PSE NUK MUND TË DIHET NUMRI I SAKTË I SHQIPTARËVE NË MAQEDONINË VERIORE?

Analizë ekskluzive

PSE NUK MUND TË DIHET NUMRI I SAKTË I SHQIPTARËVE NË MAQEDONINË VERIORE?

Nga Dr.Abdulla Mehmeti, Tetovë 04 tetor 2021

Sikurse shumica e qytetarëve të vendit dhe opinioni ndërkombëtar, edhe shqiptarët duan ta dinë numrin e saktë dhe përqindjen e tyre në shtetin e përbashkët të Maqedonisë Veriore.

Ky interesim i veçantë i shqiptarëve nuk vjen nga motivi për të dominuar mbi të tjerët, as për ta “pushtuar” këtë shtet, përmes “albanizmit” ose “kosovizimit” siç propagandajnë disa qarqe politike, medie dhe intelektualë joshqiptarë në vend dhe në disa vende fqinje për disa dekada me radhë, por ky interesim është refleksion i realitetit politik të zymtë dhe i qasjes destruktive të institucioneve të pushtetit ndaj shqiptarëve, është rezistencë e natyrshme për shkak të padrejtësive të pushtetit të derisotëm ndaj shqiptarëve.

Pjata e të drejtave të dozuara që u jep pushteti ta lëpijnë shqiptarët, me pjesëmarrjen në pushtet pa kushte nga partitë politike të tyre, edhe për gjatë kohë do t’i mbajë shqiptarët në kthetrat e sundimit të keq, pa i realizuar të drejtat e tyre kombëtare dhe barazinë e plotë qytetare, duke i orientuar mbrapshtë në ujërat e turbullt të internacionalizmit dhe globalizmit dhe duke ua shuar dalëngadalë kujtesën historike dhe aspiratat historike për liri dhe barazi të plotë në shtetin e tyre të përbashkët të Maqedonisë Veriore.

Shqiptarët nuk duhet të presin që përmes një operacioni statistikor, siç është regjistrimi i popullsisë, t’i tejkalojnë këto probleme e pengesa, ta amortizojnë këtë padrejtësi të madhe nga pushteti, sidomos në tridhjetë vitet e fundit, edhe përmes partive të veta politike, të cilat siç duket kryesisht punojnë për interesa personale, grupore dhe klanore të një klase politike të ngathtë, pa vizion dhe strategji, me prirje për korrupsion, nepotizëm, pasurim të paligjshëm të një grupi politikanësh, të cilët nuk kanë dhënë prova deri më sot se janë të interesuar ta ndryshojnë gjendjen e shqiptarëve në këtë shtet, duke u angazhuar vetëm për pjesëmarrje pushtet dhe realizimin e ndonjë ndryshimi formal, vetëm në fushën e të drejtave kulturore dhe në sferën e lirive dhe të drejtave të njeriut, sa për t’u arsyetuar para faktorit ndërkombëtar, apo në sferën e integrimeve globale sa për plotësimin e disa standardeve për anëtarësimin e vendit në strukturat euroatlantike, NATO dhe BE.

Përderisa institucionet ndërkombëtare nuk ndërhyjnë në sferën e të drejtave që përfshijnë statusin juridik-kushtetues dhe të drejtën për vetëvendosje të popujve brenda shteteve përkatëse, kjo çështje ka mbetur kryesisht në duart e partive politike të atyre popujve, të cilët mund të përpiqen për ndryshimin e statusit të tyre, ose të pajtohen me politikat diskriminuese të pushtetit në shtetin ku jetojnë.

Rasti i shqiptarëve në Maqedoninë Veriore është nga më të rëndët në shtetet e dala nga ish-Federata e Jugosllavisë dhe përgjithësisht nga shtetet e ish-bllokut komunist në Evropën Qendrore dhe Juglindore.

Shqiptarët në Maqedoninë Veriore, edhe pas tri dekadave nga pavarësimi i këtij shteti trajtohen si pakicë kombëtare, që sipas standardeve ndërkombëtare u takojnë aq të drejta sa u takojnë edhe pakicave të tjera në vendet e ndryshme të botës, duke e përjashtuar rastin e të drejtave të pakicës serbe (prej vetëm 5%) në Republikën e Kosovës, të cilat janë përcaktuar me marrëveshje të veçanta ndërkombëtare (si Pakoja e Ahtisarit etj.)

Prandaj, shqiptarët nuk duhet të presin që, me regjistrimin e fundit të popullsisë të dihet numri dhe përqindja e saktë e tyre sipas përkatësisë etnike, përderisa këtë e ka shndërruar në çështje politike vetë Marrëveshja kornizë e Ohrit dhe Kushtetuta e shtetit, si edhe ligjet në fuqi, nga kornizat e së cilave nuk mund të dalin as politika aktuale dhe institucionet e shtetit, siç është Enti Shtetëror i Statistikave, i cili edhe përkundër shumë përpjekjeve për kryerjen e obligimeve të veta profesionale, do të detyrohet të ndërmerr masa për përpunimin e të dhënave nga regjistrimi i popullsisë, edhe për përcaktimin e numrit të shqiptarëve dhe përqindjen e tyre, në përputhje me Kushtetutën aktuale dhe ligjet në fuqi, me të cilat statusi juridik-kushtetues i shqiptarëve është definuar si pakicë kombëtare, qytetarë prej 20%, si edhe gjuha e tyre, gjuhë që e flasin mbi 20% e qytetarëve të këtij vendi.

Mes dy realiteteve të ndryshme, atij siç është realisht në terren dhe atij siç e kanë përcaktuar politikat e pushtetit, sigurisht që do të ketë edhe më tej shtrembërime dhe falsifikime, sepse dallimi mes këtyre dy realiteteve është tepër i madh. Numri i përgjithshëm i shqiptarëve në këtë shtet nuk është pak më i ndryshëm nga ai që e paraqet pushteti, por bëhet fjalë për përgjysmimin e numrit të kësaj popullsie, me këtë edhe përgjysmimin e të drejtave dhe pjesëmarrjes së shqiptarëve në pushtetin e këtij vendi.

Përderisa institucionet ndërkombëtare e kanë rritur interesimin e tyre dhe ka kohë që nga afër e monitorojnë edhe çështjen e statistikave, punën e organeve të pushtetit dhe përpunimin e azhurnimin e të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, sigurisht se pushteti do të angazhohet për gjetjen e një formule politike, e cila do të duhet t’i pajtojë të gjitha palët. Në këtë frymë, partitë politike të shqiptarëve dhe mediet për muaj të tërë sigurisht do ta përgatitin opinionin për pranimin e realitetit të ri, për shpalljen e rezultateve nga regjistrimi i fundit i popullsisë.

Loja ka kohë që ka filluar. Pushteti do të jetë i detyruar ta mbulojë këtë falsifikim me marrëveshje politike, sepse nuk është lehtë të përmirësohet gabimi mes 20% të shqiptarëve, siç i paraqet Kushtetuta dhe të realitetit mbi numrin e vërtetë të shqiptarëve, mbi 35-40%, sa është realisht numri dhe përqindja e tyre në Maqedoninë Veriore.

Kjo lojë për ndryshimin e të dhënave do të realizohet përmes numrit të banorëve rezidentë dhe jorezidentë, prandaj pushteti është angazhuar për përfshirjen në regjistrim të qytetarëve në botën e jashtme (mërgatë); jo pse i intereson gjendja dhe fati i tyre, por pse ky numër do t’i shërbejë pushtetit për t’i bërë llogaritë e veta.

Sidoqoftë, angazhimi i Entit Shtetëror të Statistikave është për t’u vlerësuar këtë herë, për faktin se në këto rrethana ka arritur ta përmbyll këtë operacion statistikor pas plot 20 vjetësh nga regjistrimi i fundit i popullsisë në vitin 2002, që e largon Maqedoninë Veriore nga lista e zezë e shteteve që nuk janë të aftë dhe nuk kanë kapacitete për realizimin e operacioneve statistikore, siç është regjistrimi i popullsisë, pavarësisht nga lëshimet dhe shtrembërimet e mundshme, të cilat do të jenë pjesë e debateve dhe analizave të institucioneve, studiuesve, analistëve, ekspertëve të demografisë dhe të statistikës, në të ardhmen.

Numri i shqiptarëve dhe përqindja e tyre do të mbetet edhe për një kohë aq sa dëshiron pushteti për nevojat e tij, jo sa është realisht numri dhe përqindja e tyre në Maqedoninë Veriore. Arsyeja është kryesisht politike dhe strategjike, jo statistikë e thjeshtë apo çështje e mosdijes. Sepse, me pranimin e numrit real të shqiptarëve nuk do të mund të trajtohen edhe më tej si pakicë kombëtare, por në bazë të standardeve ndërkombëtare duhet t’u njihet statusi juridik-kushtetues i popullit shtetformues dhe hisedar i shtetit, me çka do të ndryshohej thellësisht koncepti i këtij shteti, i njohur deri më sot si shtet i sllavëve të jugut. Deklaratat kinse Republika e Maqedonisë Veriore funksionon si shtet shumetnik, shumëgjuhësor dhe shumëkonfesional, janë parolla politike ditore.

Kjo fshehje dhe falsifikim i numrit të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore bëhet edhe me miratimin në heshtje nga faktori ndërkombëtar, i cili në radhë të parë kujdeset për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, jo gjithaq për lirinë, të drejtat dhe barazinë e popujve të shtypur. Kjo është e vërteta që duhet ta dinë shqiptarët; është frika nga korrigjimi i padrejtësive historike ndaj shqiptarëve në rajon, ankthi nga rikthimi në qeverisje të shqiptarëve i territoreve etnike të tyre të okupuara gjatë shek. XX (1878, 1913, 1945, 1991) nga shtetet fqinje; është edhe frika e faktorëve të jashtëm me ndikim, që mund t’ia vënë kazmën shtetit të brishtë të Maqedonisë Veriore, vetëm të mos ngrihen shqiptarët si faktor i rëndësishëm në rajon.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura