PROF.XHEMALEDIN SALIHU: LOKALITETE DHE VENDBANIME ARKEOLOGJIKE NË PRESHEVË (II)

Preshevë, 10 gusht 2020:
2.Kacipupi në Rahovicë

Më vitin 1966, ekipi i arkeologëve të Muzeut Popullor të Vranjës vazhdoi gërmimet arkeologjike përgjatë magjistralës Vranjë-Preshevë. Rezultatet e punëve në terren janë shumë me rëndësi dhe interesante, sepse kemi të bëjmë me lokalitete të reja të zbuluara, të cilët kanë luajtur rol me rëndësi si në kuptimin ushtarak po edhe kulturor.Kështu prej tyre, me më shumë rëndësi dallohet oppidumi dardan në lokalitetin , të quajtur Kacipup në Rahovicë të Preshevës, i cili me pozitën dhe karakterin e materialeve , gjithësesi paraqet lokalitet me shumë rëndësi nga periudha parahistorike në këtë rajon.
F
shati Rahovicë gjendet në pjesën perëndimore të Luginës së Preshevës, gjegjësisht në rrëzët e Karadakut të Preshevës-Malit të Zi.

Kacipupi në Rahovicë

Kacipupi, Oppidumi Dardan është lokalitet parahistorik, shumështresor, gjendet në pjesën perëndimore të Rahovicës. Pjesa jugore e Kacipupit është e kalueshme nëpërmjet Tumës, për të cilën ekziston mendimi se është fortifikatë artificiale dhe për të cilën nuk dihet kur është ndërtuar dhe për çfarë misioni. Pjesa veriore kah lumi, ajo lindore dhe ajo perëndimore e Kacipupit janë të thepisura dhe vështirë mund të arrihet në maje. Në pjesën e veriut, kah lumi është vërtetuar ekzistimi i një muri mbrojtës dhe ekzistimi i një dere për hyrje në paralagjen e fortifikatës.Në pjesën perëndimore, gjatë hulumtimeve arkeologjike janë gjetur material keramik dhe keramikë e epokës së mëvonshme të hekurit.
Kacipupi gjendet në gjërësinë gjeografike 0553838, gjatësinë gjeografike 4686245 dhe në lartësinë mbidetare 557 m.
Në horizontin e parë janë gjetur fragmente të enëve të mëdha, të pjekura me ngjyrë të përhimta,të murme të çelura dhe kuqërremta /pitose dhe amfora-loj shtambe antike/ si dhe keramikë ngjyrë të murme, me faturë të ashpër e të punuar me dorë.
Në horizontin II dhe III janë gërmuar në një sipërfaqe më të vogël, në të cilat janë gjetur fragmente të enëve të mëdha, të punuara me çikrik por edhe me dorë.
Në horizontin e IV janë gjetur fragmente keramike të punuara me dorë.
Në horizontin e V janë gjetur keramikë nga faza më e hershme e jetës në kështjellë. Këtu janë gjetur pjata, urna, enë me një apo dy mbajtës vertikal,vorba, e tjerë.

Thikë hekuri nga lokaliteti Kacipup në Rahovicë, epokë e re e hekurit

Mamuze hekuri nga Kacipupi i Rahovicës, epoka e re e hekurit
N
ë Kacipup janë gjetur fragmente të keramikës Imbars dhe pitose të vogla.
Disa eksponate të qeramikës nga lokaliteti i Kacipupit në Rahovicë mund të shpjegohen si ndikim i rajonit të Dardanisë.
Keramika e gjetur në Kacipup të Rahovicës, e punuar me dorë shumë i përngjan keramikës në Kosovë
Vendbanimi i fortifikuar dardan, Kacipupi zhvillohet nga shekulli VII deri në shek. VI para erës sonë.
Kacipupi në Rahovicë i takon epokës së hekurit, i evidentuar si vendbanim i urbanizuar, sepse ishte i banuar në kontinuitet nga shekulli VII deri në shekullin I të para erës sonë.
Në këtë kohë, në Traki, Maqedoni në Serbinë juglindore dhe në Kosovë kishte kulturë autoktone, e cila nënkupton komponenten etnike të përbashkët. Pra, në këtë kohë Dardanët filluan të themelojnë aparatin shtetëror centralist dhe të mbledhin fiset nën komandën e një pushtetari.
Fotografia arkeologjike shumë i përngjan asaj që lanë pas veti apo të shkruar historianët antikë. Kështu Straboni shkruan se Skordijcët gjatë gjysmës së shekullit II para erës sonë ndalën fqinjët Dardanët, Agrijanët dhe shumë fise të tjera të panjohura, duke bërë territorin e tyre të shkretë, dhe duke hapur rrugën vetes për në Maqedoninë e pasur. Ndoshta bash Kacipupi në Rahovicë dhe Kale në Kërshëvicë ishin punktet mbrojtëse nga të cilët popullata lokale mbronte territorinë e vet.
Kështu kur krahasohen burimet historike nga ajo kohë mund të thuhet se territori në perëndim të Moravës Jugore i ka takuar Dardanëve.
Pozita e tillë e Kacipupit mundëson kontrollën e Luginës së Preshevës në lindje dhe të Kosovës, në perëndim.
Gërmimet arkeologjike kanë dëshmuar tri horizonte kulturore: epokë e bronzit, epokë e hekurit të vonshëm, mbarimi i shekullit VIII dhe fillimi i shekullit VII para erës sonë dhe periudha e mëvonshme, horizontit më të ri të dokumentuar, i takon keramikës së importuar, e punuar në çikrik dhe keramika të formave latente.
Kacipupi në Rahovicë, sipas mënyrës së organizimit, vendbanimi i tij i përkon rrethit të kështjellave të Ballkanit Jugor.Të këtillë fortifikatë ndërtimore ka edhe në Bushtran të Preshevës.
Më poshtë Zef Mirdita për trajtimin e çështjes së marrë në shqyrtim shfrytëzon të dhënat e autorëve antikë për vendbanimet e dardanëve dhe kalon pastaj në atë që është themelore: vendosjen e identifikimin e aglomeracioneve dardane. Së pari ai sjell të dhënat e Tit Livit për dy «qytete dardane» që lidhen me një episod të luftës midis dardanëve e bestarnëve, të cilat me gjithë vështirësitë që ekzistojnë janë identifikuar
në fshatrat Kershevicë (12 km në jug të qytetit Vranja) dhe Rahovicë të Preshevës (20 km në JP të të parit). Pas këtyre dy «qyteteve dardane» pa emër, bëhen përpjekje për të identifikuar qytetin Sintia, të cilin »autori e kërkon në trekëndëshin e Dardanisë, Maqedonisë dheThrakisë.
Një vemendje e posaçme i është kushtuar ubikacionit të qytetit Damastion, një qendër e rëndësishime e një krahine të pasur në xeherore.
Mbasi radhiten mendimet e ndryshme dhe vështirësitë që u kanë dalë studjuesve për lokalizimin e këtij qyteti jepet edhe mendimi sipas të cilit qytetin Damastion duhet ta kërkojmë në trevën qendrore të dardanëve, në Kosovë, ku nuk mungojnë
gjurmë xeherorësh pararomake dhe ku janë gjetur më shumë monedha të këtij qyteti.
Etimologjia e këtij emërtimi mendoj se mund të lidhet me nocionin KACIGA, në gjuhën e sotme shqipe HELMETA. Emërtimi ky për kapelën metalike që shërben për mbrojtjen e kokës së ushtarit. Prandaj në kohën antike këtu ishte Opidumi Dardan, si qytet i fortifikuar, pra këtu jetonin ushtarët, ata që në kokë mbanin helmetën. Për pjesën e dytë të emrit PUP, mendoj se është shprehje për largësinë shumë të vogël të Kështjellës nga rruga. Sot në popull përdoret shprehja me një pup-kërcim gjati, shkruan Sami Agushi, profesor i gjeografisë, në faqen e tij të Facebookut.
3.Kalaja e Bushtranit
Në anën lindore të Luginës së Preshevës, rreth 10 km në verilindje të Preshevës dhe 1,5 km në lindje të fshatit Bushtran, gjendet lokaliteti Kalaja, ku nga shtëpitë e fundit të fshatit ngritet një kodër dominuese,e quajtur Kalaja Ajo është e futur më shumë në kodër, e vendosur në një shpat, që në tri anët e saj është e rrëpishme dhe e pa kapërcyeshme dhe e vështirështirë për t’u ngjitur në te. Kalaja, në lindje është e lidhur me masivin të malit Rujan dhe e kalueshme. Kalaja është shumë e dukshme, sepse gjendet në një terren të zhveshur. Platoa e Kalasë ka formën e rrumbullakët, elipsoide, me dimensione 100X 60 m, sikur edhe kështjellat tjera dardane. Në anën perëndimore, në lartësi prej 0,80 m, gjendet një beden, i cili duke shkuar në lindje ngritet në një tumul të kapëcyeshëm.


Ana lindore e Kalasë së Bushtranit

Ana lindore e Kalasë është pa mbrojtje natyrore, para tumulit gjendet një hendek mbrojtës, në gjërësi prej 5-6 m, afët të cilit shihen tragjet e murit apo gurëve të gjallë, të radhitur dhe të shfrytëzuar.Sipas dimensioneve dhe radhitjes së gurëve, i ngjajnë të njëjtëve atyre në Kacipup të Rahovicës, në Gradinë të Konçulit dhe të Svinjishtës dhe i takojnë epokës dardane.
Në Kala mund të hyhet nga ana lindore e saj, në jug të tumulit të saj, ku me të gjitha gjasat është edhe hyrja në Kala.
Lokaliteti është evidentuar më 1967, ndërsa është gërmuar 10 vjet më vonë.
Gërmime funkcionale dhe të mirëfillta nuk janë kryer në Kala, vetëm disa sipërfaqësore, andaj edhe nuk mund të flitet për funkcionin e këtij lokaliteti, mbi mënyrën e jetesës e tjerë, të asaj kohe.Pra, në Kalanë e Bushtranit duhet të ndodhin gërmime të mirëfillta arkeologjike edhe nga arkeologë shqiptarë.
Në Kala është gjetur keramikë e punuar me dorë të lirë dhe me faturë të dobët, e pa pastruar dhe e pa pjekur mjaftueshëm. Gjetjet keramike të Kalasë janë fragmente të vogla, të cilët nuk kanë pasur edhe formë të dukshme. Poashtu, janë gjetur enë të dimensioneve të mëdha, sigurisht vorba dhe sahane më të thella , të zbukuruara me kordhele plastike.
“Poashtu janë gjetur edhe suvatime ngjitëse në shtëpia që tregojnë se në plato të Kalasë ka pasur objekte banimi.” /Kostiq/

Grupi i të Rinjve-nxënës të Gjimnazit në anën lindore të Kalasë, me Sami Agushin, profesor i gjeografisë, Xhemaledin Salihun dhe Agim Arifin

Në Kala, pos bedenit me gur janë gjetur edhe fragmente të keramikës parahistorike. Edhepse në mbështetje të kësaj keramike nuk mund të përcaktohet përkatësia kulturore e lokalitetit, prapseprap mund të thuhet se lokaliteti i takon tipit parahistorik/halshtat/ të vendbanimit të fortifikuar dhe shumë të rëndësishëm strategjik: pamje e jashtëzakonshme, i pa kapërcyeshëm, i vështirë deri në Kala dhe siguri e jashtëzakonshme me beden. /Jovanoviq/
Ðœ. Вукмановић и П. Поповић, në mbështetje të analogjisë të keramikës me të disa lokaliteteve të tjera vërtetohet se vendbanimi i takon fundit të shekullit VIII dhe fillimit të shekullit VII para erës sonë.
Kalaja, së bashku me vendbanimin Kacipupi të Rahovicës kanë paraqitur një zonë të mundshme kufitare në pjesën jug-lindore të shtrirjes së Dardanisë, por edhe fortifikata mbrojtje të Mbretërisë Dardane nga sulmet e fisit ilir Peonëve, Penestëve dhe Maqedonasve nga jugu.
Mendoj se kishte komunikim permanent dhe shumë të mirë me Kështjellën e Rahovicës-Oppidumi Dardan/Kacipupi/ dhe shtriheshin ballë për ballë më njëra tjetrën. Në mes të këtyre dy kështjellave shtrihet Lugina e Preshevës.
Komunikimi vizuel i vendbanimeve ekzistonte për të pasur pasqyrë terrenin për rreth tyre. Kjo ishte një prej faktorëve në ndërtimin e vendbanimeve.Në Luginën e Preshevës kishin komunikim mes veti: Kacipupi në Rahovicë, Kalaj e Bushtranit, Gradina në Svinjishtë dhe e Konçulit.
Shumë studiues shkruajnë se në Luginën e Preshevës, ndërmjet Kalasë së Bushtranit, në lindje dhe Kacipupit të Rahovicës, në perëndim shtrihet qyteti i bukur i Dardanisë-Damastioni. Për këtë qytet, shkruan historiani Dr. Zef Mirdita, në librin e tij “Studime Dardane”. Për nga vjetërsia kjo kështjellëi i talon kohës së hershme të Bronzit, rrespektivisht shek.12 para Krishtit.”, shkruan Sami Agushi.
Kalaja gjendet në gjërësinë gjeografike 0563479, në gjatësinë gjeografike 4686494 dhe në lartësinë mbidetare 640 m.
4.Cërkvishta në Zhunicë

Fshati Zhunicë gjendet në anën jugore të Moravicës, në anën e majtë të Hekurudhës:Beograd-Vranjë-Preshevë-Kumanovë-Shkup.Disa nga lumenjtë, lumi i Preshevës i bashkohet në Zhunicë lumit Moravicë, e cila derdhet në Moravën Jugore, në Danub dhe Detin e ZI.
Zhunica është e pasur me ujë, në vendin Cërkvishtë, në lindje të fshatit gjendet një burim i vjetër, i muratosur me horosan dhe gëlqere.

Cërkvishta në Zhunicë

Lokaliteti Cërkvishta gjendet, në atarin e Zhunicës, ndërmjet udhës së fshatit, Moravicës në lindje dhe Lumit të Rahovicës, në veri. Lokaliteti është shënuar në vitet e 60-ta të shek.XX. Sipërfaqja e lokalitetit është shumë hektarësh me ara dhe me livadhe.
Instituti arkeologjik nga Beogradi dhe Muzeu Popullor i Vranjës më 2002 filluan rekogniscimin sistematik në trasën e autoudhës E-75, Vlladiçn Han- kufiri me Maqedoninë e Veriut. Me këtë rast u gërmuan lokalitetet Cërkvishta dhe Bunishta në Zhunicë, Kisha në Samolicë, Pompa e benzinës në Bukuroc, e tjerë.
Në Zhunicë të Preshevës janë evidentuar dy lokalitete parahistorike: Bunishta dhe Cërkvishta. Bunishta i takon epokës së re të gurit,neolitit të mesëm, kultura starçevës, ndërsa Cërkvishta i takon epokës së hekurit
Gjatë gërmimeve arkeologjike u zbuluan terme dhe pjesë të vendbanimit antik.
Aty është gjetur material i pasur arkeologjik, u gjetën tulla të formatit romak, imbreksi, enë qeramike të kohës romake të vonshme, monedha të bronzit të shek IV dhe një monedhë ari.
Pra, vendbanimi është i ndërtuar me gurë dhe tjegulla të lidhura me llaç, para të cilit gjendet burimi me ujë të ftohtë, burimi i së cilës është në mal. Janë gjetur edhe themelet e kompleksit ndërtimor, me gurë dhe horasan të bardhë dhe diçka tulla. Pra, kemi të bëjmë me një vendbanim të kohës romake më me rëndësi në fushën e Preshevës.
Gjithashtu është vërtetuar se 800 m në lindje, nga periferia e fshatit dhe 500 m, në jug të objektit, banorët shpesh gjatë lavrimit hasin në gurë e tjegulla dhe kështu rrezikojnë një nekropole të kohës romake të vonshme. Lokaliteti kap sipërfaqen prej 1 X 1,5 ha dhe llogaritet më i madhi në komunën e Preshevës.
Menjëherë pas heqjes së dheut sipërfaqësor/humusit/ dalin banjotë terme të ndërtuara me ujë të ftohtë dhe të nxehtë, ndërsa në mes janë banjotë terme me temperaturë të mesme, për adaptim të trupit nga uji i ftohtë në të nxehtë dhe anasjelltas.
Ato kanë formën e katrorit, në drejtim veri-jug janë të gjata 24 m, ndërsa në drejtim lindje-perëndim janë 20 m.
Cërkvishta në Zhumicë

Në këtë lokalitet është gjetur material i bollshëm arkeologjik: enë të pjekura të dheut, vorba, sahane, pjata, peharë, amfora, pitosa, kapak, llampa, pastaj sende nga qelqi: peharë, shishe, sahane, vorba, qelq të dritareve, ari, sende të hekurta: thika, monedha të bronzit, etjerë.
Pra i gjithë fshati Zhunicë paraqet një anglomeracion të periudhës gjatë shek.IV-I të para erës sonë dhe kemi të bëjmë me ndonjë villë të ndonjë administratori civil apo ushtarak.
“Qytetërimin e lashtë antik e hasim edhe në lokalitetin Bostanishtë të Zhunicës, ku gjendet e njjëjta banjo, terme-publike. Në këtë lokalitet janë zbuluar temelet e banjosë publike. Ky lokalitet quhet edhe Crkvishte/crkva-kisha/ duke menduar se këtu ishin bazamentet e kishës. Mirëpo u vërtetua se këtu bëhet fjalë për bazamentet e banjosë të ngrohtë-banjo terme për pushime dhe dëfrime që u quajtun edhe si hane ose hamame, shkruan Dr.sc. Naser Kamberi.
Cërkvishta gjendet në gjërësinë gjeografike 0558440, në gjatësinë gjeografike 4685882 dhe në lartësinë mbidetare 443 m.

VIJON …
____________
PROF.XHEMALEDIN SALIHU: LOKALITETE DHE VENDBANIME ARKEOLOGJIKE NË PRESHEVË (I)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10368

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura