REXHEP KASUMAJ: ‘I KEMI PARASYSH TË RËNËT’! INJORANCË LAPIDARE E MINAKUT ISA!

Berlin, 18. 02. 2017: Si mund të zbresë, vërtetë, kaq poshtë njeriu?!
Natyrisht, bëhet fjalë për njeriun me shpirt të bardhë, ndërgjegje kombëtare dhe arsye politike.
Kurse ky që i dedikohen këto radhë, vuan rëndë mungesën e atributeve të tillë të fisme. Prandaj dhe s’ka rënë. Ai është poshtë qyshkur. Ndoshta gjithë jetën e tij politike.
Premieri i Kosovës, minaku Isa, në Ditëfestën e Pavarësisë, teksa i bënte homazhe flijimtarëve, tha: “Ne i kemi parasysh të rënët”!
Vini re! “I kemi parasysh”!
Ç’fjalë. Ç’përulje. Ç’pietet!
Ata nuk janë tenderistë që kërkojnë favore. Apo militantë të ndërkryer për ti akomoduar në piramidën pushtetare. Aq më pak dertarë në radhën e gjatë për bukën e përditshme.
Ata, thjeshtë, nuk janë më. Kanë kryer misionin e jetës më atdhetarisht se askush dhe tani prehen. Prehen e nuk kërkojnë asgjë. Vetëm kujtesë dhe referencë në mugëtirën që errëson.
Por, ja që Minaku Isa iu përfalet çuditshëm. Me përskajimin e padëgjuar deri sot: “Do ti ketë parasysh”! E ç’të thuhet, o Zot, për këtë evokim, për këtë mënyrë unikale përkujtimi? Megjithë dhimbjen që ndryn vlerësimi (e kush s’do të donte një Kryepar të admirueshëm?), nuk mund t’mos thuhet: cinizëm i ultë dhe injorancë lapidare!
Poshtërim më të madh nuk ka parë e përjetuar kurrë ky popull në biografinë e tij tragjike. As heronjtë e tij: të vdekur e të gjallë.
Por, me gjasë, nëse, si do thoshte Friedrich Hegel, çdo gjë reale është e arsyeshme, aherë dhe pushtetimi i lig i “njeriut historik” (prapë Friedrich-u i pashmangshëm) të të gjitha kohëve politike, ka arsyen e vet. Nuk mund të shfajsohen për këtë fatkeqësi kombëtare ata që vullnetlirshëm e fronsuan atë.
Për të keqen e tyre dhe të gjithëve bashkë!

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura