RAMADAN PLLANA: DËSHMI TË KOHËS – PËR ORGANIZATËN LNÇKVSHJ (II)

 Pashtriku, 15 shkurt 2021: Në librin e Selatin Novosellës ”Metush Krasniqi, personalitet unifikues i Lëvizjes Kombëtare” flitet edhe për Komitetet e LNÇKVSHJ, ku emri im si veprimtar i Lëvizjes përmendet në 13 faqe, kurse në cilësinë e anëtarit të ”Komitetit Qendror” përmendem në pesë faqe (Faqe 127, 151, 394, 395 dhe 398). Në këtë libër emri i Xhafer Durmishit ceket në pesë faqe (faqe 136, 144, 145, 194 dhe 199) dhe në asnjë rresht nuk shkruhet se ka qenë anëtar i ”Komitetit Qendror” të LNÇKVSHJ-së.
Se është prepotent me shfaqje të bajraktarizmit shihet gjatë tërë aktivitetit të tij, që përshkruhen besnikërisht në librin e Tafallarit ”Terror Dhimbje Qëndresë, “Eurorilindja”, Tiranë, 1997, këto shprehje shihen edhe në librin e tij“ ”Lëvizja e Jusuf Gërvallës”, Pashtriku.Org. Tetor’2011. Duke lexuar shkrimet e tij prej mburraveci seç m’u kujtuan disa mendime të shkrimtarit të madh amerikan, Ernest Hemingway (Ernest Heminguej), i cili shquhet për nga thjeshtësia mahnitëse e dialogu i thjeshtë plotë jetë, ku në një rast thotë: ”Dua që t’ju kujtoj një gjë. Duke e përmbushur misionin tuaj, ju do të armatoseni për ta ngritur autoritetin tuaj. Por, nuk ju lejohet në asnjë rrethanë që t’i përdorni armët tuaja. Në asnjë rrethanë. A më keni kuptuar?”
– Xhafer Durmishi, kurrë nuk mund të ishte i pavarur nga Sabriu në angazhimet e tij brenda Lëvizjes, këtë e thotë në shkrimet e veta, këtë e vërteton edhe tani, kur thotë: ”Përveç Sabriut, Jusufi nuk ka njohur asnjë kuadër më të lart, as personalisht e as përmes ndonjë vepre. Natyrisht, se Sabriu, i ka fol Jusufit se ekziston Komiteti Qendror,­ Kryetari e gjëra të tjera.” -Kurse tani prapë e mbron ”themeluesin” e X ”Komiteteve”, Sabri Novosellën” duke shkruar se ”Jusufi nuk ka qenë i autorizuar me themelue e as me riorganizue Komitet Qendror. Këtë punë nuk ia ka lejua vetes. Këtë çështje ai, si anëtar me disiplinë shembullore ia ka besuar Sabri Novosellës. Riorganizim e thirrje në Komitet Qendror është bërë vetëm përmes Sabri Novosellës. Bardhosh Gërvalla nuk ka qenë anëtar i Komitetit Qendror” (Xhafer Durmishi ”Lëvizja e Jusuf Gërvallës”, Pashtriku.Org. Tetor’2011).

Tani, në këtë kohë të shprehjes së lirë e pa frikë nga ndonjë denoncim a përgjegjësi penale për ndonjë zbulim të konspiracionit, le të dalin, Sabri Novosella e Xhafer Durmishi, se cilët ishin anëtarët e ”Komitetit Qendror” të LNÇKVSHJ-së?! Përndryshe, edhe nga shkrimet e autorëve të ndryshëm, nuk figuron se Xhafer Durmishi të ketë qenë anëtar i ”Komitetit Qendror” të Lëvizjes.
– Ja faktet: Në librin e Selatin Novosellë, ”METUSH KRASNIQI Personalitet unifikues i Lëvizjes Kombëtare”, emri i Jusuf Gërvallës, si anëtar i KQ, gjendet në faqet 127, i Xhafer Durmishit gjendet në faqet 136, 144, 145, 194 dhe 199, ku nuk përmendët askund se ishte anëtar i Komitetit të LNÇKVSHJ-së. Autori, vëlla i Sabri Novosellës, sigurisht se është njoftuar nga i vëllai edhe për ”Komitetin Qendror” të Lëvizjes.
Emri im, në cilësinë e anëtarit të ”Komitetit Qendror” gjendet në faqet 127, 150, 151, 152, 394 dhe 398 çka dëshmon se faktet e infektuara të Xhafer Durmishut janë të imagjinuara dhe të infektuara nga Sabri Novosella, këtu për “Shpendin”, alias Xhafer Durmishin, mund të flitet për KQ të degës ”Hasan Prishtinës” në Turqi, e kurrsesi në KQ të LNÇKVSHJ, në formim, për të cilin kam folur e kam shkruar disa herë.
– Në librin e tij, Selatin Novosella shkruan se, Metush Krasniqi, ishte përcaktuar që Zeqir Gërvallën ta kishte këshilltar të parë për të gjitha nismat dhe veprimet që bënte. Prandaj, Zeqir Gërvalla, ishte njoftuar nga Metush Krasniqi për idenë e themelimit të organizatës LNÇKVSHJ (faqe 135).
– Dihet se Zeqir Gërvalla e Jusuf Gërvalla ishin kushërinj dhe kishin lidhje organizative me Adem Demaçin, – prandaj, pohimi i Xhafer Durmishit, se: ”Përveç Sabriut, Jusufi nuk ka njohur asnjë kuadër më të lart, as personalisht e as përmes ndonjë vepre.” , – është i pavërtetë. Pastaj, në faqen 231 të këtij libri shkruan edhe për një takim të Metush Krasniqit e Jusuf Gërvallës, çka e demanton katërçipërisht pohimin e Xhafer Durmishit se Metush Krasniqi e Jusuf Gërvalla nuk kanë pasur lidhje direkte, ku flitet edhe për profesor Fehmi Baftiun, njërin nga bashkëpunëtorët më besnik të Bacës Metush, ja faktet: “Për nivelin e njohjes dhe veprimeve të përbashkëta në mes Metush Krasniqit dhe Fehmi Baftiut, flet edhe një takim i mbajtur në Prishtinë, në vitin 1978, ku marrin pjesë: Metush Krasniqi, Jusuf Gërvalla, Azem Beqiri dhe Fehmi Baftiu”. Veritas amara est – E vërteta është e hidhur. Dëshmia e shkrimeve të mia është antonim i shkrimeve të Xhafer Durmishit. Faktet historike na tregojnë se heroi ynë kombëtar, Jusuf Gërvalla, njihej, së paku nga viti 1968 e këndej, me këta veprimtarë të rangut të lartë të ilegales sonë: me Zeqir Gërvallën, Adem Demaqin, Metush Krasniqin, Azem Beqirin, Rexhep Elmazin, Ahmet Haxhiun, me prof. Fehmi Baftiun e të tjerë.
Një dëshmi tjetër se Metush Krasniqi dhe Jusuf Gërvalla njiheshin na e jep edhe poeti e veprimtari i paepur i çështjes sonë kombëtare, Bacë Zeqir Gërvalla, ku thotë:
– E për Jusufin e Bardhin, (që Jusufin unë e njoha me Bacë Metushin Prijës – ATDHETAR): E di gjithë bota – që bashkë me Kadri Zekën janë dëshmorë – Heronj – ( I ) L I R I E … gjithashtu: di për Adem DEMAÇIN dhe Adem JASHARIN – Dy Yje -LEGJENDARË, – Që janë: Dy SIMBOLE U-N-I-K-A-T në botë -EMBLEMË SH Q I P Ë ( T A ) R I E (Poezia “AH! SA KISHA DASHUR: QË MIRËSIA TA RREZATOJË ÇDO (Z)EMËR-VEND…», publikuar në “Albaniapress.com” më 07 nëntor, 2011).
– Xhafer Durmishi, disa herë e bënë edhe këtë pyetje: ”Pse Ramadan Pllana i shtrembëron faktet në mënyrë kaq të tejdukshme për personin kryesor të Organizatës së vetë, përkundër fakteve me shkrim të shkruara nga dora e Jusuf Gërvallës, tri ditë para vrasjes?”
– Kjo e pavërtetë, për mua, që në realitet është një përpjekje e tij për t’i bërë të pabesueshme shkrimet e mia para lexuesve të nderuar, kurrgjë tjetër!…
– Trillimet dhe shtrembërimet janë shprehi dhe kulturë djallëzore të vetë Xhafer Durmishit dhe të padronit të tij, Sabri Novosellës.
Ky marifet i tij edhe po më shtyn që në fund të këtij shkrimi ta publikoj letrën e tërë të heroit tonë kombëtar, Jusuf Gërvallës, shkruar Sabri Novosellës, më 14 janar 1982, që të shihet e vërteta lakuriq se si ky e sabotonte heroit tonë dhe LNÇKVSHJ-së. Kurse, sa për marrëdhëniet e mia me Jusuf Gërvallën, edhepse në mënyrë të tërthortë, kam shkruar e do shkruaj deri në vdekje. Ai, ishte vëllai im i idealit kombëtar, i cili më njihte mirë dhe kishte konsideratë të lartë për mua.
Ai, në bashkëpunim me shokë brenda e jashtë Lëvizjes sonë, luajti një rol shumë të madh për t’i treguar popullit tonë të robëruar shtigjet më të përshtatshme kah bashkimi e çlirimi kombëtar, në veçanti e kishte tehun te edukimi i shëndosh i rinisë studentore e shkollore ; mu për këtë rëndësi edhe kishte propozuar formimin e Komitetit Qendror të Rinisë së LNÇKVSHJ-së prej 5 anëtarësh, gjë që realizohet më 12 mars të vitit 1979 në Prishtinë.
– Këtë detyrë ma kishte besuar mua. Me këtë rast unë shkrova pamfletin “Rini shqiptare, rini revolucionare”, të cilën e redaktoi dhe e publikoj Jusufi, në “Lajmëtari i Lirisë”, në janar të vitit 1981.
– Ky pamflet e kishte tmerruar Sabri Novosellën, i cili i frikësohej bashkimit të Kosovës e viseve tjera me shtetin amë, me Shqipërinë e Enver Hoxhës!…
Disa fjali nga ky pamflet janë marrë edhe nga Jusuf Gërvalla.
Në prag të ngjarjeve të mëdha historike, të demonstratave të marsit dhe të prillit të vitit 1981, Jusufi, nëpërmjet revistës «Lajmëtari i Lirisë» do të shkruaj: «po bëhet gati populli për hakmarrjen e vet të madhe! (…) Do të derdhim edhe pikën e fundit të gjakut tonë dhe do të ngadhënjejmë mbi armiqtë e mbi tradhtarët e çdo ngjyre. Dita e lirisë po afrohet. Po vjen dita që armiku e tradhtari të japin llogari për krimet e poshtërsitë e bëra mbi popullin tonë…Vetëm të bashkuar e të vendosur, me besën e madhe shqiptare, do të arrijmë në fitoren tonë të sigurt… »Këto fjalë janë marrë nga ky pamflet, çka tregon se Jusuf Gërvalla dhe unë ishim dy vëllezër ideali me një mendim të përbashkët kombëtar.
Jusufi, për mua ka qenë dhe mbetet një nga frymëzuesit kryesor të veprimtarisë sime gjatë tërë jetës. Unë, u jam mirënjohës lexuesve dhe miqve të mijë që më stimulojnë për shkrimet e mia, jam i bindur thellësisht se, atyre u besojnë 90 %, të lexuesve, – kurse, vetëm më pak se 10% i besojnë Xhafer Durmishit, vetëm pse ky e ka njohur Jusufin më për së afërmi; – kjo nuk çon peshë për asgjë, e vërteta qëndron në anën time dhe të historisë.
Më poshtë, dua t’i paraqes këtu vetëm dy letra të lexuesve të mi, sepse, kam me qindra të tilla; lexuesit i falënderoj nga zemra për fjalët e tyre miradije, për shkrimet e mia. Të parin, Asdren Aliun, nuk e njoh fare, kurse të dytin e kam pasur bashkëveprimtar, edhepse shumë më i ri se unë, me të cilin na ka lidhur njëri nga promotorët kryesor të LPK-së e UÇK-së, heroi ynë kombëtar, Xhavit Haziri, për të cilin kam shkruar disa herë.
Asdren Aliu : “Ai ishte me i miri prej nesh” Asdren Aliu 07-11-2010 i cili n ´mes tjerash shkruan: ”Nuk jam nga Anamorava, por me lidhën shumë gjëra në jetë me atë rreth,- krahinë të madhe me burra fisnikë dhe shumë atdhetarë, lexova për shumë trima të asaj ane që nga periudha e Idriz Seferit, mulla Idrizit e Haki myderrizit, Rexhep Malës e Nuhi Berishës, Agim Ramadanit e Isa Kastratit…. e për t’u ngulitur ne zemrën time përgjithmonë mbeti idol imi simboli i bashkimit kombëtar Metush Krasniqi – Dajkoci; për të cilin s’do koment se shkruajtën disa autorë e për falënderim shfrytëzoj rastin që përmes “zemra shqiptare” të përshëndes atdhetarin e madh, autorin e artikullit z. Ramadan Pllana në njërën anë si dhe stafin e “zemra shqiptare” në anën tjetër.
Lavdi jetës dhe veprës se atdhetarit Metush Krasniqi më të vetmen dëshirë që amaneti i tij dhe shokëve të tij te idealit të jetësohet në një të ardhme sa më të shkurtë”.
Mustafë Krasniqi:
«Të shkruash për Metush Krasniqin dhe njerëzit si ai, jo vetëm që është një nder për autorin, por thjesht është edhe një obligim historik, sepse të tillët lindin të rrallë. Metushi ishte dhe mbeti një figurë emblematike e kombit, -këtë hero të dëshmuar të kombit, pata rastin që ta njohë veprimtarinë e tij, edhe sa ishte gjallë. Pa hezitim, për këtë hero ka shkruar shumë edhe veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, njeriu që për shpirt kishte dhe ka Metushin, që i kishte lidhur e njëjta rrugë, rruga e çështjes kombëtare, e padyshim ky është Ramadan Pllana, që unë do ta thirrja padyshim heroi i gjallë i kombit, sepse rrugën e të madhit Metush Krasniqit se kishte ndalur kurrë, gjë që edhe sot kur dikush po përfiton në emër të gjakut të dëshmorëve, ky atdhetar, historisë ia thotë troç.»
Ja, një dëshmi e shkruar që na tregon se Sabri Novosella nuk kishte asnjë mendim e bindje të përbashkët me heroin tonë kombëtar, Jusuf Gërvallën. Sabri Novosella: “Një nga krimet më të rënda të Enver Hoxhës ishte vënia e djalërisë dhe veprimtarëve të Kosovës me Viseve të tjera nën Jugosllavi para një alternative të tmerrshme: ose të jenë langonj të Enver Hoxhës, ose të akuzohen si spiun të UDB-së jugosllave!”
Jusuf Gërvalla:
“Ne shokë, as që do të tentojmë që të bëhet ndonjë ndryshim në sistemin e Shqipërisë, – sepse, Shqipëria dhe ashtu siç është, mund të na ndihmojë në realizimin e aspiratave tona, por ne duhet të jemi të bindur dhe të gatshëm që të bashkëpunojmë ngushtë me Shqipërinë mëmë.
(Faridin Tafallari “ME TRE YJE TË PAVDEKËSISË, NË ATO VITE TË STUHISHME”, Tiranë, 2010, faqe 32).
Në shkrimet e tij, Xhafer Durmishi i përdor edhe disa letra të Shefqet Jasharit që m’i dërgon mua miqësisht, gjë që sipas mendimi tim e keqpërdor edhe besimin e Shefqetit. Unë, me Shefqetin flas dhe ne ia kemi shprehur njëri tjetrit mospajtimet tona lidhur me disa mospërputhje që i kemi.
– Kryesisht ne kemi qenë shokë dhe nuk na ka ndodhur që për mospajtimet tona ta shkëpusim miqësinë tonë. Unë, kurrë nuk kam dyshuar në veprimtarinë e përbashkët që kemi pasur me të në kuadër të LNÇKVSHJ-së.
Në përgjigjen time që i kam shkruar Shefqet Jasharit, më 27 prill 2009, ndër të tjera ia them edhe këtë: “…Tani për çështjen e shkuarjes sime në Stamboll, edhe nëse kemi mospajtime, nuk ka gjë të keqe! Unë e kam përshkruar detajisht atë çka e kam përjetuar. Mua as që më ka shkuar mendja se m’u përgatit nga Sabriu ndonjë komplot, po rrjedhat e ngjarjeve nga ajo kohë, e sidomos kontrollimi i pasaportës sime, në mënyrë tinëzare, nga Bujar Hoxha më kanë shtyrë që të krijoj atë bindje…Po këto, e edhe e ndërhyrjeve të diplomacisë shqiptare, të më vonshme, në Lëvizjet tona, kanë qenë të papranueshme për mua, cilado që të ketë qenë simpatia e tyre, prandaj unë i evokoj gjërat ashtu si i kam përjetuar. Ti, për mua, je si kristali i pastër dhe nuk ke pasur asnjë dyshim e bindje se Sabriu mund t’ma bëjë një gjë të tillë; po Sabriu ka pasë rezerva ndaj atyre që ishin enveristë apo marksistë-leninistë dhe më dërgoi atje, me qëllim të mirë, për t’më bindur Bujar Hoxha që ta hiqnim nga rendi i ditës Bashkimin me shtetin amë, sepse pas formimit të “Komitetit të Rinisë” unë e shkrova një pamflet, nuk e di se a e ke lexuar ti, të cilin e redaktoi Jusuf Gërvalla. Tani , nëse flasim për atë periudhë, sipas mendimit tim nuk mund të vepronim as të agjitonim kundër Shqipërisë së atëhershme, kur e kishim programin për bashkim me të….Lexoje, të lutem, përshkrimin e hollësishëm gjatë takimit të bisedave të mia me Tefik Strajën….”.
Për hir të realitetit historik dhe sipas parimit të filozofisë latine, “Verba volant scripta manent“(Fjalët fluturojnë, shkrimet mbesin), do të vazhdoj që ta shkruaj, aq sa mundem, të vërtetën, vetëm të vërtetën historike, duke u përpjekur që sa më shumë të jem objektiv, pa iu nënshtruar bindjeve a presioneve të kohës apo simpatisë për ndonjë parti, qoftë në Kosovë apo në Shqipëri. Po e shtoj, se: që nga mbarimi i luftës më 1999 e deri më sot nuk i përkas asnjë subjekti a partie, përveç Atdheut – Nënës Shqipëri!
Në këtë shkrim, si dhe në shkrimet tjera, nuk kam kurrfarë urrejtje, nuk kam kurrfarë xhelozie, nuk kam kurrfarë ambicie personale, nuk kam kurrfarë qëllimi denigrues, as denoncim për Sabri Novosellën e Xhafer Durmishin e sivëllezërit e tyre, – kam vetëm një objektiv, e ky është për të dëshmuar e për ta ndriçuar të vërtetën, vetëm të vërtetën historike.
Pas krejt kësaj që u tha më lart e në vazhdimësi, qysh nga vrasja e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, para opinionit shtrohet një pyetje sugjestive:
– Kush e paska respektuar më shumë figurën heroike të Jusuf Gërvallës dhe kush e paska ndjekur më me besnikëri rrugën e tij; – unë, Ramadan Pllana, që e vazhdova veprimtarinë time bashkë me shokët e heroit: me Ahmet Haxhiun, Hysen Gegajn, Jashar Salihun, Xhavit Hoxhën, vëllaun e dëshmorit të parë të UÇK-së- Edmond Hoxha, Hasan Ukëhaxhën, Drita Kuçi- Kastrati, këta katër të fundit ishin nga Komiteti i Deçanit që e kishte formuar Jusuf Gërvalla në bashkëpunim me atdhetarin e madh Ismajl Haradinajn, si dhe me UÇK-në, në krye me komandantin legjendar, Adem Jasharin e gjithë plejadën e saj që i shporri njëherë e përgjithmonë kriminelet serbë; – apo Sabri Novosella që e shante LPK-në, krijesën e UÇK-së dhe bënte tregti në Shqipëri, e Xhafer Durmishi që bënte sehir në Suedi, kur bëhej luftë?!
Sabri Novosella, në revisten ”Republika” të Salih Kabashit që botohej në Lubjanë, në një intervistë të tij, në numrin 4, 1996, faqe 29, deklaronte kështu, në kohën kur një numër i madh i anëtarëve të LPRK-së burgoseshin e dënoheshin nga gjykatat e Beogradit, edhe autori i këtij shkrimi ishte dënuar me katër vite burgim, dhe kur UÇK-ja, me Adem Jasharin në krye, kishte filluar aksionet e veta luftarake kundër soldateskës serbe, ky deklaron se: “PPSH dhe Beogradi, si sot PPSH (me gjasë mendon në Partinë Socialiste në Shqipëri) dhe PSS (shkurtesë e Partisë Socialiste në Serbi), qëllimet i kishin të ngjashme; – Kosova kurrsesi të mos çlirohet dhe të mos bashkohet me shtetin shqiptar. Beogradi dhe PPSH, përmes LPRK realizuan atë që dëshironin.”
– Duhet të jesh burrë e atdhetar i denjë për të luftuar për Bashkim Kombëtar, për një Shqipëri Etnike, ashtu siç ishin Ramiz Cërnica, Metush Krasniqi e shumë të tjerë, që edhe të rrezikuar për vdekje me qëndrimet e tyre, të cilët edhepse me bindje të kundërta me sistemin e Shqipërisë së Enver Hoxhës, Atdheun e kishin mbi të gjitha dhe deklaruan:
– ME SHQIPËRINË PO, ME SERBINË JO!
Se Atdheu është mbi të gjitha, pa dallim, feje, a ideje, për këtë dëshmojnë edhe vdekjet e Jusufit, Kadriut e Bardhit, është veprimi i tyre i përbashkët për unitetin e të gjithë luftëtarëve që kishin qëllim kryesor çlirimin dhe bashkimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare me Nënën Shqipëri. Ky shembull dhe kjo rrugë mbetet gjithmonë aktuale.
Emri dhe vepra atdhetare, e Jusuf Gërvallës me shokë mbetën yje të pashuara për liri e bashkim kombëtar dhe do t’i kujtojmë gjithmonë, si të gjallë, në kujtesën dhe shpirtin tonë!
LAVDI E PËRJETSHME, JUSUFIT, KADRIUT E BARDHOSHIT – TRE YJEVE TË PASHUARA!
Letra e Jusuf Gërvallës, dërguar Sabri Novosellës, tri ditë para se të vritej nga UDB-ja famëkeqe, ku shihet qartë pezmi i heroit tone kombëtar ndaj sabotimt të Sabri Novosellës që i bënte LNÇKVSHJ-së dhe në veçanti Jusuf Gërvallës.
I dashuri vëlla Mërgim,
Letrën për KQ të PPSH-së e vonuam shumë. Unë, e shkrova në disa variante, por me asnjërin prej tyre nuk mbeta i kënaqur. Nuk jam mësuar të komunikoj me një nivel të tillë. Më së fundi e lashë variantin që mora prej teje. Hapi si hap më pëlqeu shumë dhe më duket shumë i dobishëm.
Por, nuk di a duhet të jemi të kënaqur se e kemi realizuar.
Në letrat e fundit na kanë arritur disa këshilla nga ana juaj. Ta them të drejtën se mua personalisht më kanë lënë me një ndjenjë të ftohtë. Thelbi i tyre konsiston, sipas përshtypjes sime, në një tërheqje në vete, që u dashka të aplikohet prej nesh. Ose nuk kam qenë në gjendje ta kuptoj qartë. Se cilësia duhet të ketë përparësi ndaj sasisë, kjo dihet dhe për këtë kam pas shkruar edhe vetë, nëse të kujtohet, në atë Qarkoren drejtuar atyre shokëve në D., që ti e ke pas pëlqyer. Por, që atëherë kushtet kanë ndryshuar shumë. Tash ka dalë sheshit pezmi i madh i popullit, gatishmëria e madhe për flijime të larta, ideja e luftës për liri është materializuar më shumë se kurrë. Sipas njohurive të mia të pakta teorike, më duket se tash, në vend të reduktimeve e të përkufizimeve, duhet ta aplikojmë zgjerimin e furishëm të radhëve, ashtu si thotë Lenini me një rast, madje në atë mënyrë që rekrutët e rinj të zënë vendin e luftëtarëve të rëndomtë, kurse ushtari i vjetër të zërë vendin e oficerit të ulët. Kështu e pata kuptuar më në fund edhe zgjedhjen e Shpendit dhe timen në KQ. Rinia jonë revolucionare po kërkon radhët e revolucionarëve të organizuar. Ajo, do të kapet në ato hallka që do t’i gjejë më lehtë. Po e mbyllëm ne, ajo do të kapet për radhët e të tjerëve. Më duket se Lëvizja duhet të mblidhet, t’i trajtojmë me seriozitetin më të madh disa çështje vitale që dalin nga momenti aktual e që i kanë rrënjët në kushtet e ndryshuara shumë pas demonstratave të pranverës së shkuar. Mendoj se, Lëvizja duhet të përfshihet prej impulsesh të reja. Se cilat do të jenë këto impulse, unë nuk jam në gjendje ta them. Por, po të përpiqen shokët, do ta gjejnë doemos.
Unë, kërkoj falje për guximin që po marr të flas kështu, sado që, siç e di edhe ti, njohuritë i kam të mangëta si për mënyrën e organizimit të brendshëm, ashtu edhe për gjendjen reale të punëve në veprimtarinë e sotme të organizatës sonë. Mirëpo, disa vërejtje, më parë se t’i mbaj në vete, parapëlqeva t’ them shtruar.
Shtypi revolucionar zë një vend me rëndësi në veprimtarinë e çdo organizate revolucionare.
Ne, tani mund të themi se kemi shtypin tonë. Por, pa u siguruar mënyra e sigurt e transportit dhe e shpërndarjes së tij, shtypi mbetet gjysmë i vdekur. Kurse, ne nuk mund të krenohemi se kemi krijuar kushte as për transport, e mbase, as për përhapjen e tij të suksesshme. Kjo gjë po ushtron ndikim negativ edhe në punën e vetë redaksisë së ”Z.K”. Është një ndjenjë e ligë kur mendon se je duke shkruar diçka që e ka shumë vështirë të bjerë në dorën e lexuesit.
Siç e di, ne kemi pas bërë që këndej njëfarë transporti të shtypit. E kemi futur atë në Atdhe, por atje s’i kemi pasur njerëzit që do ta shpërndanin si duhet. Tani, në drejtimin e transportit, kemi pësuar më në fund edhe një disfatë. Me numrin 1 të ”Z.K.” dërguam për Atdhe dy punëtorë. Rruga e futjes së materialit ishte po ajo që kishim ndjekur në tri raste të suksesshme të transportit. Por, kësaj radhe puna dështoi dhe ata dy punëtorët ndodhen në duart e UDB-së. Pas kësaj e kemi shumë vështirë të ndjekim të njëjtën rrugë. Tani, a të qajmë materialin që nuk ra në duart e lexuesit, apo të qajmë njerëzit që na u dëmtuan. Aktualisht s’po i bëjmë ballë dot t’u japim rrugë. Është disfata e parë kësodore që dy vjet e këtej dhe na ka demoralizuar shumë. Sa patëm zënë të kënaqemi e të marrim krah nga materialet që po na arrinin për revistën, tash u desh të na dilte ky problem.
Nga ana tjetër, mënyra se si është vepruar nga ana juaj atje me futjen e materialit brenda, jo vetëm që nuk i plotëson nevojat për shtypin tonë revolucionar në Atdhe, por është e pasigurt dhe e rrezikshme po aq sa mënyra jonë. Si me një kopje të ”Z.K.” si me një mijë, njeriu rrezikohet njësoj.
Si t’ia bëjmë këtij halli të madh? “Marku” s’na erdhi.
Edhe po të kish ardhur, më duket (sipas fjalëve të Kolës) se edhe ai tashmë nuk është i pakomprometuar në sytë e UDB-së.
Ne, kemi vrarë mendjen se rruga më e sigurt për futjen e shtypit në Atdhe është shfrytëzimi i ndonjë transportuesi në relacionet evropiane. Juve ndoshta mund t’ju vijë përdoresh të gjeni ndonjë shofer shqiptar nga Turqia që bart mall me kamion të madh të shteteve evropiane, e që kalon nëpër Jugosllavi.
Ne, do t’ia japim që këtej materialin, kurse shokët brenda duhet të gjejnë mënyrën se si ta marrin prej tij në dorëzim atë material. Në rast të tillë neve do të na zvoglohej problemi edhe sa i përket shtimit të tirazhit të revistës edhe shpeshtimit të daljes së saj, gjë që ka rëndësi të madhe. Është keq që këtë punë s’e kemi bërë deri para disfatës sonë të parë, por tash duhet të na bëhet një preokupim shumë serioz. Ndryshe, spontaniteti do të na kushtojë shtrenjtë dhe do të bëjë që të zhagitemi si zvarranikë e jo si vrapojmë fuqishëm si revolucionarë. Edhe një lajm jo fort të mirë kam për ju. Me insistimin e “Shpendit”, për të mos thënë me presionin e tij, “Shpendi” shkoi në Kosovë për një qëndrim të shkurtër, disa kohë para vitit të ri. Së andejmi u paraqit disa herë me telefon, e së fundi disa ditë para vitit të ri, kur tha se do të kthehej menjëherë pas vitit të ri. Mirëpo, sot jemi më 14 janar, e ai as na thirri më, as erdhi. Ne, nuk kemi si t’i drejtohemi, sepse ai nuk është në shtëpi, por në ilegalitet. Por, jemi brengosur shumë se mos i ka ndodhur gjë. Ndonjë lajm a shenjë për të keq nuk kemi, veçse vonesa e tij na brengos. Nëse ka fat dhe kthehet, ai do të na sjellë materiale me vlerë, sepse për atë qëllim edhe pat shkuar.
Tani po kthehem edhe njëherë në fillim të letrës. Mendimi im është se disa çështje parimore, siç është themelimi i partisë si domosdoshmëri apo rrezikshmëri në perspektivë, pastaj mënyra e organizimit të Lëvizjes në kushtet e reja të luftës, duhet të diskutohen e të pleqërohen më dendur me shokët, sidomos me Plakun. Jo vetëm gabimet e mëdha parimore, por edhe të voglat ka mundësi të evitohen shumë më mirë në këtë mënyrë. Ju atje jeni të lumtur që e keni Plakun. Në këtë pikëpamje ne jua kemi lakmi, se këndej punët me relacione të tilla nuk janë aq të thelluara, jo për fajin tonë.
Në fund, duke ju dërguar të fala vëllazërore e revolucionare, kërkoj falje për helmin e derdhur në këtë letër, por na helmuan ca problemet e përmendura dhe është e udhës t’i ndajmë bashkë.
“Sokoli” (Jusuf Gërvalla)
P.S.
Vehbi Ibrahimi, i vrarë në Belgjikë, ishte sekretari personal i ( E. Kastriotit). Ky farë Emili i së ashtuquajturës ”Besëlidhja shqiptare”, është një nga reaksionarët më të mykur të shqiptarëve në Perëndim.
– E. Hadri, për sa jam i informuar, i takon gjoja një partie komuniste, por me orientim pro-rus.
Edhe M. Camaj, për sa dimë, është kundër Shqipërisë.
Për emrat e tjerë, adresat e të cilëve na janë dërguar me nga një pikëpyetje pranë, nuk dimë gjë.
Ne, s’po u dërgojmë tash për tash asgjë, deri sa të mos vërtetohet puna e tyre.
Në qofshin si këta që përmendëm më lart, s’kemi pse ua dërgojmë as ”helmin”, lëre më shtypin tonë. (Fjala është për Hasan Beun në Amerikë, Hysen Çamin në Suedi, Vincenzo Gollettin në Frankfurt). (Marrë nga libri i Faridin Tafallarit ”Terror Dhimbje Qëndresë, “Eurorilindja”, Tiranë, 1997, faqe 452, 453 dhe 454)

Sqarim për lexuesit rreth ”Qarkores drejtuar atyre shokëve në D.” dhe dy protagonistëve ”Shpendi” e ”Plaku” të kësaj letre për lexuesit e painformuar – (Sqarimi im), Ramadan Pllana:
1. Qarkoren drejtuar atyre shokëve në D. – Fjala është për ”Komitetin e Deçanit” gjatë viteve 1980-81 në Kosovë me programin e LNÇKVSHJ- së sipas udhëzimeve të Jusuf Gërvallës ka vepruar ”Komiteti i Deçanit”. Ky u formua në fillim të muajit korrik të vitit 1980 nga atdhetarët dhe veprimtarët e dalluar Ismail Haradinaj, Hasan Ukëhaxhaj, Jashar Salihu, Abdullah Hasanmetaj dhe Shkurte – Drita Kuçi.
Ndër aktivistët më të dalluar të këtij Komiteti ishin edhe Nazmi Selmanaj, Xhavit Hoxha, vëlla i dëshmorit të kombit, Edmond Hoxha, Aliter Dervishaj, Din Ahmetaj, Muhamet Haklaj, Niman Mustafaj, etj.
Ky grup, si dhe gazeta “Lajmëtari i Lirisë” që doli gjithsej në tre numra, numri i parë në muajin gusht 1980, i dyti në tetor dhe i treti në janar të vitit 1981, u formua pa lejen e “Komiteti Qendror” të Sabri Novosellës.
2. Shpendi – është pseudonim i Xhafer Durmishit.
3. Plaku- është Bujar Hoxha, diplomati i shteti shqiptar.
Zvicër, Janar 2012

– FUND –

______________________

RAMADAN PLLANA: DËSHMI TË KOHËS – PËR ORGANIZATËN LNÇKVSHJ (I)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10891
***
RAMADAN PLLANA: DËSHMI TË KOHËS – PËR ORGANIZATËN LNÇKVSHJ (II)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10892

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura