QEVERITË “KUISLINGE” TË TIRANËS

QEVERITË “KUISLINGE” TË TIRANËS

Nga Besnik Imeri, Pashtriku 26 Maj 2022

Historia qeveritë kuislinge i lidh me Luftën e Dytë Botërore, dhe bëhet fjalë për ato qeveri që i krijuan pushtuesit nazi-fashistë në vendet që ata pushtuan, për demagogji dhe për të lehtësuar e mbajtur popujt e tyre të nënshtruar. Ku edhe ne shqiptarët, për të mos mbetur prapa botës, krijuam, kuptohet në mënyrë krijuese dhe në kushte specifike, qeveritë tona kuislinge.

Por unë nuk e kam fjalën për këto qeveri, ku historia në Europë e ka ndarë mirë ‘shapin nga sheqeri’, dhe vetëm ne shqiptarët, si të mbetur prapa dynjallëkut, akoma pas 75 vjetësh merremi me, e  ‘lagu se lagu’. Unë e kam fjalën për qeveritë tona të ndritura pas viteve 90-të. Për këto qeveri, të cilat edhe pse vendi i ynë nuk ka qënë nën pushtim, edhe pse janë zgjedhur me votën e lirë të këtij populli; me dëshirën e plotë të tyre dhe kundër interesave politike, ekonomike, sociale, kulturore e kombëtare të atyre që i kanë votuar dhe i votojnë, veprojnë si qeveri kuislinge në shërbim të të huajve dhe në dëm të Shqipërisë. Madje, ngandonjëherë nga zelli i tepërt e tejkalojnë edhe këtë status dhe për të qënë ‘më katolikë se papa’, shfaqen si qeveri pushtuese të vendit dhe popullit të tyre. Në këtë rast, si donkishotë të historisë që janë, dashurinë e kanë hedhur tek Hunët dhe Vandalët dhe veprojnë ndaj popullit dhe vendit të tyre më keq se ata.

Për të hedhur pak dritë në sqarim të kësaj ideje po i japim shembujt rast pas rasti. Qeveria e parë demokratike pas 1990-ës me idenë e saj të çartur të “terapisë së shokut” (kuptohet përdori terma mjekësorë, pasi shumica e drejtuesve të saj ishin mjek) filloi të shkatërrojë nga themelet ato që shqiptarët e varfër kishin ngritur për 45 vjet. Jo vetëm kaq, por kaq në jerm ishin, sa që Servantesi po të ishte gjallë do ta ndiente veten të turpëruar me Don Kishotin e tij të mesjetës; pasi këta trima, pas qindra vjetësh të Don Kishotit, ishin më të shkarë nga trutë e kokës se sa ai. Me një ‘trimëri’ të rrallë dhe të padëgjuar prishën kanalet kulluese dhe vaditëse, shkatëruan serrat me ngrohje dhe ujitje, prenë deri në rrënjë vreshtat, pemishtet e ullinjve, portokalleve, mandarinave, pjeshkëve, fiqve, mollëve, dardhëve, etj. Shkatërruan fabrikat, uzinat, hekurudhat, telekomunikacionin, kopshtet, çerdhet, shkollat, qëndrat shëndetësore dhe çdo gjë që ishte në shërbim të banorëve të këtij vendi. Shumë persona që nuk i dinë këto histori të shokuar mund të pyesin: Po pse i bënë këto vallë? Çfarë pune u prishnin ato? Përgjigja është e thjeshtë. Luftonin si të droguar komunizmin. Ashtu si demat në Spanjë që i turren çdo sendi me ngjyrë të kuqe; edhe këta, si të fandaksur që ishin, u dukeshin të kuqe dhe komuniste kanalet vaditëse, ndërtesat, godinat, serrat, pemët frutore, makineritë në fabrika dhe uzina, kopshtet, çerdhet dhe shkollat etj etj. Në emër të luftës kundër komunizmit duhej shkatëruar çdo gjë e ngritur mbi ‘Dhe’ në 45 vjet. Vandalët dhe Hunët e kohëve moderne ju sulën vendit të tyre me një tërbim prej të marrosuri. Turmave të egërsuara u prinin ‘komandantët’ e politikës të cilët kur ndodheshin para serave, ose vreshtave u thoshin ‘luftëtarëve’ të tyre: I shikoni këto sera dhe vreshta, ato janë komuniste dhe për disa orë çdo gjë ishte rrafshuar me tokën. Ushtria shkatërrimtare vazhdonte ‘luftën’ në fronte të tjera. Por ky shkatërrim total, sikur të kishte rënë bomba atomike, kishte edhe ideollogun e vet, çmenduria e të cilit ja kalonte edhe asaj të Hitlerit. Ai ishte një profesor universiteti, por që në Amerikë, në ‘universitetin’ e grekëve të atjeshëm mbrojti edhe ‘doktoraturën’ për këtë vepër. Ai doli me teorinë e “terapisë së shokut”, që në gjuhë popullore përkthehej: Çdo gjë të shkojë në nivelin zero. E mjera Shqipëri çfarë hoqi nga këta!

Pas këtij shkatërrimi total të ekonomisë shqiptare filloi një aferë tinzare e vjedhjes së pasurisë kombëtare të mbetur. Xhonglerët politikë në pushtet e quajtën privatizimi kapitalist i ekonomisë, kjo për të mashtruar popullin dhe ndërkombëtarët, por që në fakt ishte një vjedhje dhe grabitje e pasurisë kombëtare, e cila ju shpërnda partiakëve në pushtet dhe ndjekësve të tyre. Pasi ashtu si në sistemin monist (njëpartiak) ku partiakët gëzonin privilegje kundrejt popullit, edhe tani në pluralizëm (shumëpartiak) ku me fjalë drejtohemi nga shumë parti politike; por në të vërtetë dhe gjatë gjithë kohës jemi sunduar, grabitur dhe varfëruar nga NJË parti e vetme, nga partia që ka marrë pushtetin me votat tona, e cila, kur ka qënë në pushtet, ka vepruar si një klikë pushtuese. Kuptohet që çdo pesë, gjashtë apo tetë vjet, pasi janë ngopur dhe po të vazhdonin të hanin do ta villnin, por edhe të diskredituar në popull, kalojnë me ‘pushime’ për të tretur, sistemuar dhe fshehur atë që kanë grabitur. Por edhe për t’u haruar bëmat e tyre të grabitjes. Vendin e zë tjetri që pret rradhën dhe është i uritur si ujku. Kjo lojë vazhdon për 28 vjet dhe shqiptarët si ata budallenjtë kthejnë kokën, herë në njërën anë dhe herë në anën tjetër. Herë nga kuislingët me gjak blu dhe herë nga kuislingët me gjak mavi. Dhe ata, garipat e politikës, tallen dhe qeshin me njëri tjetrin duke thënë: “Ashtu ishte loja”. Loja me privatizimet vazhdoi për vite me rradhë, por ai që ishte i pari mori edhe thellat më të majme.

Me futjen e Shqipërisë në rrugën e demokracisë, Europa, që e kishte ndjekur gati për gjysëm shekulli, mendoi që ta ndihmonte në konsolidimin e këtij rendi të ri shoqëror.

Edvin Jasques e paraqet këtë në librin e vet për Shqipërinë si “Koncepti Europian i Përparësive Shqiptare” : “…Botimi ‘East Europe Strategist’ i qershorit 1991 përvijonte konceptin europian për përparësitë kryesore të zhvillimit të Shqipërisë së re demokratike. Ndër to renditeshin: 1. Një autostratdë kryesore, që do të lidhte portin e Durrësit me portin grek të Selanikut në detin Egje. 2. Një autostradë të re Veri-Jug, që do të lidhte Shqipërinë me Greqinë dhe me Jugosllavinë. 3. Zgjatja e hekurudhës kombëtare nga Korça në Greqi (në fakt qysh në sistemin monist diskutohej për vazhdimin e hekurudhës nga Pogradeci në Korçë dhe më tej). 4. Zgjerimi i porteve të Durrësit dhe të Vlorës, si dhe përmirësimin e hekurudhave dhe rrugëve që lidheshin me to. 5. Zhvillimi i rrjetit ajror kombëtar. 6. Kalimi nga industria e rëndë në industrinë e lehtë (sot që flasim zhvillimi i industrisë së lehtë dhe ushqimore, sidomos përpunimi i prodhimeve blegtorale, peshkut dhe fruta-perimeve, është bërë një emergjencë kombëtare, që kjo qeveria e rilindur as që e “ka vënë ujin në zjarr”). 7. Modernizimi i prodhimit të naftës. 8. Shfrytëzimi i potencialit turistik, si p.sh, i Rivierës bregdetare jugore, si dhe i liqeneve e i maleve alpine të Veriut (ku kjo qeveri sot do t’i shkatërrojë nëpërmjet ngritjes së HC-eve)…Shumë vetë parashikonin në të ardhmen një Shqipëri demokratike të mbështetur fuqimisht tek industria e lehtë (ndërkohë që qeveritë tona kuislinge për dy dekada rresht i kanë drejtuar paratë, bizneset dhe mëndjen e tyre tek pallatet dhe kullat), te kromi, te nafta dhe tek turizmi (ACB 1991, 83-85)…”.[1]

Këtë project-ide kishte Europa për ne në vitin 1991. Shumë pak nga këto janë realizuar megjithëse kanë kaluar 28 vjet qysh atëherë. Madje edhe ato pak që janë realizuar kanë filluar këto vitet e fundit. Për mendimin tim realizimi i këtyre projekteve nuk donte më shumë se dhjetë vjet, po të punohej me mend dhe shpirt për Shqipërinë. Pra i bie që në vitin 2001, ose në 2002, këto të ishin realizuar. Dhe si argument krahasues po zgjedh Shqipërinë dhe jo ndonjë vend tjetër, ku mund të kundërshtohet gjoja me kushte të tjera. Shqipëria jonë e dashur nën rregjimin dictatorial komunist, për 10 vjet, nga 1978 (që u ndërpre ndihma kineze) deri më 1988 bëri më shumë se kaq. Bëri Komanin, që këto qeveritë tona demokratike as në ëndërr nuk e ndërtojnë dot. Faktet janë kokëforta. Referojuni statistikave. Ndërsa Shqipëria demokratike post 90 që kishte mbështetjen absolute të shteteve më të fuqishme të Europës nuk bëri po thuajse asgjë. Për 10 vjet ndërtoi vetëm kioska.

Me të drejtë mund të shtrohet pyetja. Këto projekte nuk u realizuan se nuk donte Europa? Nuk ishin të afta qeveritë shqiptare? Apo, mos të themi, që nuk donin qeveritë tona kuislinge, që gjumin e natës e kalonin me armiqtë tanë shekullorë, veriorë dhe jugorë! Ndoshta, Europa u tërhoq pasi pa, që qeveritarët shqiptarë nuk kishin mëndjen të ndërtonin Shqipërinë, po kishin tjetër mëndje. Ndoshta Europa, me keqardhje, konstatoi se nuk kishte të bënte me qeveritarë, por me kusarë. Unë nuk jap dot ndonjë përgjigje. Por për këtë mirë është që të pyetet vetë Europa, por edhe qeverigremisurit tanë.

Por çfarë bënë qeveritë tona? Këto qeveri në vazhdim, nga vitet 2000 e këndej, si qeveri antikombëtare dhe antipopullore që ishin dhe janë, pra si qeveri kuislinge, filluan tua shesin Shqipërinë të huajve, pjesë pjesë, copa copa, duke u falur atyre për ‘pesë grosh’ llokmat më të mira. Filluan me naftën, vazhduan me serën e Selenicës, kromin, bakrin dhe me gjithë mineralet e çmuara. U kthyen nga sistemi financiar dhe bankat. I dhanë grekut depozitat e mëdha të naftës. Lejuan grekun që të pushtonte i vetëm të gjithë tregun e telefonisë së lëvizshme pas asnjë konkurent tjetër. E mbushën Shqipërinë me banka greke. I ‘falën’ austriakut Bankën Kombëtare të Kursimeve, të ashtuquajturat në monizëm Arkat e Kursimit, ku shqiptarët kishin të gjitha kursimet e tyre. Pra falën bankën me gjithë klientë, si dhe me një pasuri të madhe. I dhanë turkut Kombinatin metalurgjik. I ‘falën’ turkut Bankën Kombëtare Tregtare me gjithe klientë dhe depozitat tregtare të biznesit, si dhe të popullit. I ‘falën’ turkut Alb-Telekomin me gjithë abonentë. Telekomi shqiptar u privatizua për 100 milion dollar, ndërkohë që shteti shqiptar siguronte nga ai një fitim neto 25 milion dollarë në vit. Këto para ju hoqën buxhetit, pra ju hoqën shqiptarëve, dhe si kuislingë të vërtetë ja dhanë të huajit. Kështu është vepruar me të gjitha privatizimet dhe konçesionet që ju dhanë të huajve për “një copë bukë”. Kuptohet që bakshishet që futën në xhep kuislingët ishin shumë të majme.

Tani kemi ardhur në kufirin e absurdit. Pse? Sepse, siç thonë, nuk e di se sa është e vërtetë, politikanët shqiptarë janë politikanët më të pasur në Europë!!! Ndërkohë, që në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend, shqiptarët janë populli më i varfër në Europë!!! Ma shpjegoni ju lutem? Kjo nuk ka b… ku të rrijë. Prandaj shqiptarët janë të varfër. Prandaj Shqipëria është e varfër dhe e pazhvilluar si një rakitike. Sepse, për 28 vjet rresht, ne nuk na kanë qeverisur qeveritarë, por banditë dhe kusarë.

Ka 28 vjet që Shqipëria është nxjerrë në Pazar. Shit çdo gjë: minierat, pyjet, HC-et, naftën, kromin, bakrin, telefoninë, aeroportet, bankat, bregdetin, malet, fushat, lumenjtë, përrenjtë, detin, çdo gjë, etj, etj. Ku vemi?!!!

        Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,

        dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’!

        Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi

        që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dëndi!

Së fundmi, të babëziturit që janë në pushtet, në lojën e tyre demagogjike për të grabitur vendin dhe shqiptarët, dhe mbasi mbaruan shitjet, privatizimet, konçesionet, shpikën një lojë të re, atë  të PP-ve. Si me thënë, privatët janë “hyzmeqarët” e shtetit. Shteti, kuptohet i majmur aq shumë sa që nuk lëviz dot, ka nevojë për hyzmeqarë. Por çudia është se këta hyzmeqarë, për të njëjtën punë që kryenin me parë punonjësit e shtetit, paguhen nga shteti, buxheti i shtetit, pra nga xhepat tanë, dhjetë deri në njëzetfish më shumë. Pra ‘hyzmeqari’ merr dhjetëfishin e ‘agait’. Ai që e ka shpikur këtë lojë duhet të ketë qënë një ‘zog kurve’ dhe rrufjan i sofistikuar.

Por çfarë i ka mbetur shtetit? Pasi të gjitha funksionet e tija ia ka deleguar privatit. Thjesht të “tundë zinxhirin” dhe të na dalin, drekë më drekë dhe darkë më darkë në TV e të na toroisin kokën me paravolira. Mbase do të ishte mirë që edhe ministritë dhe kryeministrinë t’i jepnim me PP, se na u lodhën ministrat dhe kryeministri, e këta ‘fukarenj’ të shplodheshin pak e të bridhnin qytet më qytet dhe fshat më fshat për ‘teferiçë’ e ‘tebdil hava’ me parrullën: “Ku leh qen e ku del tym, ku ja bën daullja bym”.

Pasi e katandisën shtetin dhe vendin kockë e lëkurë me borxhe deri në fyt, më keq se Rosinanti i Don Kishotit. Pasi ja kanë hipur në shpinë për 28 vjet rresht këtij populli rosinant dhe nuk kanë ndërment t’ia zbresin, këta Don Kishotë të liq dhe të pabesë, duke filluar me “doktor rrumpallën” dhe duke vazhduar me “piktor rrumpallën”, dhe dashtë zoti na i hipën edhe zotëria i ri, që po pret në derë, “7 x 7=42 rrumpalla”, mjerë ky vend dhe ky popull ku do të qorollepset.

Për të kuptuar se sa e pasur ka qënë Shqipëria para tridhjetë vjetësh dhe çfarë pune gjigande bëri populli shqiptar për 40 vjet, po i drejtohemi një antikomunisti dhe kundërshtari të rreptë të sistemit të kaluar dhe drejtimit një partiak, Edvin Jasques, i cili flet për disa tregues të arritjeve të viteve 1976-1986:

“…Në vitin 1976 Shqipëria për herë të parë në historinë e saj siguroi bukën në vend (Kujtojmë sot që bukën popullit ia gatuajnë me miell rus dhe sërb që ka 40 vjet që qëndron në magazina, të cilin nuk duhet ta hanë as kafshët. Por këtë e hanë shqiptarët. Ata e hanë bukën me miell kanceroz, i cili përmban tetë elemetë kimikë të ndaluar në vendet e BE).…Kombinati i çelikut në Elbasan, më i madhi në Ballkan në vitin 1980 jepte 800.000 ton çelik  me 60 forma dhe dimensione të ndryshme…Fierza e vënë në punë në vitin 1980 ishte një nga HC më të mëdhenj të Europës dhë në saj të saj Shqipëria filloi të eksportonte energji elektrike në Austri, Jugosllavi, Rumani dhe Greqi…në vitin 1985 u montua turbine e parë dhe në 1989 u vunë në punë të katër turbinat e HC të Komanit….Shqipëria kishte 40 miniera me vlerë tregtare (që punonin për eksport). Shqipëria ishte në vendin e tretë në botë pas Afrikës së Jugut dhe Bashkimit Sovjetik në nxjerrjen e mineralit të kromit. Ajo prodhonte një të tetën e bakrit botëror, ndërsa uzina e telave në Shkodër, e cila prodhonte 600 lloj telash dhe 80 për qind të prodhimit e eksportonte…Në vitin 1975 hekurudha mbrriti në Pogradec, ndërsa në vitin 1981 hekurudha mbrriti në Shkodër, më 1985 në Vlorë dhe në vitin 1986 në Han të Hotit duke u lidhur me rrjetin ndërkombëtar të hekurudhave, transportonte mallra në Austri dhe vëndet e tjera europiane. Në vitin 1987 filloi ndërtimi i hekurudhës Milot-Rrëshen-Klos-Burrel, e cila në përfundim të saj do  të transportonte në drejtim të Durrësit rreth një milion e gjysëm ton mineral në vit…U mbyll cikli i industrisë kimike  të plehrave për bujqësinë në Fier dhe Laç…U mbyll cikli kërkim-shpim-shfrytëzim dhe përpunim i naftës dhe gazit në Fier dhe Ballsh…U mbyll cikli në nxjerrjen dhe përpunimin e kromit, bakrit dhe hekur-nikelit… Tërmeti i 15 prillit 1979 në Shkodër rrafshoi dhe dëmtoi 10.255 shtëpi dhe 439 ndërtesa publike…Brenda pesë muajve çdo shtëpi u ngrit e re e nga e para; kjo u pasua me një shfaqje të pabesueshme të solidaritetit popullor nga i gjithë vendi…(kujtojmë sot njëzet shtëpitë e Floqit, ku pas pesë muash të tërmetit nuk kanë përfunduar  as katër pesë shtëpi)…u mbollën 200.000 rrënjë fiq pranë Beratit, 300.000 rrënjë gështenja në Tropojë,15.000 ha vreshta në Tiranë dhe 15.000 ha në gjashtë rrethe të tjera, 100.000 mijë rrënjë ullinj në ultësirën bregdetare, blloqe të reja me mollë, kumbulla, qershi dhe pjeshkë në Korçë dhe gjashtë rrethe të tjera, blloqe të mëdha agrumesh në rrethin e Vlorës dhe të Sarandës. Vetëm platancioni i Lukovës kishte 3000 ha portokalle, limona dhe ullinj. Vetëm në vitin 1986 u mbollën 420.000 rrënjë ullinj…Mbi 54 përqind e tokës së punueshme u vu nën ujë dhe me përfundimin e HC të Banjës kjo sipërfaqe do të shkonte në 80 përqind…Në fushën e artit dhe të kulturës, 25 trupa teatrale profesioniste vinin në skenë 1500 shfaqje në vit. Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore jepte rreth 150 shfaqje në vit, brenda dhe jashtë vendit. Sinfonia, opera dhe baleti ishin në lulëzim të plotë. Teatri i Operas dhe Baletit jepte rreth 250 shfaqje në vit. Në vend ekzistonin 11 orkestra simfonike. Industria kinematografike prodhonte 14 filma artistikë në vit dhe shumica e tyre shquheshin për tone të forta marksiste apo romanca të ngurta patriotike…Pozita e grave në Shqipëri  ishte për t’u pasur zili…Gratë nuk i kërcënonte kurrfarë rreziku po të ecnin natën vetëm. Asnjë burrë nuk do të guxonte t’i prekte…Nuk ka përdhunime, as vjedhje dhe as drogë. Kumari i përket së shkuarës…”.[2]

Por barbarët dhe kuislingët në politikë nuk u ndalën me kaq, as në ato vite, por edhe më pas, vit pas viti, madje edhe sot e kësaj dite. Qysh atëhere ata ju sulën jo vetëm vlerave materiale që kishte krijuar ky popull për gjysëm shekulli, por edhe vlerave shpirtërore, këngëve, valleve, poezive, romaneve, filmave, pikturave, skulpturave, teatrove. Shëmbulli i fundit. Shëmbja e Teatrit Kombëtar dhe grabitja me VKM e Kopshtit Botanik të Tiranës me qëllimin e vetëm që të pasuruarit me grabitje të pastrojnë paratë duke ndërtuar kulla.

Veprimi më makabër në dëm të trashëgimisë kulturore, identitetit etnik dhe kombëtar, është dhënia e Butrintit, kësaj perle antike të Mesdheut, një shoqërie grabitqare fantazmë, ku pas saj fshihen pushtetarët, dhe, si gjithmonë, për të gënjyer ‘syleshët’ dhe të ‘leshtët’ i kanë vënë mbiemrin “amerikane”. Nuk dihet në se ky fondacion fantazmë është një mënyrë për të grabitur dhe shitur pasuritë e Butrintit, dhe pastaj, edhe për të zhdukur gjurmët, ta shkatërojnë atë. Më parë trafikantët e veprave të artit ishin kriminelë ordinerë, por kur ata marrin edhe pushtetin, bëhen shumë të rrezikshëm. Kujdes ti ministresha e kulturës se je para një akti, që fare mirë në të ardhmen mund të kualifikohet si tradhëti kombëtare. Ndoshta shkatërrimi i Butrintit është edhe angazhimi i kësaj qeverie kuislinge para atyre që duan të zhdukin historinë tonë dhjetramijëvjeçare. Por, me sa dëgjojmë, të zezat që i vijnë Shqipërisë nga kjo qeveri kuislinge nuk kanë të sosur, edhe “Syri i Kaltër” do u jepet të huajve. Tentoi njëherë një kryeministër para këtij, por dorën e tij e ndali zoti. Ndëshkoi o zot sekserët dhe matrapazët e pasurive të Shqipërisë!

Por persekutimi vazhdoi i ashpër edhe ndaj vetë krijuesve, aktorëve, poetëve, shkrimtarëve, këngëtarëve, kompozitorëve, skulptorëve etj. Do mbahet mend si një gjë e rrallë, kur i pari i shtetit, 20 e kusur vjet pas rrëzimit të sistemit monist, ju drejtua një aktori me emër në Shqipëri, i cili veç të tjerash mban edhe titullin “Mjeshtër i Madh”, që të kërkonte falje publike për një rol që kishte luajtur në një komedi para viteve 90-të!!

Çmenduria, ëndërrat vrastare halluniane, dalldisja dhe trutë në valim nga zjarri antikomunist i këtyre politikanëve vandalë dhe kuislingë në pushtet, edhe sot pas tridhjetë vjetësh demokraci, u ka mbetur ora në vitet 90-të, kur shpreheshin: komunistët në litar, veteranët në hanxhar.  Çmenduria ka shkuar deri atje sa që Luftën që bënë shqiptarët në krah të Anglo-Amerikanëve dhe aleatëve të tjerë si B.S, ta mohojnë dhe mos ta kujtojnë. Nëqoftëse shqiptarët nuk do ta kishin bërë atë Luftë, sot nuk do të ekzistonim si shtet dhe rrezikshëm edhe si komb. Pasi ajo që ka shkruar atdhetari Kostë Çekrezi para 70 vjetësh, Plani për Copëtimin e Tretë të Shqipërisë, do të ishte bërë realitet.

Por këta kuislingë kanë kryer edhe akte të pastra tradhëtie kombëtare. Po marrim si shembull vetëm fqinjin jugor, Greqinë. Pasi i dorëzuan Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare të Nolit grekut në vitin 1992, vazhduan me hapjen e shkollave greke në territorin e pretenduar grek të Vorio-Epirit. Ka gati 20 vjet që greku Himarën e quan minoritet grek dhe asnjë president, kryetar kuvendi, kryeministër, ministër i jashtëm, kryetar i komisionit të jashtëm, kryetar i komisionit të sigurisë kombëtare, nuk ka dalë të bëjë një deklaratë kundërshtuese. Nuk ka pipëtirë asnjë për besë. Kryeministrat blu dhe mavi kanë lejuar ndërtimin e varrezave greke në vijën e pretenduar të Vorio-Epirit. Të dy palët nuk kanë pipëtirë për Çështjen Çame. Kryeministri blu e “shiti” detin, kryeministri mavi po “merr paratë”. Njëri “shkurton urët”, tjetri “mbledh lëkurët”. Prandaj vajti në Athinë ky i sotëshmi dhe takoi Miçotaqin. Nuk dihet se në çfarë humnerash do ta hedhin vendin këta myteberë, pasi nuk dihet se sa marrëveshje të fshehta dhe tinzare kanë lidhur tinzisht me grekun.

        Grand cordon i zotris’ sate, që në gji të kanë vendosur,

        Ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut veremosur;

        Dhe kolltuku ku ke hipur, duke e hequr nderin zvarr’

        ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!

Prandaj populli, me votë të lirë, duhet t’i largojë nga skena politike shqiptare këta aktorë cirku, akrobatë dhe kllounë politikë, dhe me një fshesë të hekurt t’i hedhë në koshin e historisë së Shqipërisë. Vetëm kështu ne do të mundim të parandalojmë tradhëtitë e gjysmagjelave të politikës shqiptare. Atyre do t’u priten duart për të tradhëtuar Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Vetëm kështu do të bëhen të pavlefshme dekoratat, kryqet dhe medaljet që ata kanë marrë për tradhëtitë e tyre nga shtete armike të vjetra të shqiptarëve.

         Jo, jo, grushti do të bjerë përmbi krye të zuzarëve,

        Koha është e maskarenjve, por atdheu i shqiptarëve!…

____

P.S.

Vargjet janë të Ali Asllanit, poetit, diplomatit, politikanit dhe shtetarit më të mirë që ka nxjerrë Vlora deri më sot. Lindur në fund të shek.XIX në fshatin Vajzë të Vlorës, rrëzë mureve të Amantias antike, vdekur në vitin 1963 në Tiranë. Poema është shkruar në vitet 1942-1943 për tradhëtarët e Shqipërisë. Pas vitit 1945 është marrë vetëm me poezi. Ka qënë kryetar bashkie i qytetit të Vlorës. Shtizën e flamurit në Sheshin e Flamurit të gjithë shqiptarët ja detyrojnë Ali Asllanit. Po ashtu dhe kompleksin arkitekturor të Sahatit të qytetit të Vlorës, të cilat i ka realizuar kur ka qënë kryetar bashkie.

Besnik Imeri, 8 nëntor 2019

___________________

Publikuar:

https://www.revoltashqiptare.info/2019/11/11/qeverite-kuislinge-te-tiranes/

***

Gazeta Telegraf.print. dt.12.11.2019.

https://www.telegraf.al/qeverite-kuislinge-te-tiranes/besnik-imeri/dt.12 prill 2019/        


[1] Edëin Jacques,  SHQIPTARËT- Historia etnike nga parahistoria deri në kohën e tanishme, Botuar në USA në vitin 1995, botimi shqip nga Fondacioni Abraham Linkoln, Kartë e Pendë, f, 675

[2] Edëin Jacques,  SHQIPTARËT- Historia etnike nga parahistoria deri në kohën e tanishme, Botuar në USA në vitin 1995, botimi shqip nga Fondacioni Abraham Linkoln, Kartë e Pendë, f,548,549,553,557,558,573,596,602,643

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura