PSEUDO – HISTORIANЁT NUK MUND TA MONOPOLIZOJNЁ UÇK-në DHE VETЁDIJEN KOMBЁTARE!

Reagim ndaj letrës publike të “Lidhjes së Historianëve të Kosovës – Ali Hadri”, dega në Deçan

Pseudo – historianët nuk mund ta monopolizojnë UÇK- në dhe vetëdijen kombëtare!

Shkruan: Basri Beka

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, së bashku me redaksinë e ashtuquajtur të Radio Kosovës së Lirë, kanë dalë me një letër të hapur, duke pretenduar se po mbrojnë “dinjitetin e uniformës, simboleve dhe trashëgimisë historike të UÇK-së”. Në fakt, ata kanë dalë për të mbrojtur një narrativë të ngushtë, selektive dhe hipokrite, duke sulmuar një njeri që, për shumë shqiptarë, është personifikim i zërit të lirisë dhe i shpresës së Kosovës në vitin 1999 – Nusret Pllanën – si dhe një këngë që i kushtohet vetëdijes kombëtare. Nusret Pllana është një personalitet me vetëdije dhe edukatë të lartë kombëtare. Ai nuk është si disa “pseudo-patriotë” e “pseudo-historianë”, si ju, të cilët heshtët kur Manastiri i Deçanit dhe objektet e tjera fetare iu nënshtruan një regjimi të veçantë menaxhimi e mbrojtjeje dhe përvetësimit nga kisha serbe, dhe, përveç disa deklaratave nëpër portale, nuk ndërmorët asnjë veprim konkret.

Sot, po këta “pseudo-historianë” heshtin kur ngrihen lavde për sulltanë e kralë, ndërsa reagojnë me zhurmë të madhe kur një këngë i kushtohet Tubimit të Deçanit – atij tubimi ku u shfaq qartë vetëdija kombëtare dhe u përcoll mesazhi se ky komb u ka rezistuar sulltanëve e kralëve dhe do t’u rezistojë çdo përpjekjeje për asimilim e tjetërsim kombëtar. Kënga “Trimat e Dardanisë” e Murlan Beqirajt i këndon lirisë dhe vetëdijes kombëtare. Tubimi i Deçanit ishte shprehje e qartë e kësaj vetëdijeje. Prandaj, kur i këndohet asaj ngjarjeje, uniforma dhe flamuri i UÇK-së janë pjesë krejtësisht e natyrshme e simbolikës.

***

Murlan Beqiraj – Trimat e Dardanisë (Official Video)

***

UÇK-ja nuk është pronë e askujt, as e ndonjë “Lidhjeje Historianësh”, as e ndonjë redaksie. Ajo është trashëgimi e të gjithë shqiptarëve që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë. Prandaj, uniforma dhe flamuri i saj duhet të jenë kudo dhe kurdoherë që ngrihet zëri për shqiptari dhe vetëdije kombëtare.

Ku ishit ju, zotërinj “historianë”, kur uniforma e UÇK-së përdorej në mënyrë të papërshtatshme nga individë me prirje islamiste e fundamentaliste, apo në videoklipe dhe skena estrade nga reperë e këngëtarë si Golden G, Meda dhe të tjerë? Atëherë heshtët. Sot, kur një këngë i kushtohet trimave të Dardanisë dhe lirisë, dilni me letra protokolli dhe moralizime. Kjo nuk është mbrojtje e trashëgimisë së UÇK-së. Ky është selektivitet politik dhe moral.

Po aq i pabesueshëm është edhe reagimi i redaksisë së ashtuquajtur të Radio Kosovës së Lirë. Kjo redaksi, e cila e ka përvetësuar, manipuluar dhe deformuar historinë e një prej veprave më të rëndësishme të luftës së UÇK-së, e shndërroi një radio të lirisë dhe të shqiptarisë në një medium ku, në periudha të caktuara, u promovuan figura pa kredibilitet dhe ligjërime të Shefqet Krasniqit, si dhe narrativa të islamit politik. Ish-drejtori i saj, ndjesë pastë, megjithëse pati një rol në zhvillimin, por jo në krijimin e saj, doli nga misioni që i ishte besuar, e privatizoi atë dhe krijoi hapësirë, në vitet e pasluftës, për individë si sharlatani Shefqet Krasniqi, që nuk përfaqësonin frymën mbi të cilën ishte ngritur.

Sot, pikërisht ata që e kanë deformuar historinë e saj dalin e japin “leksione morale”. Nëse kjo redaksi qëndron pas kësaj fushate, së bashku me këta “pseudo-historianë”, atëherë le ta dijë se unë, Basri Beka, edhe pse deri më sot kam zgjedhur të hesht, do të flas. Do të flas për mënyrën se si u përvetësua, u falsifikua dhe u mashtrua opinioni publik lidhur me historikun e krijimit dhe realizimit të Radio Kosovës së Lirë. Dhe, nëse e konsideroj të nevojshme, këto çështje do t’i ndjek edhe përmes rrugëve ligjore.

Uniforma e UÇK-së nuk është stoli personale e askujt dhe as mjet për të disiplinuar ata që mendojnë ndryshe. Ajo u përket atyre që e veshën në luftë dhe të gjithë atyre që e nderojnë sot si simbol të lirisë dhe të shqiptarisë. Nusret Pllana e ka mbajtur atë me dinjitet. Ju, përkundrazi, po përpiqeni ta përdorni si instrument për sulme selektive.

Dallimi është i qartë.

===========

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan: Mbrojtja e dinjitetit të uniformës, simboleve dhe trashëgimisë historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Numër protokolli 019-26 – Deçan, me 20 korrik 2026

LETËR E HAPUR PUBLIKE

https://pashtriku.org/lhk-leter-e-hapur-publike-drejtuar-institucioneve-t%d1%91-kosov%d1%91s/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura