SALIH MEHMETI: QYTETËRIMI PELLAZG NË AZINË QENDRORE

(Prishtinë, 07. 12. 2012) – Lugina e Hunzës ku jetojnë hunzakët/burushët (Pakistani Verior), lugina Kalasha ku jeton fisi kalasha (Nuristan/Afganistan – Çitral/Pakistan), rrafshnalta e Pamirit (Taxhikistan) janë disa “ujdhesa” të të bardhëve që vazhdojnë ta ruajnë edhe sot e kësaj dite në ndërdijen e tyre se janë pasardhës të ushtarëve të Lekës së Madh. Studiuesi i zellshëm britanik Wadham Peacock në librin e tij të shkëlqyer ‘Albania: the Foundling State of Europe” (London 1914) shkruan:. “Njerëzit që mësyen në Babiloni, Persi dhe Indi ishin stërgjyshërit e shqiptarëve” (the men who marched to Babylon, Persia, and India were the ancestors of the Albanians)
Hunza, Kalasha dhe Pamiri – Zgjidhja e një enigme
Vargmalet e pathyeshme të Hindukushit (Afganistani Verior), Pamirit (Taxhikistan) dhe Karakorumit (Pakistani Verior/Himalaje) krahas krenarisë së tyre si malet më të larta në botë, po nxjerrin në dritë qytetërime të pazakonta e befasuese për këto vise të harruara. Është fjala për disa bashkësi popullsish të racës së bardhë, me gjuhë, zakone dhe kulturë të pavarur nga popullsitë e tjera përqark tyre. Këto “Atlantida” të njëmendta po bëhen gjithnjë e më shumë një temë e ethshme, tërheqëse dhe tunduese. Çështja bëhet edhe më e mbrehtë kur kihet parasysh fakti se këto “qytetërime të fosilizuara” e të përveçme nga pjesa tjetër e njerëzimit i kanë qëndruar kryeneçësisht furtunave shekullore në këtë rajon të përplasjes me qytetërimet aziatike: mongole, islame, budiste e hinduse. Interesimi për këto popullsi të bardha europiane në këto vise të humbura shfaqet që nga shekulli XIX prej dijetarëve e udhëpërshkruesve britanikë në Azi. Tek ata qe krijuar një bindje e përgjithshme se ekzistonin mbetje legjendare të ushtrisë të Lekës së Madh të ngulitura thellë në malësitë aziatike. Një ide të tillë e përcillte edhe romani “Njeriu që don të bëhet mbret” (1888) i autorit Joseph Rudyard Kipling (1865-1936); ky libër u kalua edhe në film artistik më 1975.

Leka i Madh (356-323 p.l.K)

……………………………….

Hunza, Kalasha and Pamiri with Albanian roots

Ndërkaq, romani tjetër me nam “Horizonte të humbura” (1933) të James Hilton (1900-1954) përshkruan me imtësi jetën e këtyre popullsive epike. Dokumentim interesant në këtë aspekt ka lënë edhe danezi Ole Olufsen në librin e tij etnografik: ‘Përgjatë Pamirit të panjohur; ekspedita e dytë daneze 1898-99’ ku thuhet se: ‘Leka i Madh njihet nga të gjithë popujt e Azisë Qendrore si Iskandar, dhe sundimtarë të ndryshëm të luginave të Pamirit e konsiderojnë vetën si pasardhës të Iskandarit’. Më vonë gjatë shekullit XX, interesimi për këto popullsi të panjohura u shtua edhe më dhe si rrjedhojë do të bëheshin dhjetëra ekspedita etnografike e dokumentime të tjera të vyeshme. Televizioni Kombëtar i Japonisë në reportazhin epik pesëvjeçar (vitet e 80’ta) mbi Rrugën e Mendafshtë e ka pohuar shumë çështjen e këtyre popullsive të bardha. Pohimi i një qytetërimi të shkëputur në kohë e hapësirë, ndër të tjerash qe një thikë me dy presa, sepse menjëherë megafonët grekë nxituan të trumbetonin madhështinë e “qytetërimit helen” në botë! Kjo falsifikatë e vjetër me stil të ri krijoi keqpërkufizime të shumta mbi këto popullsi duke iu mveshur a priori një ‘origjinë greke’ dhe fashiti një të vërtetë tjetër që do të zbardhet sadopak në vijim të këtij studimi.
Prapavija historike
“Pas vdekjes s’Aleksandrit, maqedonasit bënë disa mbretëri n’Asi…” – Sami Frashëri.
Iliro-maqedoni i pavdekshëm Leka i Madh (356-323 p.l.K) pushtoi pjesën më të madhe të botës që njihej në lashtësi. Perandoria e Lekës së Madh shtrihej që nga ujërat e Adriatikut e Jonit në perëndim e gjër në kreshtat e larta të Himalajeve në lindje, të cilat janë gjëra të mirënjohura për shkencën e historisë. Robert D’Angely në veprën e tij ‘Enigma’ vë në pah faktin se dymijë vjet para Lekës së Madh ka ekzistuar një dyndje e të bardhëve prej Europës Juglindore drejt Lindjes. Ekspedita e Lekës, vë në dukje Robert D’Angely, ishte veçse një përsëdytje e së parës ekspeditë pellazge. Aristidh Kola nxjerr të vërteta edhe më të mbrehta. Dardanët kanë bërë shtegëtime-ngulime të shumta drejt Lindjes ku kanë përhapur kulturën dhe qytetërimin e tyre, madje gjër në Tibet e Indi, ku edhe sot e tutje në brigjet e lumit Ind ekziston një trevë që quhet Dardanistan, popullsia e të cilëve është e dhënë pas zejes së metalurgjisë, ngjashëm si profesioni i dardanëve të lashtë. Madje, thuhet se kur Leka i Madh arriti në Indi, priftërinjtë e atyshëm i rrëfyen për fushata të mëparshme të bashkëatdhetarëve të tij në atë vend.
Ndërkaq, nga rrëfenjat e lashta janë të njohura shtegëtimet epike të Dionisit dhe Herkulit drejt lindjes. Pra, përforcohet një nga ligjet e mirënjohura shoqërore të shtegëtimeve të mëdha të popullsive ‘nga i njohuri te i njohuri’, ku popullsia shtegëtuese paraprakisht ka të dhëna mbi popullsitë ku mund të zhvendoset. Një udhëtar i vetëm mund të shkojë drejt së panjohurës, drejt një vendi të panjohur, porse një popullsi shkon drejt së njohurës, drejt një vendi me popullsi të njohur. Duket, se ekspedita epike e Lekës së Madh ishte veçse përvijim i ekspeditave të mëparshme pellazge në ato vende. Robert D’Angely madje shpërfaq një fakt tjetër interesant: ushtarët e Lekës u hakërryen pamasë nga udhëheqësi i tyre kur ky i fundit u kërkonte të vazhdonin edhe më tej brenda Indisë dhe ata thoshin se nuk donin të shkonin më larg së stërgjyshërit e tyre.
Ngulimet e ushtrisë së Lekës së Madh në viset e pushtuara aziatike janë kyçi i zgjidhjes së enigmës së popullsive të bardha të Azi. Sipas jetëshkruesit të Lekës së Madh, Arianit, pjesa më e madhe e ushtrisë se Lekës përbëhej nga ushtarë me zanafillë iliro-thrake (ilirë, thrakë, maqedonas, peonë, agrianë, etj.) si ‘popujt më të fortë dhe më luftarakë të Europës kundrejt racave më të dobëta dhe më pak burrërore të Azisë’. Sipas studiuesit Eduin Zhak, Leka i Madh para se të nisej në fushatat e Lindjes kishte kërkuar nga qytet-shtetet greke 7000 ushtarë, por faktikisht siguroi shumë më pak. Madje, një studiues shqiptar (Qafëzezi, 1929) pohon se në ushtrinë e Lekës ishin vetëm 600 grekër. Duket se Leka i Madh s’u zinte besë grekërve, prandaj ai mbështetej më shumë te maqedonasit, epirotasit, ilirët e thrakasit. Më tej gjithnjë sipas Eduin Zhakut, në vitin 331 p.e.s. pakënaqësitë e grekërve ndaj Lidhjes së Korintit rrjedhuan në kryengritje e cila kërkonte ndërhyrjen e maqedonasve për ta shtypur këtë kryengritje. Prandaj Leka i liroi nga ushtria e tij të gjithë aleatët e vegjël grekë dhe vitet që pasuan vazhdoi pa ndihmën e tyre. Ky fakt është mëse i mjaftueshëm (në mesin e shumë të tjerëve) për ta hudhur poshtë pretendimin e pabazë se gjoja pasardhësit e Lekës në Azi janë grekër! Prandaj me arsye të thjeshtë çelësi i hapjes së enigmës të pasardhësve të Lekës në Azi kërkohet pikërisht te pasardhësit e Lekës dhe ushtrisë së tij në Europën Juglindore, saktësisht te populli shqiptar. ‘Përgjigjja gjendet në përbërjen e ushtrisë së Aleksandrit të Madh, d.m.th në popullin që jo vetëm pushtoi Azinë, por edhe u vendos në vendet e pushtuara si klasë udhëheqëse. Dhe ky popull ishin maqedonasit dhe ilirët, d.m.th populli i vendit që kishte për burim popullin pellazgjik…’ shkruan Aristidh Kola në librin e tij ‘Gjuha e Perëndive’ (Plejad 2003, fq.73).

Harta e shtrijes së pushtetit të Lekës së Madhë – në Azinë qendrore.

…………………………………………

Fushatat luftarake të Lekës së Madh në malësitë e Baktrienisë (Afganistani i sotëm) dhe Sogdianës (330-327 p.e.s) fatmirësisht janë të dokumentuara. Pushtimi i këtyre krahinave të pabindura e dërrmoi rëndë ushtrinë e Lekës. Ndërsa, marshimi kundër Indisë së madhe për pak sa nuk e ndjelli një rrebelim-dezertim shkatërrimtar në ushtrinë e Lekës, e cila ishte e lodhur dhe e velur nga pushtimet e tepërta. Vlen të nënvizohet fakti se në Baktrieni Leka kishte lënë prapa 10 mijë këmbësorë dhe 3500 kalorës me gjithë garnizionet në fortifikatat e ndryshme në pika kyçe rrugore e malore. Ndërprerja e mësymjes kundër Indisë dhe kthimi i detyruar prej ushtarëve, Lekën ambicioz e vuri përballë një sprove të vështirë. Leka i Madh hamendësonte me të drejtë se kthimi i ushtrisë së tij në atdhe mund të shkaktonte humbjen e të gjitha tokave të fituara me gjak, veçmas në krahinat e Baktrienisë dhe Sogdianës. Leka i Madh zgjuarisht shtroi një plan largpamës dhe gjenial: përse të mos martoheshin oficerët e tij të lartë maqedonas me gra perse, në mënyrë që të krijohej një brez fisnikërie prej gjaku maqedono – pers? Vetë, Leka u martua me dy gra: me Statirën, vajza e madhe e Darit dhe me Parisatisin, vajzën e vogël të Antarkserksit III. Më parë për të paqësuar Baktrieninë, Leka qe martuar me Roksanën, bijën e një prijësi baktrien.
Arthur Uaigall (1880-1934), historian i Lekës së Madh thotë se me këto veprime Leka mëtonte që në zemrën e Perandorisë Perse të krijonte një aristokraci të re si hallkë lidhjeje mes Lindjes dhe Perëndimit. Në gjysmën e parë të viti 324 p.e.s. në pallatin mbretëror të Suzës u bë zyrtarizimi i martesave aristokrate të 90 çifteve, domethënë oficerëve më të lartë të ushtrisë së Lekës me gra aristokrate perse. Ndërkohë, u kërkuan edhe 10000 vajza perse me origjinë të thjeshtë që duhej të lidhnin kurorë me oficerë të gradave të ulta dhe ushtarë të thjeshtë. Arthur Uaigall vijon më tej në librin e tij (1933): “Bota duhej të pushtohej dhe njerëzimi duhej t’i qëndronte besnik atij dhe dinastisë së tij. Vendosja e marrëdhënieve të krushqisë në mes elementëve me ndikim politik te popujt, duhej t’i shërbente arritjes së këtij synimi. (…) Nga kujdesi për sigurinë e frontit lindor kundër kryengritjeve i interesonte që jo vetëm ushtria, me sa të ishte e mundur, të linte pas vetës një numër të mirë fëmijësh të lindur brenda martesës, të cilët do të rriteshin në shtresat e larta dhe të mesme të shoqërisë, por që edhe ndër viset e pushtuara të ruanin një kujtim miqësor për maqedonasit që të mos kishte as hidhërim, as armiqësi” (Aleksandri i Madh, fq.359-360, Shtëpia botuese ‘Bargjini’, Tiranë 2002). Ndërkaq, Aref Mati në librin “Shqipëria-Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen” shkruan: “Të gjithë ushtarët e kësaj ekspedite nuk u kthyen në vendlindjen e tyre: ata krijuan trungun e tyre dhe përhapen kulturën dhe gjuhën e tyre nëpër të gjithë Lindjen, prej Azisë së Vogël deri në Himalaja (mal maja) duke kaluar nëpër Persi, Baktrianë, Afganistan dhe luginën e Indusit”. (Plejad 2007; fq.279)
Mbretëri të veçuara pas shpërbërjes së Perandorisë jetëshkurtër të Lekës kanë ekzistuar të pavarura për thuajse tre shekuj pas vdekjes së Lekës deri te mbreti Hermes II (55 ose 35 p.e.s.). Lugina e Hunzës ku jetojnë hunzakët/burushët (Pakistani Verior), lugina Kalasha ku jeton fisi kalasha (Nuristan/Afganistan – Çitral/Pakistan), rrafshnalta e Pamirit (Taxhikistan) janë disa “ujdhesa” të të bardhëve që vazhdojnë ta ruajnë edhe sot e kësaj dite në ndërdijen e tyre se janë pasardhës të ushtarëve të Lekës së Madh. Këto popullsi të përveçme nuk janë gjë tjetër veçse copëza të thyera të xhamit të Perandorisë që krijoi kryepellazgu gjenial – Leka i Madh. Rrjedhimisht, përforcohet thënia se këto popullsi janë pasardhëse të ushtrisë së Lekës duke pasur si bazë historike: martesat e shumta maqedono-perse në Suzë më 324 p.e.s. Ky është shpjegimi i përgjithshëm historik i etnogjenezës së tyre, duke i shtuar kësaj edhe faktin që Leka i Madh la prapa vetës shumë garnizione në qytetet që mbanin emrin e tij. Popullsi nga Europa Juglindore i vinin pas ushtrisë së Lekës dhe mbushnin qytetet që krijoheshin. Prandaj popullsitë e bardha në Azinë qendrore mund të jenë pikërisht edhe rrjedhojë e atyre garnizioneve dhe qytetarëve që ruanin e mbushnin qytetet me emrin e Lekës. Këtu gjen vend më shumë se kudo tjetër thënia kuptimplotë e studiuesit të zellshëm britanik Wadham Peacock në librin e tij të shkëlqyer ‘Albania: the Foundling State of Europe” (London 1914) shkruan:. “Njerëzit që mësyen në Babiloni, Persi dhe Indi ishin stërgjyshërit e shqiptarëve” (the men who marched to Babylon, Persia, and India were the ancestors of the Albanians)
Hunza, hunzakët dhe gjuha burush
Artikulli i parë që ndriçoi lidhjet befasuese shqiptare me kombësinë e Hunzës gjendet në librin e Aristidh Kolës ‘Gjuha e Perëndive’ ku shkurtimisht pahëtohen lidhjet e tyre pellazge. Por ku është Hunza, kush janë hunzakët, cila është veçantia e tyre?
Hunza është krahina më në veri të Pakistanit. Është fjala për një luginë-pllajë të gjërë rrethuar nga malet shkëmbore të Karakorumit (vazhdimësi e Himalajeve). Lugina e Hunzës zë një sipërfaqe tokësore prej 10.101 km katrorë, afërsisht sa Kosova e sotme. Kjo luginë magjepsëse e mbyllur midis malesh me dëborë të përjetshme, për një kohë të gjatë ka qenë e shkëputur prej pjesës tjetër të njerëzimit. Hunza ‘theu’ izolimin e saj më 1978 kur u ndërtua rruga më e lartë në botë që lidhte Kinën me Pakistanin duke krijuar një epokë të re mbarsur me sprova për Hunzën. Kryeqendra e Hunzës është qyteza e Baltitit. Lugina e Hunzës është hëpërhë vendi më i vizituar nga turistët e huaj në mbarë Pakistanin. Nuk ka dyshim se Hunza është arketipi i ‘Shangri-la’, vendit legjendar në romanin “Horizonte të humbura” të James Hilton’it. Një gjë pranohet nga të gjithë: njerëzit e Hunzës janë populli më mikëpritës në këto vise. Për qindra vjet me rradhë Hunza ka gjalluar si mbretëri e vetëqeverisur në krye me një prijës që vendasit e thërrasin ‘Mir’.
Pavarësinë e vet malësore Hunza e humbi pas luftrave të gjata kundër Perandorisë Britanike me 1892, sundim i cili zgjati deri me 1949. Kurse, zyrtarisht si pjesë e Pakistanit u bë me 1974 në sajë të një marrveshjeje të Kombeve të Bashkuara. E ngulitur midis malesh të larta Hunza dhe hunzakët janë legjenda e jetegjatësisë dhe shëndetit njerëzor. Revista zulmëmadhe ‘National Geographic’ në vitet e 70’ta e ka përzgjedhur Hunzën si mbretërinë e njerëzve më jetëgjatë dhe më të shëndetshëm në botë. Në Hunzë kanë shkelur njerëz me ndikim në botë siç janë: mbretëresha Elizabet, Çu En Laj, Frank Shor, Louell Tomas i Riu, etj. dhe ka shfaqur interes ish-presidenti amerikan Ronald Regan. Shumica e banorëve të luginës merren me bujqësi, blegtori dhe pak më rrallë edhe me turizëm. Lugina e Hunzës ka namin e rritjes së kajsive të shijshme për çka njihet edhe si ‘lugina e kajsive’ ku rriten mëse 33 lloje kajsish.

Harta e Pakistanit. Vendndodhja e Hunzës paraqitet me ngjyrë të kuqe ne pjesën më veriore të Pakistanit.

……………………………………………………..

Popullsia e Hunzës
Banorët e Hunzës njihen si hunzakë dhe shquhen nga popullsitë e tjera të Pakistanit. Si në planin antropologjik, antropometrik, etnologjik dhe përgjithësisht si kombësi e pavarur, hunzakët dallojnë nga popullsitë e tjera përqark. Në gojëdhënat e përcjella brez pas brezi, hunzakët ruajnë kujtimin për ushtarë të humbur të Lekës së Madh që u vendosen në këto male. Këta ushtarë të humbur mendohet se janë vendosur në Hunzë rreth vitit 300 p.e.s., nja 23 vjet pas vdekjes së Lekës. Çdo përshkrim antropologjik ka prodhuar të njëjtin pohim: ata janë të bardhë me mollëza të mërdhezura, kanë përgjithsisht sy të kaltër, flokë të kuq ose të gështenjtë dhe trup të gjatë. Edhe përkah mënyra e organizimit të jetës dhe shoqërisë dallojnë plotësisht prej popullsive të tjera. Hunzakët nuk bëjnë martesa me kombësitë e tjera, përveç luginës së Nagarit e cila popullohet nga po këta hunzakë.

Banore e Hunzës.

………………………………………………

Hunza – Kalash People have Albanian Roots …

……………………………………

Hunza Valley

………………………………………..

Hunza Classical Tune (Hreep)

Në dyert e shtëpive skalisin dy brirë dhie në shenjë kujtimi për Lekën e Madh, i cili në përkrenare kish pasur një simbol të tillë (sikur më pas edhe Pirro i Epirit dhe më vonë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu). Dëshmia përfundimtare që provon se hunzakët janë pasardhës të Lekës së Madh është fshati (dikur qytet që e ndërtoi Leka/Aleksandri dhe mban emrin e tij) i quajtur Sikanderabad. ‘Sikander’ ose ‘Iskander’ është veçse shndërrim lindor i emrit ‘Aleksandër’ kurse prapashtesa ‘bad’ më shumë është ndikim i gjuhës ardu (p.sh. Islamabad). Një provë tjetër interesante është edhe gatimi i një lloj buke që e bëjnë sot hunzakët dhe mjafton të hash ca kafshata nga kjo bukë dhe do të shuash urinë për orë të tëra. Mendohet se kjo bukë përdorej gjërësisht nga ushtarët e Lekës së Madh gjatë fushatave të lodhshme në Azinë e egër.
Gjuha
Gjuha që flitet në pjesën më të madhe të trevës së Hunzës është gjuha ‘burushaski’. Madje, kjo gjuhë ka dhënë emërtimin e veçantë “burush”për njerëzit që e flasin këtë gjuhë, meqë në Hunzë jetojnë edhe ca grupime të pakta që flasin gjuhë të tjera. Gjuha burush vetëm në Hunzë ka 50 mijë folës, në Gilgit 27 mijë, në Karaçi 12 mijë dhe Islamabad e gjetkë 2000; pra gjithsejt 91 mijë folës të gjuhës burushe. Kjo gjuhë kuptohet gjithandej Hunzës, përfshirë edhe popullsitë e tjera. Dik Grun, një gjuhëtar holandez që ka studiuar gjuhën burushe, ka arritur në përfundim se burushaski dallon prej gjuhëve induse të Pakistanit, gjuhëve tibetiane të Kinës dhe atyre të Kashmirit Verior. Ruhlen, një gjuhëtar tjetër vëren se “zanafilla e saj mbetet krejt e panjohur”. Nga të gjithë gjuhëtarët bashkohorë pranohet se gjuha burush është gjuhë e izoluar, e pacënuar nga ndikimi i gjuhëve tjera, edhe pse nuk përjashtohet ndërhyrja nga gjuhët e tjera fqinje po të merret parasysh harku kohor prej kur janë vendosur hunzakët në këto vise. Gjuha e burushëve nuk shkruhet akoma dhe ky fakt i pakëndshëm ka ngjallur edhe pretendime për ta keqpërdorur këtë gjuhë. Një përçapje e tillë u bë pikërisht nga një profesor sllavo-maqedonas i quajtur Ilija Gjasula i cili ka botuar një fjalor ‘krahasimtar’ mes gjuhës burushe dhe asaj sllavo-maqedone për gjoja ngjashmëritë kuptimore mes këtyre dy gjuhëve! Në fakt sllavishtja që flitet në Maqedoni është një gjuhë plotësisht e kundërt me gjuhën burushe, prandaj çdo krahasim është i pavend.
Rilindasit tanë kishin të drejtë kur shkrinin tërë mundin në drejtim të shkrimit të gjuhës shqipe, sepse mos-shkrimi i saj do të pasonte me zhdukjen e saj. Ndaj, e njejta ligjësi vlen edhe për burushën dhe kodifikimi i saj si gjuhë e shkruar do të jetë shpëtimi i saj.
Ngjashmëritë mes gjuhës shqipe dhe burushe
Finley në ‘Historia e Revolucionit grek’ faqe 41 thotë se duke u bazuar në përfundimet e arkeologëve ‘Aleksandrit të Madh në darkërat e tij me oficerët maqedonas, i duhej të fliste një dialekt të vjetër shqiptar’. Ndaj, është arësye e thjeshtë që ndryshe nga gjuhët e tjera, shqipja ka ngjashmëri bindëse me të folmen e Hunzës. Në rend të parë, ngjashmëritë përforcohen nga elementi gjuhësor i Hunzës. Emërtimi i përgjithshëm i Hunzës ka një kuptim bindës në shqip sepse ‘Hunzë’ do të thotë hundë e vogël/hundëz. Sipas Aristidh Kolës, lugina mbyllet me një thellësi fushore në trajtë hunde. Një vend tjetër moçalor-baltor quhet ‘Balta’, madje edhe vetë kryeqendra e Hunzës quhet Baltit. Vetë gjuha burush lidhet me fjalën shqipe ‘burrë/mashkull’ që ka një sfond edhe më të sigurt shkencor. Thamë edhe më sipër, se ushtarët e Lekës së Madh janë martuar me gra vendase që flisnin gjuhë tjera, ndaj gjuha iliro-maqedonase qe gjuhë veç e burrave, pra gjuhë burrash – burush. Burrat hunzakë veshin një kostum të quajtur ‘Shallvare’ (nga shqipja: shallë e varur), ndërsa gratë veshin një bluzë të quajtur ‘Kamishë’ (shqip: këmishë). Sipas një artikulli nga Saimir Lolja në leksikun gjuhësor të hunzakëve përdoren edhe fjalë të tilla si: ‘bubullima’, ‘çila’, ‘kurban’, ‘beson’, ‘hunda’, ‘ballkon’, ‘kullse’, foljet ‘kam’, ‘baj’, ‘dua’ në zgjedhimet e tyre, etj. Mali më i lartë në Hunzë është Rakaposhi që mund të dëshifrohet bindshëm përmes shqipes si: ‘Ra kah poshtë’ që i i përgjigjet natyrës së këtij mali ku shkëputen copëza të mëdha akulli e orteqe bore. Një mal tjetër më në veri të Hunzës quhet ‘Bubullimating’(6000m lartësi) që gjasshmërisht mund të lidhet me etimonin onomatop të shqipes ‘bubullim’.

……………………………………..

Burushaski Song

Por, ngjashmëritë nuk sosen këtu. Edhe një pjesë e mirë e traditave të hunzakëve i përngjasojnë atyre të shqiptarëve. Vallja më e njohur e hunzakëve është vallja e shpatave që luhet sall nga burrat shoqëruar nga daullet dhe fyejt. Sipas mendimit të një etnologu, vallja në formë rrethi nuk është edhe aq karakteristike për Azinë, gjë që padyshim shpreh një kënd tjetër të prejardhjes së hunzakëve nga Europa Juglindore. Festa më e rëndësishme është Viti i Ri diellor me 21 Mars që njihet si kremtja ‘Na Urosh’ që rrjedh nga folja shqipe ‘uroj’ në mënyrën dëshirore. Drejtuesi i Hunzës quhet ‘Mir’ që afron me fjalën shqipe ‘I mirë’ pra njeri i mirë dhe i drejtë/pleqnar. Gjithashtu është shumë me vend të përmendet se në Hunzë rritet një lloj qeni i cili për nga pamja e jashtme është i ngjashëm me qenin endemik të Sharrit ose pastorin ilir. Nga tërë kjo që përshkruam nxirret një porosi e qartë: Shteti shqiptar dhe Akademia e Shkencave duhet që sa më parë të mundësojnë një ekspeditë gjuhëtarësh, antropologësh e etnologësh që të qëmtojë kombësinë ‘burushe’ dhe veçmas gjuhën e doket e tyre. 
Kjo do të ishte një mbrojtje e së vërtetës nga vërshimi keqinformues i propagandës sllavomaqedonase të cilët rropatën që hunzakët t’i manipulojnë duke i bërë me detyrim ‘kushërinj’ me sllavomaqedonasit. Madje, për çudinë më të madhe, në Korrik 2008 biznismenët sllavomaqedon mundësuan ardhjen e një delegacioni hunzakësh në Maqedoni. Është interesant për t’u vënë në dukje ku qëndron hilja dhe hipokrizia sllavomaqedonase. Ata i dërguan hunzakët në vendet arkeologjike të Maqedonisë Perëndimore që në fakt janë vend-ndodhje historike shqiptare. Duke i përdorur si karta të tyre trashëgiminë tonë historike, sllavomaqedonasit gjakonin që t’i bindnin hunzakët se janë të ‘afërt’ me ta, duke ua fshehur faktin se dikush tjetër është pronar i asaj trashëgimie historike të cilën ua paraqitën hunzakëve. Madje, sllavomaqedonasit bëjnë plane edhe më afatgjata. Instituti i Maqedonisë paralajmëroi se në Pakistan do ta ndërtojë një qendër ‘kulturore’ sllavomaqedonase.
Kalashët
Kalashët (Kalasha) janë një tjetër fis në malet e Hindukushit me kombësi të pavarur që rron në krahinën afgane të Nuristanit dhe në atë pakistaneze të Çitralit në pjesën veriperëndimore të Pakistanit (në luginat Bumburet, Rumbur dhe Birir). Sipas regjistrimit të vitit 1998, kalashët janë vlerësuar si një popullsi prej 3660 banorësh. Të tjera vlerësime këtë shifër e afrojnë deri në 4000 sish. Paolo Graciozi, profesor i antropologjisë dhe parahistorisë në Universitetin e Firences në një artikull të botuar në një revistë londineze më 1963 thotë se kalashët kanë trajta të pastra europiano-mesdhetare, më saktësisht me ato të njerëzve alpin. Ai, kalashët i përshkruan si njerëz me lëkurë të bardhë, tipare të rregullta të fytyrës dhe shtat të hedhur.

Shtrija gjeografike e kalashëve: Nuristan/Afganistan dhe provinca Çitral e Pakistanit.

……………………………………………..

The Kalash People of Pakistan

Populli kalash është i veçantë në mbarë rajonin si për nga veshjet, doket e feja. Kjo kombësi gjykohet si popullata e vetme pagane në këtë rajon të islamizuar. Kjo popullsi i ka bërë qëndresë të thekshme kalimit në islam të cytur nga pushtuesit arab, ndaj edhe sot e kësaj dite kalashët quhen ‘qafirë’, kategorizim që muslimanët ua bëjnë ‘pabesimtarëve’. Më vonë, kur një pjesë e kalashëve u islamizua, vendi i kalashëve që deri dikur quhej ‘Qafiristan’ u rimërua si ‘Nuristan’ (vend i dritës). Por, kjo nuk ia tjetërsoi aspak karakterin kombëtar dhe fetar të kalashëve, ngase ata fermentojnë dhe pijnë verë (që quhet vepër ‘haram’ në islam). Një tjetër fakt që përforcon karakterin joislam të kalashëve dhe mendësisë shoqërore të tyre është ndër të tjerash edhe ky zakon: vajzat janë të lira të zgjedhin burrin e vet dhe kanë të drejtë të kërkojnë shkurorëzim. Tjetra veçanti e kalashëve është se ata s’bëjnë dallime gjinore sikurse fqinjët e tyre muslimanë që hanë, flenë, punojnë ndaras meshkujt nga femrat. Vërehet qartë, se kalashët ndonëse kanë pësuar ndrydhje kulturore nga të tjerët, ata e kanë ruajtur në një masë të shëndoshë pastërtinë raciale, meqë edhe sot vazhdojnë t’i bëjnë martesat vetëm brenda bashkësisë së tyre.
Origjina e kalashëve
Origjina e kalashëve vazhdon të jetë e kredhur në pellgun e së panjohurës dhe pikëpyetjeve të mëdha. Kalashët në traditën e tyre gojore të përcjellë brez pas brezi, vazhdojnë ta quajnë veten pasardhës të ushtarëve të Lekës së Madh. Pikëpamja tjetër e kundërt është ajo që pohon se kalashët janë popullsi që ka shtegëtuar nga Nepali Perëndimor, bazuar në ca trajta budiste. Mendimi më i pranuar nga të gjithë është se kalashët kanë një fe “greko”-sanskrite. E futëm në thonjëza fjalën grek meqë në këtë mes s’bëhët fjalë për kurrfarë feje greke por për një fe burimore pellazge, besimi shpirtëror i të gjitha popullsive të trungut pellazg: ilirëve, thrakëve, maqedonasve, epirotëve. Ndaj, pretendimet për një origjinë ‘greke’ të kalashëve nuk qëndrojnë. Një gjë është mëse e saktësuar nga provat kulturore se kalashët nuk janë popullsi rrënjëse në këto treva, por janë ardhës pikërisht nga Europa Juglindore.

Fëmijë të bardhë kalash.

………………………………………..

Ekzistojnë prova të shumta të ngulimeve të ushtrisë së Lekës së Madh rrëzë këtyre viseve. Një ndër to është edhe qenësia e disa qyteteve të themeluara dora vetë nga Leka i Madh, siç është rasti i qytetit të Kandaharit (Afganistani i sotëm). ‘Kandahar’ nuk është gjë tjetër veçse një kalim lindor i emrit ‘Aleksandër’. Një qytet tjetër i epokës së Lekës është edhe ai i gjetur në gërmadhat buzë lumit Amu Darya. Interesant është se kalashët vijojnë ende ta ruajnë kujtimin e kohërave të lashta kur ishin të edukuar dhe arsimuar, derisa librat e tyre u dogjën nga pushtuesit barbar e mongol. Sot e kësaj dite, kalashët i falen me përkushtim perëndive të tyre që janë veçse trajta të perëndive pellazge si Zeusi, Afërdita, Apolloni, etj. Kryeperëndia i tyre është ‘Dezao’ i cili sipas Aristidh Kolës zbërthehet shkencërisht në ‘Dhias – Zeus’. Perëndi të tjera janë edhe ‘Mahadeon’ dhe ‘Abalomain’ (Apollon) i cili ka simbolet e njëjta me ato të Apollonit pellazg: dielli e drita. Tryezat dhe karriget, kalashët i gdhendin me yje dhe diej, simbole që janë të përafërta me ato të maqedonasve të lashtë. Mbi qemere dyersh, kalashët skalisin dy brirë dhie – kujtim i stërgjyshit epik Leka i Madh. Një fakt tjetër që dëshmon për rrënjët pellazge të kalashëve është ky zakon sa i çuditshëm aq edhe i veçantë: edhe në rast vdekjesh, kalashët mblidhen së toku burra e gra duke hedhur valle e kënduar. Siç shkruan edhe Robert D’Angely, edhe trakasit e moçëm kishin një zakon të atillë. 
Kalashët kërcejnë në formë rrethi vallet e tyre. Të kërcesh në fromë rrethore nuk është e zakonshme në Azi, thotë studiues i kalashëve. Gulliam Darlling, një studiues i përkushtuar pas kalashëve thekson se në gojëdhënat kalashe “Tsiam” është vendlindja e kombësisë së tyre ku shpresojnë së do të kthehen një ditë. Në kohën e shirave të stërzgjatura pranverore ose vjeshtore kur jeta vështirsohet së tepërmi si për njerëzit ashtu dhe për kafshët, kalashët dalin në male dhe këndojnë një këngë të lashtë: ‘O Deziao, nëse këto shira s’do të rreshtin/ ne s’do të mund të mbajmë dushkun e gjelbër e të lulëzuar/ne nuk do të rrojmë dhe gjatë këtu/ne do të kthehemi në tokët stërgjyshore në Tsiam; (Përkthim i lirë).

Qarkullojnë dhjetëra mendime të ndryshme në lidhje me vendndodhjen e saktë të “Tsiam”, vendit legjendar të kalashëve. Disa mendojnë se ai ndodhet në qytetin Çaga Serai në Afganistanin lindor, disa të tjerë vendodhjen e shohin afër një qendre budiste ‘Jarkhan’ në Ksiniang në përëndim të Kinës, të tjerët e bartin në Tsiam të Tibetit. Ndërsa, Aristidh Kola mendon se vendndodhja burimore e kalashëve është tek lumi i lashtë thesprotas ‘Thiamis’, prej nga rrjedh edhe vetë emri i Çamërisë. ‘Tsiam’ domethënë Çam. Duket se kjo teori e Kolës ka një bazë argumentësh duke filluar së pari nga elementi fetar i kalashëve që është i barasvlershëm me atë pellazg të Dodonës; elementi i zakonor dhe dokësor: flijimet në emër të perëndive, gdhendja e yjeve dhe diejve maqedonas, vallet rrethore, kësulat dhe pelerinat e ngjashme me ato të maqedonasve të lashtë dhe loja e pollos që luhet hipur në kuaj, e cila mendohet se është praktikuar nga ushtarët maqedonas të Lekës së Madh. Këngët e këtyre popullsive janë të njëllojta me këngët e vjetra që i kam dëgjuar në Greqinë Veriperëndimore, thotë Atanasios Lerounis, një vëzhgues i dërguar nga Athina. Por, ky “interesim” i zellshëm grek duket sikur ka një prirje për ta helenizuar gjithçka ka të bëjë me përkatësinë e njëmëndët të kalashëve. Qe shtatë vite me rradhë ‘mësues vullnetarë’ të paguar nga Athina po qëndrojnë në fshatrat kalashe gjoja për ta ngritur mirëqenien e jetesës së kalashëve! Ata përmes ndërtimit të shkollave, ujësjellsve dhe ambulancave po përçapen që kalashave t’ua huajësojnë origjinën pellazge në një origjinë të rrejshme helene.
© Salih Mehmeti – dhjetort 2012, Prishtinë – Për çdo pyetje, kritikë, vërejtje apo sugjerim kontaktojeni autorin në: [email protected]

==========================

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

LEXONI LITERATURËN:

*   *   *
BURUSHASKI
http://www.few.vu.nl/~dick/Summaries/Languages/Burushaski.pdf

JOHN CLARK – H U N Z A
http://biblelife.org/Hunza%20-%20Lost%20Kingdom%20of%20the%20Himalayas.pdf

================================

History of Caucasian Albania.

……………………………

Azerbaijan History Caucasian Albania

……………………………………..

Azerbaijan History Caucasian Albania Monasteries

………………………………………………….

Udis – Descendants of Caucasian Albanians?

…………………………………………..

SHTOJCËN DHE ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura