PROF.SHENASI RAMA: KATUNDARIZMI – PROBLEMI I MENDËSISË KATUNDARE SI SËMUNDJE E POLITIKËS BASHKOHORE (II)

New York, 18. 02. 2014: (Përkufizimi i katundarit dhe i mendësisë katundare) – Është e rëndësishme që të theksohet dallimi midis katundarit dhe shtetasit. Paritë dhe shtresat e qytetarizuara lidhen me shtetin. Shteti bëhet shtylla kryesore e identitetit të tyre. Besnikëria e tyre i shkon së pari shtetit dhe institucioneve. Shteti ndihmon në krijimin dhe në konsolidimin e një kulture politike, në të cilën shtetasi qytetar, jo qytetasi, d.m.th. jo ai që thjesht jeton në qytet, merr pjesë aktive në jetën politike, të bashkësisë dhe kulturore të shoqërisë.
Katundari është ai person shoqëror, i cili merret me prodhimin e vogël bujqësor e blegtoral, me ndihmën e pjesëtarëve të familjes, me siguruar mbijetesën e vet e me përmbushur detyrimet që ka karshi parisë që kontrollon pushtetin politik e ekonomik. Pra, katundari është njeriu i lidhur me tokën e me pronën. Kjo lidhje përcakton edhe ndarjen e punës, format e pronësisë, rolet e funksionet e pjestarëve të familjes, nivelin e lartë të solidaritetit, strukturën e katundit, marrëdhëniet midis katundarëve, por edhe midis katundarëve e pasunarëve, si dhe të katundarëve, shtetit e parisë sunduese. Lidhja e katundarit me shtetin është komplekse. Ajo që Richard Pipes thotë për muzhikun rus, është e aplikueshme në të gjitha kontekstet e katundarëve, “dinakëria dhe përdorimi i forcës garantojnë mbijetesën: katundari përdor dinakërinë, kur është i pafuqishëm dhe dinakërinë me forcën kur është i fuqishëm”. Mendësia katundare buron, së pari, nga kushtet specifike në të cilat katundarët janë të detyruar që të jetojnë e funksionojnë. Morali buron nga interesat. Interesat e katundarëve janë të përjetshme dhe të njëllojta, sepse janë të lidhura me ciklin e prodhimit dhe me nevojën e pashmangshme për të garantuar mbijetesën. Izolimi relativ i shtyn katundarët që të mbështeten në traditën, në zakonin, në sjelljen e sprovuar, që është e moralshme në bashkësinë ku ata jetojnë dhe, mbi të gjitha, në lidhjet familjare e në njohjet personale. Autoriteti më i lartë është pater familias. Shteti, ligji, paria, kultura politike, sistemet e ndryshme të shpërndarjes së pasurisë e të organizimit politik, bile edhe vetë qyteti, nëse nuk është një katund i madh (shtëpi me bahçe ku prodhohet gjithçka që ka nevojë familja) janë elemente të papranueshme për katundarin, sepse janë të papajtueshme me vlerat e me mendësinë e tij. Nderimi dhe dinjiteti kërkohen në bashkësi e jo nga shteti. Po ashtu, nuk ka rëndësi se nga vijnë të ardhurat, apo paratë, ajo që ka rëndësi është se sa ruhet fytyra në katund. Shteti është shfrytëzuesi i përjetshëm, dhe të gjithë katundarët;të cilët,me mendësinë praktike, e shohin shtetin si armikun kryesor të interesave të tyre. Niveli i solidaritetit midis katundarëve është shumë i ndjeshëm. Kjo ndodh, jo aq për shkak të vetëdijes klasore, por se të gjithë e perceptojnë sjelljen morale dhe amorale në mënyrë thuajse identike. Mendësia katundare është kaq shumë influente në kulturën tonë, që është e mbushur me shprehje të tipit “larg vatrës sime,” “qeveria e kap lepurin me qerre”, “gjithkush për veten e vet,” apo “furra e ha nga një.”

………………………………

Flet Prof.Shenasi Rama:

Armiku dhe miku përcaktohen në bazë të kësaj mendësie. Forca është kriteri kryesor, dhe forcat janë numrat e klanit. Statusi, nderi dhe dinjiteti fitohen e humben në katund. Thashethemet janë gazeta. Babai është filozofi. Gjykata është pleqnia, e drejta dhe kanuni. Pronësia është e shenjtë. Kultura është ajo e trashëguara, jo e shkruara apo e kultivuara. Dija fitohet rreth oxhakut. Mendësia e grupit mbrrihet përmes diskutimeve pa fund netëve të gjata të dimrit e të ditëve të shiut. Bota e katundarit është bashkësia e tij, sepse aty është mbijetesa. Taksat janë shfrytëzim, sepse katundari mendon se atë që e ka prodhuar vetë duhet ta konsumojë po vetë. Sistemi ekonomik i përkthyer në prodhim dhe kërkesë, është cikli i prodhimit vjetor dhe nevojat e bërthamës familjare.
Mirëpo në një pikë katundarët janë forca më pozitive e një shoqërie. Kuptimi i kombit, si farë, është thelbësisht i ndryshëm midis katundarëve dhe parisë. Duke qenë se katundarët kërkojnë dinjitet e nder e respekt, duke qenë se ata nuk mund të jetojnë jashtë një bashkësie të caktuar, duke qenë se besojnë kaq fort në lidhjen e gjakut, qoftë edhe fiktive, katundarët janë forca e vërtetë e ndryshimit dhe e ripërtëritjes së një shoqërie. Prandaj katundarët janë nacionalistët e vërtetë, sepse për ata, gjaku dhe lidhja e gjakut janë më të rëndësishmet që munden me qenë, dhe kombi transformohet në bashkësinë, në të cilën ata përfshihen natyrshëm. Nëse ka një grup intelektualësh që punon me ndershmëri për këtë arritjen e këtij objektivi politik, atëherë katundarët do të jenë forca e papërballueshme që do ta transformojë shoqërinë në rrugë pozitive. Kjo anë e mendësisë katundare ku nderi, dinjiteti, dhe respekti merren vetëm përmes bashkësisë mban shoqëri të tëra bashkë dhe parinë e tyre nën kontroll të ideologjisë sunduese. Nuk ka nevojë që të shkohet më larg se sa tek gjermanët apo edhe bullgarët.
Por që të kthehem në pikën e diskutimit të elementëve negative të mendësisë, d.m.th., në anën materiale të saj, bota e vërtetë e katundarit është katundi. Prandaj, armiku i tij nuk është shteti që është larg apo paria. Prej katundit, këto janë të paluftueshme. Armiku është katundari tjetër që nuk pajtohet me të për interesa materiale. Me qenë katundar është një mënyre jetese, është edhe një mendësi e dikujt që nuk ikën dot prej botës së vet të vogël. Katundarët janë shumë racionalë, edhe pse njerëzve iu duket se nuk janë. Ata gjithmonë mendojnë, më së pari, për pronën e për veten e tyre. E kur të vihet kjo parësi në qendër të analizës, shihet se shteti e paria, që i kërkojnë e që i marrin produktet e punës së tyre, janë armiq për vdekje. Mirëpo, për shkak se katundari është i lidhur me tokën e me bagëtinë, praktikisht ai është i ngujuar në pronën e vet, ai është peng i pronës së vet. Atij i duhet me dhënë e me marrë me shtetin e me parinë nga pozita të nënshtruara.
Prandaj, edhe kur shteti sillet në mënyrën më të ndyrë të mundshme, katundari nuk merret me shtetin, por ai merret me katundarin tjeter. Kështu, kur ndodhi tufëzimi, katundarët nuk u turrën me mbrojtë njëri-tjetrin, por, literalisht, me dëmtuar njëri-tjetrin. Kur ndodhi grabitja e madhe e tokave dhe e pronave, katundarët tanë nuk u turrën me mbrojtë shtetin e pronën e të gjithëve, por secili prej tyre e lypi atë ngastrën e vet pesë dynymshe dhe, në midis të asaj ngastre, ai ndërtoi kështjellën e familjes. Kjo ngrehinë ishte një shtëpi me shtatë flamure, me model zviceran apo gjerman, me rrugën deri tek dera si dhe me banjon e shtruar me mermer. Mirëpo, mendësia katundare shihet qartë kur vërehet se rruga publike përgjatë këtyre pallateve në midis të tokës së bukës është e mbushur me male plehrash e me gjithfarë rreziqesh për jetën për vetë katundarët. Por katundarët nuk shohin më larg se sa prona e vet. Për ta nuk ekziston hapësira publike.
Lidhja me pronën vetjake, nyja e kërthizës së mendësisë katundare, është edhe pika kyçe në të cilën duhet të përqëndrohemi, për të kuptuar më mirë natyrën e këtij problemi. Katundari, që mendon veç për pronën e vet, e pranon si të natyrshme sjelljen e parisë së Tiranës, që veç vjedh e grabit. Të gjithë mendojnë se kjo sjellje është në rregull. Pavarësisht se argumentet që paraqiten nga paria janë të mbështetura në justifikime e koncepte ideologjike si, bie fjala, “tregu i lire”, “krijimi i borgjezisë”, “vendosja e kapitalizmit” etj., në thelb të gjithë palët bien dakord se parimi “bjeri i forti të ligut”, një parim aq katundar sa s’bëhet më, është sjellje normale. Forcimi e shtimi i pronës është në zemër të mendësisë katundare. Pasanikët nuk munden me qenë gabim. Ndryshe si do të viheshin paratë që kanë? Edhe kur duhet me dënuar dikënd, ai dënohet kur nuk respekton normat e vendosura në katund, d.m.th., kur kapet me presh në duar. Po u kape, mbarove, e humbe dinjitetin. Dhe dinjiteti është gjithçka, bile për katundarin është shumë më i rëndësishëm se vetë prona. Prona e dinjiteti janë dy gjëra për të cilat katundari nuk të fal. Para së gjithash, dinjiteti është i lidhur me poshtërimin në të shkuarën, thjesht sepse askush nuk e di se çka e pret në të ardhmen, anipse gjithkush mendon për të ardhmen.
Prandaj, partitë tona politike dhe e gjithë paria e Tiranës, munden t’i mobilizojnë lehtësisht katundarët, duke i mbajtur peng për të shkuarën e tyre. Lehtësia e mobilizimit katundar ndodh sepse të gjithë palëve, politikanët tanë, ua kujtojnë kohën kur kanë qenë ose sundues apo shtresë e mirë e në gjendje, ose të përndjekur nga sunduesit e rradhës. Ky është kali ideologjik që duan të kalërojnë që të dy segmentet e parisë, çka vihet qartë në dukje sa herë që kanë përplasje e zgjedhje. Së bashku me lejimin e vjedhjes e të korrupsionit, gërricja e plagës së poshtërimit dhe ngacmimi në dinjitetin e njerëzve është çelësi i suksesit të parisë. Prandaj edhe mekanizmi kryesor për të përhapur opinionet që i interesojnë parisë janë thashethemet. Njerëzit besojnë atë që iu thuhet.
Mendësia katundare, është parakapitaliste dhe në strukturën e shoqërisë shqiptare ishte mbisunduese dhe e gjithkundgjindshme edhe në sistemin enverist, edhe më parë, në të gjitha sistemet e tjera. Në të gjithë kohët, paria kishte në mendësinë e saj, si objektiv parësor, ndërtimin e strukturave institucionale që janë armiqësore ndaj katundit. Edhe kur paria ishte e angazhuar në ndërtimin e shtetit, të socializmit apo edhe ndërtimin e kapitalizmit, ajo kurrë nuk arriti të bënte atë që duhej, sepse edhe vetë ishte e rritur me mendësinë katundare dhe funksiononte në bazë të vlerave të mendësisë katundare. Shumë vetë brenda strukturave të parisë vinin nga katunde që kishin qenë të lidhur në kërthizë me shtetin osman. Këto katunde kishin një strukturë ushtarake e kuptim të politikës në nivelin e shtetit, siç ishin, bie fjala, katundet e jeniçerëve, të transformuar në bektashinj, në Toskëri. Prapë se prapë mendësia katundare ishte sunduese, si në sjelljen personale, ashtu edhe në organizimin familjar, të klanit dhe të fshatit edhe në Toskëri edhe në Gegni.
Frika e dyfishtë e humbjes së pronës e të dinjitetit i mban katundarët të lidhur me parinë. Për sa kohë që paria i lë vjedhin e grabisin, me ndërtuar pa leje, mos me paguar taksat, mos me krye detyrimet qytetare e shtetërore; sa kohë që i lë me i zgjidhë të gjithë hallet e problemet e tyre në mënyrë private e në nivelin e katundit, punët janë mirë. Katundarët nuk ia lënë fajin parisë. Faji i piramidave ishte faji i atyre që vunë paret “dhe e hëngrën” se “vetë e patën fajin”. Ata që përfituan prej interesave, “ishin të zotët, bravo iu qoftë”, apo “hallall ta baftë Zoti, mor lal”. Sa për qeveritarët, “fajin e patën vetë” ata njerëzit që vuajnë nën sundimin e tyre. Katundarët gjithmonë e gjejnë një mënyrë me u armiqësuar me njëri-tjetrin, por kurrë nuk armiqësohen me ata që sundojnë e që nuk lënë gjë pa bërë në kurriz të tyre. Njeriu e di se po sillet si katundar bash atëherë kur e di se paria po ta punon të zezën, e prapë nuk b’zan, por e mbështet. Gjithkush e di se po sillet si katundar kur dikush nga paria flet për integrimin evropian, për rritjen më të lartë ekonomike në botë, për popullin e lumtur, i fut njerëzit në grevë urie, shan “çeçenët” e “malokët”, kalon ligjin për homoseksualët, flet si Enver Hoxha, e bën të bardhën të zezë, dhe individit si qytetar nuk i bën fare përshtypje. Edhe kur e di se po mashtrohesh haptazi, e prapë se prapë shkon në miting apo futesh në grevë urie për të mbështetur interesin e pjestarit të parisë, individi shërben si shprehja më e mirë e mendësisë katundare.
Ilustrimi ma i qartë i sundimit të mendësisë katundare është dukja e gatishmërisë për dhënien e jetës për parinë. Edhe kur dihet e kur shihet qartë se kjo pari mendon veç për veten e vet, se ajo e përbuz popullin e katundarët e vet, prapë se prapë, me qindra-mijëra njerëz dalin me flamuj të kuq apo blu, në mitingun e rradhës. Përshtypja është se të gjithë janë militantë. Por, kur i analizon fotografitë e mitingjeve, të dalin rreth pesë milionë pjesëmarrës. Kjo do të thotë se, tamam simbas mendësisë katundare, shumë njerëz shkojnë në të gjitha mitingjet që bëhen, me flamurë, e me karta anëtarësimi në xhepa, duke zgjedhur të keqen më të vogël e duke mos e prishur me kënd. Gjithkush po mendon për veten e vet.
Dy shembuj që ilustrojnë paradoksin e lidhjes së parisë me popullin
Këtu ia vlen që të jepen dy shembuj nga sjellja e shoqërisë shqiptare, për të ilustruar sundimin e mendësisë katundare. Së pari, ka një arsye pse lezhjanët dalin në protestë disa herë kundër një sjelljeje, të papranueshme për ata, të një banori të qytetit të tyre. Punët kanë shkuar keq, deri në atë pikë sa qytetarët e kërcënojnë me jetë familjen e këtij individi. Bindja, se dalja e një banori të Lezhës me orientime të ndryshme seksuale, është fyerje për të gjithë Lezhën, është pak problematike. Zgjedhja personale e atij njeriu nuk ka pse t’i fyejë lezhjanët. Gjithkush i bën zgjedhjet e veta. Paradoksi fillon kur, në të njëjtën kohë, po këta lezhjanë mbështesin fuqimisht kryetarin e një partie si Sali Berisha, që kërkon në parlament legalizimin e martesave të individëve të tillë. Ajo që është edhe më e çuditshme, asnjë nga këta protestues lezhjanë nuk e mori mundimin që të bënte një protestë në Lezhë, apo në Tiranë, për të mbrojtur nderin e shtetit e të kombit shqiptar nga ligji për lirinë e homoseksualëve.
Një shembull tjetër është dalja e qindra mijëra njerëzve në bulevard në mbështetje të politikës së kryetarit të një partie, qoftë ky Edi Rama apo Sali Berisha. Dalja e këtyre njerëzve në miting, në emër të një numri kërkesash, që në thelb janë tërësisht irracionale nga këndvështrimi i qytetarit e i katundarit normal, por që janë krejtësisht të kuptueshme kur mbahet parasysh interesi i ngushtë i kryekatundarit të rradhës, është paradoksale.
Pse është paradoksale? Para zgjedhjeve, këta dy udhëheqës të parisë së Tiranës dhe të deleguarit e tyre, Kastriot Islami e Ilir Rusmajli, ranë dakord që të ndërtonin një sistem zgjedhor, që do të eleminonte partitë e vogla politike. Këta kishin rënë dakord të bënin një qeveri teknike me mirëkuptim dhe, kështu, duke e konsoliduar një herë e mirë sistemin oligarkik, ata do të përqëndronin pushtetin në duart e tyre. Mirëpo, disa i kishin bërë llogaritë gabim. Sapo iu dha mundësia, Sali Berisha i iku pazarit dhe u soll sipas vlerave e mendësisë që e karakterizojnë atë vetë por edhe të gjithë parinë.
Tash, vala e protestave do të vazhdojë me intensitet nga të dy palët. Sharjet e ofendimet, që kanë botuar e që botojnë në mediat nën kontrollin e tyre respektiv, nuk kanë njohur e nuk do të njohin kufinj. Në këtë përplasjen e rradhës, interesat e tyre janë jetike. Njëri do të rrijë në pushtet e tjetri do të marrë pushtetin. Të dy nuk rrinë dot në një karrike. Atëherë, ai që nuk e zë karriken, duhet t’ia bëjë jetën tjetrit sa më të vështirë që të jetë e mundur. Sjellje tipike e mendësisë katundare. Prandaj edhe politikanët i drejtohen rrugës. Aftësia e tyre, për të mbledhur në bulevard me qindra mijëra njerëz, i mahnit vëzhguesit e huaj. Këta nuk dinë se si ta shpjegojnë këtë paradoks shqiptar. Por, natyrisht, kjo lloj sjelljeje bëhet lehtësisht e kuptueshme, kur mbahet parasysh mendësia katundare. Katundarët po luftojnë për interesat e parisë.
Megjithatë, kur e krahason me problematikën shqiptare, nuk ka se si të mos të të bëjë përshtypje një sjellje e tillë. Të bën përshtypje mungesa e përplotë e kurajos qytetare për të protestuar për mungesën e kushteve elementare të jetesës shoqërore. Të bën përshtypje, kur ndeshesh me rastet e abuzimit flagrant të katundarizmit me shtetin dhe me institucionet në teë gjithë nivelet. Të bën përshtypje, mungesa e kurajos qytetare për të kundërshtuar korrupsionin, banditizmin, mashtrimin, zvetënimin e parisë e me rradhë. Prapë, çelësi i shpjegimit është mendësia katundare. Shteti dhe kombi janë në një gjendje të mjerueshme. Mirëpo, në të njëjtën kohë, askush nuk e can kokën se në shtetin shqiptar vidhet me të dy duart, se bëhen ndërtime pa leje, se uji i pijshëm vjen me tepricat e gjirizit e të tjera dukuri, që të bëjnë shumë përshtypje. Të gjithë mendojnë vetëm për veten e tyre.
Pse paria e Tiranës është fajtore për gjendjen?
Për shkak të trysnisë së politikës, të acaruar deri në ekstrem, për shkak të luftës midis klaneve dhe palëve të parisë, si dhe të nevojave të organizimit brenda klaneve, vetë paria enveriste u dorëzua dhe gradualisht adaptoi mendësinë klanore katundare. Kjo u vërejt menjëherë gjatë e mbas vendosjes së sistemit parti-shtet në vitin 1944 dhe shpërtheu me përplasjen e klaneve Hoxha dhe Shehu në vitet 1970. Pra, përplasja klanore u acarua në pika kritike, por mendësia katundare ishte e pranishme dhe sistematikisht e evidentueshme në sjelljen e parisë sunduese gjatë gjithë kohës së sundimit të sistemit enverist. Gjatë gjithë kësaj kohe, aleancat, që mund të kishin nisur nga mendësi e përvoja komunitare, përfunduan duke u bërë klanore. Të gjithë lidhjet e palëve të parisë u çimentuan dhe u kultivuan në bazë të kësaj mendësie. Edhe goditjet u dhanë në bazë të kësaj mendësie ,duke e sulmuar klanin respektiv me rrënjë e me degë. Klanet e ndryshme, që dolën si humbës nga përplasjet, e ruajtën mendësinë e klanit. Klanet që fituan i shtërnguan rradhët edhe më shumë. Shteti shqiptar ishte i modeluar sipas modelit sovjetik, por mendësia e shtetarëve ishte tipike e katundarëve jeniçerë osmanë. Mirëpo, si paria, ashtu edhe inteligjencia ishin të detyruar që të silleshin simbas një sistemi vlerash morale, që ishte krejtësisht i papajtueshëm me mendësinë katundare. Të gjithë ishin të shkolluar dhe kishin aq mend sa të bënin zgjidhjen që duhej. Por zgjidhja që ata bënë ishte që të punonin për veten e tyre dhe kundër popullit të vet.
Gjendja nuk ishte e lehtë por ata duhej të udhëhiqnin, sepse vetë e morën përsipër atë detyrë. Fundi i atij sistemi hibrid enveristo-katundar, na gjeti pa një shoqëri me mendësi të kultivuar qytetare dhe me vlera demokratike, por me katundarë që jetonin me bukë misri me ujë e sheqer, si dhe me masat e gjera të shtresave urbane të proletarizuara, apo me katundarë të transplantuar në qytete. Të gjithë mendonin si katundarë, ose silleshin hapur si katundarë. Megjithatë, në kapërcyell të ndrrimit të sistemeve, paria dhe “intelektualët e shquar” e kishin një kapital të madh politik, që mund ta përdornin për të futur proceset në rrugën e duhur. Zgjidhja që ata duhej të bënin duhej të ishte që të përdornin ndjenjat kombëtare, dëshirën për të jetuar me nder e me dinjitet të katundarit shqiptar, për të ndërtuar një shtet-komb modern.
Në shtetin shqiptar nuk pati revolucion të mirëfilltë. Paria kërkonte ndryshimin, intelektualët ishin krejtësisht të paralizuar dhe në shërbim të parisë. Forca më progresive e shoqërisë ishin studentët. Mirëpo, kur vjen puna tek revolucionet, nuk ka rëndësi se kush është faktori qendror në ngjarjen kryesore. Faktori më me rëndësi është se sa janë të aftë intelektualët që të mobilizojnë shtresat e ndryshme dhe, në veçanti, katundarët. Faktori kryesor në çdo revolucion është katundaria dhe fshatarësia. Aleanca arriviste midis parisë, shtresave urbane të proletarizuara, por me mendësi të theksuar katundare, intelektualëve dhe katundarëve tanë në vitin 1991 ishte aleanca më e rrezikshme dhe vdekjeprurëse që mund të bëhej për demokracinë. Emëruesi i përbashkët ishte interesi personal dhe i ngushtë, tipik për mendësinë katundare. Shumica kishin një dyshim të thellë ndaj shtetit. Shumica kishin një ide të shtrembër për kapitalizmin e për të ardhmen. Shumica e shihnin sistemin demokratik si një një sistem që duhej manipuluar. Ishte shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që këta të dilnin nga mendësia katundare, që e shihte gjithçka të lidhur me klanin, me familjen, dhe interesat e ngushta të tyre. Por po të ruhej shteti, edhe katundarët do të përmbaheshin dhe nuk do të kishin shkuar gjërat në atë pikë.
Tranzicioni filloi me shembjen e shtetit. Kolapsi ekonomik i qëllimtë dhe i inkurajuar prej vetë parisë, i acaroi këto marrëdhënie dhe nxori në plan të parë rëndësinë e klanit dhe të lidhjeve politike për parinë. Mirëpo, në të njëjtën kohë, tranzicioni krijoi mundësi të jashtëzakonshme për katundarët. Duke mos e pranuar sistemin e vendosur si legjitim, katundarët tanë përdorën të gjithë hapësirat e mundshme për të ndjekur objektivat e tyre të mbijetesës. Shembja e shtetit dhe heqja dorë nga ana e parisë e të qeverisurit të vendit, çuan në grabitje në masë të pronës dhe të pasurisë private dhe të përbashkët. Mirëpo ky nuk ishte atomizim, thërmim i shoqërisë. Katundarët nuk grabitën tokat e njeri-tjetrit në katundin e vet. Atje tokat u ndanë sipas normave katundare dhe gjithkush mori tokën e vet. Ajo që ndodhi ishte një zhvendosje masive, në bazë katundi dhe klani në zonat e në hapësirat e mundshme. Në këtë mënyrë, katundi nuk ishte më një strukturë e izoluar që kontrollohej nga shteti. Nën zhguallin e një urbanizimi fiktiv, katundi u bë njësia bazë e shtetit. Shteti u bë një katund gjigand. Katundi më i madh në botë, me disa shtresa e mbishtresa katundarësh është Tirana.
Parësia e politikës mbi ekonominë përcaktoi edhe natyrën e konfliktit midis palëve të parisë. Zgjidhja që ata bënë për të ndërtuar një system, ku që është gjithkund endemik, anipse i përmbajtur deri në një nivel ose në një tjetër, e detyroi parinë sunduese që të hiqte dorë nga projekti i vet i transformimit të shoqërisë në një shoqëri kapitaliste. Për të ruajtur interesat e veta dhe vendin e vet, si forcë përcaktuese e rrjedhave dhe e proceseve, paria u detyrua që t’i përshtatej mendësisë së shtresave të gjera shoqërore që, deri atëherë, ishin të mbajtura në shtërngesë nga shteti. Këto shtresa, që deri në atë pikë silleshin në forma të jashtëligjshme, por të toleruara nga sistemi dhe nga vetë paria, shpërthyen me fuqi në skenën politike. Në vend që të gjenin vullnetin politik e t’i kontrollonin këto shtresa, të gjithë palët e parisë, zgjodhën rrugën më të lehtë. Paria sunduese, si shtresë, filloi të adaptonte mendësinë kriminale dhe, pa mëdyshje, u kriminalizua. Në vend që të silleshin si burra shteti, prijatarët e parisë filluan të silleshin si rrugaçë. Lufta midis klaneve u ashpërsua deri në atë pikë sa fuqia e klaneve matej me fuqinë e mitingjeve dhe të rrugës. Kapja e shtetit u bë objektivi kryesor politik. Synimi ishte që shteti duhej të vihej në shërbim të një klani të caktuar. Niveli i materializmit, mungesa e vlerave njerëzore e ideologjike, zhveshja nga ndjenja e shërbimit publik, turrja mbas interesit të ngushtë, kriminalizimi i shoqërisë e të gjitha patologjitë e tjera janë në nivele ekstreme. Katundarët kanë dalë në krye të shtetit dhe shteti është kthyer në një katund gjigand. Si rezultat i sundimit të kësaj mendësie, shoqëria shqiptare është thellësisht e kriminalizuar, pa besim në parinë apo në institucionet shtetërore, dhe pa shpresë përmirësimi nga brenda shtetit. Tash kemi një sistem oligarkik, të maskuar me një veshje demokratike, ku si populli ashtu edhe paria sundohen nga mendësia katundare, ku mendohet për mbijetesën e ditës, për përfitimin individual, për interesat e klanit të ngushtë, dhe ku shteti është kapur e kapet nga klane të caktuara që e shfrytëzojnë për nevojat e tyre të ditës.
Mendësia katundare është sunduese në të gjithë shtresat. Për parinë, problemi themelor i kësaj mendësie është se katundarët nuk kërkojnë vendosjen e kapitalizmit. Katundarët janë forca kryesore kundër vendosjes së sistemit kapitalist. Katundarët nuk kërkojnë vendosjen e demokracisë; ata kërkojnë mbrojtjen e interesave të tyre përmes kultivimit të strukturave familjare, por edhe të marrëdhënieve shoqërore-ekonomike tipike për katundet, si pazaret, shitblerja, tregtimi i favoreve, kultivimi i traditës. E vetmja mënyrë që i bën katundarët ta pranojnë shtetin dhe demokracinë është përmes figurave influente, që duhet të jenë të pranuara nga bashkësia si pjesë e saj, d.m.th. kleriku, mjeku popullor, plaku i urtë, mësuesi e me rradhë. Tashmë të gjithë këta janë të sofistikuar, me shkollë të lartë dhe me një pozitë me peshë në sistem. Këta mbedhin votat dhe kontrollojnë makinën oligarkike në sistemin lokal. Shumë prej tyre nuk janë më thjesht hallka të sistemit, ata janë në kontroll të sistemit.
Përvojat e frikshme të shqiptarëve në mërgim, në fund të shoqërive modern, si në Gjermani e Itali, e të një shoqërie ende të pashkëputur nga mendësia e vet katundare, si në Greqi, e lehtësuan shumë këtë proces të dyanshëm të forcimit të mendësisë katundare në nivel të shoqërisë dhe të parisë. Përvojat e hidhura të shqiptarëve në mërgim kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme dhe kanë qënë një katalist shumë i fuqishëm për kthimin e mendësisë katundare dhe të klanit si strukturë bazë e shoqërisë. Trajtimi shumë negativ që patën në vendet e huaja e forcoi edhe më shumë mosbesimin e tyre ndaj shtetit dhe ndaj strukturave politike, si dhe ndaj demokracisë. Mbështetja në strukturat e familjes dhe të klanit u bënë nevojë jetike. Mbijetesa u garantua edhe përmes krimit dhe familja ishte bërthama e veprimtarisë. Prandaj, edhe kriminalizimi i parisë u mundësua nga mërgimtarët, si dhe nga përvojat e tyre të hidhura.
Lufta e analistëve dhe e komentatorëve, që shkruajnë pa lidhje e pa një kuptim të qartë të gjendjes, ka qenë, të shpallte popullin shqiptar fajtor, ose me ia lanë fajin sistemit të kaluar, Turqisë, imperializmit, kapitalizmit, grekëve, serbëve, etj. E megjithatë, fajtore kryesore mbetet paria. Paria është ajo që duhet të ketë vizionin e duhur për ndërtimin e marrëdhënieve shoqërore. Paria është ajo shtresë që ofron zgjidhjen e problemeve, sepse paria e ka dijen e përgatitjen e nevojshme të zgjidhë problemet. Një pari bëhet elitë sepse identifikohet, para së gjithash, me shtetin dhe, me punën e me përkushtimin e vet, e vë një popull në rrugë të mbarë. Arsyeja pse paria është në gjendje që të bëjë atë që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës, përveç Afganistanit, Somalisë, Haitit e Kongos, është manipulimi i mendësisë katundare dhe mbajtja e popullit në një gjendje jermi ideologjik. E njëjta gjë nuk mund të ndodhë kurrë në Gjermani apo në Suedi.
Pra, për shkak të sundimit të përplotë të parisë që shfrytëzon mendësinë katundare, e të vlerave që burojnë prej saj, jemi në krizë. Njëri ndër elementët më të spikatur të krizës politike shqiptare ka qenë mungesa e nje ideologjie të mirëfilltë, të paraqitur sistematikisht e në mënyrë kohezive. Një ideologji e tillë do të lejonte një masë militantësh të një partie politike që të gjykonin proceset dhe ngjarjet e shkuara politike. Një ideologji e tillë do të lejonte njerëzit që të gjykonin sjelljen e politikanëve e të ofronin gjykime koherente e konsistente, në vlerat e asaj ideologjie për gjendjen në të tashmen. Mbi të gjitha, një ideologji e tillë do të ofronte një vizion të qartë se ku do të mbrrihet në të ardhmen.
Prandaj, në shtetin shqiptar, nuk gjen mbështetje të gjerë një ideologji e mirëfilltë socialiste, liberale apo nacionaliste, që do të ofronte një projekt për përmirësimin e gjendjes, edhe pse kjo është zgjidhja e vetme e daljes nga kjo gjendje e thellë krize ku janë shqiptarët. Në vend të një ideologjie të tillë, si bie fjala, socializmi, liberalizmi, apo nacionalizmi, paria e të gjitha ngjyrave dhe e të gjitha partive, ofron një përzierje paradoksale (e që politikisht nuk ka fare kuptim) parullash e slloganesh. Shpeshere, këto sllogane janë krejtësisht kontraditore. Ato përjashtojnë njëra-tjetrën. Mbi të gjitha, që të gjitha janë të pambrritshme e të parealizueshme në nivele praktike. Si pasojë e kësaj mungese sistemesh të qarta vlerash e ideologjie kohezive, sjellja e parisë duket krejt e çoroditur dhe pa kurrfarë racionaliteti. Mirëpo, paria nuk merret aq shumë me të huajt aq sa merret me katundarët militantë të partisë respektive.
Prandaj, politika në shtetin shqiptar është një politikë e paradokseve, sepse struktura e mobilizimit të masave të gjera të popullit nga paria e Tiranës është ekskluzivisht e mbështetur në strukturën e katundit. Kauzat që ndiqen janë nga më të paimagjinueshmet, ose thjesht problem që ngrihen, sepse zgjidhja e tyre është në shërbim total të liderëve partiakë. Parullat që hidhen janë krejt pa kuptim e pa kurrfarë baze në realitet. Nga ana tjetër, rërrtërrtërret e shtypit të Tiranës janë hamullitje të pakuptimta. Pastruesit e plehrave në Përëndim shiten si komentatorë të ditur. Komentatorët e njohur të Tiranës, që s’ja kanë idenë sistemeve të tjera, duan të flasin anglisht e të duken kompetentë, kur shkrimet e tyre janë krejt pa bosht e qesharake. Përpjekja për të shpjeguar këtë mori fenomenesh që e bëjnë politikën e Tiranës unike në natyrën e mendësisë së saj katundareske, nuk do të ishte e plotë pa lidhjen e qartë të parisë së Tiranës me popullin. Nyja që i bashkon është mendësia katundare.
Përfundim
Në përfundim duhet theksuar se ajo që e bën këtë gjendje të mundshme është kultivimi i pandërprerë i mendësisë katundare nga ana e parisë së Tiranës dhe përdorimi i paskrupullt i kësaj mendësie. Procesin e kultivimit të mendësisë katundare e ka lehtësuar konvergimi i tre faktorëve të shtjelluar në këtë shkrim. Së pari, përbërja katundare e parisë së Tiranës. Së dyti, është niveli i lartë i katundarizimit të shoqërisë shqiptare. Së treti, kthimi në mendësinë e origjinave katundare i shtresave të banuesve në qytete, që tashmë në masë të madhe janë nga shtresat urbane të proletarizuara gjatë sistemit të mëparshëm. Si pasojë, në një farë mënyre, e gjithë shoqëria shqiptare ka rënë pre e mendësisë katundare. Dallimi është se paria vepron në këtë drejtim në mënyrë të vetëdijshme. Arsyeja është se kjo mendësi i shërben asaj për arritjen e objektivave të shumëfishta dhe afatgjata, që paria i ka caktuar vetes. Për një masë të madhe të fshatarëve e të katundarëve bashkëkohorë, kjo lloj sjelljeje është normale. Për ata, kjo sjellje është e vetmja që i lejon të funksionojnë dhe që e bën realitetin të lexueshëm e të kuptueshëm. Nga ana e tyre, edhe qytetarët e disa brezave janë dorëzuar dhe duket se tashmë mendojnë vetëm e vetëm se si të mbijetojnë në këtë botë dhe kanë adaptuar sjelljen dhe mendësinë katundare. Në këtë mënyrë, katundarizimi i politikës është bërë i përplotë. Gjithkujt që e sheh nga jashtë sjelljen e çmeritur të politikës e të parisë, gjendja në shtetin shqiptar i duket pa pikë kuptimi. Pa e kuptuar qartë, e pa e konfrontuar mirë, e si duhet këtë sëmundje të politikës bashkëkohore shqiptare, nuk mund të ketë as diagnostifikim, por as edhe zgjidhje ashtu si duhet të problemeve. Natyrisht, kjo është edhe arsyeja pse teoria e Ibn Khaldunit nuk është e aplikueshme dhe as e verifikueshme në rastin shqiptar. (FUND)

– Autori është Doktor i Shkencave Politike në Universitetin e New York’ut…

……………………………..

– PJESA E PARË –
PROF.SHENASI RAMA:
KATUNDARIZMI –

PROBLEMI I MENDËSISË KATUNDARE SI SËMUNDJE E POLITIKËS BASHKOHORE
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2432

———————————————

(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura