REXHEP KASMUAJ: TRIUMF …

Berlin, 27 Nëntor 2018:
1.
Orë kumti ogurmirë. Rusi Putin, spiun nga koha e luftës së ftohtë, mori një goditje tronditëse. Brukseli refuzoi Ushtrinë e Europës: Nato mbetet e vetmja armatë mbrojtëse e saj.
Ndërkaq, jo vetëm kryebanori i Kremlinit do provonte shijen e disfatës. Së paku, despoti i stepave nuk e fshehë dot ambicien imperiale. Humbës do rrjedhojë dhe Macron-i i Rotschildëve, poashtu.

2.
Deri vonë kisha njëlloj afeksioni për ngasjen e tij vrulltare: desh të dinamizonte Europën! Mirëpo, më pas, hovit fillestar do i zbërdhyleshin ngjyrat tërheqëse. Prapa ideve plot shtysë e gjallëri, do bënte strehë tinzare pikërisht murtaja që ai godiste. Nuk rrezatonte aspak patriotizëm të kulluar, disi privat e intim, veçse nacionalizëm francez, të paftyrë e atavist.

Pledonte për forcat ushtarake të Europës, veçse pyetja e parë dyshimtare që do bëhej në Berlin ishte: kush do komandonte, kush do i përcaktonte kriteret e kush përparësitë…
Po kje nëvoja, madje nismërisht si sprovë funksionimi, do ndërhynin në Afrikë, vinte shenja e mirëbesimit nga metropoli mbi Senë. E përse? Për të siguruar interesat e frëngjëve në kolonitë e shkretuara të tyre? E kjo, ashtu si ironizuan gjermanët e ftohtë, dmth. djemëri nga Kölni, Berlini, Saarbrückeni a Schwerini do vdisnin gjithandej Afrikës për hirin e zonjave të Parisit, Lionit, Marseit a Bordosë!
Jo ore. Punë që s’bëhet!
Askush nuk është aq leshko t’mos vërej trillin e lig. Mandej, si e dinë dhe fëmijët, pa Gjermaninë s’mund të ketë kurrë as Europë komunitare dhe as ushtri të saj!
Kështu kje orvatur dhe pararendësi i flatruar De Gol, por nuk i vajti gjatë. Sepse Franca, thjeshtë, e do Europën e bashkuar sipas formatit të saj napoleonist.
Në fakt, bota ka lëvizur. Rend e gjeopolitikë e re, sidomos në botën e vjetër. Që këtej, disa konfigurime aleancash të hershme, mbase, ngjan t’jenë lëkundur. Por pallati i Elizesë s’ka rreshtur t’i ruajë dhe tani, sërish, punon nënujshëm për mëkëmbjen e tyre.
3.
Në “Letra miqëve gjermanë” Kamy, shkruante me pezm intelektual se ne nuk i dhuruam botës skllevër!
Si? Kujt ia thoshte këtë, vallë? Franca s’paskësh prodhuar skllevër?
Ç’ironi! N’për qindra vjet skllavnonte ajo kudo arrinte: hekura, gjak, robër, shfrytëzim e vorfnim…Madje dhe në miljeun e ri demokratik (fillimivitet 60-të) do shkallmonte me karro, bajoneta e kuaj lufte algjerianët e vet parisienë që s’kërkonin më shumë se liri për atdheun e poshtëruar.
Fundja, a s’kjenë vetë shqiptarët pjesë fatkeqe e makinërisë frënge për prodhimin e robërve në agun e shekullit të ikur?
“Uh! Evropë, ti kurva e motit!
Që i ré mohit, besës së Zotit!
Po, á ky âsht shêj i qytetnisë?
Me da tokën e Shqypnisë,
Për me mbajt klyshtë e Rusisë?”
Nuk ka shqiptar t’mos i njohë këta brilantinë proteste dhe autorin e tyre të madh.
Por Europa “mrrutë” ishte e madhe, heterogjene dhe e përcopëzuar. Ndaj s’mund të fajsohej e gjitha. Prapa mbështjellës së qefintë, ishte pikërisht Franca që tërhiqte fijet e krimit.
Këto fije do rrekej t’i tërhiqte maskueshëm edhe gjatë Luftës së Kosovës, të cilën, aq të shenjtë për popullin e saj, do t’a sabotonte ditë e natë. S’do harrohet asnjëherë ndër breza thika e saj e helmët në çastet më dramatike: bllokada e armatosjes së palëve, e pra të Ushtrisë çlirimtare sepse serbët ishin të pajisur gjer në dhëmbë, pastaj trathtia ndaj Aleancës atllantike, pengimi i bombardimeve, ndalimi i forcave zbarkuese tek ura e Ibrit, mentorimi i krijesës kriminale serbe të “Veriut”…
Natyrisht, episodi i njohjes së Kosovës kishte dy faktorë përcytës jashtë vullnetit real: e para, kje raporti i forcave në Europë që ajo s’mund t’a diktonte dhe i dyti, një kredo personale e Sarkozysë, në gjakun e të cilit kishte ende pak gjurmë e kujtesë hebreje…
Tani kohët kanë ndryshuar. (“Ah, kohë, ti shpresë e popujve” thërriste Brehti)
E, pra, as shteti i frëngjëve nuk është i dikurshmi – i fortë siç ishte dhe as shqiptarët nuk janë e s’do jenë më të mëparshmit – të dobët e t’vetmuar, siç ishin.
Humbja dhe vaji kolektiv nuk banojnë më në Votrën dhe zemrat arbnore!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura