Nga Dashnor Kaloçi
Vetëm pak javë pas ngjarjes së 18 dhjetorit të vitit 1981, kur Kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij, me porosi të Komitetit Qendror të PPSH-së, në të gjitha organizatat bazë të Partisë, në mbarë vendin, u mbajtën dhe u zhvilluan mbledhje të shumta, ku diskutohej: “nën frymën e fjalës së shokut Enver Hoxha, mbi ‘Tablonë Sinoptike’ për armikun e poli agjentin Mehmet Shehu”.
Në të gjitha këto mbledhje, veç të tjerash, ashtu siç bëhet e ditur edhe nga një mori dokumentesh me siglën “Tepër sekret”, që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit, arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, pjesëmarrës e diskutantë të shumtë që kanë marrë fjalën aty, kanë hedhur lloj-lloj akuzash, me të vërteta dhe të pavërteta, denoncime, spiunime, shpifje, trillime, thashetheme, intriga, sajesa e gjithfarë u kanë ardhur për shtat, të gjitha këto në drejtim dhe kundër ish-Kryeministrit të vdekur, Mehmet Shehu, familjes së tij dhe atyre që u konsideruan bashkëpunëtorë të tyre, duke përmendur me dhjetëra emra, ushtarakë, funksionarë të lartë, etj., etj.
Po kështu, këto mbledhje u intensifikuan së tepërmi, sidomos pas tetorit të vitit 1982, kur u arrestua dhe ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu, (i cili për gati tri dekada me radhë kishte mbajtur postin delikat të ministrit të Brendshëm), ku dhe ndaj tij, u përsërit e njëjta tablo, si me ish-Kryeministrin Mehmet Shehu.
Edhe pas zhvillimit të këtyre mbledhjeve, komitetet e partisë të rretheve përkatëse kanë hartuar një sërë raportesh me përmbledhje nga “problemet më kryesore”, të cilat më pas ia kanë dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së. Për të gjitha këto mbledhje, gazeta “Panorama” disponon një numër dokumentesh të nxjerra nga një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret”, ku ish-anëtarë të Byrosë Politike, sekretarë të Komitetit Qendror të asaj kohe, si Spiro Koleka, Enver Halili, Vangjel Çerrava etj., etj., informojnë Komitetin Qendror për mbledhjet ku kanë marrë pjesë, duke dhënë me detaje dhe hollësira gjithçka është thënë dhe diskutuar aty.
Po kështu. përveç këtyre raporteve, në dosjen në fjalë gjenden edhe një sërë raportesh të hartuara nga funksionarë të rangjeve më të ulëta. që nga Komiteti Qendror e më poshtë, apo dhe raporte kolegjiale të shtabeve, komandave dhe komiteteve të partisë së korpuseve ushtarake, që ishin edhe njësitë më të mëdha që kishte ushtria shqiptare asokohe. Nga kjo dosje, gazeta publikon nga sot dokumente të panjohura që janë prodhuar nga Komiteti i Partisë së Korpusit të Fierit, të nënshkruara nga sekretari i partisë së kësaj njësie, Andon Dollaku…
DIOKUMENTI SEKRET
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË Sekret
KOMITETI I PARTISË
REP. 65.61 Nr. 957 prot.
Fier, më 25 tetor 198
I N F O R M A C I O N
MBI DISA PROBLEME QË DOLËN NGA MBLEDHJA E ORGANIZATAVE BAZË TË PARTISË SË SHTABEVE DHE KOMITETIT TË PARTISË SË KORPUSIT GJATË DISKUTIMIT TË MATERIALIT TË BYROSË POLITIKE TË K.Q. TË PARTISË “MBI MUNGESËN E THEKSUAR TË VIGJILENCËS DHE GABIMET E RËNDA TË KADRI HAZBIUT NË KOHËN QË ISHTE MPB” DHE KONKLUZIONE TË PLENUMIT TË 5-të TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
Në zbatim të detyrave që vuri Komiteti Qendror i Partisë për punimin e materialeve të Plenumit të 5-të, u zhvillua aktivi i Partisë i Korpusit, mbledhjet e organizatave bazë të partisë së shtabeve dhe mbledhja e komitetit të Partisë së Korpusit. Komunistët u solidarizuan plotësisht me konkluzionet e Byrosë Politike dhe vendimet e Plenumit të 5 të K.Q. të Partisë për dënimin e veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut, si bashkëpunëtor i super agjentit Mehmet Shehu.
U dënua me urrejtje të thellë veprimtaria e këtyre agjentëve të imperializmit dhe revizionizmit dhe në të njëjtën kohë, të gjithë komunistët, si një trup, i vetëm shprehën dashurinë e zjarrtë për Partinë, për shokun Enver Hoxha, që me mprehtësi, principialitet dhe vigjilencë të lartë revolucionare ka mbrojtur dhe mbron Partinë, atdheun dhe popullin nga të gjithë këta komplotistë të rrezikshëm në shërbim të agjenturave të huaja.
Duke u thelluar në këto materiale, komunistët nxorën përgjegjësinë e tyre dhe kudo ndihet një frymë e lartë mobilizimi e vigjilence revolucionare, ndjenjë e lartë përgjegjësie për forcimin e gatishmërisë luftarake dhe realizimin në front të të gjitha detyrave të vitit 1982. Komunistët dhe kuadrot e ftuar sollën shembuj që vërtetojnë tradhtinë dhe punën sabotuese që ka bërë krye agjenti Mehmet Shehu e bashkëpunëtorët e tij të ngushtë: Kadri Hazbiu, Veli Llaka, Nazar Berberi, Maliq Sadushi etj.
Nga mbledhjet e organizatave bazë dolën këto probleme:
“SABOTIMI ME FORTIFIKIMET, ALFRED MOISIU DHE MENDU BACKA PERGJEGJES”
Veprimtaria e armiqve ka sabotuar dhe fushën e fortifikimit. Me urdhër të veçantë të MMP, disa rajone të batalioneve, në vijat e çelikta të mbrojtjes së qyteteve janë planëzuar dhe vendosur Qendra Zjarri jashtë kapaciteteve e nevojave, gjë që ka ndikuar në dëmtimin e rëndë të ekonomisë popullore.
Gjithashtu, me orientimin e tyre janë vendosur QZ gjatë viteve 1975-1977, taktikisht dhe teknikisht me gabime, sa më afër buzës së ujit dhe me frëngji të rrafsh me tokën, të cilat një pjesë janë përmbytur nga deti dhe të tjerat gjatë gjithë kohës rrinë të mbushura me ujë. Armiqtë kanë sabotuar, edhe duke bërë fortifikime të panevojshme, ku është i fortifikuar vetë terreni. Dhënia e urdhrit nga armiku Kadri Hazbiu, që t’i jepet përparësi për vitin 1983 vetëm punimeve fushore e në vende ku ato punime pengojnë bujqësinë, është i padrejtë.
Edhe mendimet që hodhi Kadri Hazbiu, që të bëhet 6 muaj stërvitje dhe 6 muaj punime për vitin 1983, është i gabuar, sepse ul shkallën e gatishmërisë dhe nga ana tjetër, përparësi i duhet dhënë stërvitjes së vogël. Duhet të rishikohen pozicionet fushore të tankeve, pasi zënë një sasi toke buke të madhe dhe nuk shfrytëzohen. U kritikua Instituti i Projektimit, i cili, krahas projektit, të dërgojë dhe preventivin.
Gjithashtu, projektimi i Qendrave të Zjarrit të topave pa zmbrapsje janë të pasigurta, se janë projektuar keq. Për këtë, Alfred Moisiu dhe Mendu Backa mbajnë përgjegjësi. Nuk janë parashikuar masa për hidroizolimin e objekteve dhe të disa projekteve për tunele, janë me beton pa hekur, gjoja për kursim.
Bateritë komplekse nuk ndërtohen me të gjitha elementët. Për këtë janë informuar ish-zëvendësministrat Alfred Moisiu dhe Mendu Backa dhe nuk kanë zgjidhur gjë.
“KADRIU THOSHTE TE FUTEN NE BURG 6000 VETE, S’NA BEJNE GJE”
Metoda e punës e armikut Kadri Hazbiu ishte tipike me metodën e punës së armikut Mehmet Shehu? Kështu në një rast Kadri Hazbiu, meqenëse pati vështirësi për lidhjen telefonike me Shtabin e Përgjithshëm nga Bristani në Karaburun, la 14 detyra për 1 muaj Shtabin e Korpusit. Në metodën e punës së Kadri Hazbiut, karakteristike ka qenë liberalizmi i theksuar, qëndrimet sektare, arrogante dhe prepotente.
Ai është shprehur para kuadrove të Korpusit që, “Le të futen në burg, 5000, 6000 vetë, s’na bëjnë gjë”. Në porositë dhe urdhrat e tij zinte gjithnjë vend shprehja:”Të ndiqet penalisht, të dënohet” etj.
U kritikua botimi “Mbi disa vepra penale ushtarake që parashikon Kodi Penal i RPSSH”, që është përgatitur nën drejtimin e Kadri Hazbiut, për të nxjerrë kultin e tij në Ushtri. Kadri Hazbiu hiqej si masovik dhe këtë e bënte për të rritur kultin dhe veten. Çdo individ që ankohej me gojë apo me shkrim, ai i jepte të drejtë pa e verifikuar.
Metoda e punës e armiqve Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu dhe e ish-zëvendësministrave Veli Llaka, Mendu Backa, Alfred Moisiu, Nazar Berberi ishte për të ulur figurën e komisarit politik të të gjithë hallkave. Këtë e bënin me qëllim të caktuar për të goditur punën e drejtimit kolegjial të komisarëve, të përfaqësuesve të Partisë në komandë, duke anuar nga drejtimi unik. Kjo shpjegohet edhe nga veprimi i fundit që bëri Kadri Hazbiu gjatë rikonicionit, ku thirri vetëm komandantët e njësive dhe reparteve, ndërsa komisarët e sekretarët nuk i përfilli fare, duke e justifikuar se bëhen shumë në makinë etj..
“VELI LLAKA FAVORIZONTE TE AFËRMIT DHE KUADROT NGA TEPELENA”
Ashtu si në të gjitha fushat e tjera të mbrojtjes dhe zbatimin e politikës së Partisë me kuadrin, armiku Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Veli Llaka, Nazar Berberi e Maliq Sadushi kanë sabotuar dhe i janë kundërvënë me vepra orientimeve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë “Mbi nomenklaturën e kuadrit”.
Këta armiq për të afruar njerëzit e tyre në poste drejtuese, kanë shkelur normat e vendosura nga Partia për politikën e kuadrit. Kadri Hazbiu i ka dhënë porosi komandës së Korpusit për të lëvizur ky apo ai kuadër, duke mos mbajtur parasysh kriteret e vendosura nga Partia. Po ashtu, Veli Llaka e Maliq Sadushi janë karakterizuar vazhdimisht nga trajtimi personal i politikës së kuadrit.
Veli Llaka, me mendjemadhësi me të gjitha udhëzimet e rregullat e vendosura nga Partia, ka titulluar oficer vëllanë e tij Adem Llakën dhe kushëririn e tij, Enver Behajn, duke i vendosur me punë, të parin në Degën Ushtarake në Vlorë dhe të dytin në Degën Ushtarake në Fier, ku shtoi organikën.
Disa kuadro nga Tepelena, që gëzonin simpatinë e Veli Llakës, me ndërhyrjen e tij janë tërhequr në aparatin e MMP-së dhe Akademisë Ushtarake si, Serjan Halili, Zimet Hazisi etj.. Gjithashtu, Veli Llaka ka përkrahur dhe të afërmin e tij, Luftar Osmanin. Po kështu, edhe Maliq Sadushi vazhdimisht ka dhënë porosi për trajtimin e privilegjeve të miqve të tij jashtë çdo rregulli, siç është rasti i Gjon Vajzës, i cili megjithëse kandidat Partie, është lëvizur dy herë në detyra të ndryshme. Ka ndikuar edhe në veshjen e disa nënoficerëve në kundërshtim me orientimet e dhëna.
“RRJETI AGJENTUROR I KADRI HAZBIUT NE DIVJAKE”
Për armiqtë e Partisë dhe të popullit. 1. Për Kadri Hazbiun -Donte dhe respektonte më shumë komandantët. Nëpërmjet urdhrave të ndryshme ai ka dënuar shumë ushtarë dhe oficerë të pafajshëm.
Ai me dashje ka mbuluar veprimtarinë e grupeve armiqësore, ka kultivuar uljen e vigjilencës edhe në MMP dhe nënreparte e poshtë. Ai në Pogradec është shprehur: “Mua më digjet shpirti për popullin kosovar, po për çamërit…”.
-Kadri Hazbiu ka veprimtari agjenturore në Divjakë. Ai gjuante shpesh në Divjakë. Ka pasur mik për 20 vjet peshkatarin e quajtur Mihal Bitri, djali i të cilit ishte polic dhe u bë udhëheqës i grupit diversionist.
Kadriu ka ardhur dy të shtuna rresht në Divjakë për gjueti, para se të vinte banda, duke marrë me vete edhe udhëheqës të tjerë të Partisë (Hekuran Isai, Qirjako Mihali) dhe kanë gjuajtur me Mihal Bitrin, atje ku zbarkoi banda.
-Kadri Hazbiu në bisedën me kuadrot në Fier ka thënë: “Të mos i japim njeri me vete Mehmet Shehut, kush lë mbesat e nipat e tij, është pusht”. Ai ngrinte lart fisin e Mehmet Shehut dhe thoshte: “Janë trima, është bahçe trimash. Mehmet Shehu është ferrë që doli nga një bahçe”.
-Ka injoruar rolin e komisarit në Ushtri. Disiplinën në Ushtri donte ta vendoste me dënime në masë, të cilën edhe e ka realizuar. Mbante afër ish-komandantin e Brigadës së tankeve, Petrit Mançen, që edhe ky i servirej atij (dhe Mehmet Shehut) ndaj të shikohet edhe puna e Petrit Mançes.
-Kur doli në rikonicion në Ersekë, Kadri Hazbiu mori me vete dy komandantë brigadash nga Korpusi i Fierit (Muço Besho e Luftar Osmani). Në ditët që zhvillonte rikonicion në Fier, Vlorë dhe Lushnjë, nuk morri komisarët dhe sekretarët e Partisë, sepse “bëhen shumë e bien në sy”, “harxhon shumë karburant” etj.
-Ka përkrahur e transferuar oficerë si Veliçan Golemin në Tiranë. Mburrej tek thoshte: “Urova njërin që ishte përjashtuar nga Partia”, “Urime që u përjashtove”.
-Në bisedën që bëri në Ballsh me popullin, ai u shpreh: “Mehmet Shehun e detyroi ustai të vriste veten, qofsha unë i gabuar po qe se s’është kështu”. Kjo tregon se ai ka ditur, pra, është bashkëpunëtor me të. Ai ka thënë gjithashtu: “Qofsha unë i gabuar, por ky është eshaloni i fundit që ka hedhur armiku (e kish fjalën për Mehmet Shehun).
-Kadriu është shprehur se në një stërvitje që ka drejtuar Mehmet Shehu, llogariti 50.000 të vrarë.
-Në Korpusin e Pukës dënoi në masë kuadrot. -Nuk ka pyetur për komisarët e injoronte punën e tyre.
-Ndaj sekretares së parë të Fierit, shoqes Naunka Bozo, mbajti qëndrim të keq, e quajti çilimi dhe u shpreh se Naunka duhet të dëgjonte Lefter Çiflikun e të mos bënte gjë pa të./Memorie.al
SEKRETARI I KOMITETIT TE PARTISE – REP.6561
ANDON DOLLAKU
————————
Filmime të rralla: Enver Hoxha, Kadri Azbiu, Feçor Shehu dhe çmenduria e asaj kohe.
***
SI U ARRESTUA KADRI HAZBIU
Çfarë thanë para pushkatimit: Ja procesverbalet me siglën “tepër sekret” mbi ekzekutimin e Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut
Në përfundim të seancës së 28-të, trupi gjykues i Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, kryesuar nga Aranit Çela jep vendimin për të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, Gani Kodra, Mihallaq Ziçishti, Ali Çeno dhe Xhavit Ismailaga.
Tre nga këta, përkatësisht Kadri Hazbiu, Feçor Shehu e Llambi Peçini, u dënuan me vdekje. Ndërsa të akuzuarit e tjerë me heqje lirie nga 10 deri në 25 vjet.
Në vendimin e Gjykatës theksohej se vendimi për ekzekutimin e tre të pandehurve është i formës së prerë, por ai nuk do të ekzekutohet pa vendimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Tre të dënuarit me vdekje, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu e Llambi Peçini, i bënë kërkesë Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë që t’u falte jetën.
Referuar dokumenteve zyrtare publikuar nga DITA, Presidiumi i Kuvendit Popullor, pasi merr në shqyrtim kërkesën e Kadri Hazbiut, Feçor Shehut e Llambi Peçinit, u refuzon faljen dhe lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë.
Ekzekutimi i vendimit ndaj tyre, përfshi dhe Llambi Ziçishtin, i dënuar dhe ky me vdekje nga një tjetër trup gjykues, u bë në orën 24:00 të datës 9 shtator të vitit 1983.
Në ekzekutimin e tyre me armë morën pjesë Prokurori i Përgjithshëm Rrapi Mino, zëvendësministrat e Punëve të Brendshme Zylyftar Ramizi e Agron Tafa, sekretar (oficer) Afuz Murati, mjeku Nevzat Vigani dhe oficeri Nikolla Shkurti.
****
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
Nr. 8 e 7 AKTI.
Tiranë, më 19.9.1983
VËRTETIM
Vërtetohet se:
1-Kadri Hazbiu, i dënuar me vendim nr. 8 datë 5.9.1983 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, me vdekje, është detyruar që solidarisht me të dënuarit Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno e Xhavit Ismailaga, si dhe me të dënuarit me vendim nr. 7, datë 1.9.1983 të Kolegjit penal të Gjykatës së Lartë Fiqret Shehu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti dhe Skënder Shehu, të dëmshpërblejnë shtetin me shumën 1.219.764 lekë.
2-Feçor Shehu, i dënuar me vendim nr. 8 datë 5.9.1983 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, me vdekje, është detyruar që solidarisht me të dënuarit Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga, Fiqret Shehu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti dhe Skënder Shehu, të dëmshpërblejnë shtetin me shumën 1.219.764 lekë.
3-Mihallaq Ziçishti, i dënuar me vendim nr. 8 datë 5.9.1983 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, me 25 vjet të heqjes së lirisë, është detyruar që solidarisht me të dënuarit Kadri Hazbiu, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga, Fiqret Shehu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti dhe Skënder Shehu, të dëmshpërblejnë shtetin me shumën 1.219.764 lekë.
4-Llambi Peçini, i dënuar me vendim nr. 8 datë 5.9.1983 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, me vdekje, është detyruar që solidarisht me të dënuarit Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Gani Kodra, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga, Fiqret Shehu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti dhe Skënder Shehu, të dëmshpërblejnë shtetin me shumën 1.219.764 lekë.
5-Gani Kodra, i dënuar me vendim nr. 8 datë 5.9.1983 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, me 10 vjet të heqjes së lirisë, është detyruar që solidarisht me të dënuarit Kadri Hazbiu, Llambi Peçini, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga, Fiqret Shehu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti dhe Skënder Shehu, të dëmshpërblejnë shtetin me shumën 1.219.764 lekë.
6-Ali Çeno, i dënuar me vendim nr. 8 datë 5.9.1983 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, me 10 vjet të heqjes së lirisë, është detyruar që solidarisht me të dënuarit Kadri Hazbiu, Llambi Peçini, Gani Kodra, Xhavit Ismailaga, Fiqret Shehu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti dhe Skënder Shehu, të dëmshpërblejnë shtetin me shumën 1.219.764 lekë.
7-Xhavit Ismailaga, i dënuar me vendim nr. 8 datë 5.9.1983 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, me 10 vjet të heqjes së lirisë, është detyruar që solidarisht me të dënuarit Kadri Hazbiu, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, Fiqret Shehu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti dhe Skënder Shehu, të dëmshpërblejnë shtetin me shumën 1.219.764 lekë.
Vendimi është i formës së prerë.
KRYESEKRETARI I GJYKATËS SË LARTË
Ylli Mahmuda (Firma)
*****
EKZEKUTIMI I VENDIMIT
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
TEPËR SEKRET
Ekzemplar Nr. 461
PROCESVERBAL
PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS SË LARTË, MBI DËNIMIN ME VDEKJE TË ARMIQVE KADRI HAZBIU, FEÇOR SHEHU, LLAMBI PEÇINI DHE LLAMBI ZIÇISHTI
Presidiumi i Kuvendit Popullor, me shkresën Nr. 1582/1 datë 9.9.1983, nuk ua fali jetën të dënuarve:
1-Kadri Hazbi Hazbiut
2-Feçor Refat Shehut
3-Llambi Vasil Peçinit
4-Llambi Petro Ziçishtit.
Të dënuarit, pasi u çuan në vendin e ekzekutimit, u njoftuan nga Prokurori i Përgjithshëm se Presidiumi i Kuvendit Popullor u refuzon kërkesën për falje.
Të dënuarit Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu u shprehën se janë të pafajshëm.
Kurse të dënuarit Llambi Ziçishti e Llambi Peçini nuk thanë gjë.
Pas këtij veprimi, në ora 24:00 të datës 9.9.1983 u krye ekzekutimi me pushkatim për të dënuarit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini e Llambi Ziçishti.
Në ekzekutimin e vendimit me vdekje morën pjesë Prokurori i Përgjithshëm shoku Rrapi Mino, zëvendësministrat e Punëve të Brendshme Zylyftar Ramizi dhe Agron Tafa, sekretar (oficer) Afuz Murati, mjeku Nevzat Vigani dhe oficeri Nikolla Shkurti.
Nënshkruesit, pjesëmarrës në ekzekutim:
Zylyftar Ramizi(Firma), Agron Tafa(Firma), Afuz Murati(Firma), Nevzat Vigani(Firma), Nikolla Shkurti(Firma).