PROF.MURAT GECAJ: DËSHIRA HAXHI, POETE ATDHETARE E ME FRYMËZIME RINORE

Tiranë, 29. 06. 2016: Për të vetmen gjë, krenare: Jam bijë shqiptare!
Pesë vjet më parë, në një sallë të Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit u pwrurua një libër me lirika, të emigrantes me banim në Athinë, Dëshira Haxhi. Ai e kishte titullin domethënës,“Dashuri engjëllore”. Nuk do të ndalem tani në atë ngjarje, pasi ato ditë shkrova diçka, që u publikua. Kësaj here dëshiroj të tregoj se kjo poete e re e vazhdoi pandwrprerje udhën e krijimtarisë së saj. Në skedarin online të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, lexojmë se një vit më pas, ajo ka botuar një vëllim tjetër me poezi, që e ka titullin “Protuberanzat e shpirtit” (Tiranë, 2012). Fakte, se Dëshira e ka vazhduar krijimtarinë e saj ka edhe të tjerë. Ja, në faqen e Internetit “Galaktika Poetike” janë publikuar pesë poezi të bukura, me tituj shprehës: “Larg”, “Armatosuni, me buzëeshje”, “Të pres!”, “Mirënjohjet” dhe “Mëngjesi im, je ti”.
Ndërsa edhe në profilin e saj në FB, janë të publikuara mjaft poezi të Dëshirës. Ndër to, po përmendi titujt e disave prej tyre: “Heshtje, që vret”, “Ku ka, si Tirana!”, “Të zgjodha, poet!…”, “Përjetësi”, “Që më të gëdhirë” ose “Si e humbur…” etj. Sigurisht, për secilën nga këto krijime poetike mund të shprehnim diçka. Por këtu po hamëndësoj, se krijimet e reja të Dëshira Haxhit mund të jenë pjesë e një vëllimi të ri poetik, me emrin e saj. Sidoqoftë, gjejmë rastin ta përgëzojmë pwrswri atë, për poezitw e saj tw frymwzuara dhe t’i urojmë sa më shumë krijime të bukura poetike, duke shprehur ndjenja e mendime të brezit, që ajo përfaqëson!
Më poshtë po ribotojmë shkrimin e pesë viteve më parë.
Tiranë, 28 qershor 2016

Dëshira Haxhi

1.
Kur po i shkruaj këto pak radhë, mendja më shkon në shtatorin e vitit 1963. Sapo kisha mbaruar strudimet e larta në degën gjuhë-letërsi shqipe, të Universitetit të Tiranës dhe kisha nisur detyrën redaktor në gazetën e kohës për fëmijë, “Pionieri”. Aty kisha kolegë Hysen Hoxhën, Elena Kadarenë e Xhevat Beqarajn. Shpejt hyra në botën e bukur të fëmijëve dhe nisa të redaktoj shkrime të tyre, por dhe të shkruaj për ta. Ndërsa, një ndër punët tona më të bukura, ishte leximi, redaktimi e publikimi i vjershave të thjeshta e të sinqerta të nxënësve, atëherë, të shkollës 7-vjeçare. Këtë punë e bënim me dëshirë dhe, nga ne, më i prirë ishte Xhevati, i cili më vonë do të bëhej poet i afirmuar, sidomos në letërsinë për fëmijë.
Më pas, ndër vite, kam patur rastin të njihem e, bile, të redaktoj ndonjë vëllim me poezi, të fillestarëve në letërsi. Sigurisht, kjo ka qenë përgjegjësi e madhe, por dhe kënaqësi e veçantë. Sjell ndërmend këtu, për shembull, vëllimin e parë me poezi të një poeteje të re ,nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), Nafije Salihaj. Atëherë, ajo ishte nxënëse në shkollën e mesme të fshatit Zogaj dhe tani ka publikuar disa vëllime me poezi. Ndërsa, kohët e fundit, kam patur kënaqësinë të lexoj e të shkruaj, për disa poete të reja. Një ndër ato, ishte dhe Shefqete Gosalci, e cila meritoi çmimin e tretë, në konkursin e femrave poete, organizuar në Vushtrri të Kosovës. Poezi të bukura kam lexuar edhe në vëllimet e Zyba Hysës, arsimtare në qytetin e Vlorës.


D.Haxhi e M.Gecaj (Tiranë, 16 qershor 2011)…

Por, veçanërisht, ndiej kënaqësi, kur lexoj poezi të frymëzuara edhe të mjaft poeteve të reja, në faqe të ndryshme Interneti, si për shëmbull te “Fjala e Lirë”-Londër ose në shtypin e shkruar. Emra të tillë, po përmendi këtu: Venko Capën, që këto ditë nxori vëllimin e dytë me poezi dhe në Vushtrri mori vlerësim “special” për krijimet e saj. Poete, nga trojet amtare dhe në diasporë, janë edhe: Makfire Canolli, Lule Shameti, Amijet Vinca, Enkelejda Tahiri, Alma Alpina Begaj, Ditmbara Vatnikaj, Albulena e Fisnike Pllana, Beriliana Shaova, Jona Geci, Lida Lazaj, Genta Kaloci, Marsela Hajdini dhe mjaft të tjera. Kërkoj ndjesë për mos shënimin e sa e sa emrave të tjerë, poete të reja dhe të talentuara.
2.
Më lart, bëra një “hyrje” disi të gjatë. Por e kisha mendimin e dëshiroja të nënvizoja edhe domosdoshmërinë e njohjes, nxitjes e përkrahjes së talenteve të reja në letërsi. Prandaj e mirëkuptova mikun e kolegun tim, publicistin e shkrimtarin Pilo Zyba, tani emigrant në Greqi. Para pak ditësh, më tregoi se dëshironte të përgatiste e të organizonte përurimin e disa vëllimeve me poezi, nga autore të reja, ndonjëra në emigracion. Kështu, ai më dha për ta lexuar e për të shprehur mendime, për vëllimin e parë të autores Dëshira Haxhi, me titullin “Dashuri engjëllore” (Tiranë, 2011).
Librin në fjalë, e lexova me kënaqësi. Megjithëse vetë nuk jam poet, në vjershat e këtij vëllimi, vërejta një shpirt të ndjeshëm, “të butë, si mëndafshi”. Ajo i këndon me frymëzim vajzëror hoveve të dashurisë së parë, ndjenjave të bukura, që ajo të dhuron. Në këtë mision të saj njerëzor, thërret në “ndihmë” natyrën, me pemët e lulëzuara dhe të gjitha bukuritë e saj; hënën e diellin; stinët e vitit, sidomos pranverën e vjeshtën; detin e pamatë, në brigjet e të cilit përplasen butësisht dallgët e tij. Por, në këtë mjedis të “dashurisë engjëllore”, autorja Dëshira Haxhi ndeshet edhe me të papriturat e saj, pra me dhimbjen e zhgënjimin nga njeriu i dashur, me netët pa gjumë dhe “plagët” shpirtërore, që të shkakton ajo.
Nuk do të ndalem më tej, në vlerat e këtij vëllimi poetik, që është ndarë në tre cikle, pasi për to ka shkruar bukur e qartë, në faqet e fundit, redaktori tij, Pilo Zyba. Po, desha të nënvizoja dhe se gjuha e përdorur nga autorja është e thjeshtë, e bukur, me një figuracion të pasur. Ajo ngrihet veçanërisht lart në poezitë, që u ka thurur autorja: nënës e babait, vendlindjes e bukurive të saj. Me ndjenjat e dhimbshme të një emigranteje, ajo ka shkruar për fshatin e të parëve, për tokën e shenjtë amtare. Plagët e kurbetit dhe lotët, që ai të shkakton, janë një tjetër detaj i poezive të Dëshirës. Pa i përmendur poezitë tjera të këtij cikli, po veçoj poezinë me titullin domethënës: “Jam bijë shqiptare!” Ndër të tjerat, autorja shprehet aty, me dufin e zemrës:
Humba jetën në kurbet,
Mallkuar qoftë për jetë!
Për të vetmen gjë, krenare:
Jam bijë shqiptare!
E lashë për në fund, një lidhje të rastësishme ndërmjet emrit tim e të Dëshirës. Nga gjuhët arabe, edhe emri “Murat” do të thotë “dëshirë, qëllim”. Pra, i uroj nga zemra kësaj autoreje të re, që të ecë kështu e sigurtë në udhën e poezisë, t’i plotësojë dëshirat e saj të zjarrta dhe të arrijë qëllimet e mira, të cilat ia ka venë vetes, në këtë fushë të pafundme të shpirtit dhe artit njerëzor!
Tiranë, 16 qershor 2011-(Botuar në librin e M.Gecaj, “Për ju, krijuese”, Tiranë, 2015)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura