KMDLNJ: AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS DHE INSTITUTI I HISTORISË NËN MRIZ TË THELLË!

(Prishtinë 30. 10. 2012) – Reagim i KMDLNj-së:Shteti i Maqedonisë dhe ai i Serbisë përkatësisht krerët e këtyre shteteve Gjorgje Ivanov dhe Tomislav Nikoliq e festuan bashkërisht 100 vjetorin e Betejës së Kumanovës datë kjo që ndërlidhte me një plojë të madhe kundër shqiptarëve me ç’rast së paku 30.000 shqiptarë të të gjitha moshave dhe gjinive janë masakruar dhe ekzekutuar në mënyrën më të tmerrshme ndërsa qindra-mijëra shqiptarë janë detyruar t’i braktisin shtëpitë dhe pronat e tyre me ç’rast është legjitimuar spastrimi etnik i trojeve të banuara ekskluzivisht me shqiptarë.

Ceremonia e festimit të krimeve ndaj shqiptarëve ishte ngritur në nivel institucional dhe shtetëror dhe në këtë rast i bëri bashkë një ish çetnik dhe përgjegjës për krime lufte në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë (presidenti aktual i Serbisë, Tomislav Nikoliq) dhe një politikan që haptas manifeston një qëndrim anti shqiptarë në Maqedoni dhe shtetet tjera ku jetojnë shqiptarët. Reagimi i shqiptarëve ndaj këtij manifestimi dhe provokimi antishqiptar ishte i zbehtë ose me thënë të drejtën i lokalizuar në deklaratën e një historiani shqiptar në Maqedoni Skender Hasani. Shqipëria “europiane” nuk u denjua as t’i përkujtojë këto viktima të terrorit serbo-maqedonas pas Betejës së Kumanovës e lere më të dërgoi një kundërshtim të fuqishëm diplomatik ndaj këtij manifestimi shovinist, që në fund të fundit është kundër fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit në rajon.

……………………………………..

Institucionet e Kosovës luajtën lojën e strucit me përjashtim të një reagimi të vonuar dhe sa për të thënë i ministrit Hoxhaj. Ndërkaq dy institucione që në asnjë mënyrë nuk kanë guxuar të heshtin me këtë rast janë ASHAK (ndryshe llogaritet si ajka e kombit) dhe Instituti i Historisë i Kosovës të cilët është dashur t’i paraprijnë këtyre ngjarjeve me organizimin e tryezave informuese, konferencave apo me botimin e publikimeve në të cilën do të pasqyrohej një e vërtetë që e ka goditur popullin shqiptar pas Betejës së Kumanovës dhe inkursioneve kriminale të gjeneralit Jankoviq dhe gjeneralëve të tjerë.
ASHAK falë disa përjashtimeve është shndërruar në një vend ku janë aziluar të papunët dhe të padijshmit të cilëve u mungon iniciativa për të bërë diçka të dobishme për kombin dhe shtetin. Ata, të përzgjedhur në bazë të klaneve dhe meritokracisë politike nuk tregojnë aspak gatishmëri të trajtojnë tema nga e kaluara e dhimbshme e popullit shqiptarë e lëre më të kenë ndonjë vizion për të tashmen apo të ardhmen.
Kujtojeni rolin që e kanë luajtur dhe e luajnë Akademitë e shkencave dhe të Arteve të shteteve të rajonit në zhvillimet politike, ekonomike, diplomatike dhe kulturore .
Ku është ASHAK në këtë drejtim?! Në fund të pusit!
Edhe Institucioni i Historisë është bërë pjesë e mrizit dhe në çastet vendimtare nuk dëgjohet se është gjallë. Beteja e Kumanovës apo përligjja e krimeve ndaj shqiptarëve ishte provim me të cilën kanë ngelur me notat më të dobëta ASHAK dhe Instituti i Historisë.
KMDLNj, me pijetet i kujton të gjitha viktimat shqiptare që kanë rënë si pasojë e një politike shoviniste të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi pas Betejës së Kumanovës, duke kërkuar që ata të trajtohen si viktima për shkak të përkatësisë etnike e jo të bëhen përpjekje të turpshme për heshtjen e këtyre krimeve. Së paku që mund dhe duhet te bëjnë është ngritja e një memoriali me të cilin do të shënoheshin emrat e atyre që janë masakruar nga bandat serbe dhe trajtimi institucional dhe shtetëror i këtyre viktimave, post mortern! Ata që sakrifikuan e fituan lavdinë, ndërsa këta që po heshtin po e fitojnë turpin.


Behxhet Sh.Shala – Drejtor Ekzekutiv i KMDLNJ’së

……………………………………….

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
GJUETIA SERBE NDAJ SHQIPTARËVE

Gazetari Fritz Magnussen, gjatë luftës së parë ballkanike ishte korespondent i gazetës daneze “RIGET, dhe me këtë rast po shkëpus një raportim të tij, të datës 7 nëntor 1912, ku përshkruan disa momente të tmerrshme, pas pushtimit të Kumanovës dhe Shkupit ( fillim nëntor 1912)!
Ҫka shkruan Fritz Magnussen?!

GJUETIA SERBE NDAJ SHQIPTARËVE

RIGET – 7.11.1912
Trupat serbe drejtojnë një luftë shfarosese të frikshme ndaj popullsisë arnaute – banorët hidhen jashtë nga shtëpitë dhe qëllohen me armë si minj – telegram special nga korrespondenti jonë i dërguar pranë komandës serbe.
Yskyb (Shkup) mbi Semlin, e Mërkurë
Lufta serbe në Maqedoni ka marrë karakterin e një masakre të tmerrshme të popullsise arnaute (shqiptare). Ushtria ndjek një luftë shfarosëse të tmerrshme. Sipas prononcimve nga oficerë dhe ushtarë janë vrarë 3000 arnautë midis Kumanovës dhe Yskyb’it (shkupit) dhe 5000 përreth Prishtinës. Fshatrat arnaute rrethohen dhe me pas ju vihet zjarri. Banorët që dalin nga shtëpitë qëllohen për vdekje si minj. Kjo gjueti njerzish tregohet me gëzim nga ushtria serbe.
Gjendja në Yskyb është e tmerrshme. Janë bërë kontrolle në shtëpitë e arnautëve dhe nëse gjenden gjëra që ngjajnë me armë njerzit qëllohen në vend. Eshtë shumë e pasigurt që të qarkullosh në rrugë sepse vashdon të qëllohet drejt shtëpive dhe brenda tyre. Në çdo moment fluturojnë plumba të vegjël nëpër rrugë. Dje 36 arnautë u denuan me vdekje pa gjyq dhe u ekzekutuan në vend. Lumi sipër në të djathtë është i mbushur me kufoma.
Çdo ditë krijohen ekspedita gjuetarësh në fshatrat përreth. Dje një oficer serb më tha mua se kishte marrë pjesë në një gjueti të tillë ku njëkohësisht mburrej se pardje, më në fund kishte vrarë 9 arnautë.
Nuk kalon asnjë ditë pa patur ndonjë vrasje makabre e ndonjë arnauti. Unë dërgoj këtë telegram me një korrier të veçantë nga Yskyb në Semlin për të shmangur censurën e fortë. Do të provoj më vonë që të dërgoj korrespondencën.

Artileria serbe në rrethinën e Kumanovës /23 – 24 nëntor 1912/ dhe masakrimi i shqiptarëve të paarmatosur!

…………………………………………………….

(Shtojcën dhe ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org) 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura