FAHRI DAHRI: REALIEII YNË(Të ndalet e keqja, pjellë e tranzicionit)

Tiranë, 29 Korrik 2019: Vendi ynë, i ndodhur në këtë pozicion gjeografik që të parët tanë na e kanë zgjedhur, ka si trashëgimi edhe disa veçori dalluese ndaj popujve të tjerë. Kështu bie fjala, ne shquhemi “pak” për ekstremizëm, rrëmbehemi fillimisht, këmbëngulim, tregohemi “pak” kokëfotë dhe për një “plesht djegim jorganin”. Nuk po e vazhdoj më me këto vese, sepse kemi edhe veset e kundërta të tyre, siç janë sinqeriteti, besnikëria, toleranca, aftësia për tu përshtatur si ndaj vështirësive edhe ndaj lehtësirave, kërkojmë dhe synojmë vazhdimisht drejt më të mirave, i kapërcejmë pengesat dhe me vetëdije synojmë për tek më e duhura.
Arësyeja e nisjes së shkrimit me këtë hyrje, mu diktua nga përvoja e rrugëtimit të shoqërisë tonë nga viti 1991 e në vazhdim, ku u përfshimë pa dashje në një “vrimë të zezë”, që vazhdojmë ta quajmë “Periudha e tranzicionit”, ose periudha kalimtare, e cila, mesa duket kërkon t’ja kalojë në vite edhe ish periudhës komuniste.
Në të vërtetë, nuk ishte e menduar që periudha kalimtare do të ishte e gjatë, por ja që u zgjat, u bë tërkuzë, ose siç thotë populli: “ec e ec dhe ska të sosur”.
Për tranzicionin tonë, duke qenë një shqetësim serioz për vendin dhe njerëzit, kanë reaguar shumë intelektualë, janë botuar edhe libra, siç mund të përmendim: “Shqipëria në tranzicion të zgjatur”: politikat fiskale, korrupsioni, shpenzimet e mbrojtjes, arsimi universitar, investimet, probleme të bujqësisë, profesioni i kontabilistit dhe etika: (analiza dhe studime) me autor Prof.Dr. Agim Binaj; apo Prof.Dr. Tonin Gjuraj: “Nova demokratia” (15 ese për tranzicionin dhe për demokratizimin)”; “Tranzicion apo trashëgimi”, me Autori Daut Gumenin, si dhe mjaf analistë profesionistë dhe seriozë.
Zgjatja e tranzicionit tek ne, nuk është rrjedhojë objektive, ajo është subjektive dhe pse-në e zgjatjes nuk është e ndershme dhe as e pranueshme për ta kërkuar tek protagonistët e politikës, mbasi ata janë krijuesit e zgjatjes, por pse-ja duhet analizuar dhe gjykyar nga intelektualët, qofshin akademikë ose jo, studiuesit përkatës, tek funksionimi i drejtësisë, tek bërja dhe vënia në zbatim e reformave dominuese kundër të korruptuarve. Nuk ka korrupsion pa të korruptuar, mbasi të korruptuarit krijojnë fushëveprimi, duke përdorur drejtëpërdrejtë klauzola ligjore, apo boshllëqet e qëllimshme ose jo, midis rrjeshtave të neneve ligjore.
Kujt i është dashur zgjatja e “Periudhës kalimtare?, Ose më saktë pse duhej lejuar ky tranzicion i gjatë?. Është fare e thjeshtë, sepse tranzicioni, në të vërtetë është “Grabitje me anë të mashtrimit”, ka krijuar hapësira për krime të organizuara, ka hapur traun për eskprotimin e trafikimeve të shumëllojshme. Kjo periudhë trafikimi është karakterizuar nga çvleftësimi i normave ligjore, përdorimi i mjeteve të kundraligjshme dhe jo morale në të gjitha shtresat e shoqërisë. Tranzicioni ka goditur rëndë funksionimin e shtetit, ka çvleftësuar sundimin e shtetit ligjor, ka favorizuar shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Të gjitha këto kanë goditur rëndë parimet themelore të demokracisë (të mos mashtrohemi, periudha nga viti 1991 e derisot asnjëherë nuk ka përmbushur parimet e demokracisë). Por, siç do theksohet më poshtë, krahas dëmeve të rendit demokratik, tranzicioni ka ndikime të dëmshme dhe të forta edhe në qelizën bazë të shtetit, në familjet shqiptare. Është pikërisht goditja në mbarëvajtjen e familjes që dëshiroj ta ndaj me lexuesit.
●●●
“Çdokush mund të inatoset – kjo është kollaj, por të inatosesh edhe me njeriun e duhur, edhe në masën e duhur, edhe në kohën e duhur, edhe në mënyrën e duhur, kjo jo, kjo nuk është e lehtë dhe jo çdokush e ka këtë fuqi”. Na vjen këshilla nga gjeniu më i madh intelektual i botës antike, nga Aristoteli 2.350 vjeçar.
“Disa gjëra janë të përkohshme, ndërsa familja është e përhershme”. Është një tjetër përkufizim që na sjellin njerëzit e urtë dhe që ne duhet jo vetëm ti dimë, apo ti përmendim, por jemi të detyruar ti respektojmë dhe ndërgjegjësisht ti zbatojmë.
Familja është shtylla më e fortë, tek e cila mund të mbështetemi pa frikë, ajo mbetet gjithmonë pranë nesh (çdo anëtari të saj). Çdo kujt i ka ndodhur, i ndodh dhe do ti ndodh që për një apo disa arësye i lind nevoja të ndajë “hallet” apo projektet e tij për të ardhmen. Çdo kush nga ne, ka nevojë për dikë të bisedojë për diçka që e shqetëson, ose edhe për rastet e lajmeve të gëzuara, realizim ëndërrash dhe jo vetëm. Për këto raste ndihma e parë dhe e pa kushtëzuar na vjen nga familja, është ajo që na dëgjon, na përkrah, na mbështet dhe atje gjejmë përgjigjet dobimëdha. Askush tjetër nuk na njeh (me rrënjë e dhëmballë) më mirë se familja jonë – çdo anëtar i saj.
A nuk janë të parët, familjarët tanë, ata me të cilët ne ndajmë gëzimet, festat, kujtimet, ngjarjet më të këndshme, më të bukura si dhe hallet, problemet tona?. Jemi të ndërgjegjshëm se krahas komunikimit të mirë, kujdesit. mbështetjes prindërore parezerva ndaj anëtarëve më të vegjël të familjes si dhe respektit të të vegjëlve ndaj më të mëdhenjëve, nuk mundet të mos ketë edhe mosmarrëveshje, apo marrëdhënie të vështira, por gjithsesi vjen një moment që arrihet të sqarohet, të kërkohet falje dhe pa hezitim përfshihemi në pendim. Gjërat sheshohen dhe normaliteti në familje rivendoset, sigurohet kompaktësia dhe jeta familjare rrjedh e qetë, jashtë komplekseve dhe aspak e nënështruar ndaj kushteve, por e “zaptuar” nga vetë qenia dhe prezenca e prindërve, motrave dhe vllezërve tanë.
Jo gjithçka dhe për herë rrjedh e qetë, pa vështirësi, pa keqkuptime, të cilat na shqetësojnë, na pengojnë, por të mbështeturit në familje, e cila është gjithmonë e gjendur pranë nesh, na i lehtëson dhe na ndihmon për ti kapërcyer. Kjo, sepse pavarësisht nga gabimet që bëjmë ose detyrohemi të bëjmë, në rrethana të caktuara familjarët tanë janë ata që nuk na harrojnë, nuk na mohojnë, nuk na përbuzin, por zgjasin dorën, ato duar të ngrohta të cilat na rikthejnë në normalitet, ose si i thonë fjalës, familjarët tanë mbeten tanët dhe janë të pazëvëndësueshëm.
Energjitë, moralin, vetëbesimin, sigurinë, ngrohtësinë dhe dashurinë e kemi gjetur, e gjejmë dhe do ta gjemë, në radhë të parë dhe përherë tek kjo qelizë e vogël, por nga përmasat është baza – themelore e padiskutuar e shoqërisë njerëzore. Familja gjendet, por dhe krijohet. Kur lindim, qajmë dhe belbëzojmë në familjen që gjejmë. Me atë rritemi, madhohemi dhe burrërohemi. Vjen një kohë dhe dalëngadalë, ligjësi e natyrës, familja e gjetur “rrallohet”. Por fillon e krijohet një familje e re, me personazhe të tjerë, por si të thuash në vazhdimësinë e asaj të gjetur.
Çdo kush nga të rriturit, e mban mend kur janë njohur për herë të parë, në pallat, në lagje, në fshat, në ara, në fabrika, në shkolla etj. Të dy të rinj, të hareshëm, të pashëm dhe plot shëndet, japin fjalën, premtojnë, lidhin besën ndaj familjes, betohen për besnikëri ndaj njëri-tjetrit, të afërmëve, miqëve dhe shokëve.
Fejohen, pastaj martohen, lindin një, dy, tre fëmijë, lind dhe kompletohet familja e re. Sigurisht familja është me shtëpi e “katandi”, fëmijët rriten, kohë pas kohe kapërcejnë nga çerdhet, kopshtet, në shkollat e ulta, të mesme e deri në të lartat. Sidoqoftë gjithçka lind, rritet, zhvillohet dhe plaket, sigurisht në të shumtat e rasteve në familje!.
Depresioni një armik i fshehtë
Shoqëria dhe familjet shqiptare janë në depresion, po thuaj mbi gjysma e shqiptarëve janë nën kujdesin e medikamenteve dhe lëvizin bashkë me ’to!. Sipas mjekëve psikiatër depresioni ka marrë revansh dhe kinsolidohet me statusin “sëmundja e shekullit”, dhe duke u ndodhur në këto ambjente sociale, të cilat na i kultivoi me “kujdes” politika, depresioni po i parakalon sëmundjet kardiovaskulare. Duhet të kuptojmë dhe të ndërgjegjësohemi se forma më e rëndë e depresionit shpie drejt vetëvrasjeve, fenomen që askush nuk e dëshiron as për vete, as për këdo tjetër.
Depresioni është gjendje e pikëllimit të thellë, humbet shpresat, bie besimi në vetëvete, na pushton indiferentizmi, nuk interesohemi ndaj gjithçkaje që na rrethonë, shuhen ndjesitë ndaj kënaqësive dhe gëzimeve. Shkaqet që e sjellin njeriun në këtë gjendje janë disa, por mbi të gjitha është situata politike, sociale dhe ekonomike e cila ka mbërthyer për “fyti” shoqërinë tonë prej 1991 e në vazhdim.
Anashkalojmë faktorin nga trashëgimia genetike, e cila mbetet në frekuencat e çdo shoqërie dhe nuk përfshihet në dozat e shumta të aktualitetit mjedisor, të krijuara nga dështimet e ndryshme dhe të dëndura në përpjekjet e çdo njerit prej nesh për arritjen e ndonjë objektivi të dëshiruar, por të pamundur nga “sulmet e “hienave” të kudo ndodhura, qofshin të ligjshme ose përfituese, rrjedhojë e një sistemi drejtimi të qëllimshëm kaotik. Ndikime të rënda në krijimin e depresionet japin edhe shkëputja nga jeta e njerëzve të dashur, sidomos e atyre në mosha të reja dhe atyre jashtë “radhe”.
Sigurisht terapia më efikase për parandalimin dhe kurimin e mundshëm të depresionit, është të mbështetemi, të ndihmohemi, dhe të kujdesemi nga rrethi ynë familjar, nga shoqëria dhe ambjenti rreth nesh. Kjo na çliron nga psikoza, nga mendimi i keq që na pushton duke u ndjerë në vetmi. Përkundrazi duke qenë në mjedise të shëndosha familjare dhe shoqërore, absolutisht gjithkush (me apo pa depresion) do të ndjehet i fuqishëm, aktiv dhe i dobishëm për jetën.
Deklaratat ofenduese dhe përçmuese, të cilat na vijnë nga burime të ndryshme, nuk mbeten pa pasoja. Në veçanti kur ato deklarohen nga persona me statuse politikë. Pa përgjegjshmëritë e politikanëve, apo shtetarëve në deklarat e tyre, qofshin ofenduese, fyese, mashtruese, ose thirrjet nga tribunat, sheshet, studiot, apo selitë e ndryshme, duke përdorur mashtrimet (si politikisht dhe për interesat partiake!?), për vetë faktin e pozicioneve të tyre, në terren fitojnë legjitimitet, eufori, zemërime dhe irritime, ashtu siç nuk na kanë munguar në këtë periudhë tranzicioni. Tashmë i kemi provuar rreziqet e deklaratave të politikanëve, të cilat kanë sjellë pasoja në jetën tonë të përditshme, deri në çoroditjen e mendjeve dhe veprimeve aspak të pranuara në traditat tona, qoftë në tërësinë e shoqërisë, ashtu dhe brenda anëtarëve të familjeve, me shthurrje, mungesë respekti, ofendime e deri tek veprime aspak njerëzore, siç janë vrasjet horror, grabitjet qofshin ato me mashtrime apo me dhunë.
Një tjetër aset njerëzor, ai i mediave të varura nga politika, është po aq i rezikshëm dhe “produktiv”, në ndikimin e sjelljeve të këqia në mjedisin tonë shoqëror. Më thjeshtë: Politikanët me politikat e tyre të imoralshme, të mbështetur fuqimisht nga mediat e varura prej tyre, si satelitë të zellshëm, janë dy institucione që veprojnë tek ne, të cilat fuqimisht ndikojnë në sjelljet e mbrapshta, anormale të të gjitha fenomeneve negative, të cilat nuk na mungojnë për 24 orë rrjesht në shtëpitë, në kafenetë, në rrugë, në institucione, në shkolla, kudo dhe jo vetëm brenda territorit të R.SH, këto sjellje amorale kanë pushtuar shqiptarët kudo janë jashtë vendit. Fatkeqësi. E keqe e kultivuar me zell nga politika dhe media. Nuk është vendi për të treguar apo përmendur rastet jo të pakta të veprimeve apo mos veprimeve jo morale që kanë ndodhur dhe ndodhin edhe brenda ngrohtësisë familjare. Për këtë do përqendrohemi tek disa veprime të papranueshme, të papëlqyeshme, të cilat në këto vite të “periudhës kalimtare”, duke qenë të shpeshta kanë marrë një “OK”, dmth po trajtohen si gjëra të zakonshme.
Vjedhja
Do të sjell këtu disa citime, të cilat shpresoj të na ndihmojnë në arësyetimet dhe gjykimet tona për tu larguar nga ligësitë dhe për tu kthyer në mirësitë, të cilat i kemi të gatshme si rrjedhojë e përvojave të shkuara jetësore. Qenia njerëzore është e begatuar me mirësi të shumta. Njeriu dallon nga shumë krijesa të tjera. Por çdo ambjent natyror që na rrethon është i plotësuar me ligje objektive dhe kufij të cilët nuk varen nga njeriu. Ne, njerëzit, jemi paisur me aftësira të ndryshme, arrijmë të vëmë në përdorim të jetës të gjitha të mirat e krijuara, me mendjen tonë dimë të koordinojmë dhe ti rendisim sipas kërkesave dhe nevojave tona gjithçka kaotike që na rrethon. Përkundrejt mirësive të shumta, ndeshemi dhe me probleme, apo me veprime të cilat nuk duhet ti përdorim, ndaj të cilave detyrimisht duhet të largohemi prej tyre.
Çdo person është i prirur nga dëshira për të qenë i pasur, është i dhënë mbas bukurisë dhe lakmisë. Krahas tyre shoqëria njerëzore, mbështetur në përvojat e shumta jetësore ka vendosur rregulla, udhëzime si dhe ka përcaktuar me ligje kufizime të caktuara për të mos përdorur dhe as lakmuar në veprimet ose mos veprimet e ndaluara, të kundraligjshme, as për të krijuar pasuri të pamerituar dhe as për të përvehtësuar me mashtrime apo me dhunë asgjë të të tjerëve.
Në realitet ndeshemi edhe me njerëz të ligj, harbutë, mendjelehtë, mashtrues, shpifës, ngatrrestarë, vrasës të cilët arrijnë me metoda të poshtra, të pista të sigurojnë pasuri në forma të ndryshme si materiale, sende me vlera të çmuara, para, prona të palujtshme etj. sikundër priren me zell për të plotësuar kënaqësitë dhe lakmitë, të cilat ndodhen në ambjentet për rreth. Në plotësimin e këtyre antivlerave, njeriu i lig është në gjendje që çdo vlerë, qoftë dhe e tij ta shkatërrojë, deri edhe veteveten, të rrezikojë e poshtërojë vetëm e vetëm për të realizuar dëshirat e tij, epshin, lakminë apo diç tjetër.
Përvojat e jetës, kanë detyruar, siç u tha, nxjerrjen e regullave, udhëzimeve dhe ligjeve, që çdo njeri të mbështetet në mendjen, në punën dhe me djersën, me veprime të pastërta të arrijë të sigurojë jetën e tij, të familjes vetëm nëpërmjet punëve të ndershme, larg grabitjeve me mashtrimeve, larg zilive e lakmive. Të vepruarit në këtë drejtim, gjithçka të realizuar, të arritur me djersë, me ndershmëri, çdo njeri fiton statusin e të cilësuarit i “shenjtë”; ndërsa djersa e hajdutëve, grabitësave mashtriuesave, fallsifikatorëve, e atyre të cilët i mëshojnë përpjekjeve për të arritur në përvehtësimin e pasurisë së tjetrit, krahas cilësimit si njerëz të poshtër, zbatohen edhe sanksione të rrepta.
Për fat të keq, siç ka ndodhur dhe ndodh në këtë periudhë tranzicioni, këta tipa njerëzish të urryer dhe që nuk janë pak, kanë arritur të mos ndëshkohen. Më interesant ëdhtë se një pjesë e këtyre “birboje” në vend që të trajtohen si kriminelë dhe vjedhës, janë favorizuar dhe janë pjesë e institucioneve më të larta shtetërore. Vjedhjet janë shtrirë edhe në ato institucione ku në “kasaforta” i fusin duart edhe drejtusit të cilëve u janë besuar, duke filluar nga bankat, thesari, institucionet tenderuese, etj. fenomene këto që duke mos u ndëshkuar, marrin ngjyrat e të qenurit normale, ndërsa përfituesit, grabitësit justifikohen nga drejtësia sa janë “të sjellshëm në lagje”!?. Një fatkeqësi që duhet të eliminohet me urgjencë!
Populli na mëson se: “Një dorë që vjedh, ajo është vetëm dorë e mallkuar dhe e helmuar, e cila meriton të ndalet një orë e më parë”. Ndryshe, ato duar të pista përhapen si rrënjët e “gramit” dhe ndikojnë në shkatërrimin e zemrave, të mendjeve tona, tinzisht gjejnë përkrahje dhe strehë në gjithë shoqërinë deri edhe tek familja.
Mashtrimi
Mashtrimi është një tjetër ves i dëmshëm, por që në rrethana të caktuara është përdorur dhe përdoret edhe gënjeshtra. Disa gënjejnë për të mbrojtur veten, të duken mirë, të përfitojnë financiarisht, ose përdorimi i glnjedhtrës në shoqëri blhet gjoja për të shmangur dënimin. Personat që gënjejnë, shpesh për përfitime personale mund të diagnostikohen me çrregullime antisociale të personalitetit dhe gjendja e tyre përkeqësohet me kalimin e kohës. Çfarë i bën që njerëz të ndryshëm, me standarde të ndryshme, kur vjen puna mënjanohen ose ndërrojnë mendim për të thënë të vërtetën, duke shpresuar se me gënjeshtër mund të përfitojnë ose të shpëtojnë nga një veprim apo mos veprim?.
Lidhur me këtë fenomen, pa mëdyshje, nisur gjithëmonë nga përvoja e periudhës së tranzicionit, nuk mund dhe as që duhet të mendojmë se përgjigjen do ta marrim nga politikanët. Kjo pasi në të shumtën e rasteve politikanët tanë, për fat të keq, kanë dështuar në misionin e tyre të ligjshëm, por ata janë të suksesshëm në përfitimet formale dhe informale. Kështu shoqëria jonë pret më shumë urtësi dhe mendime për prosperitet nga shkencëtarët, studiuesit, akademikët e merituar, të cilët bazohen në hulumtimet, studimet dhe përgjithësimet e përvojave.
Pse përçmohen gënjeshtarët, sidomos ata që e kanë bërë rrugë? E thjeshtë, është çështje besimi. Kur një person gënjen, ai ka thyer një kod, ka prishur një marrëveshje të pashkruar për të trajtuar të tjerët ashtu si do donte gjithkush për tu trajtuar.
Mashtrimet serioze shpesh na i bëjnë të pamundur të besojmë përsëri një person. Dhe meqënëse kjo është një çështje besimi, zbulimi i gënjeshtrës sa më parë të jetë e mundur dhe e vetëpranuar, është rruga më e mirë për riparimin e marrëdhënieve. Nëse e vërteta vjen pas detyrimit, riparimi i besimit është shumë i vështirë.
Si prindër, mbartës të shumë përvojave, mesazhi më i mirë që mund t’i japim fëmijëve dhe anëtarëve të familjes tonë është ti mësojmë ata të arrijnë ti zbulojnë vetë të vërtetat, pa i detyruar. Nuk ka rëndësi koha që mashtrimi ka vazhduar, as dhe madhësia e tij, rëndësi ka arritja e vetëdijes për të pranuar dhe treguar mashtrimin. Deklarimi i mashtrimit me anë të dhunës apo frikës mbetet pavlerë, sepse mashtrimi në këto raste është i mundshëm për tu përsëritur. Vetdeklarimi i mashtrimit, është arritje e rëndësishme mes njerëzve, rrit besimin tek njëri tjetri, si në rrethin shoqëror dhe atë familjar.
Lakmia
Lakmia shquhet për dëshirat e tepruara, ajo është një pangopsi e frikshme, përkufizohet me dëshira të këqia, të liga, egoiste. Në librat e shenjta ato kuptohen si «dëshira për të pasur më tepër», që sipas Biblës tregohet «lakmia» dhe «zilia». Lakmia shfaqet në disa drejtime, siç mund të rendisim dëshirën për të patur sa më shumë para, pasuri, dëshirën për pushtet, maninë për sa më shumë përfitime materiale. Por nuk mund të mos përmenden edhe njerëzit me dëshira për të shijuar sa më shumë ushqime, rehati personale, për të prekur dhe shijuar bukurinë natyrore dhe njerëzore, sigurisht jashtë përkatësive të tyre. Këta lloj njerëzish, të cilët nuk i përmbahen rregullave, normave të moralit, udhëzimeve dhe ligjeve, shoqëria i rendit si njerëz pa karakter, mashtrues, gënjeshtarë, hajdutë, pushtër, futen në grupimin e njerëzve të urryer, të degjenruar.
Si lakmia dhe lakmitari bëhen të dallueshëm nëpërmjet veprimeve ose mos veprimeve të dukshme, të cilët vjen një moment që e shfaqin, apo të zbulojnë dëshirat e tyre të gabuara ndaj një sendi, malli apo plotësim dëshirë duke “prekur” gjënë e tjetër kujt. Përsëri le të njihemi me këshillat e Jakovit biblik, i cili thotë: “Se dëshira e gabuar, kur është bërë pjellore, lind mëkatin”.
Me keqardhje, por sado që breza të tërë para nesh, me përvojat e tyre ndaj të mirave dhe të ligave, na i kanë shkruar dhe lënë trashëgimi në forma të ndryshme për të mos rënë në gabimet apo paudhësitë e ndryshme, në këto vite ne u jemi larguar atyre mësimeve. Ne nuk i lexojmë, nuk i vlerësojmë sepse na pëlqen jeta “pa kapistër”, ne duam nje jetë liberta ose duam të jemi “njerëz hergjele”.
Dhe ky konceptim i jetës na është kultivuar pikërisht nga drejtuesit politik, të cilët kanë parapëlqyer “lirinë e pakufizuar të njeriut”. Një fatalitet, që jo vetëm duhet ndalur, por duhet të merren masa për rikthim në normalitet moral, etik, profesional dhe njerëzor. Rëndësi të veçantë në këto drejtime merr ngritja e institucioneve të edukimit popullor dhe rritjes së kujdesit për të rikrijuar pastërtinë e shpirtit dhe përgjegjshmërinë që kemi ndaj vetes,ndaj njëri-tjetrit dhe në tërësi ndaj shoqërisë.
Nëse njeriu synon të bëjë pronë të tij diçka që i takon një tjetri, në këtë rast lakmia ndrron trajtë dhe nga lakmi kthehet në zili.
Studiuesit e fushës së sociologjisë, pa ndalur të tjerët, mendoj se duhet të përqendrohen tek fenomeni i ri i lidhjeve në çifte. Përafërsisht para 80 viteve, lidhjet në çifte ishin mbështetur tek “mblesëria”. Ndërsa nga fillimet e dekadës së pestë të shekullit të kaluar, filloi të venitet mblesëria dhe mori përparësi “dashuria” në lidhjet çiftërore.
Këto metamorfoza i përshtateshin krijimit të kushteve të reja të zhvillimit shoqëror, si të thuash u krijua “kolektivizimi” në shoqëri. Vihet re kapërcimi nga një shoqëri e mbyllur në një shoqëri të hapur. Ndërsa me fillimin e shekullit të ri, lidhja e çifteve, filloi të marrë një kuptim më ndryshe. Hapja e kufijve, lëvizjet e lira të popullsive “dhuruan” njohje dhe zhvillime të reja, u ndeshëm me përvoja të reja, u shfaqën elementë të ndryshëm në shumë aspekte shoqërore.
Shoqëria shqiptare u njoh me një “bum” gjithpërfshirës, gjithçka e djeshme u “përmbys” dhe të “rejat” u gëlltitën pa u përtypur. Kështu, krahas aspekteve të tjera të jetës shoqërore, lindi me epsh të madh lakmia drejt parasë, pasurisë dhe zilisë për të shijuar gjithçka. Në këto kushte erdhën shënjat e para për lakmi të shfrenuar. Po përpunohej veç të tjerash për pranimin e “dashnorëve” dhe “dashnoreve”, kjo fillimisht me delikatesë tek bisnesmenët/et e rin/të reja. Gradualisht, por me ritme të shpejta u pasuan divorcet, u ndërtuan “motelet”, sigurisht në këtë drejtim nuk mungoi dhënia e eksperiencave nga eksponentë të vendeve fqinjë. Si rrjedhoj sot, në mjedisin tonë shoqëror ka marrë “mëvetësinë” lidhja e çifteve me kushte, duke u venitur lidhja e çifteve me dashuri. Ky fenomen tashmë edhe i importuar, ka marrë përparësi dhe nëse burri ose gruaja, i riu apo e reja nuk plotësojnë sidomos kushtet pasurore apo dëshirat për t’i siguruar asaj/atij një jetë “luksi”, martesat, fejesat apo bashkëjetesat zgjidhen, pa droje, duke marrë një “OK”, po thuaj mbarëshoqëror.
Ku janë institucionet e edukimit për mbarë shoqërinë?
Nuk mungojnë projektet apo pogramet e shkruara lidhur me nevojat e shoqërisë për një edukim kolektiv, por mungojnë institucionet dhe metodat për vënien në praktikë. Asnjë shoqëri nuk është e përsosur, apo e arrirë për të mos patur nevojën e vazhdueshme të edukimit qytetar. Në literaturë njihen disa forma për edukimin qytetar siç janë:
“Edukimi për qytetari demokratike” që nënkupton edukimin, trajnimin, ngritjen e vetëdijes, informimin”.
“Edukimi për të drejtat e njeriut” nënkupton edukimin, trajnimin, ngritjen e vetëdijes, informimin, praktikat dhe veprimtaritë që ato synojnë, përmes pajisjes së njerëzve me njohuri, aftësi, qëndrime dhe sjellje që i aftësojnë dhe i fuqizojnë ata për të dhënë ndihmesën e tyre në ndërtimin dhe mbrojtjen e një kulture universale të të drejtave të njeriut në shoqëri, për përparimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore:.
“Arsimi jo formal” nënkupton çdo program të planifikuar arsimimi, jashtë mjediseve të arsimit formal, të hartuar për të përmirësuar një grup të caktuar aftësish dhe kompetencash”.
“Arsimi informal” nënkupton procesin e të nxënit gjatë gjithë jetës, gjatë të cilit, çdo individ pajiset me qëndrime, vlera, aftësi dhe njohuri nga ndikime dhe burime arsimore që gjenden në mjedisin e tij/saj si dhe nga përvojat e jetës së përditshme (familja, grupet e moshatarëve, fqinjët, biblioteka, media, puna, etj)”.
Ka specialistë që edukimi qytetar të realizohet edhe nëpërmjet mediave. Por, ky edukim qytetar me anë të mediave, arrihet nëse informimet nëpërmjet mediave të sigurohet që janë të mirëqena, të vërteta dhe të dobishme. Jemi dëshmitarë se mediat, sidomos ato televizive, bazuar në praktikën e deritanishme janë të pabesueshme, janë shumë larg në realizimin e misionit që kërkohet për “edukimin qytetar”. Mediat po thuaj 24 orë janë në shërbim të “tellall-llëkut” të politikës, ku kjo e fundit shpif, mashtron, sfidon, krijon konflikte të ashpra dhe kur kërkohet për përgjegjësi, e kemi parë se si gajasen duke deklaruar edhe para organeve të drejtësisë që mashtrimet, shpifjet etj. i jusitifikojnë me llogjikën se “i përdorin politikisht”.
Në këto kushte kërkohen masa drastike për të vendosur në rrugë të drejtë, të mbarë dhe të ndershme, jo vetëm mediat, politikanët por dhe vetë institucionin e politikës, pa anashkaluar analistët, studjuesut deri edhe akademikët, të cilët duhet të ngrejnë zërin për të krijuar institucionet e “edukimit qytetar”.
Njihen disa praktika që përdorin me efikacitet metodat dhe mënyrat për edukimin masiv qytetar, në shtete të ndryshme, si në SHB, në Itali, në Britaninë e Madhe etj, forma të cilat duhen studiuar dhe aplikuar në përshtatje me kushtet e vendit dhe karakterin e popullit tonë. Dhe nisja për të filluar nga “edukimi mbarëpopullor” është tepër i domosdoshëm, për të ndalur “tatëpjetën” e amoralitetit, e cila është shfaqur si e “pranuar” në raste të tepruara tek ata/ato të rinj e të reja, që na janë pagëzuar si “VIPA” (Persona shumë të rëndësishëm).

Mundet të zbulojmë se dikush na gënjen!
Nuk kam arritur të gjej ndonjë përkufizim të plotë për të zbuluar se dikush na mashtron, apo gënjen, por nisur nga shumë përvoja si dhe nga rastet e ndodhura në jetën time, nëpërmjet vrojtimit të kujdesshëm të disa qendrimeve apo sjelljeve mundet të arrihet tek zbulimi se kush na gënjen, madhtron, vjedh, shpif, apo që është lakmimtar etj.
Të gjithëve na ka ndodhur që gjatë bashkëbisedimit më dikë për të sqaruar ndonjë problem, vjen një çast dhe i themi: “Më shiko drejt në sy”!.Kur një personi që ke përpara i shmanget kontaktit sy më sy. Nëse konstatoni se personi përballë përpiqet të shmangë shikimin drejt në sy gjatë bashkëbisedimit, ju jeni në të drejtën tuaj që të krijoni dyshim në vërtetësinë e deklarimit të atij personi.
Rast tjetër dhe i pranuesshëm për ta përdorur për të zbuluar mashtruesin është ndryshimi i zërit tek bashkëbiseduesi. Dikushi gjatë bisedës, në disa pjesë të tregimit bën ndryshimin e zërit, si dhe shoqërohen me mbrapashtesa të panevojshme apo të pakuptimta, por përdoren për të fituar kohë, gjoja në mbushjen e mëndjes tuaj.
Janë edhe disa veprime që njihen si “gjuha e shenjave”, të tilla konsiderohen lëvizjet e duarve, të kokës, mimika e fytyrës, të cilat u shërbejnë gjoja për tu bërë sa më i besueshëm tek bashkëbiseduesi, për mashtrimet që ai/ajo, gënjen apo shpif.
Interesate, por dhe qesharake për njerëzit me karakter të fortë, me gjykim dhe llogjikë të shëndoshë, është të kundërshtuarit e vetvetes të njeriut që përpiqet t’ju gënjejë, mashtrojë etj. Ai mundohet të sjellë argumente që kundërshtojnë ato ç’ farë ka deklaruar pak më parë në bashkëbisedimin me ju. Kujdes duhet treguar në rastet kur bashkëfolësi shtrëmbëron aty për aty fjalët që ju thoni, megjithëse ju mundoheni ta sqaroni, ai/ajo nuk tërhiqet. Pra kur përpara ke një person që tjetërson apo ndryshon thëniet e tua, dije se përpara ke një mashtrues, i cili përgadit terren për një sulm armiqësor ndaj teje, pavarësisht të vërtetave.
SENATI I TË URTËVE (KËSHILLI I TË URTËVE)
Koha për krijimin e një strukture kushtetuese, e cila në përbërjen e saj të përfshijë vetëm intelektualë të aftë profesionalisht, të denjë moralisht dhe të pakorruptuar. Një strukturë e përbërë nga një numur i caktuar intelektualësh, përafërsisht nga tre anëtarë të fushave më kryesore që operojnë tek ne. Këtë “Këshill të të urtëve e kemi edhe trashëgim nga të parët tanë të hershëm!
Secili anëtar, detyrimisht duhet të jetë “çertifikuar-liçencuar” i përshtatshëm nga Vettingu. Pa asnjë mëdyshje të jenë të “Mosvarur” politikisht, me përvoja dhe të sprovuar në kryerjen e detyrave.
Nxitoni të ndalet e keqja, të çlirohet shpirti dhe madhështia e këtij populli që nuk është shuar, por ka mbijetuar ndaj armiqësive të panumurta të bëra kundër tij.
Dymijë vjet nuk u lejua të shkruaj, nuk u lejua të flasë gjuhën e tij pellazge, nuk u lejua të “gërmonte” nëndheun e tij për të nxjerrë të vërtetën e thesareve të së shkuarës së tij.
Lejojeni të çlirojë energjitë e tij pozitive, lejojeni të ribashkojë copëzat e tij dhe do të shikoni vetëm arritjen e demokracisë së vërtetë, jo vetëm në Ballkan, por një rend i ri shoqëror do të zbresë në këtë Botë.
Ekspert ekonomie: Fahri Dahri
Tiranë, më 26/korrik/2019

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura