PSE RAMADAN PLLANA GËNJEN DHE SHPIF PËR LNÇKVSHJ-në DHE UDHËHEQJEN E SAJ (1)

REAGIM NË ’’INTERVISTË KUJTIMESH NGA NJË VEPRIMTAR I RADHËVE TË PARA TË LËVIZJES ILEGALE, QË NGA VITET 70-ta’’ I publikuar në ’’Albaniapress’’më 17 mars 2009, dhe në disa Web faqe në Internet.

Shkruan: Shefqet Jashari – Strofci

Mjetet e opinionit publik në Kosovë, të shkruarat dhe ato elektronike, stërngarkohen me lavdatat e ‘’rrahagjoksëve’’ të ndryshëm, të cilët, duke u mbështertur në parimin se ‘’qëllimi i arsyton mjetet’’, shërbehen me rrenën, shpifin e falsifikojnë të dhëna, fakte dhe argumente, me qëllim që ta bindin opinionin e gjërë për ’’meritat’’ e tyre të jashtzakonshme për çlirimin e Kosovës.

Në mesin e të këtillëve kemi ’’fatlum’’ dhe fatzi.

Të parët kanë arritur grada e poste shtetërore dhe partiake, por edhe pasuri marramendëse, kurse të dytët kanë mbetur me gishta në gojë, nga shkaku se vonë ju ka dalur gjumi. Lavdatat e tyre boshe se ishin ‘’bashkëpunëtorë’’ të ngushtë të personaliteteve të shquara të Lëvizjes tonë kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar, se kanë punuar ’’shumë’’për realizimin e qëllimeve madhore kombëtare, nuk do të ju sjellin as poste, as merita, as pasuri. Përkundrazi, këto lavde do t’u sjellin vetëm kokëçarje, brenga dhe poshtrim, në momentin kur do të del në shesh puna e tyre e vërtetë.

Me rrahagjoksat e Kosovës i kam qëruar hesapet në kohen e duhur (gjatë luftës dhe pas luftës, deri në shtator të 2007). Ua kam çjerrë maskat, i kam rrahur me ‘’friska duarve’’ (fakte) dhe me ’’gugjuma kresë’’ (argumente) për dëmet e mëdha që ia sollën Kosovës.

Me rahagjoksat e vonuar nuk jam marrë dhe nuk do të mirresha, sikur të mos ma përmendshin emrin tim në shkrimet e tyre ’’pandël’’ (të leckosura) dhe veçmas sikur të mos i shtrembëronin dhe falsifikonin ngjarrjet historike, sikur të mos i keqpërdornin personalitetet e shquara kombëtare, për të fituar autorite të rrejshme dhe të pa merituar, siç po bëjnë në kohen e fundit Trojka: Ibrahim Kelmendi, Nuhi Sylejmani dhe Ramadan Pllana.

Më vjen keq që sot jam i detyruar të merrem me një ’’rrahagjoks’’ të vonuar, me një ish-shok dhe koleg timin, që fati- fatkeqësia apo djalli na bashkoi për t’u marr me një veprimtari ilegale-gjysmëilegale, që ligjet e shtetit jugosllav e quanin ‘’ veprimtari armiqësore’’, kurse ne e quanim veprimtari kombëtare.

  • Ramadan Pllana

Siç duket, zotëri Ramadan Pllana, i ka vënë detyrë vetes, apo këtë gjë ia ka ngarkuar dikush tjetër, që të pshtyjë, të nënçmojë e të çvlerësojë Organizatën, pjesëtar i të cilës ishte edhe ai: LNÇKVSHJ (Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi), dhe disa prej anëtarëve të organit udhëheqës të KQ, pa e kursyer as kryetarin e kësaj Lëvizjeje Metush Krasniqin.

Edhe pse ai i quan ’’kujtime’’ në Intervisten e tij të publikuar në ‘’Albaniapress’’ dhe në disa Web faqe tjera në Internetit, ato ’’kujtime’’ nuk kanë të bëjnë me kujtimet e tij për kohën që flet. Shumica e ‘’kujtimeve’’ të tij janë marë nga autorë të ndryshëm (nuk e tregon burimin se ku i ka marrë), por një pjesë prej tyre janë kryesisht të dhëna që i ka mësuar gjatë vuajtjes së dënimit apo pas daljes nga burgu. Kurse një pjesë prej tyre janë ‘’kujtime’’ dhe ’’dëshmi’’ të ndërtuara me hamendje, me gënjeshtra, shpifje dhe falsifikim të ngjarrjeve apo të të dhënave.

Vetëm kur flet për veprimtarinë e tij të drejtpërdrejtë me shokët e tij të cilët ai i ka njohur dhe ka punuar me ta, e përgëzoj për të dhënat e shumta dhe për stilin e thjeshtë dhe të kuptueshëm.

Ndërsa sa i përket Intervistës ku flet për LNÇKVSHJ-në, për strukturën organizative dhe programin e saj, për organin udhëheqës KQ-në dhe personalitetet që e përbënin atë, ai është mbështetur (kryekput) në hamendje dhe vlerësime kuturu, por edhe është shërbyer me shpifje dhe të pa vërteta (vetëm e vetëm) për të mohuar (e minimizuar) mundin, veprën dhe punën e një pjese të udhëheqjes së LNÇKVSHJ.

Duke u mbështetur në një fjalë të urtë se ‘’Kur të flasin keq mos shuaj’’, por në rend të parë për hirë të vërtës, jam i detyruar t’i kundërshtoj me forcën e argumentit të gjitha shpifjet, gënjeshtrat dhe rrenat që i ka përdorë Ramadan Pllana kundër LNÇKVSHJ-së dhe personaliteteve që e drejtuan atë.

Më vjen keq që në një mënyrë do të bie në pozitat e rrahagjoksave të Kosovës, sepse duke i rrëzuar gënjeshtrat e Ramadan Pllanës për ngjarjet dhe personalitetet që ai i merr për gojë, jam i detyruar të flas edhe per vetveten, ngase edhe unë kam marrë pjesë në disa prej atyre ngjarjeve.

Para se të merrem me intervisten e Ramadan Pllanës e shoh të udhes që lexuesit të njihen me faktin se si dhe kur jemi njohur me Ramadan Pllanën e pastaj do të flas për veprimtarinë e tij në kuadër të LNÇKVSHJ-së. Po ashtu do t’i shkoqis (shkokloj) ’’kujtimet’’ dhe ’’dëshmitë’’ e tij që kanë të bëjnë me LNÇKVSHJ dhe KQ-në.

SI U NJOHA DHE KUR U NJOHA ME RAMADAN PLLANËN

Në fillim të tetorit të vitit 1977 për herë të parë jam takuar me Ramadan Pllanën në odën e Sahit Jasharit – babait të Demë Jasharit, në Strofc. Bisedat ishin formale për ta njohur njëri tjetrin me të kaluarën tonë. Ramadan Pllana, pastaj, po përmes Demës, më ka dhënë për lexim dhe vlerësim pamfletin: ’’Përpara për formimin e Partisë së Punës së Kosovës’’, të nënshkruar me pseudonimin Ilir Kosova.

Në bazë të vlerësimit pozitiv të Demë Jasharit që kishte për Ramadan Pllanën, unë e lexova pamfletin, dhe pas dy javësh ne u takuam në Stacionin e trenit në Obiliq. Me atë rast ia ktheva pamfletin dhe shpreha mendimin tim se neve nuk na duhet ta kemi një Parti të Punës, por një Organizatë ilegale e cila do të merret me parapërgaditjet e duhura, që në momentin kur të na vie ‘’shteku’’, ti presim prangat e robërisë. (Do të shohim më vonë se si e falsifikon këtë këshillë timen Ramadan Pllana).

Gjatë vitit 1977/78 i kam pasur edhe disa takime, me ç’rast kemi shkëmbyer libra ndëmjet veti dhe kemi folur për aktualitetin politik në Kosovë dhe Jugosllavi. Në shtatorin e vitit 1978 më ka njohtuar për grupin e tij ’’Shkëndiat e kuqe’’, ndërsa unë e kam njoftuar se në Kosovë egziston një Organizatë ilegale që ka për synim ngritjen e vetëdijes kombëtare, me mjete dhe forma të ndryshme. Në bazë të bisedave krijova bindjen se Ramadan Pllana, ka vetëdije kombëtare edhe pse marksizëm-leninizmin e kishte në zemër. Kishte një rreth shokësh nga radhët e studentëve ngase edhe vet ishte student i gjuhës frenge. Pasi që LNÇKVSHJ ishte një organizatë kombëtare, qëllimi i së cilës ishte që në radhët e saj të përfshihen të gjithë ata burra dhe vasha që kishin synim çlirimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, pa mar parasyshë bindjet e tyre politike apo fetare, krijova bindjen se Ramadan Pllana në atë aspekt i plotësonte kushtet që të bëhej anëtar i LNÇKVSHJ. Prandaj, në vjeshtën e vitit 1978 i propozova që grupi i tij ‘’Shkëndiat e Kuqe’’të shkrihej në LNÇKVSHJ, lëvizje në të cilën, siç ia bëra me dije, edhe unë isha aktiv. Nuk ka kaluar kohë e gjatë dhe ai ka pranuar propozimin tim, kështu që Ramadan Pllana dhe anëtarët e grupit të tij u bënë anëtarë të LNÇKVSHJ. Jam munduar t’ia japi përvojën time organizative dhe konspirative me anë të bisedave që i kemi pasur. Kam pasur përshtypjen se mundi nuk do të shkonte kot, ngase, bisedën time ai e përcillte me vëmendje.

Në shkurtin e vitit 1979 në mbledhjen e KQ, pasi që Metush Krasniqi shtroi domosdonë që të shihet mundësia për krijimin e Komitetit të Rinisë të LNÇKVSHJ në Universitetin e Prishtinës, unë propozova ‘’Studentin e frengjishtes’’, si mundësi, për t’ia besuar atë detyrë. Propozimi im në mbledhjen tjetër të KQ u miratua, ndërsa Ramadan Pllana e pranoi detyrën, dhe pas pak kohe më informoi se është formuar Komiteti i Rinisë i LNÇKVSHJ.

Në mbledhjen tjetër të radhës, propozova Ramadan Pllanën për anëtarë të KQ, me arsyetimin se tani ai ka marrë një përgjegjësi udhëheqëse të nivelit të njejtë me kryetarët e Komiteteve të Qarkut (të qytetit). Edhe ky propozim imi u miratua.

Kur e njoftova Ramadan Pllanën me vendimin e KQ, ai u gëzua shumë dhe u bë shumë kurreshtar. Donte sa më parë të takohej me udhëheqjen e organizatës. Pyetjen e parë që ma shtroi ishte: ’’kur do të marr pjesë në mbledhjen e KQ-së ?’’. Ia sqarova mënyrën e funksionimit të Komitetit Qendror, duke i thënë se unë do të jem lidhje komunikimi në mes teje dhe një anëtari të Udhëheqësisë qendrore. Kurse, për ty dhe punën tënde, do të njohtohet udhëheqja e Organizatës, jo përmes emrit tënd të vërtetë, por nëpërmjet pseudonimit. Atij aspak nuk i pëlqeu përgjigja ime. Kisha përshtypjen se nuk po e kuptonte shpjegimin tim, prandaj në hollësi ia shpjegova domosdoshmërinë e kësaj forme të veprimit, sepse në këtë mënyrë pamundësohej zbulimi i tërë udhëheqjes së Organizatës në rast se ndokush nga anëtarët e saj shkelë në ’’drrasë të kalbur’’. Ia bëra me dije se të gjitha organizatat ilegale që kanë vepruar kundër pushtetit jugosllav në Kosovë, me rastin e zbulimit të një anëtari të udhëheqësisë, është zbuluar e gjithë udhëheqësija dhe pothuajse të gjithë anëtarët e saj, nga shkaku se anëtarët e udhëheqësisë janë njohur në mes veti duke mbajtur mbledhje të përbashkëta. Për t’ia bërë këtë çështje edhe më të qartë, i pata thënë: në rast se burgosem unë apo ti për shkak se kemi shkelur në ndonjë ‘’drrasë të kalbur’’, nuk do të kemi kurrëfarë mundësie që ta zbulojmë tërë udhëheqjen e organizatës, sepse as unë nuk i njoh të gjithë anëtarët e Udhëheqjes qendrore. I pata shpjeguar, po ashtu, për mënyrën se si do të shqyrtohen çështjet që kanë të bëjnë me Organizatën. I pata thënë po qe se ti bënë një propozim për çfarëdo çështje që i përket Organizatës, propozimi yt do të përcillet nepërmjet meje në KQ dhe aty do të shqyrtohet dhe do të kthehet përgjigjja nëpërmjet meje. E njejta gjë vlente edhe për anëtarët tjerë të KQ. Pyetjet apo propozimet e tyre do të përcjellen te ti nëpërmjet meje, dhe ti ke për të dhënë mendimin tënd, dhe kështu, në bazë të mendimit të shumicës, do të merren vendime në KQ, pa pasur nevojën për t’u takuar dhe për t’u njohur mes veti të gjithë anëtarët e KQ.

(VIJON)

__________________

PSE RAMADAN PLLANA GËNJEN DHE SHPIF PËR LNÇKVSHJ-në DHE UDHËHEQJEN E SAJ (2)

Shkruan: Shefqet Jashari – Strofci

VLERËSIMET DHE BINDJET KUTURU TË RAMADAN PLLANËS JANË QESHARAKE DHE NAÏVE

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura