HYSEN DURMISHI(*): FUNDI I DECENTRALIZIMIT, FILLIM I AUTONOMISË PËR VERIUN

(Pashtriku.org, 09. 09. 2012) – Hashim Thaçi i falënderoi të gjithë. Ndërkombëtarë e vendas. I falënderoi për përfundimin e procesit të decentralizimit. Veçanërisht për këtë e falënderoi Grupin Ndërministror për Decentralizimin dhe Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal. Asgjë e jashtëzakonshme do të ju duket kjo sigurisht. Sepse ne qytetarët e Kosovës jemi mësuar tashmë me falënderime të tilla në këso raste nga Kryeministri.
Të  ndalemi pak dhe të shohim se për çka po falënderon Kryeministri. Po thuhet se po përfundon përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Në fakt nuk po hiqet mbikëqyrja por po shkon Pieter Feith. Kjo i hap rrugë Hashim Thaçit të fillojë negociatat me Serbinë për veriun e Kosovës.
Këtë situatë Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka paralajmëruar kohë më parë. Si mund të quhet përmbyllje e pavarësisë kur pikërisht tash do të fillojnë negociatat politike me Serbinë për territorin e Kosovës. Temë e negociatave me Serbinë nuk janë dëmet e luftës, të pagjeturit, dënimi i kriminelëve që masakruan shqiptarë në Kosovë,  nuk do të bisedohet për Preshevën, Medvegjën, Bujanocin dhe as për shpërnguljet me dhunë nga Toplica. Tema e këtyre negociatave do të jetë autonomia për veriun e Kosovës. Me Serbinë e cila ka pretendime të hapura territoriale do të negociohet territori ynë.

…………………………………………..

Fundi i pavarësisë së mbikëqyrur!

…………………………………

Serbia ka një plan për Kosovën dhe atë ne e kemi publikuar që në vitin 2005. Ky plan ishte i detajuar edhe me harta dhe menjëherë porsa ne e publikuam ata e hoqën nga faqja e tyre zyrtare. Ky plan i Serbisë fatkeqësisht po realizohet në bashkëpunim me institucionet e Kosovës. Serbia e ka të qartë se e ka humbur Kosovën si të tërë prandaj edhe e ka ndryshuar strategjinë dhe planin për Kosovën pas luftës në Kosovë. Plani i saj është që shteti i Kosovës të bëhet jofunksional përbrenda. Qëllimi i saj është afatgjatë. Realizimi i Planit të Ahtisaarit në komunat me shumicë serbe poshtë lumit Ibër pa pasur nevojë që ta pranojë këtë plan ndërsa autonomia speciale për serbët në pjesën veriore të Kosovës. Kjo përmbyllje e mbikëqyrjes së pavarësisë saktësisht është realizim i këtij plani të Serbisë. Këtij plani po i duartroket Hashim Thaçi dhe për këtë plan të Serbisë po i bën gjithë këto falënderime.
Kosova do të ruhet si e tërë ashtu si është ruajtur edhe Bosnja. Nuk besoj që ka qytetarë të Kosovës që e do Kosovën me një model si të Bosnjës. Këtë model e do Serbia sepse nëse sot nuk mund ta ndajë një pjesë të territorit të Kosovës për shkak të pasojave që do të shkaktonte dhe për shkak se faktorët e ndryshëm ndërkombëtarë janë kundër këtij opsioni tani për tani, ajo po e krijon mundësinë që kjo gjendje të realizohet pas disa viteve. Krijimi i komunave me shumicë serbe dhe autonomia për veriun e Kosovës në njërën anë dhe represioni i vazhdueshëm ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës që shkakton ndryshimin demografik në dëm të shqiptarëve nga ana tjetër, është situatë e përkryer që pas disa viteve Serbia të zgjerohet ndërsa shqiptarët të tkurren territorialisht. Në veri funksionojnë pothuajse të gjitha institucionet shtetërore të Serbisë. Atje por edhe në komunat tjera me shumicë serbe veprojnë të papenguara strukturat ilegale e kriminale të Serbisë. Fatkeqësia është që këtë projekt të dëmshëm po e mbështet fuqishëm Hashim Thaçi dhe institucionet e uzurpuara prej tij dhe po përgatitet që të shkojë në negociata me zëdhënësin e Millosheviçit e zëvendësin e Sheshelit të cilët masakruan popullin tonë jo më shumë se para 13 viteve.
Decentralizimi etnik në Kosovë nuk është projekt i yni por është projekt i Serbisë i pranuar nga institucionet e Kosovës. Për këtë projekt nuk janë pyetur asnjëherë qytetarët e Kosovës. Ky decentralizim si i tillë nuk është bërë as për serbët e Kosovës sepse ka shumë raste kur edhe atyre u largohen shërbimet në vend që të ishte e kundërta. Ky projekt është si një kancer brenda Kosovës. Kosova ka nevojë për një proces të vërtetë të decentralizimit. Ky decentralizim duhet të bëhet në gjithë territorin e Kosovës si një proces i cili do t’i afronte shërbimet më afër qytetarëve dhe do të bazohej në parimin qytetar e kurrsesi etnik.
Haptazi në një nga emisionet televizive, drejtuesi i Komisionit Ad hoc për ndryshime kushtetuese Arsim Bajrami, njëkohësisht dhe deputet i Partisë së Kryeministrit Thaçi, deklaroi se në Vjenë kompromisi për Pavarësinë e Kosovës ka qenë edhe realizimi i decentralizimit mbi baza etnike. Vetë ky proces paska qenë propozuar për shkak të veriut e në veçanti  të Mitrovicës. Ai po ashtu deklaroi se pikërisht në Mitrovicë dështoi decentralizimi dhe se bashkësia ndërkombëtare dështoi gjithashtu. Mesa duket për veriun, saktësoi z. Bajrami, do të flitet në një proces të veçantë. Besoj e keni të qartë se kah po shkon ky proces i prirë nga ky kryeministër.
Ky kryeministër e ka degraduar luftën e UÇK-së. Ky kryeministër i ka nëpërkëmbur familjet e dëshmorëve, veteranët e invalidët e UÇK-së. Ky kryeministër e mohon trashëgiminë tonë kulturore dhe të kaluarën historike. Ky kryeministër i ka hequr të gjitha simbolet dhe festat tona kombëtare. Ky kryeministër e ka sjellë Kosovën në një vend ku lulëzon krimi, në një vend ku ekonomia po shkatërrohet e politikanët po pasurohen. Papunësia po rritet e populli po varfërohet. Ky kryeministër e ka ndarë Kosovën përbrenda në vija etnike e tash po negocion edhe për autonomi për veriun. Ky kryeministër po i ndihmon Serbisë drejt integrimeve evropiane. Ky Kryeministër është kundër Kosovës e qytetarëve të saj prandaj nuk na duhet. Ky kryeministër bashkë me ministrat e tij duhet të shkojë. Vetëm kështu mund të rriten shpresat që Kosova të marrë rrugën e duhur.
Prishtinë, 29 gusht 2012
*) Autori është anëtar i Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe drejtues i Komitetit për çështjet e pushtetit vendor në këtë Lëvizje.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura