PROF.MURAT GECAJ: PËR KOHËN, KUR ‘LIRIA ISHTE E MBËRTHYER NË PRANGA’

Tiranë, 27. 07. 2016: (Disa radhë, për publicistin dhe poetin Vezir Ukaj)
1.
Ndoshta, duket pak si i habitshëm titulli i këtij shkrimit tim. Në pamjen e parë, ashtu është. Por, po të lexoni se si e shpjegoj atë, do të bindeni se kam plotësisht të drejtë…
Ishin vitet e diktaturës komuniste – në të dyja anët e kufirit tonë – pra, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Por, atje rëndonte edhe thundra e pushtimit të huaj, ajo serbosllave. Ishim të izoluar dhe, pothuajse, pa kurrfarë lidhjeje me njëri-tjetrin. Megjithatë, sidomos pas vitit 1978, ndërmjet dy vendeve tona të stërlashta arbërore dhe të ndara padrejtësisht, nisën të bëheshin shkëmbime vizitash kulturore, arsimore e shkencore. Një vizitë e tillë, ishte dhe ajo e kolegëve të gazetës simotër të Prishtinës, “Shkëndija”, në redaksinë e gazetës “Mësuesi”, botim i Ministrisë së Arsimit e Kulturës.
Në atë kohë, me kujtohet se në gazetën arsimore të Kosovës punonin: Sulejman Dërmaku (kryeredaktor) dhe Vezir Ukaj e Sabit Jaha (redaktorë).
Pra, në vizitën e tyre në Tiranë, që përmenda më lart, bënte pjesë edhe gazetari e poeti ynë i mirënjohur, V.Ukaj. Me atë natyrën e tij të buzëqeshur e të afruar me njerëzit, por edhe me humorin e tij të dukshëm e të këndshëm, u njohëm e u bëmë shpejt miq. Për të më nderuar, pas kthimit në Prishtinë, Veziri e publikoi një artikull jetëshkrimor, në gazetën e mësuesve “Shkëndija”, me titullin “Murat Gecaj, jo vetëm kronikan i arsimit shqip”, bashkë me një fotografi timen.
Vitet kaluan ose, siç thotë populli, “rrodhi shumë ujë nëpër lumë”. Pra, erdhën vitet e stuhishme 1989-1999, kur Kosova u ngrit e tëra në luftën për liri e pavarësi. Në kushtet e reja, që u krijuan pas çlirimit të saj nga regjimi serb, në korrik të vitit 2000, unë bëra një vizitë dyjavore nëpër Kosovë. U mirëprita edhe në zyrat e redaksisë së “Shkëndijës”. Aty takova përsëri mikun e kolegun tim, Vezir Ukaj. Për atë takim dhe tërë vizitën e parë timen në tokën shqiptare kosovare, shkrova e publikova librin “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000). Sigurisht, gjeta rastin ta publikoja edhe një foto timen e të bashkëshortes, nga Pallati i Shtypit të asaj kohe, në shoqërinë e Vezirit dhe të kolegëve të tjerë aty.
Por, le të kthehemi pak te vizita e parë e Vezirit, në Tiranë. Me atë rast, ai më foli shkurtimisht për jetën dhe vuajtjet nëpër burgjet serbe, por edhe për krijimtarinë e tij letrare, sidomos për ato në poezi. Bile, më dorëzoi edhe një jetëshkrim (të daktilografuar), të cilin e gjeta më vonë, kur po “gërmoja” nëpër dosjet e arkivit tim vetjak.

 


Nga e djathta: V.Ukaj e M.Gecaj

2.
Vezir Ukaj u lind në katundin Dobrajë e Madhe, të komunës së Lipjanit, Prishtinë. Shpejt, ai u njoh edhe me burgosjet e përndjekjet, që i ishin bërë nga serbët, si gjyshit Zenun (i cili kishte vdekur në një burg të Sebisë, por nuk ishte kuptuar kurrë në cilin) e babait, Sabitit. Por, edhe vetë ai e pesë vëllezërit e tij, nuk i shpëtuan dot ferrit famëkeq serbo-çetniko-titist. Më 8 qershor 1964, Vezirin e burgosin, si “element i rrezikshëm”, pjesëtar të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, me Adem Demaçin në krye.
Këtë krijues, në planin jetësor e priste burgu, ndërsa në planin krijues anatema. Kështu që këtë fat e përjetoi, siç shkruan poeti Faruk Tasholli, edhe me “shkrimtarët e tjerë, si Adem Demaçi, Teki Dërvishi, Rexhep Elmazi, Murteza Nura, Zeqir Gërvalla e ndonjë tjetër…”.
“Poezia e Vezir Ukajt, për kohën kur është shkruar, është interesante dhe karakteristike, për mendimin dhe qendrimin e guximshëm, posaçërisht nga aspekti i veçantë i një parimi specifik dhe origjinal, ngase çdo varg i tij ka kuptim e shije të posaçme, me fuqi shprehëse e vlerë artistike…”, thotë shkrimtari Remzi Limani, në librin e tij monografik “21 Shprehje Artistike” (2008).
Ndërsa poeti Jakup Ceraja, shkruan se “… poeti V. Ukaj ka arritur që, pa ofkëllima e sentimentalizëm, ta këndojë (lexo: vajtojë) jetën e një të burgosuri politik shqiptar, që martirizohet për të drejtën e popullit të vetë dhe lirinë e atdheut. Të gjitha vjershat…, me temë burgun famëkeq të Nishit, kanë nivel të lakmueshëm artistik,… ku poeti mbërrin të rrëfehet deri në fund dhe të japë porosinë se: Liria / vdekjes i vë emër…”, prandaj “ky edhe është sublimimi i gjithë një flijimi…”.
Pas daljes nga burgu, Veziri vëzhgohej rreptë dhe nuk i lejohej as të publikonte në shtyp. Bile, siç dihet, është marrë edhe në mjaft “biseda informative” dhe, më shumë se pesëmbëdhjetë herë, është arrestuar… Me vështirësi të mëdha (në vitin 1991), është pranuar në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës. Për ndjenjat e tij antiserbe, përjashtohet edhe nga puna, në rrethin e Kaçanikut. Mirëpo, përmes një miku, lidhet me shkencëtarin dhe bardin e poezisë shqipe , Dr. Esad Mekulin, i cili e punësoi në revistën letrare të Prishtinës, “Jeta e re”. Kështu që, me ndihmën e tij, pa shkëputje nga puna, mundi t’i vijonte edhe studimet e larta për gjuhë e letërsi shqipe.
Që nga janari i vitit 1996, Vezir Ukaj u caktua redaktor i gazetës së përjavshme, arsimore e kulturore, “Shkëndija”, pranë Ministrisë së Arsimit dhe, me shumë sukses, e drejtoi rubrikën e kulturës. Aty, ai i shpalosi ndjenjat e veta atdhetare dhe talentin e krijimtarisë së tij, jo vetëm në fushën e publicistikës, por edhe në atë të letërsisë.
Ngjarje e rëndësishme e jetës së tij ishte edhe krijimi i familjes,lidhja me bashkëshorten e ardhshme, Servetën. Pas vdekjes së dy djemëve, më pas, iu gëzuan lindjes së katër fëmijëve të tjerë, të cilëve iu vunë emra simbolikë: Flamur, Fitore, Shpëtim e Meritë. Ata, i ka shkolluar me mund të madh dhe, tashmë, të martuar e me trashëgimtarë, punojnë dhe jetojnë në Prishtinë. Me kolegun Vezir Ukaj, gjatë tërë këtyre viteve, nuk i kam ndërprerë lidhjet… Kam shkuar disa herë të tjera në Prishtinë dhe jam ndodhur në shoqërinë e tij. Por, edhe ai ka ardhur në Tiranë. Bile, në marsin e 2010-ës, mori pjesë në ceremoninë e 70-vjetorit tim dhe në përurimin e librit jetëshkrimor, “Ëndrrat e ‘grisura’ të jetës sime”. Ndërsa, më pas, ai përjetoi edhe një gëzim tjetër, vazhdimin e doktoratës, nga i biri, Ass. Mr. Dr. Flamuri, otorinolaringolog dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, të Universitetit të Prishtinës.
3.
Krijimtarinë Veziri e nisi që në burgun ferr-titist të Nishit, megjithëse me shkrime ishte marrë edhe më herët, që nga shkolla e mesme. Poezitë e asaj kohe i publikoi, më pas, në një përmbledhje të veçantë, të cilën e pagëzoi me një emër simbolik, “Barrë e vrarë”! Në shënimin e bërë, në jetëshkrimin e mësipërm, pohohet: “Në dorëshkrim ka edhe pesë përmbledhje të tjera, bashkë me një përmbledhje tregimesh e një prozë shumë interesante (në përfundim e sipër), me përjetime nga koha e burgut dhe nga puna në ndërmarrjen botuese grafike “Rilindja””.
Kohë më parë, Veziri më dha, me një shënim të ngrohtë, librin me poezi “Dhoma numër katër” (Bukuresht, 2010), në shqip e rumanisht, të përkthyer nga Baki Ymeri. Këto poezi janë të shkruara në vitet e stuhishme të jetës së tij, 1965-1970. Gjithashtu, ai i ka publikuar edhe gjashtë vëllime të tjera me poezi.
Kjo përmbledhje paraprihet nga shënimi i shkrimtarit, publicistit dhe kritikut të shquar letrar rumun, Marius Chelaru , me titullin “Eshtrat e fjalëve, duke e kurdisur formulën e jetës dhe vdekjes”. Është e vërtetë se, në këto poezi jeta dhe vdekja, përshkruhen pranë e pranë. Autori i atyre vjershave , Vezir Ukaj i përjetoi zinxhirët, vuajtjet dhe torturat e tmerrshme të burgjeve serbe. Pra, provoi kohë të vështira, kur edhe “Liria ishte e mbërthyer në pranga”. Kjo vërehet që në poezinë e parë, ku autori e ngre zërin “deri në kupë të qiellit”, aty në qelinë e burgut, por nuk e dëgjonte kush, sepse: “Terri, Lagështia, Uria Vetmia, / Ekip lojtarësh të Fatit të Zi, / Bëjnë salto mortale të padukshme, / I rrëzon Shpresa që fiket shqim…”. Në vetminë, pas hekurave a në pranga, në kujtesën e tij – fletore, autori thuri poezi të trishtueshme dhe duket se nuk ka rrugëdalje, nga ajo skëterrë: “…Është Rrugë / e largët Liria…”, ose “Liria det i panjohur…”, për të vazhduar se: “Liria / Vdekjes i vë Emër…” etj. Dhe: “Vuajtja ime nuk ka Emër, nuk ka Adresë!…”. Revolta e tij arrin kulmin, kur shkruan: “E marr pasqyrë Natën e thyej / për murin e qelisë sime!…”. Por, ai mediton e kujton aty edhe burgimin e paraardhësve të tij (“Kureshtja” – Në burgun e Gjyshit tim).
Në një linjë janë shkruar 7 poezi të këtij vëllimi, me titullin shumë domethënës, “Në skëterrë qëndrimi” (Për kazamatin e Nishit). Për ato vuajtje burgu dhe për atë gjendjen shpirtërore të tij, flasin edhe poezi të tjera, si ”Biruca” ose ajo, ku shkruan radhë të tilla: “Robëri më linde / më rrite Robëri”, a ”Ç’kullon gjak vargu / plaga e ënjtur / mëton e mërdhezur / Pranga që shtrëngon…” dhe më tej: “Burgu poezinë ma arrestoi…”. Në atë gjendje të mjeruar, ku ka rënë, autori e quan veten të pashpresë: “Vargu Burg ma mbylli këtë Letër / në Birucën e ftoftë Lule pa rrënjë. / A je Luftëtar a Poet më thërret Zëri im / Gjuha më lidhet Hekur Akull më ngrin…”.
Trishtimi i poetit ndihet qartë edhe kur shkruan për ndjenjat e pastra njerëzore, siç është dashuria, emër të cilin e lakon disa herë në radhët e veta: “Ç’është Dashuri e fshehtë / mund ta kuptosh nga Ëndrra, / Ëndrra liqen magjik është, / në frymëzime lirike lahet…”.
Gjithashtu, këto poezi janë të mbushura me ndjenja të larta atdhetare, me dashurinë për lirinë e vatanin, për vendlindjen. Te poezia “Kulla dhe Djepi”, autori shkruan: “Ajo është Djep, që ma përkund / këngën time të pa kënduar / është vend i përballjes sime / me veten time të Emrit Shqip”. Ai përulet me nderim para nënave shqiptare, që lindin e rritin krijesat e reja, fatet e Atdheut: “Kjo grua nuk është Tokë, / është Mëmë e Dheut Tim…”.
Edhe pse autori vuan shpirtërisht, diku larg parasheh rreze shprese për më mirë: “Në sy të fëmijës përgjumur / blerohet Stina / Gufon Agon Zgjon me kambanë / Borizani i Kushtrimit…” (te “Gjethe drite”) ose: “…Vërshon Bleron Gjallëron / ç’bën kështu Farë e re / Dritë bën dhe Jetë…”. Ndërsa, në një poezi tjetër, ritmi i jetës atë e thërret: “Shtëpia prush fëmijë Muzikë / rritet Lisi Oborrit / … Ujë Bukë Kripë Dritë / Liria na pret shumë Dasmorë…” (te “Shtëpia jonë”).
Libri tjetër, me titullin “Ese kritike” (Prishtinë, 2010), me autor Remzi Limanin, është një përmbledhje për disa krijues kosovarë. Ndër të tjerët, shkruhet edhe për Vezir Ukajn: “Përqafimi poetik i fjalës dhe mikut të mirë”. Aty flitet për vëllimin me poezi të tij, “Bush – Yll Drite mbi Ilirikum” (2010), kushtuar vizitës së këtij Presidenti të SHBA-ve në Tiranë. Ndër të tjera, bëhet edhe vlerësimi: “Ky libër me poezi i autorit Vezir Ukaj, kushtuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush, është pasqyrë e një dhimbjeje të këndshme, dalë nga plagë e varrë të malcuara në shpirtin e poetit. Kjo ndjenjë shpërtheu natyrshëm, si shkreptimë e plagës së moçme për atdhedashurinë dhe për frymëmarrjen e lirshme, që na solli Amerika dhe Njeriu i Mirë – me Lirinë, me njerëzinë dhe me miqësinë, si vlera të gatuara përgjatë historisë”.
…Miku i dashur dhe publicisti e poeti i talentuar Vezir Ukaj, jeton familjarisht në Prishtinë. Ndërkaq, ka shkruar e botuar edhe krijime të tjera, për të cilat nuk po ndalemi, me këtë rast. Po shënojmë vetëm se, së shpejti, nga ai, do të shohin dritën e botimit katër libra të rinj poetikë: “Sërish”, “Atëherë”, “Pikëpyetje” dhe “Aty, diku”.
Urojmë nga zemra që ai të ketë kurdoherë shëndet të mirë, të krijojë e botojë libra të tjerë të bukur dhe të përjetojë, gjithnjë, gëzime e lumturi, vetjake e në familje!
Nga: Prof. Murat Gecaj – publicist e studiues – Tiranë, korrik 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura