FATMIR LAMAJ: JEHONA E NJË SMS-je

Tiranë, 05. 06. 2014 – Ka ditë që në shtypin shqiptar u botuan tekstet e disa sms-ve të vajzës së poetit të pushkatuar nga diktatura Vilson Blloshmi, jehona e të cilave nuk mund të kalonte pa krijuar një ndjesi të shumëfishtë tek shtresa e të burgosurve dhe të persekutuarve politikë. Enerieta Blloshmi ngre një akuzë ndaj xhaxhait të saj, Bedriut për disa lekë të mbledhura për atë para disa vitesh, duke hamendësuar me të drejtë për nga ana e saj për një abuzim me gjëndjen e saj shëndetësore. Personalisht kam qenë i angazhuar dhe kontribues modest i kësaj inisiative për të ndihmuar vajzën e poetit martir, Vilson Blloshmit. Pavarësisht nga dëshira e mirë e disa të persekutuarve politikë, lekët e mbledhura ishin të pakta, rreth 60.000 lekë, për të cilat nga ana e Bedriut u bë një refuzim për t’i marrë.
Dyshimi Enerieta për shifrat e fryra bëhet plotësisht i verifikueshëm duke ndjekur me korrektësi rrugën zyrtare, sepse për ato lekë nuk u operua privatisht, por nëpërmjet bankës, e cila e ka të detyrueshme protokollin dhe ruajtjen e të dhënave për çdo veprim që kryen.
I lutem zonjës në fjalë ta bëjë këtë verifikim për të lehtësuar sadopak ndërgjegjen e vetë të rënduar nga dyshimet e pamotivuara.
Zonja Enerieta!
Unë të kuptoj dhe mirëkuptoj që ti ndoshta je një viktimë e pavullnetshme e dyshimeve të frymëzuara nga intrigat dhe thashethemet e disa personave që ende dergjen të sëmurë në shtratin e ëndrrave të mykura për t’u bërë drejtor. Duke u ndjerë tërësisht i detyruar moralisht dhe shpirtërisht, pohoj haptazi se vendosja e Bedri Blloshmit në krye të I.I.P.P-së, ka pasur mbështetjen e Shoqatës së të Burgosurve Politikë “Për integrim me drejtësi e dinjitet”, i kryesuar nga Z.Xhafer Agaraj, sekretar i të cilës jam dhe unë vetë. Ne mbështetëm një përfaqësues të një familje të nderuar dhe vëllanë e poetit martir, Vilson Blloshmi si dhe duke marrë në konsideratë vlerat e tij personale të evidentuara qartësisht në kohën e bashkëvuajtjes në vitet e gjata të burgut.

Bedri Blloshmi, drejtor i Institutit të Integrimit të ish të përndjekurve politik.

Nuk mund të paragjykoj denoncimin publik që ti i ben xhaxhait tënd. Ajo mbetet gjithmonë një e drejtë e jotja, por kurrë nuk mund të pajtohem me një veprim, i cili me ndikimin e vet errëson në përgojim jo vetëm Bedriun personalisht, por dhe gjithë familjen tuaj të nderuar.
Një fjalë e urtë e popullit thotë se: “ Çështjet e shtëpisë nuk dalin në Pazar”.
Këto kohët e fundit kundërshtarët e Bedriut janë angazhuar në një marramendje egoiste për denigrimin e qëllimshëm të personit të tij të nxitura dhe të frymëzuara nga qarqe të caktuara.
Përse sulmohet Bedriu?
Bedriu ndodhet në një pozicion të lakmueshëm nga shumë individë, të shndërruar në qokaxhinj e qoftexhinj, qoftë të PD-së apo të PS-së, të cilët ende nuk kanë dalë nga llumi i zi i ëndrrave të tyre duke u ngrysur e gdhirë në karriken e drejtorit të I.I.P.P-së.
Para se të vendosej Bedriu si Drejtor i atij Institucioni, çdo mëngjes tek bar bufe 1- Maji, piheshin kafet e urimit për indivitë të caktuar, të cilët deklaronin vetëemërimin e tyre në postin e Drejtorit të I.I.P.P-së, derisa një ditë u detyrova të deklaroj publikisht me zë të lartë në një tryezë me disa bashkëvuajtës se Drejtor i atij Institucioni do të shkojë personi në fjalë.
A mund të jetë bërë zgjedhja më e mirë?
Jo, miqtë e mi bashkëvuajtës. Nuk është bërë zgjedhja më e mirë, sepse engjëjt janë në qiell, jo në tokë, por tani Bedriu është vendosur dhe ai ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve ne për ta bërë punën e vet sa më mirë, për t’i shërbyer sa më mirë çështjes sonë të përbashkët.
Bedriu apo kushdo qoftë në atë pozicion, kurrë nuk duhet ta konsiderojë veten si një zyrtar i rëndomtë i Shtetit për të marrë një rrogë, por një shërbëtor të devotshëm e të palodhur në funksion të atyre njerëzve që vuajtën dhe akoma vuajnë për dekada të tëra diktature dhe neodiktature.
Bedriu apo kushdo qoftë në atë pozicion duhet të presi buzagaz dhe me zemër në dorë çdo hallexhi të persekutuar që troket në atë derë, jo vetëm për t’i ngushëlluar me fjalë të mira, por dhe duke shkundur fort çdo Institucion Shtetëror nga dremitja dhe plogështia e qëllimshme për zgjidhjen e halleve të shumta që ka shtresa e të persekutuarve politikë.
Në një artikull timin të botuar para shumë kohësh, drejtuar Z.Rama, i shkruaj se pushteti nuk është vetëm vota e fituar, por dhe vota e munguar…dhe vota e munguar e Berishës në humbjen e tij aq të rëndë ishte dhe mbetet gjithmonë e të burgosurve dhe përsekutuarve politikë. Sa herë që Berisha, gjithmonë për fajin e vet, ka acaruar marrëdhëniet me shtresën tonë, ka ecur i sigurtë drejt humneres së humbjes së pashmangshme. Në 1994, mbas grevës të të burgosurve politikë dështoi në referendumin e Kushtetutës, ndërsa në 2013 humbi turpësisht , mbasi i la të digjeshin e piqeshin të burgosurit politikë në grevën e urisë për të drejtat e tyre qe u takonin dhe u takojnë ligjërisht dhe asnjëhërë të realizuara nga Qeveritë që vijnë e ikin në Shqipëri.
Është për t’u përshëndetur “dhe unë e kam bërë këtë në një shkrimin tim para disa ditëve”, veprim i deputetes së PD-së Mesila Doda, që kërkoi falje individualisht për fajet dhe gabimet e pafalshme që PD-ja bëri ndaj shtresës tonë. Është për të ardhur keq kur gjysëm apo çerek kryetari aktual i PD-së, përgojon grevën tonë të tetorit 2012, ku u vetëflijua heroikisht i paharruari Lirak Bejko, si të nxitur dhe të frymëzuar nga PS-ja. Ai tregoi kështu dhe një herë qartësisht se do mbetet përgjithmonë klonimi më i përpiktë i një kufome politike që ende kutërbon në dekompozim e sipër gjithë politikën shqiptare.
Lulash,- bëhu një herë burrë, bëhu një herë vetvetja dhe mos rri më në pozicionin e detyruar të një qullashi politik, si gjysëm apo çerek kryetari të PD-së nën hijen e zezë të një mostre të urryer nga të gjithë ata që prej tij akoma kanë të freskëta plagët që ai u shkaktoi.
Zoti Rama!
Për aq kohë sa kjo pseudo opozitë do të jetë e zhytur në moçalin e ndotur berishian dhe padëshirën për të dalë që andej, shtresa e të persekutuarve politikë do të mbetet gjithmonë kauza e munguar e saj… dhe natyrshëm ti do qeverisësh i pashqetësuar. Ne berishianët nuk mund të trembim më as kalamajtë e lagjes dhe jo më të kthehemi në kërcënim për pushtetin tuaj, i cili në pashmangje duhet të ketë parësore zgjidhjen e halleve të shumta që ka shtresa jonë. Përderisa pseudo opozita aktuale nuk do të dali nga kllapia berishiane, ti duhet të jesh mëse i sigurtë se do t’i kesh… të numëruara di…dekadat në pushtet.

Fatmir LAMAJ – I burgosur politik.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura