Ferizaj, 17. 11. 2016: Sinqerisht, nuk di ku kërkohet përgjegjësi për drejtësi, kur drejtësi nuk ka! Si palë, këtë maltretim fizik dhe psikik po e ndaj me medie, si dhe me qytetarë, se si palëve brenda në Gjykatë u ikë “autobusi”, e punëtorëve në Gjykatë nuk ju ikin kërkesat për palët…
Kam përshtypjen, se disa prej institucioneve të Republikës së Kosovës, pothuajse janë bërë prona private, jo vetëm të gjyqtarëve, por edhe të punëtorëve të sigurimit, të cilët aspak nuk respektojnë qytetarin, përkatësisht palën me sjelljet e tyre dhe papërgjegjësinë ndaj saj. Sipas këtyre sjelljeve, mendoj, se disa sosh nuk janë në shërbim të qytetarit, me papunën e tyre, si dhe të papërgatitjes për të qenë të gatshëm të marrin fajin dhe të kërkojnë falje, sepse bëhen gabime. Kur institucionet gjyqësore, nuk e trajtojnë qytetarin – palën, si një prej institucioneve më profesionale, që njohin rregullat dhe ligjet për të drejtën e qytetarit, harrojnë se janë në shërbim të tij.
Legjenda, Gjykata Themelore në Ferizaj
Dje, një përvojë të tillë e përjetova edhe vetë, edhe pse më parë kisha dëgjuar, por nuk besoja, se ka punëtorë në Gjykatën Themelore të Ferizaj, që sillen papërgjegjshëm me palët dhe qytetarët.
Po ju përshkruaj rastin praktik, që përjetova dje.
Para dite, bëra kërkesën në gjykatën e përmendur për të marrë një vërtetim për punësim, që nuk jam në hetime. Mora fletëkërkesën, e plotësova dhe ia dorëzova një zonjeje në sportel, e cila më tha të vijë pasdite për ta marrë në orën 14.30. Shkova në 15. 10 min. Në hyrje, një punëtor i sigurimit më ndali, duke më bërë disa pyetje:
-Çka po kërkon?
– Kam për ta marrë një vërtetim, se nuk jam në hetime.
– Për çka e ke?
– Për punësim!
Personi që i jepte vërtetimet kishte dalë te dera e hyrjes së Gjykatës. Punëtori i sigurimit, ju drejtua atij:
-Çeti (për palën), i paska ik autobusi nja 10 min.
Unë hesht dhe e shikoj me habi, se si më provokon me këtë zhargon fjalësh dhe përcjelli reagimin e punëtorit… Vazhdova të heshtë, derisa punëtori erdhi te sporteli, i mori kërkesat dhe më pyeti për emër dhe mbiemër. I tregova. Vazhdoi me pyetje të tjera:
– Kur e ke dorëzuar?
– Sot, paradite!
Shikoj edhe me një vend tjetër dhe nuk e gjeti…
Ndërkohë, një punëtor i sigurimit, shkoi te sporteli, ku e kisha dorëzuar dhe e solli kërkesën, të cilën nja 5-6 hapa e kishte larg dhe nuk e kishin marrë për të ma bërë vërtetimin.
E shikoi kërkesën dhe më tha:
– E paske dorëzuar në ora 14.00.
-Jo bre zotëri, se në 14.00 kam qenë në shtëpi dhe kam dëshmitarë, që e kam dorëzuar paradite.
Nga neglizhenca dhe faji i tyre, më tha:
– Eja nesër në ora 10.00.
– Jo, nesër nuk vi, se sot mbyllet konkursi! Nga kjo papërgjegjësi dhe injorim të palës, do t’i thërras mediet për këtë sjellje të papërgjegjshme me palën!
– Thirri, më tha!
U nisa të dalë, por te dera e hyrjes u ktheva ta pyes zonjën, se kur ia kisha dorëzuar kërkesën. Tre punëtorë sigurimi më përcillnin si të isha ndonjë kriminel.
E pyeta zonjën, ajo u përgjigj:
– Na nuk e kemi për detyrë me ua dërgue në zyre!
– Ata i marrin vetë?!
Në atë moment, vjen dhe ndërhyn Afrimi, i cili nuk kishte qenë në vendin e punës, kur e kisha dorëzuar kërkesën, se pse po kërkoj të di se kur e kam dorëzuar, se Ai ishte për këtë punë. Meqë, ai nuk ishte në vendin e punës, kërkesën ia dorëzova një gruaje, me të cilën po bisedoja, se pse nuk ishte bërë vërtetimi.
Gjithnjë i përcjellë nga punëtorët e sigurimit, njëri nga të cilët po ma tregon orarin e punës me palë. E kur ja ktheva, se nesër në ora 10.00 nuk paska orar me palë, e ju më ftuat ta marrë vërtetimin, ku është respektimi i orarit dhe i punës dhe i palës?!… Mbeti pa fjalë… – Dhe, tek e fundit, këtu shkruan, se orari i punës së Gjykatës është nga 8.00-16.00. Ju jeni në orar të punës deri në 16.00.
Në përfundim, dola tejet i nervozuar për mosfunksionimin e përgjegjësisë dhe të drejtësisë në Kosovë, ku disa punëtorë, institucionin e gjykatës e konsiderojnë si pronë private, kushdo mund të të marrë në pyetje, kujt t’i teket i merr a nuk i merr kërkesat e palës, kushdo ndërhyn në bisedë, pa qenë fare në ngjarje, si dhe të përcjellin me sigurim, sikur të kesh bërë ku ta di se çfarë vepre… Nga ky veprim i papërgjegjshëm i tyre, humba të drejtën e plotësimit të dokumentacionit për konkurrim…
Sinqerisht, nuk di ku kërkohet përgjegjësi për drejtësi, kur drejtësi nuk ka! Si palë, këtë maltretim fizik dhe psikik po e ndaj me medie, si dhe me qytetarë, se si palëve brenda në Gjykatë u ikë “autobusi”, e punëtorëve në Gjykatë nuk ju ikin kërkesat për palët…
Ramadan ASLLANI