REAGIM I LHK ‘ALI HADRI’ GJILAN: INTRIGAT, SHPIFJET DHE INSINUATAT NDAJ TRIBUNËS SHKENCORE KUSHTUAR NUHI BERISHËS

Pashtriku.org, 24 janar 2018: (Përgjigje ndaj shkrimit të Z. Raif Gashi me titull “Shkas për të shkruar!”, të botuar në pashtriku.org dhe albanianamericanvision.com, më 12 nëntor 2017)
“Shpifja është gjëja më e neveritshme në botë”. – Viktor Hygo
Më 30 shtator 2017 në Gjilan, Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan, për nderë të 56 vjetorit të lindjes së veprimtarit, intelektualit, atdhetarit e dëshmorit të kombit Nuhi Berisha, organizoi Tribunën Shkencore: “Nuhi Berisha – jeta dhe veprimtaria atdhetare në Lëvizjen Ilegale Shqiptare në Kosovë (1961-1984)”. Sipas Programit të saj, kjo Tribunë Shkencore kishte Këshillin Organizues, Sekretarinë, kohëzgjatjen e paraqitjes së kumtesave, fjalët përshëndetëse dhe gjashtë (6) referues historianë, si: Sabile Keçmezi-Basha me temën “Binomi atdhetar: Nuhi Berisha e Rexhep Mala”; Sabit Syla me temën “Qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë”; Naim Musliu me temën “Vështrimi i Nuhi Berishës për Demonstratat e Marsit të vitit 1981 në Kosovë”; Fitim Rifati, “Shkrime disonante të gazetës “Rilindja” mbi rënien e Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës në janar 1984”; Alban Dobruna me temën “Jehona e rënies së Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës në Lëvizjen atdhetare shqiptare”; Rexhep Arifi me temën “Nuhi Berisha në memoaret e bashkëveprimtarëve”. Kjo Tribunë Shkencore u organizua me iniciativën dhe përkrahjen e familjes së Nuhi Berishës (Z. Bajram Berisha) dhe është mbështetur nga Z. Izmi Zeka, Znj. Shukrije Gashi e Z. Ahmet Isufi.

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan, ka marr përsipër vetëm karakterin shkencor të Tribunës, por jo atë të audiencës (ftesave). Mirëpo, për t’i dhënë rëndësi këtij evenimenti, kemi ftuar përmes kontakteve elektronike një pjesë të rëndësishme të veprimtarëve të Lëvizjes Ilegale e Popullore të Kosovës, përfaqësues institucionesh e organizatash politike, të luftës e të shoqërisë civile. U ftua edhe familja emblematike Mala, ku prezent në Tribunën Shkencore ishte Znj. Hanife Mala. Është lëshuar komunikatë për medie pak muaj dhe disa ditë para se Tribuna Shkencore të zhvillonte punimet e saj. Janë ftuar ose kanë qenë në dijeni edhe emrat e lakuar në shkrimin me shkas të sipërshënuar. U ftuan të gjitha mediat televizive që ta ndiqnin Tribunën Shkencore. U ftua edhe RTK (Radio Televizioni i Kosovës) që sipas Programit parashihej të bënte transmetim të drejtpërdrejtë. Veç televizionit lokal VALI në Gjilan, që atë natë transmetoi një kronikë më shumë se 5 minutash mbi dy fjalë përshëndetëse të kësaj Tribune, nuk kemi rastisur ndonjë kronikë apo transmetim në ndonjë televizion tjetër për punimet e saj. Gjithsesi, në sytë tanë është veçuar vetëm një kamerë televizive, që tashmë kemi kuptuar se ishte e televizionit AA Vision (Albanian American Vision), e cila ka regjistruar deri në fund punimet e Tribunës Shkencore dhe i ka publikuar ato në rrjetin e internetit, më 17 janar 2018. Të gjithë që kanë qenë prezentë i kemi falënderuar po atë ditë. Mbetet në ndërgjegjen e secilit individ, institucion, organizatë e medie bojkotimi i këtij aktiviteti dhe mosprezenca në audiencë.

AA Vision/ Agim Sylejmani: Tribunë shkencore kushtuar heroit të kombit Nuhi Berisha

Më 30 shtator 2017, ditën kur Tribuna Shkencore në orën 12:00 parashihej t’i niste punimet e saj, salla e teatrit të qytetit ishte në dispozicion deri në orën 15:00. Tribuna filloi punimet me disa minuta vonesë, për shkak të pritjes së mysafirëve që ishin ftuar sipas Programit dhe Ftesave me shkrim e në mënyrë elektronike. Rrjedhimisht, për arsye të kohës së kufizuar dhe veçanërisht stërzgjatjes dhjetëra minutëshe të fjalëve përshëndetëse të Z. Ahmet Isufi, Znj. Shukrije Gashi (fjalim edhe me nuanca kritike e politike) e Z. Xhafer Shatri (fjalim edhe me nuanca kritike e politike), studiuesi Naim Musliu, në cilësinë e autorit të kumtesës dhe sekretarit të Këshillit Organizues, u detyrua ta tërheq referatin e tij nga leximi.
Mirëpo, me sa duket, zëra të pakënaqur e pjesëmarrës në audiencë, sikurse Z. Raif Gashi, familjar, shok e bashkëveprimtar i Nuhi Berishës, i burgosur politik, poet e prozator, paska marr guximin të intrigojë, shpifë e insinuojë organizatorët dhe karakterin e këtij evenimenti shkencor. Në artikullin “Shkas për të shkruar!”, të botuar më 12 nëntor 2017 në mediume interneti si: pashtriku.org dhe albanianamericanvision.com. Z. Raif Gashi që në fillim përbalt karakterin e këtij organizimi, duke i vënë përçmimin dhe klasifikimin se nuk i ngjante një tribuneje shkencore, që për ne është vlerësim i papranueshëm për argumentet e mëposhtme.
– Në Tribunën Shkencore u tha, por ju nuk e keni dëgjuar ose nuk keni dashur ta dëgjoni, se kush ishte familja e Nuhiut.
– U nënvizua, por ju nuk e keni dëgjuar ose nuk keni dashur ta dëgjoni, se kur lindi dhe bir i kujt ishte Nuhiu.
– U shpalos, por ju nuk e keni dëgjuar ose nuk keni dashur ta dëgjoni, një profil biografik të jetës shkollore dhe intelektuale të Nuhiut.
– U pohua, por ju nuk e keni dëgjuar ose nuk keni dashur ta dëgjoni, po ashtu, se Nuhiu rridhte nga një familje tradicionale shqiptare me vlera patriotike.
Në shkrimin tuaj të shoqëruar me tone patetike, ju evokoni kujtime nga jeta personale dhe momentet që keni ndarë së bashku me Nuhi Berishën, duke i shfrytëzuar maksimalisht lidhjet familjare dhe njëkohësisht duke i dhënë peshë specifike kohës si fëmijë e si bashkëveprimtarë. Në grupin e burimeve historike, ky narracion hyn në radhët e gjinisë së memoareve, të cilat rëndom në disa raste janë subjektive, kurse në raste të veçanta marrin edhe tipare profetike e mitologjike, por tek shkenca e historisë i nënshtrohen me kujdes metodave analitike dhe krahasimtare. Ju do t’i kontribuoni ndjeshëm historiografisë shqiptare sikur të vendosni botimin në version të zgjeruar të kujtimeve tuaja që ju ndërlidhin me jetën dhe veprën e Nuhi Berishës.
Nuk e keni dëgjuar ose nuk keni dashur të dëgjoni, por emri i Znj. Shukrije Gashi është përmendur në Tribunën Shkencore, veçanërisht në kumtesën e studiuesit Rexhep Arifi, i cili e kishte ndërtuar një profil të Nuhiut pikërisht sipas kujtimeve e deklaratave që kanë dhënë bashkëveprimtarët e tij përmes adresës elektronike, sipas burimeve të botuara monografike, sipas një fjaleje rasti të veprimtarit Mehmet Hajrizi, të paraqitur në Akademinë Përkujtimore në Prishtinë, më 12 janar 2004, kushtuar 20-vjetorit të rënies së Rexhep Malës e Nuhi Berishës dhe nga përmbajtja e emisionit dokumentar “Gjurmët” kushtuar Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, të titulluar “Promethetë e Janarit”, i transmetuar në dy pjesë në Radio Televizionin e Kosovës në janar të vitit 2005. Autori u detyrua ta hartonte kumtesën e tij në këtë formë, për shkak se përveç Znj. Shukrije Gashi, disa bashkëveprimtarë si Z. Ahmet Isufi, nuk i ofruan me kohë të dhënat e kërkuara. Dhe për më tepër, ne, më 30 shtator 2017, në kundërshtim me zakonin dhe natyrën e organizimeve shkencore, por për të respektuar shokët dhe bashkëveprimtarët e Nuhiut, i dhamë fjalën Z. Ahmet Isufi, Znj. Shukrije Gashi (sipas Programit të paraparë) e Z. Xhafer Shatri. Ky i fundit, për shkak të presionit të familjes Berisha, mori fjalën jashtë Programit të paraparë. Para se të dilte në Tribunë ai paralajmëroi se vetëm do të përshëndeste këtë eveniment, por doli se kishte përgatitur një fjalim, nga pjesa më e madhe e përmbajtjes së të cilit Këshilli Organizues mban qëndrim distancues. Për dijeninë tuaj, gjatë fjalës së Z. Xhafer Shatri, pati reagime të “pazhurmshme” nga bashkëveprimtarët tuaj me shprehjen: “Kush e solli këtë qen këtu?”. Pra, sipas logjikës tuaj, referuesit shkencorë nuk do të duhej të paraqitnin kumtesat e tyre, por vetëm bashkëveprimtarët të evokonin kujtimet!
Ku ishit ju që nga viti 1999 e deri më sot nuk organizuat një aktivitet plotësisht dinjitoz për Nuhi Berishën? Organizojeni tani, mbase nuk është vonë!? Ne, nëse punimet e tij i zhvilloni me karakter të hapur, do të marrim pjesë në audiencë, do të ndjekim me vëmendje paraqitjet tuaja dhe prej tyre do të nxjerrim shënimet kryesore (të pathënat për jetën dhe veprën e Nuhiut). Do të mësonim se kush ishin shokët e vërtetë dhe shokët e stisur të Nuhiut.
Nuk keni dëgjuar ose nuk keni dashur të dëgjoni, por organizimet shkencore që realizohen në rastin e parë për një ngjarje ose personalitet me përmasa historike, jo gjithherë shterojnë trajtimin dhe ekspozimin e plotë të të gjitha fakteve e dimensioneve politike, shoqërore, ekonomike, ushtarake dhe kulturo-arsimore. Në kornizën e hulumtimit dhe metodologjisë shkencore është absurde të mendohet një pretendim i tillë, sidomos kur aktivitete të këtij karakteri ndërmerren pas një distance të shkurtër historike. Në historiografi ngjarjet dhe personalitetet historike hulumtohen, studiohen e trajtohen nga momenti në moment, nga viti në vit, nga dekada në dekadë dhe nga shekulli në shekull. Ato nuk trajtohen vetëm bardh (pozitivisht) e as vetëm zi (negativisht), por, sipas dokumentacionit përkatës, të kombinuara ndërtojnë profilin e tyre shumëdimensional.
Ju synoni t’i jepni jehonë dhe ta trajtoni si argument të patejkalueshëm dhe kryesor-shkencor historiografik rastin kur Nuhiu “gjuajti me pushkë për herë të parë” në Meshinë!? Sipas memoareve të bashkëveprimtarëve të tij, Nuhiu vazhdimisht ka qenë i armatosur. Mirëpo, ju, na thoni më gjerësisht (jo për rastin e rënies heroike të 11 e 12 janarit 1984) për betejat dhe ushtarët e rënë të armikut si pasojë e luftimeve kundër Nuhiut dhe shokëve të tij? Në kontekst real historik, Nuhiu mund të thuhet që kishte aftësi të përdorimit të armës, por jo shkathtësi të artit ushtarak, sepse nuk kishte kryer ndonjë akademi ushtarake të kohës, për t’i dhënë një epitet përkatës. Gjithsesi, në idealin dhe vizionin e Nuhiut ekzistonte perceptimi për një organizim ushtarak shqiptar, që do të zhvillonte luftën për çlirimin e Kosovës nga okupatori serbo-jugosllav. Pa luftë të armatosur nuk mund të realizoheshin aspiratat kombëtare, do të thoshte Nuhiu.
Ju, si familjar, shok dhe bashkëveprimtar i Nuhi Berishës, nëse keni ndjenja zhgënjimi e inati, ato duhet t’i adresoni tek personat për të cilët paraqitni publikisht shqetësimet, por jo tek një grup studiuesish, të cilët me të gjitha kapacitetet po përpiqen të kontribuojnë në fushën e historisë dhe të historiografisë. Ne nuk dëshirojmë të përfshihemi në labirintin e intrigave tuaja dhe nuk dëshirojmë përçarje (siç ka bërë pushteti ndaj jush dhe rreshtimet në organizata politike) ndërmjet jush e asnjë shqiptari.
Ne konsiderojmë se ju nuk keni asnjë të drejtë ta paragjykoni një trupë studiuesish të rinj që rrjedhin nga familje bujare e patriotike shqiptare. Nuk mund ta etiketoni e shpifni këtë trupë në nderin shqiptar, e cila në mesin e saj ka studiues që në moshë të fëmijërisë, të frymëzuar edhe nga jeta dhe vepra heroike e Nuhiut dhe Rexhepit, kanë kapur armët për të çliruar trojet shqiptare nga okupatori. Përderisa merrni guximin të etiketoni individë e studiues që nuk i njihni, shprehuni me emra dhe mbiemra për “shokët” e Nuhiut dhe Rexhepit që e duartrokitën vrasjen e tyre! Do ta ndihmoni historiografinë shqiptare.
Z. Raif Gashi,
Me keqardhje duhet ta themi se ne nuk çuditemi nga intrigat, shpifjet e insinuatat të shprehura në pamfletin tuaj, por njëkohësisht nuk mund të qëndrojmë indiferentë e tolerantë ndaj tyre. Sikurse kemi informacion nga historia gojore e transmetuar nga shokët e bashkëveprimtarët tuaj, po arrini të na bindni se në mesin tuaj ka pak të atillë që “edhe një mace të pakëndshme po ta rastisin në rrugë e paragjykojnë për spiune të UDB-së”, sikurse keni ndjellë ndaj nderit shqiptar të organizatorëve të Tribunës Shkencore. Me shkrime të tilla sikurse i juaji, nuk lartësohet figura patriotike e Nuhi Berishës. Dhe, përfundimisht, me shpifje e intriga sikurse tuajat, e zbehni dhe mjegulloni idealin e një lëvizjeje atdhetare shqiptare. Konsiderojmë se patriotizmi ose atdhedashuria nuk është monopol i asnjë individi, force politike-partiake apo i ndonjë grupimi të caktuar e të çfarëdoshëm, kurse e vërteta shkencore historike do të plotësohet kur ju të gjithë së bashku të depononi materialet dhe kujtimet tuaja në Arkivin e Kosovës ose të Shqipërisë.
Po ashtu, me gjithë respektin tonë, është për të ardhur keq se si Znj. Shukrije Gashi, në deklarimin e saj në rrjetin social të internetit, përkrahu qëndrimin tuaj e rrjedhimisht hodhi një mal akuzash e shpifjesh të pabaza ndaj këtij organizimi shkencor dhe veçanërisht ndaj kumtesës së studiuesit Alban Dobruna. Sipas saj: “Në njërën u folë vetëm per Rexhepin, lexuesi i të ciles ishte sjellur nga Gjakova për ta shtyer agjenden e përçarjes, madje nuk u përmende fare Nuhiu. A nuk do të ishte më mirë sikur referuesi të thoshte që në fillim, po ua lexoj një kumtesë për veprimtarinë e Rexhep Malës, meqë ishte shok i Nuhiut? Këtu ai që e hodhi gurin dhe e fshehu dorën, është apo janë ata që po tentojnë të mbisundojnë dhe zbehin veprimtarinë e Nuhiut, karrshi asaj të Rexhepit, gjithmonë, duke i vënë Atij shumë frymëzues përpara dhe duke ia theksuar moshen e re, si pretekst per ta zhveshur fare nga madhështia e veprimtarisë që e kreu me mund dhe përkushtim”.
Gaboheni! Z. Dobruna është nga Gjakova, është doktor i shkencave të historisë dhe është studiues në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë. Ai e nderoi Tribunën Shkencore me kumtesën të titulluar “Jehona e rënies së Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës në Lëvizjen atdhetare shqiptare”, në përmbajtjen tre faqe e gjysmë të së cilës emri i Nuhiut u theksua nëntë (9) herë. Madje, Profesor Dobruna në fjalën e tij artikulimin e madhështisë së Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës e ilustroi në mënyrë lakonike me proverbin e Metastasios se “Jeta matet me vepra e jo me ditë”. Pra, të kundërtën e shpifjes së Znj. Shukrije Gashi dhe pretendimit të saj, duke vënë theksin tek mosha e re e Nuhiut, gjoja si tentim i këtij organizimi për zbehjen e veprimtarisë së tij.
Nuhi Berisha i takon plejadës së veprimtarëve të viteve ‘80-ta. Vepra e tij patriotike e intelektuale dhe rënia heroike, e radhisin atë në grupin e dëshmorëve të luftës për çlirim e bashkim kombëtar të shqiptarëve. I tillë do të mbetet në histori dhe historiografi, deshët apo nuk deshët ju. Neve si studiues të historisë nuk mund të na ndalni (as ju e as ata që ju përkrahën në shkrimin tuaj me shkas, madje edhe që shpifën e ngritën akuza të pamatura) së hulumtuari dhe studiuari të kaluarën e popullit shqiptar, përfshi jetën dhe veprimtarinë e Heroit Nuhi Berisha. Ai është frymëzim i përjetshëm i brezave pasardhës dhe personalitet interesant që do të studiohet nga studiues të shkencave të ndryshme.
Duke marr përsipër ato pak lëshime të paqëllimta teknike, organizative e përmbajtësore që e kanë karakterizuar Tribunën Shkencore, përfundimisht konsiderojmë se ky eveniment shkencor kushtuar jetës dhe veprimtarisë atdhetare të Nuhi Berishës, i pari i këtij lloji në Kosovë, ka arritur pothuajse të realizojë synimin e tij për të hedhur hapat e parë drejt një hulumtimi e organizimi më të zgjeruar nga studiuesit e historisë. Kumtesat e paraqitura nga referuesit kanë sjellë argumente e qasje të re metodologjike e shkencore, duke ofruar informacione të reja dhe në mënyrë analitike e krahasimtare, duke demantuar pohime e shkrime politike e gazetareske të kohës së regjimit jugosllav në Kosovë. Rrjedhimisht, Tribuna ka shtruar bazat fillestare shkencore, ndërsa studiuesit do të kalojnë domosdo nëpër rrugën e trasuar prej punimeve të saj. Në fund ajo u vlerësua nga një pjesë bukur e madhe e atyre që kishin qëndruar në sallë për të ndjekur deri në fund punimet e saj. Madje studiuesit morën përgëzimet edhe të Zonjës Hanife Limoni – Mala, bashkëshortja e Rexhep Malës dhe Z. Ahmet Isufi, shok e bashkëveprimtar i Nuhi Berishës.
Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Gjilan
Blerim Haziri, Kryetar
Naim Musliu, anëtar
Fitim Rifati, anëtar
Rexhep Arifi, anëtar
Besnik Kurteshi, anëtar
Alban Dobruna – referues në Tribunën Shkencore

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura