeto-jugosllave keqësoheshin për shkak të planeve të Titos dhe të udhëheqësit bullgar Gjergj Dimitrov, për të formuar Federatën Ballkanike, për të cilën qe në kundërshtim vetë Stalini, të cilën e deklaroi në një takim të mbajtur në Kremlin.58 Pas përjashtimit të Jugosllavisë prej Informbyrosë, Hoxha, gjeti një satisfaksion të madh për vete, pavarësisht se shqiptarët shumë pakë peshonin te vetë miti i Stalinit. Por në anën tjetër po ndryshonte klima politike në favor të shqiptarëve kur ishte në pyetje integriteti i vendit. Ndërsa forcat nacionaliste filluan të rimarrin veten, kur ishte në pyetje çështja e pazgjidhur e Kosovës dhe trojeve tjera etnike shqiptare.
HOXHA NË BEOGRAD U TAKUA ME UDHËHEQËSINË JUGOSLLAVE POR JO EDHE ME TITON
Me ftesën e qeverisë bullgare nga vetë Dimitrovi për të vizituar Bullgarinë në delegacionin shqiptarë ishin caktuar 59 Koçi Xoxi, Hysni Kapo dhe Kristo Temelko, e cila arriti në Bullgari më 13 dhjetor 1947. Ndërsa disa ditë më parë, më 27 nëntor, ishte lidhur marrëveshja miqësore për ndihmë reciproke midis Jugosllavisë dhe Bullgarisë.60 Delegacioni shqiptarë nga Tirana arriti në Pogradec, ku kaloi kufirin nga Shën Naumi, Ohri dhe arriti në Manastir. Ku i priste treni special jugosllav, më 12 dhjetor delegacioni shqiptar arriti në Beograd. Në një temperaturë tejet të ulët delegacionin e priste kësaj radhe Eduard Kardeli, Aleksandar Rankoviçi, Svetozar Vukmanoviç Tempo, Ministri i Jashtëm Stanoje Simiç, dhe kryetari i Komisionit të Planifikimit Andrija Hebrang e disa tjerë. Sipas një marrëveshje më të hershme, ishte paraparë që delegacioni të pushojë një natë në Beograd, në të njëjtën natë do të vijë deri te kimi Tito-Hoxha. Delegacioni shqiptarë u vendos në një hotel të mbyllur, që më parë e kishte shfrytëzuar familja mbretërore e Millan Stojadinoviqit.61
Pasi u vendosën, delegacioni shqiptar pas një pushimi të vogël u drejtua në vendin ku ishte Tito, mirëpo kësaj radhe Tito nuk i priti në “Dedinje” por në një ndërtesë tjetër afër ndërtesës së “Bardhë”, në rrugën “Uzhica”. Ky ishte takimi i tretë Tito-Hoxha, por kësaj radhe ishte një takim tejet i ftohtë në krahasim me ato dy të parët në Beograd dhe në Bled, ku u pritë nga vetë Tito. Me një gjest instiktiv të vetë Titos, Hoxha e kuptoi se simpatitë e tij më të mëdha janë drejt Koçi Xoxit, pasi vetë Tito e urdhëroi Koçi Xoxin të ulet pranë tij. Në këtë takim Tito i bëri me dije Hoxhës, në lidhje me problemet e paraqitura në Shqipëri, se do të bisedohet pas kthimit nga Bullgaria.62
Bullgari, 1947: Enver Hoxha gjatë takimit me Gj.Dimitrovin në Sofje.
Pasi u nënshkrua marrëveshja për miqësi dhe bashkëpunim midis dy vendeve, e cila marrëveshje mbeti e pa cenuar deri sa ishte gjallë vetë Enver Hoxha. Delegacioni shqiptar e lëshoi Bullgarinë. Në Beograd kësaj radhe delegacionin shqiptarë e prisnin nëpunësit e rendit të dytë dhe të tretë, duke arsyetuar mungesën e udhëheqësisë jugosllave “se janë shumë të angazhuar me punë”. Në pyetjen e Hoxhës, se kur mund të shihet me Titon, mori përgjigjen se është për vizitë në Romani që para dy ditëve. Hoxha, më në fund deklaron: çdo gjë ishte e qartë, prandaj më nuk parashtrova pyetje tjera”, “atë natë bujtëm në Beograd, të nesërmen për një ditë arritëm në Tiranë”.
AFRIMI I POLITIKËS SHQIPTARE NGA MOSKA
Në Plenumin e VIII, situata e Hoxhës u vu edhe më në pikëpyetje. Për fat të mirë të Shqipërisë dhe të Enver Hoxhës, Bashkimi Sovjetik në krye me Stalinin kishte përpunuar projektin për përjashtimin e Jugosllavisë nga Byroja Informative, ku jashtë kësaj Byroje mbeti vetëm PKSH. Enver Hoxha më vonë do të deklarojë “Se këtu fshihej dora e zezë e agjenturës titiste”.63 Në mars të vitit 1848, “Stalini u hodh në sulm kundër Partisë Komuniste Jugosllave dhe kundër Titos, me të cilën ai akuzonte jugosllavët se kanë devijuar nga parimet e leninizmit”.
Me kthimin e Enver Hoxhës nga Bukureshti, menjëherë filluan përgatitjet për Plenumin e IX-të KQ të Partisë që do mbahej nga në shtator 1948. Hoxha në këto rrethana të reja me dorën e vetë shkroi një letër për opinionin shqiptarë ku thuhej: “KQ i Partisë Komuniste Shqiptare njëzëri solidarizohet me Rezolutën e Byrosë Informative të partive komuniste në lidhje me gjendjen e Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe ashpër e dënojnë tradhtinë udhëheqësin e PKJ, të cilët e kanë trishtuar bllokun socialist, të cilët në luftë të hapur me vendin e famshëm socialist, në luftë kundër partisë së lavdishme të Leninit dhe Stalinit.”64 Në fund të letrës Hoxha do të citoj edhe këto fjalë: “KQ PKSH, gjithmonë ka qenë në mosmarrëveshje me KQ të PKJ, e cila gjithmonë na ka futë në rrugën e tradhtisë armiqësore, të një politike trockiste. KQ i PKJ në krye me Titon e shkatruan ekonominë dhe bujqësinë e vendit tonë”. Këtë dokument të shkruar vetë nga dora e Hoxhës më në fund e nënshkruan të gjithë anëtarët e KQ të Partisë, ndër ta ishin edhe Koçi Xoxi, Pandi Kristo, Kristo Temelko, Vasko Koleci, Pëllumb Dishnica, të cilët më vonë të gjithë u akuzuan si agjent dhe shërbëtor të titizmit.65 Me Jugosllavinë në këtë kohë u ndërprenë 27 kontrata dhe protokolle të nënshkruara, u mbyll qendra kulturore në Tiranë, u ndalua të shitet gazeta “Borba” në Shqipëri. Të gjithë specialistëve nga Jugosllavia iu dha urdhër që brenda 48 orëve pa kushte ta lëshojnë vendin. 66
Afrimi me Moskën nuk u prit mirë në Beograd. I shqetësuar nga këto zhvillime, Titoja nxitoi të realizonte projektin për Federatën Ballkanike, i cili në fillim kishte pasur dhe mbështetjen sovjetike. Në bazë të këtij projekti, Shqipëria do të ishte e para që do të bashkohej me Jugosllavinë. Pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, Enver Hoxha u ndodh i rrezikuar në luftën për pushtet me rivalet të tij që mbështeteshin nga Beogradi. Në rrethanat e krijuara, shpresën e shpëtimit ai e pa në forcimin e lidhjeve me Moskën. Në momentin kur pozitat e tij, si rezultat i trysnisë dhe i ndërhyrjes jugosllave, ishin më të dobëta se kurrë, në pranverën e 1948-ës, shpërtheu konflikti sovjeto-jugosllav. Çështja shqiptare dhe ankesat e Enver Hoxhës për Titon dhe qeverinë jugosllave u përdorën nga Stalini për të goditur udhëheqjen e Beogradit. Në rrethanat e krijuara Shqipëria mori dimensione të reja në politikën sovjetike në Ballkan. Gjysma e dytë e vitit 1948 shënoi një etapë të re në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike. Shqipëria u orientua tërësisht nga Bashkimi Sovjetik i cili rriti ndikimin dhe kontrollin e vet këtu.67 Ndërsa gazeta “Izvestije shkruante më 11 janar 1948, për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, me titull “Tani më ekziston Shqipëria e pavarur”.68 Ndërprerja e Marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, ndodhi në qershor të vitit 1948, kur Jugosllavia u përjashtua nga Informbyroja.
————————————-
– VIDEOINҪIZIME ARKIVORE –
Moskë, nëntor 1947: Enver Hoxha gjatë takimit me Stalinin dhe Molotovin.
==================
Enver Hoxha, 11 Maj 1948, video e rrallë e kryeministrit shqiptar!
Stalini dhe Enver Hoxha në Moskë me 1952
PRISHJA E MARRËDHËNIVE SHQIPTARO-JUGOSLLAVE
Pas vitit 1948, me prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, Shqipëria u rrethua nga pikëpamja gjeografike me vende të lindjes, qeveritë e të cilave më parë ishin rreshtuar hapur kundër regjimit komunist në Tiranë. Ndërkohë politika e vendit ishte përfshirë në mënyrë aktive në fushatë anti jugosllave, të organizuar e të drejtuar nga Moska, që kishte si synim rrëzimin e Titos nga pushteti. Në këto kushte marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave vazhduan të përkeqësoheshin, për rrjedhojë edhe zgjidhja e mjaft çështjeve pengohej e zvarritej.
Ndërsa qeveria shqiptare i ndërpreu në mënyrë të njëanshme gjitha marrëdhëniet me Jugosllavinë, duke iu bashkuar vendeve të tjera komuniste në bllokadën ekonomike dhe në format tjera të presioneve. Midis dy vendeve mike, u ndërprenë 27 traktate, marrëveshje dhe protokolle në fushën e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe u dëbuan tetë diplomatë jugosllavë. Jugosllavia reagoi në atë mënyrë që qeverisë së Shqipërisë i dërgoi 30 nota protestuese. Gjendja megjithatë nuk qetësohej dhe në vitin 1950, u ndërprenë marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve.69 Në krahun tjetër poashtu veproi edhe diplomacia ruse e cila me urdhër të Stalinit, më 18 mars 1948 i ftoi këshilltarët ushtarak dhe instruktorët e vet që ta lëshojnë Jugosllavinë dhe të kthehen në Bashkimin Sovjetik. Një ditë më vonë e lëshuan Jugosllavinë edhe përfaqësuesit diplomatik.70
Pozita e shqiptarëve në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave sa vjen e rëndohet. Fati i shqiptarëve jashtë Shqipërisë ngeli nën tutelën jugosllave. Tani fillon vala, e ndjekjeve veçmas të shqiptarëve kur qeveria e Tiranës kërkoi nga shqiptarët e Kosovës: “që ta ngrenë zërin kundër klikës bitiste, se ai ka tradhtuar vijën leniniste”. Viti 1948 do të bëhet viti i ndjekjeve, burgosjeve, të emërtuar si “Informbyroist”.71 Pas prishjes së marrëdhënieve Shqiptare-jugosllave në Shqipëri u ndalua edhe përdorimi i emrit Jugosllavi.72
ENVER HOXHA DHE E VËRTETA PËR KOSOVËN
Për Kosovën Hoxha fletë shtruar pas prishjes së Marrëdhënieve midis dy vendeve, pas zbulimit të tradhtisë së grupit Tito, kur Enver Hoxha do të deklarojë “ne mendojmë se çështja e Kosovës duhet të shtrohet. Titua me shokët e tij janë agjentë të imperializmit dhe e lidhën Jugosllavinë në qerren e imperializmit. Ata po e shndërrojnë Jugosllavinë në një burg popujsh ku mbretëron terrori fashist hitlerian”. Enver Hoxha pas prishjes me Titon për të arsyetuar veten para Stalinit do të deklarojë: “Vihet si çështje urgjente çlirimi i popujve të Jugosllavisë nga kjo bandë fashiste dhe nga kthetrat e imperializmit dhe njëkohësisht del çështja e çlirimit të popullit shqiptar të Kosovës”. Asnjë zgjidhje tjetër populli shqiptar i Kosovës nuk pranon dhe e quan të padrejtë. Hoxha do të shprehet kështu vetëm pas prishjes të marrëdhënieve me Jugosllavinë, ku do të deklaroj: “Ne mendojmë se Kosova, dhe një pjesë e Maqedonisë kufitare me Shqipërinë që banohet nga shqiptarë, duhet t’i bashkohet Shqipërisë, pasi Jugosllavia të jetë çliruar nga kthetrat e Titos dhe të imperializmit”. Vetëm një rrugë e tillë do t’i bëjë shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi të luftojnë me heroizëm kundra Titos dhe imperializmit. Por kështu nuk mendonte Hoxha gjatë miqësisë shqiptaro-Jugosllave, kur kishte lejuar që OZNA-UDBA jugosllave të arrestojë shqiptarë midis Tiranës dhe ti shoqëronte për në Jugosllavi, ku shumica nga ata vriteshin rrugës pa gjyq, disa nga ata vriteshin edhe në pjesën e Shqipërisë së lirë.73
Prandaj sot nuk qëndron arsyetimi kur Enver Hoxha deklaron:”që në kohën e nënshkrimit të traktatit me Jugosllavinë ne kemi menduar se ishte momenti që çështja e Kosovës duhej të shtrohej dhe në këtë moment kjo çështje ju shtrua prej meje Titos”. Tito m’u përgjigj “se Kosova është shqiptare dhe kjo duhet të bashkohet me Shqipërinë. Ne me gjithë shpirt e dëshirojmë këtë, por nuk mundet ta bëjmë dot tani se reaksioni serbo-madh është akoma i fortë dhe një akt i tillë i drejtë do të na dëmtojë”. Këto fjalë u vërtetuan më vonë se ishin të gjitha demagogji, pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-Jugosllave. E vërteta për bisedimet Tito-Hoxha në Beograd, ishte krejt ndryshe, ata ranë dakord për Federatën Ballkanike, por jo edhe për çështjen e Kosovës, pasi ajo fare nuk u kërkua zyrtarisht nga delegacioni shqiptarë në Krye me Enver Hoxhën. Pas prishjeve të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave Enver Hoxha do të deklaroj: “plani i fshehtë i Titos ishte që jo Kosova të lidhej me Shqipërinë, por Shqipëria të lidhej me Kosovën dhe tok me të, të gllabërohej në Jugosllavinë titiste. Mirëpo titistët nuk ia arritën dot këtij qëllimi djallëzor, viti 1948 ishte viti fatal për ta.74
(Prof. Dr. Vebi Xhemaili, Ligjërues në -USHT)
_____________
Bibliografia:
1. “Bashkimi”, 1 maj 1945.
2.Jugosllovenski Albanski odnosi,…, f. 149.
3. Gazeta “Dielli”, Boston, nr.5550, më 28 nëntor 1942.
4. Herman Bernstein-Hugh G. Grant, “Diplomatë amerikanë për Mbretin Zog, Tiranë 1994, f.74
5. Vlladimir Dedijer, Interesne sfere, Beograd 1980, f. 257. Në fund të vitit 1940, në Pejë mbahet Plenumi i PK në të cilin përpunohet materiali nga konferenca e Pestë e vendit të PKJ e mbajtur në Zagreb. Me këtë rast Milladini thekson çështjen nacionale dhe nevojën që sa më mirë të përgatiten kuadrot shqiptare e sa më masovikisht rinia të kyçet në PKJ.
6. Zbornik dokumenta I podataka o narodnooslobodilackom ratu Jugoslovenskih naroda,tom 1,knj.19, (Borbe na Kosovu 1941-1944)Beograd,1969,dok.104.
7. Enver Hoxha, “Kujtime” Tiranë 1998, f. 2003.
8. Ky është i lindur në Zarë, sot i takon shtetit të Kroacisë, me origjinë janë shqiptarë, dhe shumë familje nga këta dinë flasin Shqip. Hoxha me propozim e Gjergjës i dërgoi Titos për dhuratë tre revolverë, që i ruante në magazinë ekonomi Stereo Gjokoreci. Atashe ushtarak rus në këtë kohë ishte Sokollovi.
9. Historia e popullit shqiptar IV, vep. e cit f. 242; Ky traktat miqësie u nënshkrua më 9 korrik 1946 në Tiranë.
10. AVPR, 1946, F. 067, op. 14, d.110; op.4,d.110.
11. Kjo vizitë u realizua pas takimit Stalin-Tito, i cili dha vizë për takimin Hoxha Tito në Beograd, i cili u realizua nga 23 qershori deri në 2 korrik 1946. Stalini dhe Molotovi e informuan udhëheqësin jugosllav se Hoxha kishte shfaqur dëshirën që të vinte në Moskë, por ata e kishin frenuar atë, për shkak se mund të shkaktonte reagim jo të pëlqyeshëm nga ana e anglezëve dhe amerikanëve dhe kjo mund të ndërlikonte më tej situatën e jashtme politike të Shqipërisë.
12. Për në Jugosllavi: Nënkryetari i Presidiumit, të Kuvendit Popullor Gjeneralmajor Mislim Peza, Gjeneralmajor Bedri Spahiu, pastaj Manjol Konomi ministër i Drejtësisë dhe Nako Spiru ministër i Ekonomisë. Poashtu në këtë delegacion merrte pjesë edhe zëvendës ministri i punëve të mendshme Nesti Kerendzhi, Koloneli Manush Miftiu i caktuar për politikë të Shtabit të Ushtrisë, me ta ishte edhe ndihmësi për politikë të jashtme Vasil Konomi. Poashtu në këtë delegacion merrte pjesë edhe kryshefi i Marinës Shqiptare Farid Hado, Shefi i kabinetit të luftës dhe Nënkryetari i Qeverisë Sadik Bekteshi dhe ambasadori shqiptar në Beograd Hysni Kapo e disa të tjerë. Ndër ata që kanë qenë me këtë delegacion do të përmendim kësaj radhe vetëm Vasilj Natanailji, ky udhëtoi si Drejtor i oborrit të Kryetarit të Qeverisë së Enver Hoxhës. Në Beograd delegacioni arriti në ora 9, ku i priti vetë Tito. Hoxha për herë të parë u pa me Titon. Me këtë rast Hoxha u takua me: Kardelin, Dimitar Vllahovin-maqedonas, Rankoviqin, Simiç Stanoje-ishte ministër i punëve të Jashtme), Pijade, Koça Popoviç, Arsa Jovanoviç, Kidriç dhe disa tjerë. Hoxha ishte takuar më parë, vetëm me Millovan Gjillasin i cili kishte kaluar nëpër Tiranë. Hoxhën poashtu e priti edhe Mehmet Hoxha ministër i Republikës Popullore të Serbisë, ndërsa lule i ka dhuruar pionierja Antigona Hoxha, cila iu drejtua në gjuhën shqipe.
13. Pero Zllatar, Enver Hoxha , Politiçka biografija, Beograd 1986, f. 113; Në Beograd u takua me nën e Milladinit e cila i tha Hoxhës se dy djemtë e mi Milladini dhe Mihajllo kanë luftuar me ty.
14. “Bashkimi”, më 28 qershor 1946.
15. Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1945-1948, (dokumente), f. 47-49.
16. Miranda Vickers, Shqiptarët në optikën ndërkombëtare…, f.208; historia e popullit shqiptar IV,…f.196.
17. Historia e popullit shqiptar IV, …, f. 242; Nënshkrues të kësaj marrëveshje midis Republikës Popullore të Jugosllavisë dhe Republikës Popullore të Shqipërisë, ishte vetë Enver Hoxha, ndërsa nga pala jugosllave ishte Stanoje Simiç, rëndësia e kësaj marrëveshje kapte një afat kohor prej 20 vjet. Me automatizëm vazhdimi i kësaj marrëveshje ishte në afat për çdo pesë vjet. Nëqoftëse ndonjëra palë nënshkruese nuk bënte kërkesë para 12 muajve për pavlerëshmërinë e kësaj marrëveshje. Në nenin III të kësaj marrëveshje thuhej; Nëqoftëse ndonjëra nga palët nënshkruese të kësaj marrëveshje i është cenuar pavarësia, robëruar ose marrë ndonjë pjesë territori, pala tjetër nënshkruese pa humbur kohë, do ti ndihmoj ushtarakisht, do ti ofroj ndihma dhe mjete tjera disponuese”.
18. Bela kniga, o nepriatelskoj politici vlade NR Albanije prema FNRJ, DSIP, FNRJ Beograd 1961, f. 118-120.
19. Bella kniga…, po aty.
20. Enver Hoxha, “Kujtime”…, f. 221.
21. Pero Zllatar, Enver Hoxha, Politiçka biografija,,,,. 115-116.
22. Enver Hoxha, “Kujtime”,…, f.216.
23. Marrëdhëniet shqiptaro – jugosllave 1945-1948. (Dokumente), Tiranë 1996, f. 595.
24. Enver Hoxha për Titon.
25. Është fjala për vizitën e E. Hoxhës në Jugosllavi, në qershor 1946. Kur nga Parlamenti Jugosllav u shpall qytetar nderi nga Parlamenti.
26. Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare…, f. 142; Në nenin III, të kësaj kontrate thuhet: “Nqoftëse njëra prej palëve të lartë kontraktuese do të sulmohet nga kushdo qoftë me qëllim kërcënimi, zaptimi ose pushtimi të ndonjë territori, tjetra nga palët e larta kontraktuese pa humb kohë do ti japë ndihmë ushtarake dhe çdo ndihmë tjetër me mjete që disponon”.
27. Marrëdhëniet Shqiptaro-jugosllave…, f.45-46; Traktati i Miqësisë dhe i ndihmës reciproke në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë i nënshkruar më 9 korrik ka VI nene. I nënshkruar në Tiranë në dy kopje në Serbisht dhe në gjuhën shqipe.
28. Gazeta “Borba”, Beograd, më 13 korrik 1946
29. Marrëdhëniet Jugosllavo-Shqiptare, Beograd 1949, f. 154.
30. Gazeta “Vakij”, Stamboll, më 5 qershor 1946.
31. Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare…, f.145
32. Mirana Vickers … f. 210; Istoria na Sojuzot na komunistite na Jugosllavia…, f.420-421; Në një takim të të ftuar nga Vetë Stalini më datë 10 janar 1948, ku merrnin pjesë përfaqësuesit bullgarë: G. Dimitrovi, V. Kolarov, T. Kostov, ndërsa nga përfaqësuesit jugosllav të pranishëm ishin: Kardeli, Gjillasi, dhe Bakariqi, Stalini i kritikoi fortë aleancën Bullgaro-jugosllave.
33. Miranda Vickers…, po aty, f. 210.
34. M. Gjillas, Conversations with Stalin, London 1962, f. 129-130; Gjatë vitit 1946, Enver Hoxha kishte marrë postin e Kryeministrit, ministrit të Jashtëm dhe të mbrojtjes, si dhe funksionin e Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura, Ndërsa posedonte edhe atë të Sekretarit të Përgjithshëm të PKSH. Në anën tjetër Koxhi Xoxe, nbajti postet e rëndësishme të ministrit të Brendshëm dhe atë të sekretarit Organizativ të Partisë. Spastrimet e Partisë nga “elementët e padëshirueshëm” nisën me largimin e Sejfulla Malëshovës nga Byroja Politike dhe Komiteti Qendror, me akuzën e prirjeve dhe pikëpamjeve të djathta në çështje që kishin lidhje me politikën e brendshme, të jashtme dhe ekonomike, kurse vitin tjetër Xoxe përjashtoi nga Partia edhe Ymer Dishnicën. Malëshova ishte kreator një politike të jashtme të pavarur dhe i zhvillimit të marrëdhënieve të ngushta me Perëndimin.
35. ASHSH, Historia e Popullit Shqiptar IV, Tiranë 2008, f. 242.
36. Komisionin e Koordinimit të Planeve që ndodhej në duart e jugosllavëve.
37. Tito në Bled, ishte në shoqëri me Vojo Todoroviçin, dhe Sreten Zhujoviqi.
38. Enver Hoxha “Kujtime”,…, f. 204
39. Pero Zllatar, Enver Hoxha…, f. 117.
40. Poashtu në Konferencën për riparime në dhjetor 1945, delegati Jugosllav Alesh Bebler, vuri ultimatum duke deklaruar se nuk do ta nënshkruaj aktin final, nqoftëse ajo ndihmë mizore nuk i ritet Shqipërisë.
41. Në korrik të vitit 1947 Enver Hoxha arriti të realizojë vizitën e parë në Moskë, ku u takua me Stalinin e me udhëheqës tjerë të Bashkimit Sovjetik.
42. Enver Hoxha, “Kujtime”,…f.231.
43. M. Peroviç, Ekonomski odnosi Jugosllavije i Albanije…, f. 31-33.
44. Bela kniga, vep e cit. f. 130; Marko Peroviç, Ekonomski odnosi Jugosllavije i Albanije 1947-1948…, f. 30-31;
45. Panajot Plaku, nasilje nad Albanskom revolucijom.., f.65.
46. Sinan Hasani, Kosova, Prishtinë 1987, f. 160
47. Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1945-1948, Tiranë 1996, f.415-417.
48. AQSH, Fondi 14, AA, viti 1947.
49. AQSH.Fond.14/AP, dos.65, vit 1848.
50. M. Vackërs, Shqiptarët në poltikën Ndërkombëtare…, f.206. Panajot Plaku, Nasilje nad Albanskom narodu…, f. 46.79; Devijimi kaq i shpejtë i Koxhi Xoxit nga Negovani, ishte i çuditshëm, pasi Ky ishte ai që iu kundërvu Marrëveshjes së Mukjes, duke e konsideruar atë një zë jugosllav, duke e krahasuar atë me marrëveshjen e Esatit me Nikolla Pashiqin. Pra të gjithëve pështyu në dokumentin (letrën ku ishte shkruar marrëveshja e Mukjes), e hodhi në tokë dhe e shkiu me këmbë. Duke bërtitur kjo është tradhti-kjo është tradhti e tmerrshme.
51. Panajot Plaku, Nasilje nad Albanskom revoluciom,…, f.67.
52. Historia e popullit shqiptar IV, …, f.199.
53. AQSH, F.14/AP,dos.7, viti 1947
54. D. Rusinow Yugoslav experiment, Londër 1977, f. 357.
55. Istorija na Sojuzot na Komunistite na Jugosllavija, Shkup 1985, f. 417; Këtu bënin pjesë edhe dy parti më të mëdha komuniste të Perëndimit, ajo e Italisë dhe Francës.
56. Po aty, f. 209.
57. Vlladimir Dedijer, Tito speaks, Londër 1953, f. 312. Stalini kur nuk i ka pasur simpati Shqiptarët. Prandaj nuk kam kuptim pse shqiptarët kanë pasur nostalgji për Rusinë.
58. Shqiptarët në optikën ndërkombëtare…, f. 210
59. Enver Hoxha kësaj radhe e mori me vete Xoxin, pasi dëshironte gjithmonë ta ketë nën kontroll të vetin. Ai e mori me vete pasi kishte frikë që ta lenë vetë Koçin në Tiranë si njeriu i dytë i Qeverisë dhe i Partisë, për këto 10 ditë që do ti kalonte në vizitë zyrtare në Bullgari. Por ka edhe mendime se Hoxha e mori me vete për të matur pulsin e tij në prag të Plenumit të Tetë që ishte vendosur të mbahej në shkurt 1948.
60. Telegram i vice konsullit Zheran nga Selaniku, nr. 390; Kjo marrëveshje miqësisë dhe e bashkëpunimit të ndërsjellë midis Jugosllavisë dhe Bulgarisë, u lidhë më 27 nëntor 1947.
61. Enver Hoxha, në komentet e veta deklaroi; se Millan Stojadinoviqi, ishte një fashist i madh serb, i cili në marrëveshje me Grofin Çano, ky ishte dhëndri i Benito Musolinit, në emër të Italisë dhe Milan Stojadinoviqi në emër të Jugosllavisë, vendosën për ta ndarë Shqipërinë.
62. Gjatë këtij takimi Rankoviqi e ftoi ndaras Koçi Xoxen dhe Shulen, (Kristo Temelkon), siç e quante Hoxha. Edhe për çudi të vetë Hoxhës edhe pse ishte aty afër ai me Hysni Kapon, këta dy nuk u ftuan në bisedë ku ndërruan mendime mbi organizimin e punës së Partisë dhe ushtrisë shqiptare, ku u pa se pas këtij takimi Koçi Xoxe dhe Kristo Temelko, në asnjë çast gjatë vizitës në Bullgari nuk u larguan nga Hoxha dhe Hysni Kapo, “për ti përcjell ata, që sa më saktë të raportonin te udhëheqësit e Beogradit, për veprimet e Hoxhës në Sofje.
63. Historia e Shqipërisë IV, Tiranë 1983, f. 114; Byroja informative u themelua në vitin 1946.
64. Më tutje në letër PKJ akuzohej si “Trockiste”.
65. Në këtë kohë, Nako Spiru, ende nuk ishte rehabilituar, por trajtohej si tradhtar dhe oportunistë.
66. Pero Zllatar, Enver Hoxha…, f. 139.
67. Po aty, f. 239.
68. Jugoslovenskoto-Albanski odnosi 1939-1948, Beograd 1949, f. 208.
69. Sinan Hasani, Kosova,…,f.161.
70. Istorija na Sojuzot na komunistite na Jugosllavija,…,f.421.
71. Hysen Terziu, Gjenocidi serb 1912-1956, Prishtinë 2005, f.391.
72. Pero Zllatar, Enver Hoxha,…, f. 155
73. Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave…,f.580.
74. Enver Hoxha, Kujtime, Tiranë 1998, f. 218.
———————————
– PJESA E PARË –
PROF.DR.VEBI XHEMAILI: MARRËDHËNIET SHQIPTARO JUGOSLLAVE (1945-1948) DHE E VËRTETA E ENVER HOXHËS PËR KOSOVËN (I)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2345
=======================
(ILUSTRIMET I BËRI SH.BERISHA)