KALAJA E ARTANËS

KALAJA E ARTANËS

Nga Sheradin Berisha, Pashtzriku 26 dhjetor 2021

Artana (Novobërda) shtrihet në lindje të Kosovës. Në veri kufizohet me Prishtinën, në perëndim me Lipjanin, në jug me Gjilanin dhe në lindje me Dardanën (Kamenicën). Në këtë lokalitet, rreth 30-35 km në perëndim të Gjilanit dhe 35 kilometra në jug-lindje të Prishtinës, mbi një kodër malore (ndërmjet fshatrave Përlepnicë dhe Krivarekë) ruhen rrënojat e Kalasë – qytetit të lashtë të Artanës (Novobërdës).

Ky kompleks monumental është ngritur mbi një kodër, prej 1.124 metra mbi nivelin e detit dhe i ka të gjitha elementet e një qyteti të lashtë, me lagje, objekte të kultit, varreza, kthina, strehimore e puse. Në veri ka minierën, ndërsa në kodrat paralele me të, por më të ulëta, ekzistojnë rrënojat e Katedrales, e ndërtuar mbi themelet e një tembulli antik të shekullit IV para erës sonë.

Gjatë gërmimeve arkeologjike (jo sistematike) në periudhën 1951-2003, janë gjetur fragmente të qeramikës dhe monedha bronzi të periudhave të ndryshme, që nga periudha e bronzit, hekurit, pastaj nga shekulli IV dhe III para erës sonë. Dhe këto artefakte tregojnë se qyteti mesjetar “Novobërdo”, ishte ngritur mbi bërthamën e një vendbanimi të lashtë – antik.

Në shekullin I p.e.s. Straboni në veprën e tij “Geographica” përmend shumë qytete urbane të Ilirisë, të cilat i quan qytete të vjetra (Polis arhaia). Përpos Scupit (Shkupit), Naissusit (Nishit), ai përmend edhe vendbanimet mbi Ulpianë, qytetin në Veletin të Janjevës, dhe atë mbi Artanë (Novobërdë). Lokacioni i Artanës (Novobërdës) njihej si zonë e minierave të argjendit dhe arit dhe ishte i njohur për zhvillim të farkëtarisë dhe prerjes së monedhave.

Sipas dokumenteve të zbuluara deri më sot, ky vendbanim me këtë emër për herë të parë përmendet në dekadat e para të shekullit XIV, me emërtimin “Nuovo Monte”. Ky lokalitet ishte një koloni romake e shekullit të IX, dhe rëndësia e saj ekonomike është bazuar pikërisht në minierat e saj të argjendit dhe të arit. Puset e vjetra të minierave mund të gjenden ende në kodrat përreth.

Kalaja e Artanës

Kalaja e Artanës (Novobërdës), e emërtuar si “Mbeturinat e Kalasë Mesjetare”, daton nga shekulli XIII-XIV. Strukturat e para të Kalasë janë ngritur nga aktivitetet e hershme minerare. Kalaja është ndërtuar në një kodrinë shumë strategjike në formë të tipit fortifikatë dhe përbëhet nga dy pjesë, nga: Kalaja e sipërme e quajtur “Citadela” dhe ajo e poshtme. Kalaja e sipërme është ndërtuar në pjesën më të lartë të kodrës (1.124 metra mbi nivelin e detit), ndërsa ajo e poshtmja shtrihet në kodra më të ulëta, në lindje dhe juglindje (në formë të freskores), deri te miniera nën Malin e Madh.

Kalaja e sipërme ka gjashtë kulla. Kulla lindore dhe ajo perëndimore kanë bazë drejtkëndëshe, kurse të tjerat bazë katrore, dhe kanë një sipërfaqe rreth 0.05 hektarë.

Kalaja e sipërme ka qasje vetëm nga pjesa lindore, ndërsa nga pjesët tjera, pjerrtësia e kodrës është shumë e rrëpirët në drejtim të luginës. Në pjesën lindore, terreni ngrihet gradualisht dhe kalon në një kodër tjetër më të vogël, në platenë e epërme, nën të cilën gjenden rrënojat e një kishe të madhe mesjetare të tipit katedrale.

Kakaja e Novobërdës, 03. 09. 2013

Restaurimi i Kalasë së Artanës

Për ti ruajtuar muret dhe artefaktet e shumta të Kalasë, qysh nga vitin e kaluar (2014) Instituti Arkeologjik i Kosovës (me financim të Komisionit Europian), ka nisur projektin për restaurimin dhe konservimin e saj. Në këtë projekt kanë punuar arkeologë kroatë dhe shqiptarë.

“Fazën e parë e kemi përfunduar. Është bërë zbulimi, hapja e mureve. Pastaj matjet, dizajnimi i tyre dhe tani përgatitjet për fazën e dytë, ku bëhet fjalë për konservimin, ndërtimin e mureve. Jo si kanë qenë më herët, por në njëfarë mënyre të konservuara mirë. Zakonisht hasim nëpër artefakte të vjetra, bëhet fjalë për artefakte nga mesjeta deri tek ato të luftës së fundit, të Luftës së Dytë Botërore”, – kështu ka thënë për Top Channel, Fitim Bunjaku – menaxher i projektit për konservimin e kalasë. Arkeologët kanë gjetur edhe hyrjen kryesore të kalasë, puset e ujit, si dhe gjëra të tjera që shfrytëzoheshin nga banorët e kalasë.

***

Ndërkaq në tetor 2015, gjatë restaurimit dhe konservimit të Kalasë së Artanës është zbuluar edhe një kishë e vogël. Arkeologu Haxhi Mehmeti, ka thënë se për këtë kishë askush nuk ka qenë në dijeni më herët. Sipas tij bëhet fjalë për një kishë të vogël, e cila mendohet të jetë ndërtuar diku në shekullin XIV’të, e që u  shërbente vetëm banorëve, para sundimit të tyre nga osmanët, – transmeton Klan Kosova.

Restaurimi dhe konservimi i kalasë së Novobërdës – 22.10.2015 – Klan Kosova

***

Kalaja në Artanë – 01. 08. 2015

Punët konservuese dhe restauruese të kryera në kalanë e Artanës, nga viti 2015 deri më 2017, janë bërë me fonde të Këshillit të Evropës dhe nën mbikëqyrjen e UNESCO-s. Hartimi i projektit për konservim e restaurim është bërë nga kompania kroate “Omega Engineering”, ndërsa punët ishin kryer nga firma beogradase “Koto”. Për restaurimin e kësaj kështjelle është siguruar fondi prej 1.1 milion euro nga Këshilli i Evropës.

————-

Literatura:

– Kalaja e Artanës, Wikipedia;

– Databaza e trashëgimisë kulturore – Kalaja e Artanës (Novo Bërdë)”. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Trashëgimisë së Kulturës. Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019;

– Artana, Wikipedia;

– Historia e Kalasë së Artanës (ish-Novobërd)

– Kalaja e Artanës, fortifikatë e ish qytetit më të madh në rajon, prointegra.

– Qazim Namani: “Konservimi” i Kështjellës së Artanës gjatë viteve 2015-2017

_____________________

Kalaja e Artanës, një përjetim i bukur dhe kënaqësi e paharrueshme

Total
0
Shares
1 comments
  1. I think this is among the most vital info for me. And i am glad reading your article.
    But wanna remark on few general things, The site style is great, the
    articles is really great : D. Good job, cheers

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura