AHMET QERIQI: NË KOHËN E PERANDORISË OSMANE NUK PATI MIGRIME TË POPULLATËS AZIATIKE NË SHQIPËRI

Prishtinë, 22. 01. 2014 – Analisti i njohur, Pirro Prifti në një studim të tij (Albanofobia dhe eurofobia – dy paradokse që gjenerojnë anti’integrim: https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2260 – sh.b) lidhur me dyndjet e popullatës së Arbërit pas vdekjes së Skënderbeut dhe rënies së Shkodrës së vitit 1478, më duket se ka rrëshqitur pa dashje, apo i ka interpretuar si fakte spekulimet e hamendësimet e historiografisë serbe e greke, që kanë shkruar dhe e kanë mohuar autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre. Edhe pse hetohet se ai është nisur për të bërë një analizë lidhur me “Albanofobinë dhe eurofobinë si dy paradokse që gjenerojë ani integrimin” me qëllim për ta sforcuar tezën e tij, është kthyer prapa, në Mesjetën shqiptare, mbase për të zbuluar gjenezën e “fobive” të ndryshme ndër shqiptarë, “fobi” të cilat realisht na kanë përcjellë nga shekulli në shekull, jo vetëm me fajin tonë, por në radhë të parë sepse Trojet e Arbrit, që nga mesjeta e hershme kanë qenë arenë e ndeshjeve të perandorive më të mëdha të botës.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në fushëbetejë…

Pikërisht në hapësirën gjeografike shqiptare kanë ndodhur përleshjet e Romës me Bizantin, më vonë përleshjet e ballkanasve me turqit për plot 500 vjet. Po në këtë vertikale gjeografike është ndarë edhe Krishterimi Lindor e Perëndimor, në vitin 1054. Këta janë faktorë vendimtarë që kanë ndikuar në heterogjenitetin shqiptar, i cili nuk po e arrin dot homogjenizimin e dëshiruar dhe të natyrshëm, meqë robëria shekullore, romake, bizantine, sllave, osmane e të tjera më vonë, doemos se ka lënë pasoja, mbase edhe të pariparueshme. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është kundërvënie në pikëpamjet e analistit të nderuar, Pirro Prifti, por një kontribut i faktuar, me qëllim për ta prezantuar një pasqyrë pak më të dokumentuar lidhur me shtrirjet e dyndjet e popullatës arbëreshe në mesjetë, duke e ilustruar me faktografi. Kjo temë nuk është e pa njohur për studiuesit e historisë, por duhet të njihet sa më shumë edhe për opinionin e pa informuar.
* * *
Teza e prejardhjes së shqiptarëve nga Albania e Kaukazit, është shpikje e Kishës ortodokse serbe dhe si e tillë ajo nuk mbështetet në asnjë fakt të qëndrueshëm, me asnjë të dhënë relevante historike. Po ashtu tezat se pas vdekjes së Skënderbeut më 1468 dhe rënies së Shkodrës dhjetë vjet më vonë, në vitin 1478 u boshatisën trojet arbërore nuk ka asnjë bazë të qëndrueshme, ashtu sikurse është krejtësisht e paqëndrueshme teza se turqit sollën në Ballkan, kurdë, turq romë, persianë egjiptianë e të tjerë dhe i populluan viset shqiptare. Historiani serb, Jovan Deretiq, në librin e tij “Origjina e shqiptarëve dhe ardhja e tyre në Serbi”, ka bërë përpjekje krejtësisht të kota për të sjellë gjoja edhe fakte gjuhësore të ngjashmërisë së gjuhës shqipe me gjuhët e popujve të Kaukazit, nga ku, sipas tij qenkan dyndur të parët e shqiptarëve me ndihmën e arabëve.(!)
Analisti Pirro Prifti nuk përmend asnjë regjistrim të popullatës vendëse që ka bërë Perandoria osmane në viset e pushtuara të Ballkanit
Në studimin e tij analitike, Pirro Prifti nuk përmend asnjë regjistrim të popullatës që ka bërë Perandoria osmane në viset e pushtuara të Ballkanit. Mbase edhe nuk është në njohuri të këtyre “defterëve” të shumtë, për të gjitha vilajetet e sanxhaqet. Defterët e kohës së perandorisë osmane i kanë studiuar dhe i kanë përkthyer në gjuhën shqipe nga turqishtja e sllavishtja, dy historianët më të shquar të mesjetës: profesor, doktor Selami Pulaha dhe profesor, doktor, Muhamet Tërnava. Në regjistrimet osmane të vilajeteve të pushtuara, që nga fillimi i shekullit të 15-të, del se 90 për qind e popullatës ishte e krishterë, ortodoksë, (shkizmatikë), shkie, dhe 10 apo 20 për qind popullatë e konvertuar, apo pjesëtarë të administratës turke, e cila ishte vendosur në pjesën urbane të Shqipërisë, Greqisë dhe principatave sllave, në Ballkan. (Dr. Muhamet Tërnava: Popullsia e Kosovës gjatë shekujve 14-16, Prishtinë 1995).
Regjistrimet osmane në Kosovë, në Vilajetin Vëllk, të vitit 1455, pikërisht në Kohën e Skënderbeut, tetë vjet pas humbjes fatale të Aleancës së Krishterë të Janosh Hunjadit dhe prijësve më në zë të Evropës në Fushë të Kosovës, në vitin 1448, na sjellin dëshmi për mijëra vendbanime të Kosovës, ku nuk janë evidentuar po thuajse fare pjesëtarë të popullatës turke, kurde, persiane, egjiptase, apo me prejardhje tjetër të popujve aziatikë. Asokohe, në defterët osman janë shënuar pjesëtarë të popullatës shqiptare ortodokse e katolike, pjesëtarë të fiseve sllave, serbe e bullgare, pastaj një sasi e jo aq e konsiderueshme e popullatës vllahe, hebraike, gjermane, raguziane, kroate etj. Në të gjithë defterët e kohës osmane, në katër vilajetet e mëvonshme të Shqipërisë, popullata dominuese ka qenë shqiptare e besimit islam dhe të krishterë. Hamendësimet për ikjen e shqiptarëve dhe sjelljen nga turqit të qindra mijëra aziatikëve nuk janë më shumë se hamendësime, të cilat nuk bazohen në asnjë fakt shkencor. Të paktën kjo nuk hetohet në asnjë regjistrim të popullatës të kohës së Turqisë. Selami Pulaha: Krahinat verilindore të Sanxhakut të Dukagjinit. Gjurmime albanologjike, Prishtinë 1972.

– Kryengritësit shqiptarë –

– Dëbimi i shqiptarëve, në fund’shekullin XVII –

– Dënimi i tradhëtarit –

– Lutja e shqiptarëve –

Këto Katër tablo (punime) janë krijime artistike të piktorit të madh serb, Paja Jovanoviq. Pikturat e tij më të realizuara kanë të bëjnë me motive nga jeta e arnautëve-shqiptarëve të shekullit XIX. Shumica e pikturave të tij janë ruajtur në Galerinë e Vjenës, ku edhe ka vdekur.(sh.b)
* * *
Është i vërtetë fakti se disa pjesëtarë të fiseve të Arbërisë u shpërngulën për në Itali, të njohur si popullatë arbëreshe, por ata kryesisht ishin shpërngulur nga viset e sotme të Greqisë, të Moresë dhe përqindja më e madhe e tyre ishte e ritit ortodoks, jo katolikë, fakt që ndikoi edhe në ruajtjen e entitetit arbëresh dhe të gjuhës shqipe. Shifra prej 300 mijë të mërguarish, që sjellë Pirro Prifti është në shpërputhje të plotë me realitetin, sepse pjesa dërrmuese e arbëreshëve në Kalabri, Pulje, Sicili, janë me origjinë arbëresh, arvanitas nga krahinat e Moresë ( O e bukura More) dhe krejt pak, për të mos thënë aspak nga Durrësi, Kruja apo Shkodra. Ndërsa sa u përket ngulimeve të Kelmendëve nëpër viset e Serbisë e deri në Srem të Vojvodinës, ky është një realitet i njohur i kohës, që ndodhi pas shuarjes së kryengritjes së Halil Partonës, në Stamboll në vitin 1730, kur Osman Topall Pasha i Moresë i ndoqi jeniçerët kryengritës, që kishin ikur nga Stambolli dhe ishin strehuar në viset e Maqedonisë, Kosovës, Sanxhakut në rrethinën e Nishit të Serbisë së sotme dhe në Srem të Vojvodiës. Jozef Von Hammer: Historia e Perandorisë Osmane.
* * *
Sa u përket ngulimeve spontane dhe numerikisht të vogla të shqiptarëve në Rumani, në Bullgari, Ukrainë – Odesë, ato kanë qenë dyndje numerikisht të vogla të emigrantëve që janë dyndur drejt veriut, mbase edhe për t’i rezistuar konvertimit, ose për të gjetur një jetë më të mirë dhe më të begatshme.
Analisti, Pirro Prifti, nuk disponon as demonstron asnjë të dhënë demografike në trevat e Arbërit në kohën e Kryqëzatave, dy-tre shekuj para pushtimit turk të trojeve të Arbërit. Natyrisht se ky segment i studimit nuk i ka hyrë në punë për analizën e tij, por është shumë me rëndësi të vërtetohet se ishin europianët, ata që kishin sjellë popullatën e tyre në trojet shqiptare dy shekuj para turqve. Gjatë kryqëzatave, rrugës për në Palestinë, prej vitit 1096 deri në vitin 1291 një pjesë e madhe e kalorësve dhe ushtarëve të vendeve të ndryshme të Europës, nga Franca, Italia, Saksonia, Polonia, Çekia, Hungaria, Kroacia, u dyndën nëpër vendet e Ballkanit, nëpër trojet e principatave shqiptare, para pushtimit të Nemanjidëve rashjanë. Ata kanë lënë pas edhe ngulime pjesëtarësh, të cilët më vonë do të shqiptarizohen, apo do të sllavizohen, por deri në ditët tona duke ruajtur prejardhjen përmes patronimisë. Në mbiemrat e sotëm të shqiptarëve ende ruhen patronimet si: Llatini, Magjari, Çeku, Rusi, Frengu, apo edhe Franca Allamani, Vllahu, Boshnjaku, Ballazhi, patronim i njohur hungarez, pastaj Gjylani, Grantulli, Drançulli, patronime vllahe dhe një sërë patronimesh të prejardhjeve të tilla, të cilat kanë mbetur si relikte të popullatës heterogjene të Ballkanit prej kohës së Kryqëzatave e më vonë.
Po të kishte pasur popullatë në numër të konsiderueshëm me prejardhje aziatike, me siguri se do të kishte ngelur në antroponime apo patronime, të njëjta si ato të sipërmet, sikur ka mbetur entonimi, arapi apo çerkezi, që shënon pjesëtarë të popullatës çeçene, e cila kishte ikur nga trojet etnike me rastin e pushtimit të Çeçenisë nga Rusia Cariste. Çerkezët erdhën në Kosovë, së bashku me popullatën shqiptare të dëbuar dhunshëm nga Serbia e sotme, para dhe pas vitit 1878, pas Kongresit të Berlinit, kur u mohua madje edhe vetë ekzistenca e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Entiteti egjiptas dhe ashkali, rom u “zyrtarizua” në kohën e regjimit të Milosheviqit, me qëllim për të vërtetuar para botës se Kosova ishte konglomerat pakicash të ndryshme dhe assesi me shumicë shqiptare. Dihet historia e dyndjeve të ciganëve nga India, Egjipti e vendet e Lindjes dhe kjo nuk ndodhi vetëm në kohën e Turqisë dhe ciganët nuk erdhën vetëm në Shqipëri, por ata i gjen në të gjitha shtetet e Europës.
* * *
Pirro Prifti, mjerisht edhe shumë studiues apo analistë nga Tirana nuk kanë, apo kanë fare pak të dhëna lidhur me shpërnguljet e qindra mijëra shqiptarëve, nga viset e Serbisë së sotme, për në Kosovë sikur është shpërngulje masive e “muhaxhirëve”, prej vitit 1865 e deri në vitin 1912, të cilët janë dëbuar me dhunë dhe nën zjarrin e armëve të pushtuesve serbë. Ata janë dëbuar dhunshëm nga trevat e Nishit, Toplicës, Prokupjes, Kurshumlisë, Vranjës, Leskocit, që përfshinte një territor sa Shqipëria e sotme. Ajo popullatë, doemos se u mirëprit në Kosovë, meqë ishte shqipfolëse dhe ishte e besimit islam, ndërsa shqiptarët ortodoksë, meqë kishin fe të përbashkët me serbët u asimiluan dhe mbeten në viset e Serbisë. Edhe vetë Karagjorgje Petroviqi, kishte origjinë aranute, shqiptare. Këtë fakt nuk e mohon as historiografia serbe. Shqiptarët ortodoksë në Serbi doemos se u bënë serbfolës, ashtu sikur arvanitasit grekfolës. Arvanitasit ruajtën deri dikur edhe gjuhën dhe nuk iu pengonte fare origjina, meqë numerikisht mbase edhe e dominonin Greqinë. Në Serbi ndodhi procesi i konvertimit me dhunë, por edhe atje ngelen patronimet e omonimet me rrënjën shqiptare si: Zogoviq, nga Zogu, apo Zogaj, Arnautoviq, nga arnauti, Kastratoviq, nga Kastrati, Shaliq nga fisi Shalë. Gashiq nga Gashi, Dukiq nga Duka, Dukaj, Lekiq, nga Lekë, Lekaj, Klementiqnga Kelmendi, Krasojeviq, nga Krasniq, Gjonoviq dhe Gjoni, Gjinoviq nga Gjini, e shumë patronime të tilla.
Ndërsa të dëbuarit shqiptarë nga viset e dikurshme të tyre në Serbi, me rastin e dëbimit në Kosovë sollën emrat e vendbanimeve sllave e shqiptare nga të gjitha viset nga ku i kishin dëbuar. Muhaxhirët edhe sot në Kosovë ruajnë patronimet dhe omonimet e moçme si: Tmava, Ratkoceri, Mikullovci, Buçinca, Reçica, Dedinca, Dragusha, Berbatovci, Shishmani, Popova, Turjani, Vranja, Leskovci, Kushumlija, Bllaca, dhe qindra patronime të tilla, të cilat dëshmojnë prejardhjen e tyre nga viset ku janë dëbuar qysh para 140 viteve. Shih Patronimet e muhaxhirëve, prof.dr. Jusuf Osmani (Vendbanimet e Kosovës)
– Autori është drejtor i Radios Kosova e Lirë.
________________
Literatura:

1. Dr. Muhamet Tërnava: Popullsia e Kosovës gjatë shekujve 14-16, Prishtinë 1995).
2. Selami Pulaha: Elementi shqiptar sipas onomastikës së krahinave të sanxhakut të Shkodrës në fund të shekullit 15-të. Studime historike II, Tiranë 1972.
3. Selami Pulaha: Krahinat verilindore të Sanxhakut të Dukagjinit. Gjrurmime albanologjike, Prishtinë 1972.
4. Kristo Frashri: Trojet e shqiptarëve në shekullin 15. Tiranë 1969.
5. Zirojeviq: Sanxhaku i Vushtrrisë dhe Prizrenit në kohën e Sulltan Sylejmanit, ( në gjuhën serbe) Beograd 1972.
6. Profesor doktor, Jusuf Osmani: (Vendbanimet e Kosovës, edicionin 22 vëllime).
7. Joseph von Hammer: Historia e Perandorisë Osmane ( Historija Turskog (Osmanskog) carstva 1-2-3).
8. Jovan Deretiq: Origjina e shqiptarëve dhe ardhja e tyre në Serbi. ( në gjuhën serbe).

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura