Addison, IL. USA, 06. 10. 2015: Pas 1524 vjetëve, Ismal Qemali Zbuloi vendndodhjen e DODONËS, aty ku ndodhet sot në Çamëri, 12 km në Jugperëndim të Janinës, e cila ishte rrafshuar në vitin 551 të e.s. nga Totila, si zjarrishte pagane. Duke e shndërruar DODONËN, Kryeqendrën evropiane të pellazgëve, – popullit më të lashtë të kontinentit, në një nyjëz të krishterë, e fshirë përjetë të jetës nga faqja e dheut.
Unë detyrohem të shkruaj, sepse disa zotërinj, para disa kohësh, kanë filluar të shkruajnë se “Dodona e ka vendndodhjen në Berat dhe jo në Çamëri”. Shumë herë dhe si për tallje, për shaka, ose humor, shkruajnë në faqen e internetit: “Dodona e Tomorit, foto e re (292) 2 tetor 2015”. Tani të kuptohemi: Greku që në shek. VIII p.e.s. shfaqi përmbytjen e madhe për të zhdukur çdo gjë pellazge, sikur çdo gjë fillon nga zero, me grekët. Rreth kësaj shpifjeje të madhe rrotullohen të gjitha trillimet nëpër shekuj e deri sot. Dodona e fshirë nga faqja e dheut, u ngjall pas një mijë e pesëqind vjetëve. Çamërinë, përpara një dekade, greku e konsideronte “Inekzistente” duke e ligjëruar në forumet e larta botërore. Ndërkohë kur Rezoluta Çame u duhej dërguar forumeve të larta, u bllokua nga vetë drejtuesit çamë në parlament, me porosi të PS dhe PD, me urdhër të Kolonel Guvernatorit Janullatos. Ky guvernator ka krijuar shtetin grek, brenda shtetit shqiptar. Këtij i vritet veshi po të dëgjojë emrin DODONË në Çamëri, prandaj kërkon ta zhdukë, ose ta shuaj këtë emër nga Çamëria. Për të arritur këtë qëllim, ka vendosur disa kalemxhi, që Dodonën ta fluturojnë për në Malin e Tomorit, se gjoja këtu është vendndodhja e saj. Unë kam shfletuar mjaft referenca, për të vërtetuar vendndodhjen e Dodonës, jo për ata që shkruajnë me porosi të Janullatosit, por për mediat e për rikujtimin historik të saj.
Diodori i Skilisë, që prej 2100 vjetësh ka thënë: “Epirotët e kanë për gjë të madhe jo vetëm të luftojnë për atdheun e tyre, por edhe të japin jetën për të mbrojtur miqtë e tyre, farefisin…”. Të parët tanë u mbështetën mbi traditat e shëndosha të trashëguara me një bosht kompaktësie me DODONËN, e pamposhtëme.
DODONA ishte një qendër pellazge parahelene, shumë më e vjetër, se gjuha, perënditë dhe mitologjitë greke. Si e tillë, ajo u njoh në krejt botën e lashtë dhe këtë realitet objektivë e kanë pranuar vetë autoktonët më të moçëm helenë.
Homeri (shek IX p.e.s.), pasi e cilëson Zotin “Zeus i lartë pellazg i Dodonës dhe i quan pellazgët “hyjnorë”, i vë në gojë këto fjalë kryefolësit akeias të Luftës së Trojës, Akilit, kur ky i lutet Patroklit: “O Zeus, mbret dodonas e pellazg, që banon larg, që kujdesesh për Dodonën dimërkeqe, ku përreth janë Selët…”.
Karakteristikat kryesore pellazge, që e përjetësuan Dodonën, i shënon HESIODI (shek. VIII p.e.s.) me plot pasues: “Dodona dhe lisi ishin qendra e pellazgëve”, përbri HEKATEUT e TUKIDIDIT (shek V p.e.s.), EFORI (shek. IV p.e.s.) saktëson: “Faltoria ka qënë ndërtim pellazg që në krye të herës”. PSEUDO – SKIMNI (shek. 1 p.e.s.) “Aty është Dodona, faltore e Zeusit, e themeluar prej pellazgëve”. Një skolast i HOMERIT vulos po ashtu, se orakulli i Dodonës qe krijuar prej pellazgëvë”.
Duke rimëkëmbur traditën e pararendësve, STRABONI, pasi viziton vetë Dodonën zgjatet më fort: “…Theopompi thotë, se fiset e Epirit janë 14, më të dëgjuar nga këta janë Kaonët, Mollosët dhe Thesprotët … të cilët morën fuqi më të madhe, për shkak se në vendin e tyre është faltorja e Dodonës, e vjetër dhe e dëgjuar…”. Po ai: “… edhe Zeusi u quajt prej Kinesë: pellazg”.
Katër shekuj para STRABONIT, një tjetër vizitor i Dodonës, HERODOTI, pat shkruar: Pellazgët kishin zakon t’u flijonin perëndive çdo gjë, këtë e mësova në Dodonë”. Po ai: “… më pas helenët i morën këto emra (të perëndive) nga pellazgët…” Po ai: “Pellazgët kanë pasur gjuhë barbare…”. Po ai: (Ndërsa fetë për pellazgët): “… Këta janë që u krijuan helenëve teogoninë dhe që u dhanë perëndive emrat e tyre, që u mësuan ndërtime dhe mjeshtëri dhe që treguan fytyrën e tyre. Po të huazojë Asimoti krejt sistemin e perëndive, mitologjitë, mjeshtëritë (ndërtimin e banesave, fortifikimeve, përpunimin e metaleve etj.) do të thotë të përvetësojë krejt kulturën bashkëkohore.
Pra, mund të thuhet me plot gojën, se qytetërimi Helen, lindi dhe u zhvillua nën hijen dhe mbi bazën e qytetërimit të lashtë pellazg. Pa këtë mbeshtetje, ai nuk do të mund të kishte lindur në ato trajta që e njohim… Vetë helenët e lashtë e njihnin dhe e pranonin pa ngurim këtë të vërtetë historike, krejt ndryshe nga grekët e më pasëm, të cilët bënë dhe vazhdojnë të bëjnë edhe sot e kësaj dite manipulime. Janullatosi nuk mundet ta varrosi Dodonën, por me simpatizanët e tij, e heq nga vendi i saj në ÇAMËRI dhe e shpërngul në malin e Tomorrit në Berat. Jo më larg, por më 2 tetor 2015, shkruan në internet: Xhemajli … Frashëri, Elioti dhe Tahiri “Dodona e Tomorrit”. Foto e re (292). Lexuesi e kupton vetë pa koment.
STRABONI shton: Dodona, pra, në kohët më të vjetra ishte nën sundimin e thesprotëve, ashtu edhe mali Tomar ose Tmar (se të dy emrat përdoren), nën të cilin ndodhet faltorja, edhe Pindari e quan Dodonën thesprote. (Dh. Pilika “PELLAZGËT”, bot. 2005, f. 153-156).
Më 21 maj 1878 një nga zëdhënësit më të tërbuar të shovinizmit grek, në gazetën “Neollogos” (Stamboll), shpalli se në Epir “u ngritën teatrot më të lashta e më të mëdha greke”. Kjo sokëllimë gjëmëkote, trillime helenocentriste, na bëri të kujtohemi se me të vërtetë në tokat Mollose, Thesprote, Kaone, pinjollët e pellazgëve kishin ndërtuar si në DODONË – ku krahas një stadium hipodrom, kishte një teatër gjigant, prej mbi 20.000 vendesh me 55 radhë shkallësh, me “cavea” vigane (diametër135 m), – më i madh se i Dionizit në Athinë, prej rreth 17.000 vendesh, dhe se ai i Epidaurit me reth 14.000 vende. Aty zhvilloheshin edhe shfaqje muzikore, sportive, festat “Naia” çdo 4 vjet. (f. 346). Dokumenti i lashtë mendohet të jetë i vitit 180 p.e.s. Në Dodonë, kryeqendra politike, ekonomike, kulturore dhe spirituale e shtetit të Epirit, dekrete të këtilla pleqësoheshin te selia e kuvendit (43.6 m.) apo te selia e Plakonisë (e pleqëve, pra e të diturve, e të urtëve) e cila kishte përmasat 17.3 m. x 10.7 m. Të dyja gjendeshin puq me teatrin madhështor, ku, në raste të parashikuara ligjërisht, merrej pëlqimi i mbarë popullit. Këto institucione përdoreshin për tërë mbledhjet zyrtare gjithë – epirote, dhe ngriheshin krahas hierores së Zojzit (Zeusit), të paprekshme, ku ruhej arkivi shtetëror. Vini re faktin shumë domethënës që dekretimi i shtetësisë vendosej jo nga krerët, por nga vetë Kuvendi Epirot, si përfaqësues i drejtëpërdrejtë i popullit. Organizimi i qeverisjes sipas një legjislacioni, shkallën e përparuar të të cilit do ta kishim zili edhe sot. (f. 362-363).
Edhe më shumë fakte për vendndodhjen e DODONËS. A. KOLA shkruan: “…me anë të Akilit “Dodon pellazge”, si dhe lutjen e Akilit te perëndia Dodon si lutje ndaj Zotit më të madh stërgjyshor”. (“Arvanitët”, bot. 2002, f. 37).
E. JACQUES citon: “Dodona u themelua nga pellazgët, për të cilët thuhet se ishin populli më i vjetër, që ishte Sovran në Greqi”. (“Shqiptarët” bot. 1995, f. 57).
Pikërisht nga Argosi i lëshoi Agamemnoni një mijë anijet e tij dhe po prej andej biri i tij, ORESTI, u nis të këshillohej me orakullin pellazg të Dodonës”. (Po aty f. 61).
HERODOTI pohon se vendi i kultit, apo vendi i shenjtë parahelen, më i lashtë dhe i vetmi i njohur, ishte ai i pellazgëve në Dodonë. Kjo është vërtetuar nga HOMERI (lIiada XVI, 234), i cili e trajton Zeusin, jo vetëm si pellazg për nga origjina, por ai e cilëson për më tepër “Dodonas”. (M. Aref “Mikena….” , bot. 2008, f. 67).
M. Arefi shkruan: Legjenda e Deukalionit u krijua për të fshirë plotësisht të kaluarën pellazge, një përmbytje që fshin gjithchka, në mënyrë që të fillohet nga zero. Kështu si me magji, dolën në dritë Heleni i Deukalionit dhe i Pirhas: Helen. Eponim i stërgjyshit të grekëve.
De Zhubainvil e thotë me forcë: “Ndërfutja e një përmbytjeje në fund të historisë pellazge, është pasojë e natyrshme e pushtimit të Greqisë nga raca helene, historia e së cilës fillon me përmbytjen e Deukalionit”. (“Shqipëria”, f. 22). Në shek. e VIII grekët pushtuan vendin e banuar nga popullsitë e trungut pellazgë. Me këtë legjendë “fshinë të kaluarën” Kështu që grekët u bënë popull autokton. Fillesat e historisë greke vijnë përqark kësaj legjende të shpifur.
Sot dhe para 25 vjetëve, Shqipërinë e mbulon ombrella greke me kolonelin Janullatosin, të cilin e mbajnë për helenizim, dy “furka” të lëna nga tradhtari Ramiz Alia, dy partitë kryesore PS dhe PD, të cilat janë lidhur me dy partitë greke, e para me “PASOK-un” dhe e dyta me “Ta Nea demokracia”.
Për inferioritetin e qeverisë shqiptare dhe i A. SH. ministri i jashtëm grek, Venizellosi flet si kaposh nga karrigia e zyrës së kryeministrit tonë: “Dëgjoni, ju shqiptarë!… kujdes, mos bëni naze për plotësimin e kërkesave të Athinës, siç janë, kufiri detar, mohimi i çështjes çame, mosprekja e çështjes së ligjit të luftës, ngritja e varrezave të reja, përvetësimi i pushtimit të kishës ortodokse. …” (Eshref Ymeri marrë nga inteneti 24-10-2013).
Nga Sokol Kondi lexojmë: “Janullatosi bën mirë të heqë dorë nga qëllimet ekspansioniste dhe ultranacionaliste me sfond vorio-epirot, në se ka ndërmend që të shpallet “non-grata” dhe t’i jepet ultimatum, të largohet brenda 24 orësh nga vendi, sikurse bëri kryeministri i madh, patriot i shqiptarëve Pandeli Evangjeli (ortodoks!) në vitin 1920 me një biçim Janullatos të asaj kohe, që donte t’i bindte me zor korçarët se ishin grekë”. (Citohet sipas gazetës “Mapo” 25-8-2015.”
Zotërinj, mos u merrni më me të shenjtën Dodonën se do t’u mallkojë për jetë e mot!
Rasim Bebo, Addison, IL. USA, shtator 2015