Berlin, 20 shkurt 2020: Shihemi pas 60 ditësh. Dejtoni vdiq. Mirë se vjen RS-xit. Lamtumirë Bosnjë. Kështu e shohin dhe mendojnë serbët kohën politike që përhihet në horizont. Fantazma e Millosheviqit sillet sërish mbi Ballkan. Figura e vartësit të dikurshëm Vuçiq është emanacioni i saj veshur me bizhu Europe.
(E shqiptarët shpenzojnë energjitë me Xhamajkën e ngjyrave të largëta e mashtruese !)
Nëse “Republika serbe” deklaron shkëputjen, aherë ndërlidhmërisht, sipas lëvizjes së gurëve në fushën manjetike, po këtë do bëjnë dhe serbët e Veriut. E, fill më pas, dhe ata të Malit të zi që, duke qenë shumicë si thotë Zotnia i Dedinjes, duhet t’a zhbëjnë shtetin e Gjukanoviqit ose t’a rikthejnë atë në prehërin e nënës Serbi.
(E shqiptarët kryqëzohen në kauza të shpifura: në Prishtinë me taksën që rrjedhë si shoshë, kurse në Tiranë me puçin e padëgjuar që bëjnë – jo gjeneralët, jo opozitarët e ndërkryer, por qeveria kundër vetes së saj!).
Serbia armatoset, numëron
banorët e kombeve në rrethim, ndalon tregtimin e ansamblit mjekësor në Europë (nëvojë, demografi, dinjitet!), mban si pishtar idenë luftës dhe parasheston gjasët e triumfit a humbjes. I tillë, i paarkivuar, nacionalizmi i saj, kjo doktrinë e qenies, kërcënon më shumë se kurrë territorin shqiptar në Veri e Verilindje të tij.
Belgradi ende kujton për frymëzim të “butin”, të ” mirin” patriark Pavlen e ndjerë, i cili një moment në fillimvitet 90-të, pat harruar zhgunin e klerikut dhe uratën e Jezuit. E tha: e drejta shtrihet deri në gjatësinë e shpatës. Poashtu, një anë e skicë-kufijëve që vijëzonte Drashkoviqi i dizajnuar rrejshëm, nuk jepet dot. Serbi, pohonte ai, është deri tek varret në perëndim dhe deri tek tempujt në jug. Por nëse “kufiri i varreve” u varros dhe vetë, “kufiri i tempujve” është akoma gjallë.
(E shqiptarët xyfen keq mes tyre. Dhe kjo grindje, sidomos nga media provinciale e Kosovës, ngjan e ultë – sepse është e pakulturë dhe e marrë – sepse tronditë themelet e ngrehës shtetërore, duke kompromituar ashtu aftësinë e vetë racës për vetëjetesë. Fundja, Kosova s’mund të gëzojë komocionin e Shqipërisë. Ajo, si tha njëherë Kadare, i ka “letrat” që Kosovës i mungojnë…)
Dhe, natyrisht, asimetria dramatike vijon. E pandryshueshme nga asnjë rrotullim historik. Serbi, si përherë: i pozicionuar, i programuar dhe i disiplinuar. Mbanë tjetër, shqiptari: i gatshëm për tagrin e gjakut, por i hutuar, mashtruar dhe i pështjelluar. Inercia është ligj i provuar fizik. Po edhe i shpirtit, e pra, i robit gjithashtu! A nuk e thotë bukur Talmudi se nga dhjetë kafetë e gjumit që kanë zbritur në botë, nëntë prej tyre robërit i kanë pirë?!
Postime të Lidhura
FATMIR TOÇI: HISTORIA E NJË ORGANIZATE – NJË ENCIKLOPEDI E VËRTETË!
Pashtriku, 9 tetor 2020: LETËR Nga zoti Fatmir Toçi, botues (“Toena”, Tiranë), me rastin e promovimit të librit…
ADIL FETAHU: PRETENDIMET E SERBISË NDAJ ‘TREPÇËS’ JANË JURIDIKISHT TË PABAZA, E POLITIKISHT TË PAMORALSHME
Prishtinë, 7. 11. 2016: (Rëndësia e “Trepçës”) – Kompleksi i “Trepçës” është një konglomerat xehtaro-metalurgjik industrial më i…
BEJTUSH ISUFI: NUK JEMI KËTA…
Prishtinë, 11 nëntor 2017: (Noel Malcom, drejtuar shqiptarëve të Kosovës: “Nuk e keni bërë këtë luftë që të…
Skënder Sadri KAPITI: Kush janë pro minishengenit në Shqipëri
Durrës, 30 dhjetor 2019: Refuzimi total politiko-publik i shqiptarëve të Kosovës që iu bë të ashtuquajturit minishengen erdhi…