Berlin, 20 shkurt 2020: Shihemi pas 60 ditësh. Dejtoni vdiq. Mirë se vjen RS-xit. Lamtumirë Bosnjë. Kështu e shohin dhe mendojnë serbët kohën politike që përhihet në horizont. Fantazma e Millosheviqit sillet sërish mbi Ballkan. Figura e vartësit të dikurshëm Vuçiq është emanacioni i saj veshur me bizhu Europe.
(E shqiptarët shpenzojnë energjitë me Xhamajkën e ngjyrave të largëta e mashtruese !)
Nëse “Republika serbe” deklaron shkëputjen, aherë ndërlidhmërisht, sipas lëvizjes së gurëve në fushën manjetike, po këtë do bëjnë dhe serbët e Veriut. E, fill më pas, dhe ata të Malit të zi që, duke qenë shumicë si thotë Zotnia i Dedinjes, duhet t’a zhbëjnë shtetin e Gjukanoviqit ose t’a rikthejnë atë në prehërin e nënës Serbi.
(E shqiptarët kryqëzohen në kauza të shpifura: në Prishtinë me taksën që rrjedhë si shoshë, kurse në Tiranë me puçin e padëgjuar që bëjnë – jo gjeneralët, jo opozitarët e ndërkryer, por qeveria kundër vetes së saj!).
Serbia armatoset, numëron
banorët e kombeve në rrethim, ndalon tregtimin e ansamblit mjekësor në Europë (nëvojë, demografi, dinjitet!), mban si pishtar idenë luftës dhe parasheston gjasët e triumfit a humbjes. I tillë, i paarkivuar, nacionalizmi i saj, kjo doktrinë e qenies, kërcënon më shumë se kurrë territorin shqiptar në Veri e Verilindje të tij.
Belgradi ende kujton për frymëzim të “butin”, të ” mirin” patriark Pavlen e ndjerë, i cili një moment në fillimvitet 90-të, pat harruar zhgunin e klerikut dhe uratën e Jezuit. E tha: e drejta shtrihet deri në gjatësinë e shpatës. Poashtu, një anë e skicë-kufijëve që vijëzonte Drashkoviqi i dizajnuar rrejshëm, nuk jepet dot. Serbi, pohonte ai, është deri tek varret në perëndim dhe deri tek tempujt në jug. Por nëse “kufiri i varreve” u varros dhe vetë, “kufiri i tempujve” është akoma gjallë.
(E shqiptarët xyfen keq mes tyre. Dhe kjo grindje, sidomos nga media provinciale e Kosovës, ngjan e ultë – sepse është e pakulturë dhe e marrë – sepse tronditë themelet e ngrehës shtetërore, duke kompromituar ashtu aftësinë e vetë racës për vetëjetesë. Fundja, Kosova s’mund të gëzojë komocionin e Shqipërisë. Ajo, si tha njëherë Kadare, i ka “letrat” që Kosovës i mungojnë…)
Dhe, natyrisht, asimetria dramatike vijon. E pandryshueshme nga asnjë rrotullim historik. Serbi, si përherë: i pozicionuar, i programuar dhe i disiplinuar. Mbanë tjetër, shqiptari: i gatshëm për tagrin e gjakut, por i hutuar, mashtruar dhe i pështjelluar. Inercia është ligj i provuar fizik. Po edhe i shpirtit, e pra, i robit gjithashtu! A nuk e thotë bukur Talmudi se nga dhjetë kafetë e gjumit që kanë zbritur në botë, nëntë prej tyre robërit i kanë pirë?!
Postime të Lidhura
REXHEP KASUMAJ: DREJTPESHIMI I NDALUAR (PUSHTIMI SHQIPTAR I JERUSALEMIT)
(Berlin, dhjetor 2012) – Mësoj se pushtimin e Jerusalemit në vitin 1831, e kishin bërë shqiptarët e primë…
SHERADIN BERISHA: KOSOVËS I DUHET URGJENTISHT NJË MENTALITET I RI POLITIK PËR NDRYSHIM!
Pashtriku, 24 korrik 2020: Rikujtesë për kthjellim të gjithë spektrit politik! Nga arkivi i Facebook., 14.07.2019 Një vit…
OLSJAN TOPALLI: PROBLEMET E EMIGRANTËVE SHQIPTARË NË GREQI DHE TIRANA ZYRTARE!
Elbasan, 08. 02. 2016: Problemet e emigrantëve shqiptarë në Greqi nuk kanë të mbaruar. Dikur pajisja me letra…
ABDULLA MEHMETI: POLITIKA DEMOGRAFIKE E MAQEDONISË ËSHTË DISKRIMINUESE NDAJ SHQIPTARËVE
Tetovë, 16. 07. 2014 – Republika e Maqedonisë, që nga krijimi i saj si republikë në kuadër të…