DR.ILIR YZEIRI: PSE EDI RAMA PO BËHET I URRYER SI SALI BERISHA

Tiranë, 28. 02. 2016. Edi Rama po i mbërrin me shpejtësi rekordet autoritare të Berishës dhe përfundimisht po mbjell dëshpërimin më të madh në këtë vend pas 25 vjetësh tranzicion të lodhshëm, të përgjakshëm si ai i ’97-s dhe me korrupsion të pandalshëm si në asnjë vend tjetër të Ballkanit. Fati i keq i shqiptarëve, mesa duket, është më i rëndë sesa shfaqet dhe po të vështrosh se çfarë ndodh edhe në Kosovë, situata bëhet edhe më dramatike dhe të gjithë po bindemi dalëngadalë se ky vend ka rrugë të gjatë për të bërë dhe fundi i tunelit është ende larg.
Prona publike, private dhe Edi Rama
Në intervistën e fundit të tij, Kryeministri i Shqipërisë u shfaq arrogant dhe fodull dhe pyetjeve të drejta dhe shqetësimit serioz të gazetarit Sokol Balla, iu përgjigj me fudullëkun e kapos nga Mamurrasi që ka rënë në qytet dhe ka parkuar Jaguarin në trotuar. Mes të tjerash, ai tha se prona publike është e shenjtë dhe nuk preket ashtu si edhe ajo privatja. Balla i tha por edhe ti nuk ke të drejtë të prekësh pronën private me ide antipublike. Përgjigjja e Ramës në thelb ishte se ai mund të bënte çfarë të donte me pronën publike, ndërsa opozita dhe shoqëria civile vetëm mund të protestojnë sa të duan, por ai do të bëjë bunkerin. Personalisht nuk shqetësohem shumë për bunkerin te Ministria e Brendshme, sepse ai nesër mund të hiqet fare kollaj dhe në vend të tij mund të vendoset një portë e padukshme për të vizituar ekspozitën apo instilacionin e Edi Ramës. Nëse ai ka vendosur ta kthejë Kryeministrinë në një minigaleri arti dhe t’i lyejë muret me pikturat e tij mediokre kjo nuk prish shumë punë, sepse muret lyhen prapë, por t’i turresh Parkut Kombëtar dhe të sajosh aty një kënd për fëmijë është jo vetëm cinike, por edhe e pështirë, sepse cilido që kalon andej ka vënë re se poshtë digës, në krah të Akuadromit janë mijëra hektarë bosh dhe aty mund të bëhej një park madhështor sportiv e zbavitës për fëmijë e të rinj, ndërsa Parku Kombëtar duhej ruajtur me fanatizëm ashtu siç është, madje edhe duke hequr ndonjë gjë nga betonet që janë shtuar nëpër vite. Kjo gjë nuk ndodh, sepse fusha poshtë Liqenit është një minierë korruptive për shumëkatëshet që presin të ndërtohen nga klientët e Edi Ramës.

Në këtë rast, kryeministri ynë duhet të mendohet mirë dhe duhet ta dijë se mandati që ka marrë nuk i jep të drejtën që të bëhet ai pronari i pronës publike dhe të realizojë mbi të gjithë turbulencat dhe makutërinë e despotit oriental që nuk ngopet me para e më prona. Atë mandat, ai e ka marrë që të jetë rojtar i pronës publike dhe kryeministri i vendit është edhe administrator i popullit të opozitës, nuk është vetëm shef reparti i popullit të militantëve të PS-së, që ashtu si militantët e PD-së, janë gati të digjet Shqipëria dhe vetëm Edi Rama apo Sali Berisha të rrijë në pushtet. Kronikat tregojnë se Shqipëria po vazhdon të lëngojë nga një rrjet arsimor i kalbur dhe se në shumë zona, fëmijët bëjnë mësim nëpër ish-stalla bagëtish si shkolla e rrethinave të Matit apo në vende të tjera më të amortizuara. Ndërkaq, qeveria e Edi Ramës ka tre vjet dhe nuk ka mbaruar ende makijazhin e godinave qeveritare duke harxhuar miliarda lekë për të rikonstruktuar godinat sipas dëlirit të një piktori mediokër që fati e solli të bëhet kryeministri ynë. Në këtë pikë, Edi Rama i ka arritur të gjitha rekordet autoritare të Berishës dhe po qeveris me të njëjtin stil duke krijuar parajsën për klientët e tij me anë të koncesioneve dhe tenderëve dhe duke bërë sikur po vë rregull për pjesën tjetër.
Gjysma bosh e gjysma plot
Ka edhe një opinion tjetër që thotë se Edi Rama po vendos që të bëjë shtet dhe se ai po kërkon që të vendosë ligjin mbi territorin. Këta të përmendin Lazaratin, kuponin tatimor, ligjin për duhanin dhe nuk di tjetër. Natyrisht ka një vullnet për të vendosur rregull dhe për të formalizuar ekonominë. Kjo është gjëja minimale që duhet të bëjë një qeveri e përgjegjshme, megjithëse për ironi të fatit, formalizimi i ekonomisë nuk ka sjellë rritjen e të ardhurave. Këta mbështetës dhe adhurues të reformave të Ramës harrojnë korrupsionin e llahtarshëm në dogana dhe nuk e shpjegojnë dot se si kryeministri forcon tatimet dhe nuk kontrollon dot doganat. Natyrisht që Edi Rama ka nxitur edhe zbatimin e ligjit në ato fusha që u përmendën më sipër, por të mos harrojmë se ai ishte shpresa e fundit e shqiptarëve me të cilin do të mbyllej tranzicioni. Pikërisht këtë shpresë ai e dogji dhe ashtu si Berisha, iu deshën vetëm dy vjet që të qeveriste si kryeministër i shqiptarëve, pas këtyre dy vjetëve ai u bë Kryeministër i oligarkëve dhe i shpërndau miliardat në duart e klientëve të tij duke e masakruar ekonominë e cila, jo vetëm që nuk po shënon sukses, por po prodhon falimentime të njëpasnjëshme. Të gjitha renditjet e nxjerrin Shqipërinë më të korruptuar, me klimën më të keqe për biznes në Ballkan, me autoritarizëm në vendimmarrje dhe me një klientelizëm të pashoq.
Po ç’do të bëhet me “kokëderrin”?
Pandeli Majko, në një intervistë të para disa kohëve, për të theksuar vendosmërinë dhe principialitetin e vendimeve të Edi Ramës, tha që ai është “kokëderr”, pra i vendosur të bëjë atë që ka në mendje, jo atë që thotë ligji. Majko pa dashje na ka dhënë modelin e udhëheqësit shqiptar ose modelin e të menduarit shqiptar që mbështetet sidomos në fjalë të tilla të moçme si “guri lu e burri s’lu”. Me përjashtim të Zogut dhe të Fatos Nanos deri diku, Enver Hoxha, Sali Berisha dhe Edi Rama shquhen për mediokritet dhe vendosmëri. Kur Enver Hoxha instaloi diktaturën, ai u përshëndet dhe u duartrokit nga shqiptarët sepse përfaqësonte atë që shqiptarët e quajnë vlerë në karakter, që është mungesa e kompromisit, vendosmëria deri në vdekje për të realizuar një çmenduri edhe kur e di se mund të masakrosh një popull të tërë. Ky udhëheqës që nuk priret nga dialogu e nga kompromisi, por mburret se është “kokëderr”, pra se do ta çojë inatin e tij deri në absurd është modeli i liderit trim të vendosur dhe burrë shteti sipas shqiptarëve. Është e kotë të flasësh për Sali Berishën, sepse kulti i tij i sharlatanit romantiko-revolucionaro-komunist është transmetuar aq keq te Lulzim Basha sa kur mendon se përballë Edi Ramës gjendet Basha, trishtimi nuk ka fund dhe ideja se nga ky vend duhet ikur nga sytë këmbët bëhet një dëshirë e ëmbël deri në farmak.

………………………………………….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura