QERIM KELMENDI: BASHKË DO TË PUNOJMË, BASHKË DO TË ECIM …

(Pejë, 17. 12. 2012) – Pas kaq vitesh pritjeje, pa qenë pjesë e politikës, por duke qenë votues i krahut të atyre që kanë ardhur nga porta e sakrificës, pas lufte më shumë e kam mbështet AAK (vetëm si votues). Me kalimin e kohës fillova të mendoj se vetëm si votues nuk i shërbehet vendit, prandaj përkundër dëshirës sime, disa shokë dhe përkrahës patën përgatitur terrenin që unë të bëhem nënkryetar i AAK. Kur pritej që kjo të ndodhte, atëbotë, kryetari i atëhershëm i Pejës, Zotëria i nderuar Et’hem Çeku, e prishi dëshirën e miqve dhe përkrahësve, duke i prishur edhe vendimet e Kuvendit dhe duke u deklaruar hapur, se nënkryetar i AAK mund të bëhet kushdo tjetër, vetëm Qerim Kelmendi JO. Tu them të drejtën e mirëkuptova JO-në e tij, andaj nga ajo kohë mësova se vendi im në kuadër të atij mjedisi, të cilin e konsideroja të shendosh, nuk ishte i dëshirueshëm.
Prej asaj përpjekjeje të miqve dhe simpatizantëve, asnjëherë nuk kam bërë përpjekje të jem pjesë e politikës se pas-Luftës dhe prandaj më shumë kam qenë votues pasiv, duke votuar për AAK. Vetëm në zgjedhjet e fundit kam votuar për PDK.
Që disa kohë kam dasht ti bashkohem PDK, Dega në Pejë, sepse konsideroja se në këtë Parti politike janë vlerat e koncentruara të rrugës së gjatë të sakrificës, por hezitoja, sepse emocionalisht isha i lidhur me Familjen Haradinaj.

Para ca ditëve isha në vizitë të Familja Haradinaj, për ta nda gëzimin me Kryefamiljarin, Bacën Hilmi dhe me të gjithë ata që i janë gëzuar lirimit të Ramushit. Në Gllogjan shkova me shokët e ardhur nga emigracioni, Shaban Vishën dhe Blerim Muriqin dhe me një dhëndër të Blerimit. Kur shkuam aty kishte gëzim dhe, si zakonisht në ditë feste, Familja e madhe Haradinaj nderon mysafirët me ngrohtësi, duke shtruar Sofrat (Sinijat) tradicionale. Ishin shtruar, sa mbaj mend, 5 apo 6 sofra dhe kur arritëm ne aty, njerëzit veç ishin sistemuar. Shumë ish shokë tanë të Luftës hezitonin të na përshëndesnin, sepse nuk mundnin ta shfaqnin respektin karshi nesh, ngase nuk dinin se si do ta pritnin Shefat e tyre, andaj për habinë tonë, askush nuk na u afrua e as nuk na ofrojë mikpritje. Duke parë këtë atmosferë të hirtë, u ulëm tek dera, respektivisht pas derës, aty ku tradicionalisht kanë lënë fshesën dhe bërllokun. Megjithatë ndenjëm gjatë dhe të tjerët që ishin rreth sofrave na shihnin me keqardhje, sepse shihnin qe edhe pas nesh, ata që vinin, i sistemonin dhe nderonin, ndërsa ne na linin PAS DERE.
Të jem i sinqertë, unë nuk e kisha për qejf vendin e pas derës, sepse isha shkuar për gëzime dhe ndjehesha shumë i gëzuar që Familja Haradinaj, pas asaj odiseje të gjatë, në fund po i kthehej normalitetit dhe dëshiroja që të kenë vetëm gëzime dhe buzëqeshje në të ardhmen.
Tek vonë, kur Zotëri Ramush Haradinaj po ngrihej për të shkuar në Prishtinë, meqë ishte i thirrur në emisionin e TV’21, andej kah ne kalojë Miku i dikurshëm Ramush, dhe përkundër kaq vitesh që nuk ishim parë, kalojë kah ne me një përshëndetje formale, sikur të ishim njohur e takuar diku, rastësisht, në një udhëtim të shkurtër, në tren apo autobus.
U befasova për akullin që kishte në zemër, paçka se kisha llogaritur, në rast se dënohej padrejtësisht, do të ndjeja më shumë se një keqardhje të thellë…
E megjithatë, fati i tij dhe fati i luftës sonë ishte në anën tonë – Ai u lirua dhe unë i uroj suksese në angazhime dhe fat e lumturi në jetë…
Pasiviteti i deritanishëm politik ka qenë zgjedhja ime, sepse kam llogaritur se Vendi im nuk ka nevojë për angazhimin tim, meqe llogarisja se nuk jam edhe aq i domosdoshëm në kohë paqeje, sepse Kosova ka me mijëra kuadro që kanë përgatitje më të mëdha se sa unë.
Me datë 09. 12. 2012, duke respektuar edhe sugjerimet e ca shokëve dhe duke parë edhe mikpritjen e shumë shokëve të PDK-së, vendosa që ti bashkohem PDK-së, dhe atë në Nëndegën e Bashkësisë Zahaq, Nakell dhe Llabjan, ku isha i mirëpritur nga ata pak anëtarë të këtyre fshatrave. Ata në shenjë respekti për atë pak veprimtari që kam dhënë karshi Atëdheut, me nderuan duke me zgjedhur kryetar i Bashkësisë së fshatrave Zahaq-Nakell-Llabjan.
Fjala ime, fill pas zgjedhjes në këtë përgjegjësi, ishin: “(…) Bashkë do punojmë, bashkë do ecim dhe bashkë do marrim vendime për të mirën e bashkëqytetarëve tanë. (…) Demokracia e brendshme do jetë alfa dhe omega e jetës sonë politike, në kuadër të PDK-së.”
– Autori ishte bashkëluftëtar i dëshmorëve të Kombit: Zahir Pajaziti, Ilir Konushevci dhe Adrian Krasniqi.

Tiranë, nëntor 1996: Qerim Kelmendi me dëshmorin e Kombit Zahir Pajaziti

Tiranë, 1997: Qerim Kelmendi në mesin e

dëshmorëve të Kombit, Adrian Krasniqi dhe Ilir konushevci.

Korrik 1997: Qerim Kelmendi me dëshmorët e Kombit,

Adrian Krasniqin dhe Ilir konushevcin.

=====================================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura