QENDRA JUSUF GËRVALLA – FRONTI I KADRI ZEKËS DHE IBRAHIM KELMENDIT (8)

Në 41 vjetorin e vrasjes

QENDRA JUSUF GËRVALLA – FRONTI I KADRI ZEKËS DHE IBRAHIM KELMENDIT (8)

Nga Xhafer Durmishi – Pashtriku, më 9 shkurt 2023

8. Udhëtimi i Kadri Zekës nga St. Gallen në Dusseldorf     

8-1. Besimi i krijuar në takimin e parë dhe pabesimi i përjetshëm

Ibrahim Kelmendi: ”– Unë t’u prezantova në prani të Benediktit me emrin Zeqë, por unë në të vërtetë e kam emrin e mbiemrin Kadri Zeka. Jam nga Gjilani, i strehuar politik këtu në Zvicër. Je ndër pak veta që po ta tregoj emrin e vërtetë, por të lutem mos më dekonspiro!” (Atentatet, f.238)

Ibrahim Kelmendi gënjen se e ka dërgua në Zvicër Jusuf Gërvalla për kontakt me OMLK-së. Gënjeshtra e tij vazhdon me tregimin se Kadriu qysh në takimin e parë pasi i prezentohet me emrin Zeqë, brenda bisedës pa u vonuar i tregon emrin e tij të vërtetë, duke iu lutur Ibrahim Kelmendit që të mos e dekonspiroj. Në librin Lëvizja gënjeshtrën e vetë e ndryshon dhe deklaron se edhe pse Kadri Zeka e ka pas shokun më të ngushtë, shumë më të afërm se Hasan Malën e të tjerë në Zvicër, më 17 janar nuk i ka besuar që për së gjalli me ia tregua Ibrahim Kelmendit emrin e tij të vërtetë.

Ibrahim Kelmendi: ”Pastaj i dhashë të drejtë vetes të informoja Jusufin për bisedat që kishim pasur dy ditët e fundit me bashkatdhetarë në Duzeldorf e rrethina, – se ju ka folur kryesisht shoku Zeqë – (meqë emrin e vërtetë, Kadri, nuk ia dija)” (Lëvizja, f. 58)

8-2. Albana Krasniqi i demanton gënjeshtrat se Kadri Zeka udhëton për në Gjermani i ftuar nga vëllezërit Gërvalla

Albana Krasniqi: (Kadri Zeka) ”Më 2 janar 1982 martohet me Saime Isufin, apo Bule Zekën, siç e njohin punëtorët bashkëluftëtaren e tij. Dasma qe tepër modeste. Krushq qenë mërgimtarët me mallin e pashuar për vendlindjen. Ishin mes shokëve dhe idealit të luftës edhe Jusufi e Bardhoshi, Hasani, Fahredini e shumë të tjerë. Disa ditë më pas udhëton për në Gjermani të takohet me vëllezërit Gërvalla. Kishte ardhur koha që grupet në mërgim të bashkohen në një, dhe vetëm ashtu të bashkuar mund t’i prinin luftës bijtë e Kastriotit.” (Pishtarët e lirisë, Editor Begzat Baliu, Shtëpia botuese ERA, Prishtinë, 2002, faqe 36)

Albana Krasniqi, reja e Hasan Malës, shkruan se qëllimi i udhëtimit të Kadri Zekës në Gjermani është takimi me vëllezërit Gërvalla, me qëllim të bashkimit. Ajo e injoron Ibrahim Kelmendin tërësisht dhe nuk ia përmend emrin. Pasi Kadri Zeka nga Zvicra qenka nisur tek vëllezërit Gërvalla me iniciativën e tij, kjo do të thotë se vëllezërit Gërvalla nuk e kanë ftuar Kadri Zekën të vijë as nga Zvicra në Shtutgart dhe as nga Dusseldorfi në Shtutgart. Albana e përmend vetëm një shkak të udhëtimit të Kadri Zekës tek vëllezërit Gërvalla – çështjen e bashkimit.

Saime Isufi: “Më 12 janar 1982, Kadriu u nis në Gjermani për të kontaktuar me veprimtarë. Ndër ta edhe me Vëllezërit Gërvalla. Me vete mori edhe materialet e numrit 6-të të ‘Lirisë’ për t’i botuar si dhe ‘Tezat e Frontit për Republikën e Kosovës’. Tezat do t’i konsultonte edhe me vëllezërit Gërvalla. Numri i 6-të i ‘Lirisë’ doli pas rënies së Kadriut. Kadriu duhej të kthehej më 17 janar, pikërisht atë natë që e vrau dora gjakatare, sepse të nesërmen do të fillonte punë.” (Apostol Duka, Vrasje në Shtutgart, f.101-102)

Edhe Saime Isufi, të vetmit veprimtarë në Gjermani i përmend Vëllezërit Gërvalla dhe e injoron dhe nuk ia përmend emrin Ibrahim Kelmendit, tek i cili Kadri Zeka qëndron 5 ditë. Në citatin e mësipërm ka dy gënjeshtra. Numri 6 i Lirisë ka dalë në dhjetor 1981. Jusufi nuk është marrë me asnjë punë të OMLK-së, në ketë kuptim as edhe me revistën Liria, pas 17 tetorit 1981, e gjer në vdekje. Pas 17 tetorit 1981 e gjer në vdekje Jusufi është marrë vetëm me punët e Lëvizjes së vetë. Edhe Kadri Zeka, në Dusseldorf ka qëndruar tek Ibrahim Kelmendi për organizimin e aktivistëve në Frontin Popullor për Republikën e Kosovës. Konsultimi i Tezave me vëllezërit Gërvalla ka marrë fund më 15 tetor 1981 në Stamboll dhe 17 tetor 1981 në panairin e librit në Frankfurt, kur Kadri Zeka, qëndrimet e mbajtura në Stamboll para Sabri Novosellës i vërteton edhe para Jusufit.

Citati i mësipërm edhe pse me gënjeshtra i vërteton fjalët e Albana Krasniqit. Pasi Kadri Zeka nga Zvicra qenka nisur tek vëllezërit Gërvalla me iniciativën e tij, kjo do të thotë se vëllezërit Gërvalla nuk e kanë ftuar Kadri Zekën të vijë as nga Zvicra në Shtutgart dhe as nga Dusseldorfi në Shtutgart.

Fjalët e Albanës dhe Saimes e demantojnë gënjeshtrën e Ibrahim Kelmendit se Jusufi i ka lutur Kadri Zekën dhe Ibrahim Kelmendin të vijnë nga Dusseldorfi në Shtutgart.

Xh. D. ”Edhe Saime Isufi, të vetmit veprimtarë në Gjermani i përmend Vëllezërit Gërvalla dhe e injoron dhe nuk ia përmend emrin Ibrahim Kelmendit, tek i cili Kadri Zeka qëndron 5 ditë.”

Ibrahim Kelmendi: ””Ja edhe një gënjeshtër ordinere! Vetëm të premten pasdite jam takuar me Kadriun në Dyseldorf dhe atë natë e kemi kaluar së bashku me shoqëri të Klubit “Emin Duraku” (dhe kemi fjetur në banesë të Sylë e Vezire Nuhajt), si përherë, por pa konkretizime të reja organizative. (Gjurmë e fërkem)

8-3. Kadriu kishte planifikuar ta kalonte 17 janarin1982 në Dusseldorf, 640 km në veri nga vendbanimi i tij në St. Gallen të Zvicrës

Ibrahim Kelmendi: ”Të enjten e 14 janarit të vitit 1982 Kadri Zeka erdhi për vizitë në Gjermani, më konkretisht në rrethinë të Dyzeldorfit. Erdhi aty, sepse në këtë krahinë të zhvilluar industriale kishte shumë emigrantë shqiptarë. Por, nuk duhet të ketë qenë ky fakt shtysa kryesore që ai të vinte. Më shumë rol në ardhjen e tij duhet të ketë luajtur gjallërimi i veprimtarisë patriotike dhe çlirimtare, që ishte më e avancuar se në krahina të tjera gjermane dhe në shtete të tjera të Evropës Perëndimore. Ai erdhi edhe sepse donte të më takonte dhe, së bashku, të takonim patriotët e angazhuar të asaj ane.

Nuk e pyeta se nga erdhi dhe si erdhi, sepse ai praktikonte konspiracion të thellë, i cili ndonjëherë më bezdiste. Natën ndërmjet të enjtes e të premtes e kaluam në Mylhajm/Rur (Mülheim a.d. Ruhr), në familjen e vëllait tim, Mustafës, kurse ditën e premte e kaluam në Dyzeldorf. Edhe emigrantët e angazhuar të Mylheimit dhe të shumë qyteteve përreth Dyzeldorfit, si qendër të angazhimeve patriotike kishin Klubin “Emin Duraku”, në Dyzeldorf. Ky klub tashmë ishte afirmuar si vatër kryesore e angazhimeve patriotike të shqiptare në Evropën Perëndimore.

Në Dyzeldorf zumë vend në banesën e Sylë dhe Vezire Nuhajt, nga Malësia e Jezercit të Ferizajt. Aty dhe në vizita të tjera takonim bashkatdhetarë veprimtarë. Kadriu kishte planifikuar ta kalonte atë fundjavë në Dyzeldorf. Aty kaluam natën ndërmjet të premtes e të shtunës së 16 janarit.” (Lëvizja 25-26)

8-4. Kadriu duhej që më 17 janar 1982 të ishte në shtëpinë e vetë 640 km në jug të Dusseldorfit.

Saime Isufi: “Kadriu duhej të kthehej më 17 janar, pikërisht atë natë që e vrau dora gjakatare, sepse të nesërmen do të fillonte punë.” (Apostol Duka, Vrasje në Shtutgart, f.101-102)

Albana Krasniqi e Saime Isufi thonë se Kadriu është nisur tek Vëllezërit Gërvalla me tri detyra: për diskutimin e Tezave, për punën e numrit 6 të Lirisë dhe për çështje të bashkimit. Kadri Zeka prej nisjes nga Zvicra më 12 janar deri më 15 janar nuk shkon tek Vëllezërit Gërvalla. Ibrahim Kelmendi gënjen se me Kadriun është takuar (një herë më 14 janar, herën tjetër me 15 janar 1982). Qëllimi i Kadriut është ta kaloj fundjavën (16 e 17 janar) në Dusseldorf. Nga kjo gënjeshtër rrjedhë se Kadri Zeka me udhëtimin në Gjermani nuk ka pasur kurrfarë plani e as dëshire të takohet me Vëllezërit Gërvalla por vetëm me aktivistët e Dusseldorfit, prej të 12 janarit deri më 16 janar, dhe me Faridin Tafallarin në rrethin e Shtutgartit, sipas fjalëve të incizuara të Ibrahim Kelmendit. 

8-5. Të gjithë do të përfshiheshin në Frontin e OMLK-së

I. Kelmendi: “Ditën e enjte të 14 janarit, Kadriu udhëtoi në Krahinë të Ruhrit në Gjermani. Tani ai po merrej me propagandimin e Tezave të Frontit për Republikën e Kosovës, meqë mendonte se të gjithë aktivistët patriotë së shpejti duhej të përfshiheshin në këtë Front.” (Atentatet, f.315)

Ibrahim Kelmendi dhe Kadri Zeka nga 12-16 janar nuk bisedojnë për çështje organizative. Pa konkretizime të reja organizative.

Ibrahim Kelmendi: ””Ja edhe një gënjeshtër ordinere! Vetëm të premten pasdite jam takuar me Kadriun në Dyseldorf dhe atë natë e kemi kaluar se bashku me shoqëri të Klubit “Emin Duraku” (dhe kemi fjetur në banesë të Sylë e Vezire Nuhajt), si përherë, por pa konkretizime të reja organizative. (Gjurmë e fërkem)

Sipas Ibrahim Kelmendit, figurës së Frontit të Kuq, emri Fronti i OMLK-së nuk qenka emër konkret.

8-6. Askush nuk do të përfshihej në Frontin e OMLK-së

Ibrahim Kelmendi: ”Emërtimi bazë i organizatës së re qe vendosur të ishte LËVIZJA, edhe për shkak se emërtimin FRONT e kishim konsumuar ne të Frontit të Kuq Popullor.” (Gjurmë e fërkem, libër i shpërndarë përmes internetit në shtator 2016)

8-7.  Arsye për të qenë aq gjaknxehtë

  Ibrahim Kelmendi: ”Edhe letrën që ma ka shkruar Jusufi dy ditë para vrasjes, “tra-shëgimtari” Durmishi do me çdo kusht ta zhvlerësojë. Janë shpifje ordinere që i sajonin qysh atëherë zagarët që i vinin vërdallë Jusufit me dezinformime e shpifje të kësaj natyre, e njëri nga ata ishte edhe Xhafer Durmishi.” (Gjurmë e fërkem, libër i shpërndarë përmes internetit në shtator 2016)

Ibrahim Kelmendi: ”Po të ishte në dorën time, asnjëherë nuk do t’i publikoja letrat e raportimet që Jusufi ia ka dërguar Sabri Novosellës në Turqi.” (FaceBook tetor 2017

 Ibrahim Kelmendi: ”Të jam shumë mirënjohës që nuk e pate zhduk atë letër! E pate mundësinë. Jusufi e kishte dërguar si letër rekomandë (të mos ndodhte ta humbisnin postjerët). Pak ditë pas tragjedisë, meqë nuk kam qenë në Bochum, – siç ndodh rëndom me letra rekomandë, – ajo letër është kthye në adresën Tuaj. Atë ditë kur e pranove nga postieri, ju gëzove dhe pate mirësinë të më luteshe për leje që ta hapje e ta lexoje. Po e potencoj edhe njëherë: ke pas mundësinë ta zhdukje, që të mos e kishte mundësinë as Miku ynë i përbashkët, Faridin Tafallari, ta publikonte i pari në librin e tij, meqë Ti ia ke besuar arkivin e Jusufit që ta ruante. Fatmirësisht ishe e mirësjellshme dhe prandaj nuk e pate zhdukur. Të jam mirënjohës deri përtej Dielli, meqë nuk ka asnjë dëshmi më autentike se kjo letër, që dëshmon marrëdhëniet që kishim mes nesh.” (Letër publike Suzana Gërvallës, 21 tetor 2017)

Çështjet të cilat shqyrtohen në këtë pjesë (pikat 6-13) i referohen letrës së Jusuf Gërvallës dërguar Ibrahim Kelmendit, më 15 janar 1982. Kjo letër është botuar për herë të parë në librin e Faridin Tafallarit, Terror-Dhimbje-Qëndresë, Tiranë 1997, faqe 411-412)

Jusuf Gërvalla: “Me bisedën që patëm në dasmë, unë në njëfarë mënyre u tregova i padrejtë ndaj teje. Por, duhet ta kesh kuptuar që gjaknxehtësinë time mund ta zbrazja vetëm mbi një shok me të cilin nuk kemi pasur kufij. Arsye për të qenë aq gjaknxehtë mbase nuk kam pasur.” (Letër Ibrahim Kelmendit, 15 janar 1982)

 Jusufi i thotë I. Kelmendit se në dasmën e Kadri Zekës më 2 janar 1982, është treguar i padrejtë ndaj tij. Pse i padrejtë? Sepse shumë gjëra që Jusufi ia thotë Ibrahim Kelmendit, në të vërtetë i ka merituar dhe kanë qenë të adresuara për Kadriun, por pasi ka qenë dasmë Jusufi nuk mund t’ia thotë atij direkt por ia thotë shokut të tij të organizatës, Ibrahim Kelmendit.

Por, duhet ta kesh kuptuar që gjaknxehtësinë time mund ta zbrazja vetëm mbi një shok me të cilin nuk kemi pasur kufij. Në bazë të rregullave gramatikore fjalët „nuk kemi pasur“ paraqesin një kohë të kaluar dhe jo të tashmen. Pra Jusufi mendon në një kohë të kaluar e që nuk kthehet më, që ka perënduar dhe jo për kohën e tashme (pra jo për janarin 1982). Me këtë fjali Jusufi ka parasysh dy periudha nga viti 1980; Shkurt – prill 1980 dhe kohën nga 28 Nëntori 1980 deri më 18 dhjetor 1980, kur Jusufi pa kurrfarë kufizimesh e ndihmon dhe mundëson botimin e gazetës “Bashkimi”.

Pse Jusufi është gjaknxehtë?

Sepse në këtë kohë Kadri Zeka dhe Ibrahim Kelmendi zhvillojnë fushatë, nëpër Zvicër e Gjermani kundër Lëvizjes dhe vet Jusufit. Si mund të përmblidhet përmbajtja e kësaj fushate?

   – Në përputhje me TEZAT RRETH FRONTIT POPULLOR PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS, është formuar FRONTI POPULLOR PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS.

   – Të gjitha organizatat në Kosovë i janë bashkuar FRONTIT POPULLOR PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS.

   – OMLK-ja për këtë qëllim e ka përpiluar dokumentin “THIRRJE – TË GJITHË NË FRONT! TË GJITHË PËR FRONTIN!

   – Vetëm Lëvizja e Jusuf Gërvallës nuk po donë me iu bashkua Frontit!

   – Vetëm Jusuf Gërvalla ka dalë kundër bashkimit! Pra të gjithë janë për bashkim, vetëm ai është kundër!

   – Kjo do të thotë se në Lëvizjen e Jusuf Gërvallës ka njerëz antikomunist që nuk pranojnë të udhëhiqen nga komunistët!

   – Në një organizatë që nuk pranon të udhëhiqet nga komunistët punët qëndrojnë shumë keq!

8-8. Puna e Organizatës në të cilën bëjë pjesë nuk shkon aspak keq

Si përgjigje në fushatën e Kadri Zekës, në të cilën është i involvuar edhe Ibrahim Kelmendi Jusufi përgjigjet me fjalët e mëposhtme:

  Jusuf Gërvalla: “Puna e Organizatës në të cilën bëjë pjesë nuk shkon aspak keq.” (Letër Ibrahim Kelmendit, 15 janar 1982)

8-9. Lojë e pamirë e Kadri Zekës me personin tim dhe organizatën time

Jusuf Gërvalla: “Por, nga takti më kanë nxjerrë disa gjeste e veprime të një shoku, që të kundruara nga distanca e të sotmes, më dalin një lojë e pamirë, së pari me personin tim, e pastaj edhe me një organizatë, çka, më shumë organizatë revolucionare, madje në një çast madhështor të historisë sonë, që implikon dashurinë, afrimin dhe sinqeritetin më të madh mes luftëtarëve të lirisë.” (Letër Ibrahim Kelmendit, 15 janar 1982)

Me gjeste e veprime të një shoku Jusufi ka parasysh Kadri Zekën. Gjestet e tilla Jusufi i konsideron lojë e pamirë edhe me atë si person e gjithashtu edhe me Lëvizjen e Jusufit (LNÇKVSHJ).

8-10. Ti mund dhe besoj se je i painformuar

Shefqet Cakiqi – Llapashtica: “E di se edhe Ibrahim Kelmendi ka pas pakënaqësi për përfshirjen ose mos përfshirjen e tij në bisedime për bashkimin në Frontin për Republikën e Kosovës … pas publikimit të Tezave të OMLK-së në vjeshtë të vitit 1981.”  (www.kosova.de, Afishuar me: 23.03.2007 21:22)

 Ibrahim Kelmendi: “Sigurisht se nuk e dinë më mirë se unë, që do të thotë se unë kam qenë i inkuadruar në të gjitha takimet për bisedime. Në ndonjërin nga ato takime kam shkuar me bashkëveprimtarë, të cilët mund të dëshmojnë.” (www.kosova.de, Afishuar me: 23.03.2007 22:57)

 Jusuf Gërvalla: “Ti mund dhe besoj se je i painformuar lidhur me ato që kanë ndodhur në përçapjet për bashkimin e dy organizatave. Por, unë kam edhe më pak leje të të informoj për to, tani që e di se ku bënë ti pjesë.” (Letër Ibrahim Kelmendit, 15 janar 1982)

Letra e Jusufit e 15 janarit 1982 është letra e parë që Jusufi ia dërgon Ibrahim Kelmendit, pas një letre në nëntor 1980.

Shkaku pse Ibrahim Kelmendi nuk është i përfshirë, inkuadruar apo informuar prej anës së Jusufit gjendet i sqaruar në tërësi në dy letra të Jusufit të dërguara Sabri Novosellës; më 13 maj dhe 20 gusht 1981. Këto dy letra unë i kam shtjelluar në kapitujt “Jusuf Gërvalla dhe demonstratat e vitit 1981 në Evropën Perëndimore” dhe “Në Kalanë e Jusuf Gërvallës” andaj nuk është nevoja të zgjerohem këtu më shumë.#

Shkaku pse Ibrahim Kelmendi nuk është i përfshirë, inkuadruar apo informuar në bisedimet rreth bashkimit prej anës së Kadri Zekës nuk është çështje me të cilën ka pasur nevojë të merret Jusufi dhe rrjedhimisht nuk është çështje me të cilën kam nevojë të merrem unë. Jusufi i përgjigjet shumë mirë Ibrahim Kelmendit:

„Por, unë kam edhe më pak leje të të informoj për to, tani që e di se ku bënë ti pjesë.“

   Çka dinë Jusufi? Ku bënë tani pjesë (më 15 dhjetor 1982) Ibrahim Kelmendi?

   Jusufi e din se Kadri Zeka dhe Ibrahim Kelmendi janë në të njëjtën organizatë.

   Kush i tregoi Jusufit këtë fakt? – Kadri Zeka!

   Ku dhe kur? – Në panairin e librit në Frankfurt më 17 tetor 1981.

8-11. Edukata ime s’më lejon të veprojë në mënyrë të tillë

Jusuf Gërvalla: “Edukata ime s’më lejon të veprojë në mënyrë të tillë. Shokët e tu të rinj e kanë me borxh ta bëjnë këtë punë.” (Letër Ibrahim Kelmendit, 15 janar 1982)

Jusufin nuk e lejon edukata e tij të përzihet në punët e brendshme të Kadri Zekës e Ibrahim Kelmendit. Jusufi i thotë I. Kelmendit se shokët e tu të rinj (Kadri Zeka etj.) e kanë me borxh me të përfshi, me të inkuadrua e me të informua.

8-12. Nuk do të mbetet shumë kohë pa u sqaruar

Jusuf Gërvalla: “Unë e di se ata e kanë vështirë ta bëjnë, sepse, po ta bënin, do të duhej të flisnin hapurazi kundër punëve të tyre të pahijshme. Tash për tash mund të të them se kjo gjë nuk do të mbetet shumë kohë pa u sqaruar. Do të dalë në shesh se kush është duke bërë zhurmë për bashkimin, duke u çjerrë për të e duke luftuar kundër tij.” (Letër Ibrahim Kelmendit, 15 janar 1982)

Të gjitha thëniet e këtij citati janë aq të qarta sa është vështirë, ndoshta edhe mëkat me u mundua e me i thënë më mirë.

8-13. Antikomunist e kundërshtar i partisë iluzioniste

Jusuf Gërvalla: “Një punë, megjithatë të ngarkon edhe ty. S’ka pasur hije pa marrë edhe mendimin tim, ta shpallje ndër njerëz se si një nga njerëzit e rëndësishëm të Lëvizjes na qenkësh, në mos antikomunist, atëherë së paku kundërshtar i partisë (iluzioniste) që do të formoheshka ndër ne. E vërteta është krejt ndryshe. Shoku Z. i ka procesverbalet e takimit me të. Po deshtët të ngulni këmbë edhe më tej në qëndrimin ”antikomunist” të atij shokut të Lëvizjes, urdhëroni e bëjeni këtë punë në baza më të shëndosha e më të ndershme, merrini përbazë procesverbalet e takimit.” (Letër Ibrahim Kelmendit, 15 janar 1982)

Me njeriun antikomunist të Lëvizjes mendohet Sabri Novosella. Pra, Kadri Zeka dhe Ibrahim Kelmendi mendojnë se Sabri Novosella mundet me u ndie i ofenduar nëse ata e shpallin si antikomunist. Këtu shtrohet prapë një çështje delikate. Pasi Kadri Zeka dhe OMLK-ja e konsiderojnë vetëm veten komunist të formuar dhe askënd tjetër, kjo domethënë se e meta dhe gjynahu i Sabriut nuk qëndron në atë se pse ai nuk është komunist, por pse është antikomunist e kundërshtar i partisë iluzioniste.

8-14. Bashkimi i shpallur si akt i kryer në thirrjen e famshme “Të gjithë në Front! Të gjithë për Frontin!”

Jusuf Gërvalla: “Atje shihet se ku qëndron e vërteta për bashkimin e paarritur, e megjithatë të shpallur si akt të kryer në thirrjen e famshme ”Të gjithë në Front! Të gjithë për Frontin!”, të cilën ndoshta nuk e ke pasur në dorë, ngase botimi i saj u spostua pas letrës sime dërguar shokut Z (Kadri Zeka – shën i Xh. D.).

   Tani po e kupton se unë hyra shumë thellë në punë që s’janë të miat, në punë tuaja të brendshme. Prandaj, nuk shkoj dot më tej. Dëshiroj që ana jonë këndej të jetë e gabuar dhe juve t’ju shkojë puna për së mbari deri në arritjen e fitores. Ne s’ndiejmë frikë as kemi dëm nga cilado forcë me të vërtetë patriotike e revolucionare e popullit tonë. Përkundrazi, atë kërkojmë si qorri sytë dhe ajo na bënë të mburremi. Por kemi një çikë ndruajtje se punës i është zënë jo fort mirë peta.” (Letër Ibrahim Kelmendit, 15 janar 1982)

8-15. Bashkimin do ta bëjnë njerëzit e vërtetë të punëve të vërteta dhe jo njerëzit e gënjeshtrave si Kadri Zeka e Ibrahim Kelmendi

Hydajet Hyseni: “Ata dy, Jusufi e Kadriu, madje, kishin biseduar dhe ishin pajtuar edhe për ndonjë kompromis e për ndonjë tërheqje taktike, për të evituar këto keqkuptime me shpresë se në këtë mënyrë do ta lehtësonin realizimin e synimit madhor të bashkimit të ri të lëvizjes.” (Selatin Novosella, Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, f.  292)

Hasan Mala: “Isufi i ka thënë (Kadri Zekës – shën i Xh. D.) se pse nuk është arritë atje, mund të kryhet nesër. Domethënë mund të bëhet nesër, nuk do të thotë se u krye (mori fund – shën im) kjo punë. Jusufi e ka pritë me rezervë, domethënë ai e ka pritë me rezervë që pse s’u bërë mirë tani, por në të ardhshmen do të bëhet mirë.” (Nga filmi dokumentar “Ç’ke bërë sot për Kosovën?”, 1997)

Jusuf Gërvalla: “Përkundër të gjithave, ne s’e kemi humbur as e humbim dot shpresën e bashkimit. Veçse kemi konstatuar se një mision i tillë aq të nevojshëm e aq të shenjtë për ne, do ta bëjnë kur të vijë koha, njerëzit e vërtetë të punëve të vërteta.” (Letër Ibrahim Kelmendit, 15 janar 1982)

(VIJON …)

______________

Në 41 vjetorin e vrasjes

QENDRA JUSUF GËRVALLA – FESTIMI I 28 NËNTORIT, “THIRRJA” DHE DASMA E KADRI ZEKËS, SI DHE GËNJESHTRAT E IBRAHIM KELMENDIT + “HARAPIT TË SHKODRËS” …   (7)

Nga Xhafer Durmishi – Pashtriku, më 8 shkurt 2023

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura