RESHAT AVDIU: PJESËMARRJA E MUHAXHIRËVE NË KUVENDIN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT (1878)

Preshevë, 12. 06. 2014 – Në këtë mbledhje përveç muhaxhirëve do të merrnin pjesë edhe delegatët mysliman sllavë nga Bosnja dhe Hercegovina dhe nga Sanxhaku i Yeni Pazarit, të cilët edhe ata luftonin me çdo kusht kundër shkëputjes së vendit të tyre nga sundimi shekullor i Perandorisë Osmane. Ndërsa, nga trojet etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, të Nishit, Toplicës, Luginës së Timokut, Pirotit, Kurshumlisë, Prokupjes, Tërnit, Vidinit, AAk Pllangës, Leskocit, Vrajës etj. Pjesa më e madhe e kësaj popullate autoktone shqiptare pas dyndjeve të dhunshme mes viteve 1877-1878, ishin vendosur edhe në Bujanoc, Preshevë, Kumanov, Shkup e gjetiu nëpër vilajetin e atëhershëm të Kosovës. Sipas dëshmive ende të pakonfirmuara nga Kazaja e Preshevës, gjegjësisht nga dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kishin marr pjesë pesë përfaqësues të saj siç ishin: Sheh Maksut Efendiu, Mehmet Muhaxhiri nga Vraja, Haxhi Abazi, Kamber Aga dhe Osman Çaushi. Ndërsa si kryetar i grupit përfaqësues i degës së Preshevës ishte Sheh Maksut Efendiu, këto të dhëna siç thamë edhe më lart ende janë të pakonfirmuara dhe hulumtuara gjer në fund.
Ndërsa sipas shënimeve arkivale serbe AS, MUD; dhe të konfirmimeve nga disa historian dhe publicist të tyre, për pjesëmarrjen e muhaxhirëve thonë kështu: “Kur filloi Lidhja Shqiptare e Prizrenit, atë e përkrahu edhe elementi muhaxhir, kështu që ajo u bë njëra ndër forcat e saj të sigurta. Këta përkrahës qenë ata shqiptarë të dëbuar nga viset e ndryshme të Serbisë Jugore (nga trevat e Toplicës, Jabllanicës, Pusta Rekës, Gërdelicës etj.) gjatë luftërave serbo-malazeze-osmane 1877-1878, si edhe ata shqiptarë, të cilët ishin dëbuar nga Mali i Zi dhe Greqia”1. “Ndërkaq, nëpër qendrat e degëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si në: Mitrovicë, Pejë, Vushtrri, Lumë, Tetovë, Kërçovë, Mat, Elbasan, Dibër e Madhe dhe e Vogël, Shkodër, Resen, Korçë, Manastir, Shkup, Florinë, Qupri të Velezit, Prilep, Guci, Tërgovishte të Rozhajës, Prijepole, Plevle, Novi Pazar etj”2. Nga kjo del se Lidhja Shqiptare e Prizrenit në gjirin e saj, i kishte përfshirë në masë të madhe popullatën muhaxhire, ku më pak e ku më shumë.

Në veprën e tij, J. H. Vasileviqi, thotë: “Muhaxhirët që ishin inkuadruar në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit udhëhiqeshin nga Hysen Agë Gjilani, Hykë Kabashi nga Gjakova, Rrustem Gashi nga Prizreni, dhe (Sylejman Bej-Kosova nga Nishi-v. a), këta persona janë duke i nxitur muhaxhirët kundër nesh, dhe Portës së Lartë”3. Pastaj J. H. Vasileviqi, thotë se: “Mijëra luftëtarë muhaxhirë, të cilët ishin nga Prizreni dhe ishin grumbulluar rreth 3.000 vetë, pastaj në Gjakovë ishin grumbulluar edhe rreth 2.000 të tjerë. Burimet serbe flasin për muhaxhirët që bashkëpunonin me Lidhjen, që ishin nga viset të cilat i patën marrë trupat serbe dhe ato ruse”4.
Pastaj ky autor serb nga Vraja vazhdon se: “Refugjatët në fjalë kanë krijuar disponim të mirë te popullsia myslimane”5. Pastaj prania e muhaxhirëve në vet Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, kishte shkaktuar atëbotë disponim të mirë, madje-madje edhe ndjenja atdhedashurie. Kurse nga ana tjetër kishte ngjallur ndjenja frike dhe pasigurie, sidomos tek shqiptarët etnik që prisnin të shpërnguleshin dhunshëm nga Mali i Zi, e sidomos nga Plava dhe Gucia etj., si dhe shqiptarët autokton nga Çamëria e sidomos nga Janina Preveza, Follorina, Kosturi, Konica, Filati etj. Frikoheshin se mos edhe atyre po u ngjan sikurse shqiptarëve nga Serbia e Jugut gjegjësisht të Nishit, Toplices, luginës së Timokut, Leskocit, Vrajës etj. “Meqenëse asokohe në Kongresin e Berlinit u vendos që ato vise shqiptare Perandoria Osmane duhet t’ia lëshoj Malit të Zi dhe Greqisë”6.
Me këtë akt Kongresi i Berlinit edhe më tepër i hidhëroi dhe i zhgënjeu në rend të parë shqiptarët në përgjithësi dhe muhaxhirët në veçanti dhe se ata filluan me të madhe t’i zgjeronin radhët e veta rreth Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Edhe historiografi serb nga Vraja Dr. J. H. Vasileviqi, për rrjedhën dhe organizimin e Kuvendit të Prizrenit shkruante atëbotë kështu: ”Aty, në Prizren u takuan rreth 300 delegatë nga vendet e ndryshme ku jetojnë shqiptarët, si bie fjala nga trevat e Shqipërisë, Epirit, Maqedonisë, Kosovës dhe nga Serbia Jugore”7. Ky autor serb nga Vraja thoshte se: “ Delegatët përcilleshin në mënyrë pompoze, sikurse kur shkonin në ndonjë Kuvend të vërtetë popullor, me flamuj, me të shtënash armësh të ndryshme. Delegatët, ishin kryesisht përfaqësues të fiseve të shumta. Mbledhjet e Kuvendit u mbajtën në lokalet e xhamisë, në mënyrë të fshehtë i cili Kuvend zgjati dy javë”8.
Pjesëmarrja, e shqiptarëve nga trojet etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, si nga Nishi, Toplica, Lugina e Timokut, Leskocit, Vrajës etj. Ishte shumë e madhe, këtë pjesëmarrje të popullsisë muhaxhire që e kishte humbur çdo gjë atje në Shqipërinë e tyre e dëshmojnë edhe burimet e Perandoris Osmane. Ato shënime thonë se pjesëmarrja e popullsisë muhaxhire nuk ishte vetëm se nga Rrafshi i Dukagjinit si nga: Peja, Gjakova, Prizreni. Porse kjo pjesëmarrje e kishte përfshirë tërë vilajetin e Kosovës dhe Kazanë e Preshevës ma atë të Vrajës, dhe vendbanimet më të skajshme të Gështenjës të Mulla Isuf Krajës nga Mali i Zi, disa familje muhaxhere pas dëbimit të dhunshëm nga Krajl Nikolla i I-rë Petroviqi, ishin vendosur në fshatin Tërnavë të Preshevës.
Pjesa dërmuese e popullsisë shqiptare që kishte ikur nga vendbanimet e tyre nga Sanxhaku i Nishit 1877-1878, që ishte e aftë për luftë u bashkua me Lidhjen Shqiptare, kështu që nga të dhënat osmane del se Valiu i Kosovës M. Nazif Pasha, kishte deklaruar haptazi që me forcat e tij ushtarake, që i kishte në dispozicion, nuk ishte në gjendje ta shuante aktivitetin e Lidhjes së Prizrenit për Vilajetin e Kosovës. Pra, ky pasha kërkoi nga Porta e Lartë Osmane që sa më shpejt të ndërmerren masa përkatëse për t’i shtuar efektivat ushtarake në Vilajetin e Kosovës, sepse osmanët nuk ishin në gjendje t’u kundërviheshin pjesëmarrjes masovike të popullsisë shqiptare. Madje, madje Mehmet Nazif Pashai kërkonte nga qeveria e Stambollit që të formoheshin njësi të posaçme shqiptare, që të
luftojnë kundër aktivitetit ushtarak e politik të Lidhjes Shqiptare në Kosovë.9 Ndërsa kjo sipas J.H.Vasileviqit, bëhej që të futej grindje ndërmjet shqiptarëve. Mirëpo, situata në Prishtinë dhe në rrethinën e saj kishte marrë përmasa shumë të mëdha, sa që në shumë vende të kësaj treve ishin themeluar gjyqe të posaçme shqiptare, gjë që realisht, në njëfarë mënyre Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e kishte marrë pushtetin në duart e veta. Ndërsa, shembulli i degës së Lidhjes Shqiptare të Prishtinës, filloi me të madhe të zbatohej edhe nëpër vendet tjera të Vilajetit të Kosovës dhe jashtë saj. Pastaj pjesëtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të degës së Dukagjinit si të Prizrenit, Gjakovës, Pejës dhe pjesëve tjera veriore nuk qenë të kënaqura vetëm se me marrjen e gjyqeve, por donin ta merrnin tërë pushtetin në duart e veta. Madje, vendosja e gjyqeve, përkatësisht, vetëqeverisja e shqiptarëve ishte përhapur në Kumanovë, Preshevë, më vonë ishte përhapur edhe në Sanxhakun e Shkupit. Prandaj gjyqet shqiptare që u themeluan aso kohe në vilajetin e Kosovës, kishin filluar të themeloheshin në tërë Arnautllëkun.10
Ndihma reciproke e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me muhaxhirët shqiptarë vërehet në shumë aspekte, sepse Lidhja e Prizrenit përpiqej që të ndërhynte te Porta e Lartë për çështje jetike të muhaxhirëve, duke bërë përpjekje që të mos lejojë dërgimin e familjeve muhaxhire në Anadoll etj. Gjithashtu Lidhja Shqiptare e Prizrenit kërkonte të ktheheshin nga Anadolli familjet muhaxhire dhe të vendoseshin në Vilajetin e Kosovës. Pastaj të dhënat thonë mes tjerash se forcat e lidhjes pas një viti filluan aksionin luftarak kundër pushtetit osman dhe se: “Një grup muhaxhirësh ishte inkuadruar në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe së bashku me disa kryengritës turbullues të Gjakovës, Vushtrrisë, Prishtinës, Pejës dhe të rretheve të tjera, e kishin torturuar popullsinë e urtë dhe të bindur ndaj Portës së Lartë”11.
Kërkesa e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që të kthehen muhaxhirët nga Anadolli, ishte shqyrtuar për herë të dytë në Këshillin e Ministrisë Osmane. Mirëpo, nuk u lejohej muhaxhirëve që të ktheheshin nga Anadolli, për shkak të pjesëmarrjes aktive të tyre në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Për këtë arsye u vendos që ata të mbeteshin edhe më tutje nëpër shkretëtirat e Anadollisë. Madje, siç vërehet nga të dhënat osmane, u shpreh frika nga pushteti turk, nëse muhaxhirët kthehen nga Anadolli ata përsëri do ta ndihmonin Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe se kanë për të kërkuar nga pushteti osman që të kthehen në vatrat e veta në Sanxhakun e Nishit (dhe Luginën e Timokut gjegjësisht në trojet e Shqipërisë së Vjetër Verilindore-v. a.), kështu do të shkaktonin kokëçarje të mëdha për gjatë kufirit osmano-serb. Nga kjo mund të përfundohet se Porta e Lartë i kishte larguar muhaxhirët shqiptarë nga Vilajeti i Kosovës për shkak se ishin bashkëpunëtorë të denjë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pastaj, u pa fare qartë se Porta e Lartë me çdo kusht dëshironte ta zvogëlonte numrin e muhaxhirëve në Vilajetin e Kosovës. Kështu, pra, kuptohet pse nuk ishte plotësuar kërkesa e Lidhjes Shqiptare që familjet muhaxhire të ktheheshin nga shkretëtirat e Anadollit. Pasi që depërtimi i tyre për në Anadoll e gjetke është bërë me anijet ruse, shihet qartë se Porta e Lart dhe qarqet sunduese ruse e kishin gjetur gjuhën e tyre të përbashkët për largimin e familjeve muhaxhire shqiptare nga Vilajeti i Kosovës. Prandaj kuptohet vetvetiu se Rusia Cariste ishte për shkapërderdhjen e muhaxhirëve shqiptarë nga Ballkani. M’u për këtë Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e kishte hedhur në rend të ditës çështjen e rikthimit të muhaxhirëve nëpër vatrat e veta në Serbinë Jugore gjegjësisht në Shqipërinë e Vjetër Verilindore, me sa u pa më lartë Lidhja Shqiptare e Prizrenit i kishte kushtuar kujdes të veçantë çështjes së muhaxhirëve. Siç thamë edhe më lartë çështja, e muhaxhirëve ishte trajtuar në mënyrë të drejtë nga ana e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kjo vërehet edhe nëpër shkrimet arkivale serbe AS, MUD; dhe sidomos nga ato të J. H. Vasileviqit, i cili thotë mes tjerash: “1). të mos lejohet që tokat e muhaxhirëve t’u jepen Serbisë, Malit të Zi, Greqisë apo ndonjë shteti ose populli tjetër, 2). të gjitha tokat, të cilat iu morën Arnautëve gjatë luftërave 1877-1878, që më parë aty jetonin të ktheheshin përsëri aty; 3) që Kongra për sendërtimin e kësaj çështjeje të angazhohet në Kongresin e Berlinit dhe nëpër oborret e ndryshme të shteteve të Evropës; 4) Kongra të ndërmarrë masa që shqiptarëve t’u kthehet qeverisja e mëparshme, që ata vetë t’i zgjedhin nëpunësit nga radhët e veta, e jo që udhëheqësit shqiptarë të caktohen nga Stambolli, e që sulltani të mos kërkoj më prej tyre tatime dhe rekrutë etj.

Gjithnjë sipas Dr. Jovan Haxhi Vasileviqit, shihet kujdesi dhe zotimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për çështjen e muhaxhirëve përmes përfaqësuesve të vet siç ishin: Hysë Kabashi nga Gjakova, Rrustem Kabashi nga Kabashi i Prizrenit pastaj nga myftiu i Prishtinës si dhe nga Sylejman Beg-Kosova nga Nishi. Për vendosjen e 1.700 familjeve muhaxhire në rrethin e Gjilanit. Në fshatrat dhe në pasuritë e mbetura jashtë kufijve tanë (Serbisë) i nxisnin muhaxhirët kundër nesh, do të thotë kundër pushtetit osman12. Pjesëmarrja e muhaxhirëve në radhët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dëshmohet me renditjen e faktorëve muhaxhirë që e ndihmuan Lidhjen Shqiptare13. Prapë, sipas Dr. J. H. Vasileviqit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit del se qysh në vitin 1879, dhe më herët Serbia pa të drejtë ia bashkëngjiti vetes fshatrat shqiptare. Kjo ndodhi pas caktimit të kufirit të ri midis Principatës Serbe dhe Perandorisë Osmane14.
Të dhënat publicistike serbe nga J. H. Vasiljeviqi, janë të rralla dhe mjaft me vlerë, ndërsa qëndrimi i tij ndaj Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është më se i qartë. Ai në shumë vende përpiqet për ta treguar atë si pro turke, ndërsa nga faktografia e shtruar dhe e konkretizuar nuk del ashtu siç e vlerëson ai15. Në disa raste këto shënime arkivale serbe janë mjaft kundërthënëse, por megjithatë ato ofrojnë shënime reale, gjë që pas
një vështrimi kritik faktet këtij historiografi serb nga Vraja, të Shqipërisë së Vjetër Verilindore janë të mirëseardhura dhe mjaft të dobishme. Për çështjen e veprimtarisë dhe ndihmës reciproke të Lidhjes Shqiptare në njërën anë, dhe të muhaxhirëve shqiptarë, në anën tjetër, këtë e dëshmon edhe shtypi kroat i asaj kohe16.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 26 gusht 1878, pos tjerash e shqyrtoi edhe çështjen e trevave të banuara me popullsi shqiptare, të cilat Perandoria Osmane në luftërat malazezo-osmane 1877-1878, kishte qenë e detyruar t’ia lëshonte Malit të Zi,Serbisë dhe Austro-Hungarisë. Prandaj thuhej se duhet luftuar kundër shkëputjes së atyre viseve shqiptare, të cilat i kishte marrë ushtria malazeze siç ishin: Shpuzi, Podgorica, Plava, Gucia etj17. Dhe se duhej kundërshtuar vendimet kolonialiste dhe hegjemoniste të Kongresit të Berlinit, i cili e parashihte që Malit të Zi t’ia jepte Plavën dhe Gucinë. Pastaj nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, si imperativ kohe ishte shtruar nevoja e hulumtimit të mundësive për rikthimin e muhaxhirëve nëpër viset që i kishte marr ushtria serbe, si dhe luftohej kundër invadimit neokolonialist të Austro-Hungarisë nëpër trojet shqiptare.18
Pastaj Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e shtroi çështjen e muhaxhirëve edhe në Kuvendin e Përgjithshëm Popullor, të mbajtur në Shkodër, nga dega e saj pran këtij qyteti mesjetar që u mbajt më 19 prill 1880, me ç’rast, sipas shtypit kroat, Shqipëria shpallet e shkëputur nga Perandoria Osmane. Lidhja shqyrtoi edhe çështjen e kthimit të viseve të banuara me shqiptarë si Toplicën etj., në mënyrë konkrete këtu përmendet si udhëheqës i një ushtrie eventuale Mehmet Bedri Beu.19 Shtypi kroat po ashtu, e njoftonte publikun e vet se Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i vinin çdo ditë kërkesa dhe peticione të ndryshme të nënshkruara nga luftëtarët dhe banorët e dëbuar nga Mali i Zi dhe nga Serbia Jugore.
Nga brendia e kërkesave dhe e peticioneve shihet se ata kërkonin t’u ktheheshin vendbanimet, të cilat i humbi Perandoria Osmane në luftërat malazezo-osmane dhe serbo-osmane.20 Porse, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, nuk kishte pozita të forta sidomos nga pikëpamja politike dhe diplomatike, sepse atë nuk e përkrahte asnjë nga shtetet ballkanike dhe evropiane në përgjithësi. Pastaj vetë Porta e Lartë osmane përgatitej ta sulmonte Lidhjen Shqiptare të Prizrenit siç edhe ndodhi në pranverë të vitit 1881.
Pra siç e cekëm edhe më lartë se ndihma reciproke mes Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe muhaxhirëve të shpërngulur dhunshëm nga trojet e tyre etnike të Shqiptare së Vjetër Verilindore gjegjësisht të Serbisë Jugore, Malit të Zi, Greqisë dhe vendeve të tjera shqiptare, dhe se një lidhje e qartë dhe reciproke faktikisht kishte ekzistuar. Në bazë të kësaj mundë të përfundohet se me të gjitha vështirësitë që ballafaqohej atëbotë Lidhja Shqiptare e Prizrenit, gjeti dhe i furnizoi familjet muhaxhire me artikujt më elementar të mbijetesës. Porse edhe muhaxhirët këtë ndihmë të Lidhjes e shpërblyen në mënyrë të ndërsjellë, njëri prej bashkë punëtorëve muhaxhir ishte edhe telegrafisti, kryesor i ardhur nga Nishi, Tahsin Efendiu, i cili kreu punë të rëndësishme për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, pothuajse gjatë tërë rrjedhës së veprimtarisë të saj që nga vitet 1878-1881. Ndërkaq, udhëheqësit dhe mbikëqyrësit që u prinin grupeve kryengritëse të muhaxhirëve siç thamë më lartë ishin: Hykë Kabashi nga Gjakova dhe të tjerët, nuk dihet se a ishin edhe këta muhaxhirë nga trojet etnike të Shqipërisë së Vjetër Verilindore, si nga Toplica dhe Lugina e Timokut.
Pastaj Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte e interesuar edhe për muhaxhirët e dëbuar dhunshëm nga Kraja dhe Tivari meqë kishin mbetur në një gjendje të mjerë duke kërkuar të ktheheshin në vendet e veta së paku për ta marrë bereqetin e asaj vere.21 Muhaxhirë kishte shumë edhe në Bullgari dhe në Sanxhakun e Jeni Pazarit, ku thuhet vetëm se në Sanxhakun e Prishtinës numri i tyre sillej prej 500.000 deri 650.000 muhaxhirë, kurse në Bullgari ishin rreth 230.000, në Yeni Pazar ishin 100.000 sish, që bridhnin rrugëve si të mjerë pa bukë dhe veshmbathje.22
Për ndihmën humane të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që i dhanë muhaxhirëve kishte shkruar atëbotë edhe gazeta osmane “Tergjuman-ishark”, ku mes tjerash shkruante: “Komiteti Qendror i Lidhjes ka marrë masa të duhura për vendosjen e muhaxhirëve dhe e ka miratuar kërkesën e tyre për t’u dhënë mjete materiale”23. Pastaj Lidhja e Prizrenit përveçse çështjeve organizative dhe ndihmës materiale për muhaxhirët e Shqipërisë së Vjetër Verilindore, ajo i këshillonte muhaxhirët e Serbisë Jugore dhe ata të Malit të Zi, që të silleshin mirë ndaj shkive krishterë të Karpateve të Rusisë atyre bishave grabitqare të tokave të Arbrit. Këtë përkujdesje e vërejmë në një raport të konsullit anglez I. E. Blunt, lidhur me një rast të serbëve të Vushtrrisë, madje edhe vetë qëndrimi i kryetarit të Lidhjes së Shqiptarëve të Prizrenit Haxhi Ymer Prizrenit-Goranit, që të kihej një qëndrim i mirë ndaj serbëve ortodoks.
Mbledhja plenare e itifatit gjegjësisht e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit-punimet e saja atëbotë i zhvilloi në njërën nga sallat e medresesë Ruzhdie të Prizrenit, fjalën hyrëse dhe kryesore do ta mbante Abdyl bej Frashri nga Toskëri. Ai do t’u apelonte të pranishmëve të bashkoheshin dhe ta ngritin zërin e arsyes se mëmëdheu ishte në rrezik sepse kishte filluar copëtimi i tij. Ndërsa si organ më i lart drejtues i saj u zgjodh, këshilli qendror me seli koherente në Prizren, nga e cila qendër do të bëhej koordinimi i degëve nëpër krahinat e ndryshme shqiptare. Si kryetar i këshillit qendror do të zgjidhej Iljaz Pashë Dibra, ndërsa si anëtar të këshillit drejtues u zgjodhën: Ali Pashë Gucia, Sheh Mustafë Tetova, Myderriz Ymer efendi Prizreni, Sulejman Vokshi etj.
Në Kararnamenë apo librin e vendimeve që ishte aprovuar pesë ditë pas fillimit të Kongresit të Berlinit më 13 qershor 1878. Aty caktohej si detyrë e ngutshme që nëpër degët e Lidhjes të formoheshin reparte ushtarake me logjistikat e tyre, në fillim kërkohej nga këto reparte ushtarake të sigurohej qetësia nga kaosi që ishte krijuar gjer atëherë. Pastaj u bë edhe një besëlidhje e përgjithshme, ku do t’i ndalonte të gjitha gjaqet dhe ngatërresat ndër shqiptarët. Ndërsa, ndaj atyre që do ta thyenin besën parashikoheshin sanksione shumë të rënda dhe të rrepta. Pastaj në Kararnamenë, ishte nen i posaçëm, ku nga Lidhja, kërkohej që me forcat e saj të mbrohej Bosnja dhe Hercegovina, në këtë mënyrë do të pengohej formimi i shtetit bullgar. Lidhja ndryshe quhej edhe si “Xhemieti Ihtifati Islamie” d.m.th. Komiteti i myslimanëve të vërtetë. Sipas kësaj, këtu përfshiheshin të gjitha shtetet dhe regjionet myslimane nën Perandorinë Osmane, pavarësisht nga kombësia e tyre, qofshin ata shqiptarë, boshnjak apo bullgarë etj.
Favoret e Perandorisë Osmane, përshtateshin atëbotë me kërkesat e feudalëve shqiptarë sepse Shqipëria e copëtuar dhe e sakatosur shtrihej edhe përtej viseve që i administronte Porta e Lartë. Për feudalët e mirëfilltë shqiptarë tërësia territoriale e tyre ishte territori që banohej nga popullsia autoktone shqiptare. Dhe m’u për këtë bindje të drejtë të feudalëve shqiptarë tërësia e tyre territoriale donte të thoshte tërësia e të gjitha atyre viseve ku shqiptarët i kishin pasurit e tyre të patjetërsueshme d.m.th. çifligjet e tyre, këtu përfshiheshin si territore etnike shqiptare si: Maqedonia e Rumelisë me kryeqendrën e saj Selanikun që ishte atëbotë njëkohësisht edhe kryeqyteti i mbarë shqiptarizmës, pastaj Thesalia dhe krahinat greke të Vilajetit të Janinës dhe territoret e Shqipërisë së Vjetër Verilindore siç ishin:Nishi,Toplica,Lugina e Timokut,Leskocit,Vrajës etj.
Porta e Lartë e Stambollit,atëbotë do ta përdorte lëvizjen popullore shqiptare për interesat e veta të ngushta. Pastaj edhe Kararnameja, nuk e kishte të përkryer qëndrimin e saj polik, sepse edhe vet elementi politik shqiptar nuk ishte edhe aq i zhvilluar për sa e kërkonte gjendja momentale diplomatike atëbotë. Dhe m’u për këtë elementi feudal shqiptarë nuk mundi t’ia hiqte dhe ta zhvishte karakterin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që ishte e bazuar në një masë të madhe mbi baza fetare islamike dhe kjo do t’i ndihmonte shumë Portës së Lartë Osmane në qëllimet e saj. Porse, dega e Lidhjes Shqiptare nga Shkodra, kishte ndikuar qysh në fillim duke e marrë një rrugë shumë të drejtë patriotike ashtu siç e kërkonin konditat e asaj kohe. Kjo degë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e kishte formuluar një memorandum që e kishin nënshkruar 500 qytetarë shkodran në emër të gjithë shqiptarëve dhe do t’ia dërgonin më 13 qershor të vitit 1878, në ditën e hapjes së Kongresit të Berlinit, kryetarit të delegacionit anglez në Berlin kryeministrit dhe lordit Bikonsfildit (Beaconsfield).
Shqipëria, thuhej në këtë memorandum-nuk mund të përfaqësohet nga qeveria otomane, qoftë ajo katolike, ortodokse apo myslimane,e urren pushtetin turk po aq sa e urren çdo pushtues tjetër të huaj… Ashtu sikurse nuk jemi dhe as nuk duam të jemi turq, po ashtu do të luftojmë me të gjitha forcat tona kundër cilido që kërkon të na bëjnë sllavë, austriak ose grekë. Ne s’duam të jemi veçse shqiptarë 24. Ky memorandum do t’i kundërvihej në mënyrë të drejtë politikës ekspansioniste dhe gllabëruese të Rusisë dhe traktatit të saj të Shën Stefanit. Me këtë memorandum kërkohej që Shqipërisë ti jepej autonomi e plotë dhe të ndërpritej copëtimi i tokave shqiptare siç ishte vepruar me trojet shqiptare të Toplicës dhe Luginës së Timokut të Shqipërisë së Vjetër Verilindore. Delegatët e Shkodrës të besimit katolikë do të vinin vet personalisht në Prizren nga mesi i qershorit dhe ishin të porositur këta patriot shqiptarë: “Që të kishin kujdes të mos pranonin asgjë që mund të interpretohej si forcim i frymës islamike… dhe, po të vinin re se Lidhja po i shmangej rrugës kombëtare për të hyrë në rrugën thjesht fetare, duheshin të largoheshin prej saj 25.
Shqiptarët me 20 qershor të vitit 1878, do t’i drejtoheshin me një memorandum tjetër kundër copëtimit të tokave shqiptare, ministrit të jashtëm austro-hungarez Andrashit dhe, ky memorandum ishte nga Komiteti shqiptarë me seli në Stamboll dhe ishte firmosur nga Sami Frashri, Jani Vreto, Zija Prishtina etj. Në atë memorandum të Lidhjes Shqiptare, kërkohej mes tjerash të formohej një komision ” at hokë” nga etnosi shqiptarë pa e cenuar sovranitetin dhe integritetin e Portës së Lartë që ishte mbi tokat shqiptare dhe se ky komision, do të merrej me hartimin dhe ratifikimin e një “rregullore organike” (një lloj ligji themelor), që do ta mundësonte një qeverisje të pavarur nëpër krahinat shqiptare, kjo farë rregulloreje do t’i përshtatej karakterit të dokeve dhe zakoneve të vendit, i cili ndër shekuj do të njihej me emërtimin internacional Albani. Rrethet patriotike shqiptare ishin ngritur si një trup i vetëm të gjithë në këmbë dhe përpiqeshin, që para kongresit ndërkombëtar që i vazhdonte punimet e tij në Berlin, ta ngritshin dhe avanconin çështjen tonë kombëtare, e që Shqipëria në atë kongres ta fitonte mbështetjen e parimit të kombësisë. Ama elementët reaksionar nga etnosi shqiptarë, të shtytur dhe nxitur nga Porta e Lartë e Stambollit, i drejtoheshin edhe ata Kongresit të Berlinit, me kërkesën që në Shqipëri dhe në trojet tjera të Shqipërisë së Vjetër të mos lejohet asnjë ndryshim në administratën turke.
Porta e Lartë, në të njëjtën kohë kishte filluar me provokimet e saj në Shqipërinë e Veriut, në Kosovë dhe në Bullgari, me konflikte të armatosura në kufijtë të zonave të pushtuara gjatë operacioneve luftarake nga fuqitë serbo-malazezo-ruse. Autoritetet turke për t’u dalë përpara vendimeve të Kongresit të Berlinit, vunë në dispozicion të popullsisë myslimane të alarmuar muhaxhire armë dhe oficer.26 Kjo do të ishte në rregull dhe e mirë nga Porta e Lartë Osmane, që përkujdesej dhe i ndihmonte muhaxhirët tanë edhe nga pikëpamja ushtarake, po të mos fshiheshin prapa këtyre qëllimeve interesat e ngushta turke. Sepse popullata shqiptare, e Shqipërisë së Vjetër Verilindore me çdo kusht, kërkonte të kthehej nëpër ato 700 vendbanimet e tyre autoktone, nga ishin dëbuar dhunshëm disa muaj para Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit.
Komiteti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke e parë qëllimin e rrjedhës së Kongresit të Berlinit që kishte filluar t’i shkelte në mënyrë më brutale interesat dhe dëshirat e popullit shqiptarë. Qysh në fillim Komiteti i Lidhjes kishte filluar të formonte njësi ushtarake të ashtuquajtura talima, me të vetmin qëllim që t’i dilnin në mbrojtje copëtimit të mëtutjeshëm të tokave shqiptare nga Mali i Zi dhe Serbia e Millan Obrenoviqit. Atëbotë ishin formuar 5-6 korpuse ushtarake me një efektiv prej 10.000 ushtarësh të aftë për luftë, të cilët do të luftonin dhe do t’i mbronin tokat shqiptare, duke filluar nga Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina e deri në kufijtë e Serbisë dhe Bullgarisë të para viteve 1875-1878, të Krizës Lindore, Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit.
– Autori është i burgosur politikë, njëherit edhe kryetar i “Shoqatës së Muhaxhirëve” për Kosovën Lindore me seli në Preshevë.
—————————
Referencat:
1. Nikola P. Ilić, Oslobođenje Juzhne Srbije, Beograd,“Naselja”, str.15. tada bio se završio Rusko-Turskih ratovi 1877-1882, najopširnije V. P. Potemkin, Isorija diplomatike, sv. II Beograd,1949, str. 44.
2. Mr. Iljaz Rexha, artikuj të cit, fq. 158.
3. Dr. Jovan H. Vasiljević, Arbanaška Liga Arnautska Kongra, Srpski narod u Turskom carstvu 1877-1878, Beograd,1909, str. 87.
4. J. H. Vasiljević, cit. dela str. 87-322.
5. Dr. Jovan Hadzi vasiljević,Arbanaška Liga,Arnautska Kongra,Srpski narod u Turskom carstvu 1877-1882. Beograd,1909 str. 86.
6. Po aty. fq. 82.
7. Po aty, fq. 38-39, dhe nga botimet tjera fq. 322.
8. Po aty. fq. 322.
9. Mr. Iljaz Rexha, artikuj të cit. fq. 170-171.
10. Dr.Jovan Hadzi Vasiljević,Arbanaška Liga Arnautska Kongra, str.92-93. Beograd, 1909.
11. Dr. Jovan Hadzi Vasiljević, Arbanaška Liga Arnautska Kongra, Srpski narod u Turskom cartsvu 1878-1882, Beograd, 1909. str. 94-95, i 322.
12. Dr. Joven Hadzi Vasiljevič, Arbanaška Liga Arnautska Kongra, Srpski narod u Turskom cartvu 1877-1878 Beograd, 1909. str.20.
13. Mr. Iljaz Rexha, Artikuj të cituar, fq. 154. Këtu thuhet se shqiptarët kërkonin që ta fitonin pavarësinë e plotë siç e kishte fituar Mali i Zi. Diçka ngjashëm thuhet edhe në fq. 45. Mirëpo, në disa vende të tjera, në fq. 35, përpiqet për ta treguar si pro turke.
14. Po aty, fq. 59.
15. Dr. Sabit Uka, thotë se J. H. Vasileviqi në veprën e tij fq. 100, ku thuhet se shqiptarët kërkonin që ta fitonin pavarësinë e plotë siç e kishin fituar Mali i Zi. Diçka ngjashëm thuhet edhe në fq. 45., mirëpo, në disa vende të tjera, në fq. 35, përpiqet për ta treguar si pro turke.
16. Obzor, nr. 226. 2. X. 1878 Zagreb. Këtu përmenden trevat të cilat i morën nga Perandoria Osmane Mali i Zi siç ishin: Podgorica, Shpuzi, duke synuar për ta zaptuar edhe Plavën dhe Gucinë, pastaj Toplicën, Kosanicën dhe Prokupjen etj. M. Pirraku. Lidhja Shqiptare e Prizrenit në shtypin kroat “Gjurmime Albanologjike”Seria e shkencave historike, IX/1979, Prishtinë 1980, f.83 dhe vër. nga 14-17.
17. Opširnije, u Obzor br. 226, 2.X.1878, iz Beograda, ta Po aty, fq. 59.
18. Dr. Sabit Uka, thotë se J. H. Vasileviqi në veprën e tij fq. 100, ku thuhet se shqiptarët kërkonin që ta fitonin pavarësinë e plotë siç e kishin fituar Mali i Zi. Diçka ngjashëm thuhet edhe në fq. 45 . mirëpo, në disa vende të tjera, në fq. 35, përpiqet për ta treguar si pro turke.
19. Obzor, nr. 226. 2. X. 1878 Zagreb. Këtu përmenden trevat të cilat i morën nga Perandoria Osmane Mali i Zi siç ishin: Podgorica, Shpuzi, duke synuar për ta zaptuar edhe Plavën dhe Gucinë, pastaj Toplicën, Kosanicën dhe Prokupjen etj. M. Pirraku. Lidhja Shqiptare e Prizrenit në shtypin kroat “Gjurmime Albanologjike”, Seria e shkencave historike, IX/1979, Prishtinë 1980, fq. 83 dhe vërejtjet prej 14-17.
20. Opširnije, u Obzor br. 226, 2.X.18mo se opominje: Prokuplje, Kosanica i Toplica.
21. Po aty.
22. Po aty, fq. 43-44 dhe 89.
23. Po aty, fq. 98.
24. Austro-Hungaria nuk pati kura-kurës qëndrime të mira ndaj Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe as ndaj muhaxhirëve. Dr. J. Haxhi Vasileviqi, Kongra vep. të cit. fq.173.
25. Po aty fq.144-146.
26. Mr. Iljaz Rexha artikuj të cit. fq. 154. Të gjitha matrialet gjer më tani me shumicë janë të shkëmbyera nga Arkivi i Serbisë AS, MUD.
27. HISTORIA E POPULLIT SHQIPTAR, Vëllimi II. Tiranë,1965. fq. 124.
28. Po aty.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura