Berlin, 16 nëntor 2019:
1. Traditë mjegullnaje
Në Prishtinën e vjetër, madje dhe n’kasaba të tjera, elita e zotnive, për tu dicerencuar nga “qyli” e plebsi, flisnin turqisht në shtëpi, Dhe, ashtu, identifikoheshin me Entitetin supranacional osman.
Rudimentë të tillë kishin rrugëtuar deri vonë. E sot gjithnjë. Privilegji ishte qendërshtysa e njëjtësimit me perandorinë, atëherë – dhe transformimit fiktiv në perandorinë tjetër jugosllave, më vonë!
Por kur mimikria është e gjatë, shekuj e tillë, ajo shndërrohet në pjesë të qenies. E dyzon atë deri në kufijtë e shfytyrimit. Megjithatë, substanca etnike, e spostuar pak, ruhet përherë në arkivin shpirtëror.
2. Evokim…
E kujtoj dhe rrëfej shpesh me humor një fragment interesant, që do rreket të shpjegojë këtë fenomen të pështirë.
Ishte përvjetori i Universitetit të Prishtinës. Nuk e di pse, por rastësisht, me një kolegun e redaksisë turke A. B., do uleshim kalimthi në kafenenë e këndshme që aherë quhej “Tre sheshirat”, tashmë e zhdukur bashkë me kujtesën e një kohe të madhe…
Por, ambienti komod, eleganca e shërbimit dhe, natyrisht, birrat e Pejës shoqëruar nga peshq të fërguar, u bënë shkak-fajtorë, që ndenja të zgjaste më shumë.
3. Filli i temës
Dhe këtu niste fillesa e shkrimit. Drama e paharruar e një konvertiti tragjik. E tillë, ajo ende bën metaforën e temës ndër vite.
Ndërsa këmbenim mendime për artin, poezinë (se poet ishte), vrushkujt e ftohtë e shkumëzues, turbullonin gjakun ngadalë. Dhe kthjellësinë e arsyes. Asaj që dhunohej e mezi mbahej, në shfaqjen e kurdisur.
Dhe pastaj, papritur, do ndodhte prerja, transmigrimi etnik: herë në njërën, realen e herë në tjetrën, maskën e saj.
4. Drama…
Rrjedhimisht, bashkëndenjësi im përsa kohë ishte esëll, pohonte gjithë patos të ishte turk. Po më pas, kur “uji i bekuar” do shtohej, fliste butësisht, me dhimbje e syveshur: rikthehej përmallshëm në “origjinën” e braktisur. E më thoshte: po çfarë turku i shkretë unë, ore! Shqiptar jam e kemi qenë gjithmonë. Po, ashtu është pra, ia ktheja qetësisht, ndërsa shihja vështrimin e tij mjegullor. Kjo është e vërteta, i thoshja. E di dhe kuptoj plotësisht transforminin, gëzofin e ri lukrativ…
Mirëpo, ndërkohë, do të pasonte sërish një rrotullim prapa, në krahët e species shndërrimtare. Të krijesës amorfe që këmbente votër e emër për hir të një ledhatimi: të pushtetit serb që desh të paksonte dominimin absolut shqiptar në Kosovë.
Dhe ndaj, posa mendoja se e “ribëja” shqiptar, ai ikte e tretej përsëri. Dhe tretej në një vendçlirim të bukur: në toalet. Vente, villte, freskohej e kthjellohej…E kur kthehej prapë në tryezë, përpiqej të formonte një pamje të stisur e serioze. Dhe solemnisht deklamonte: unë jam turk!
Atëherë s’do duroja dot e do ia përplasja në ftyrë: po ti i nderuari A., a s’ishe pak më parë shqiptar? Madje i madh. Plot pendesë, bindje e përmallim. Vallë në “qenef” ndrrove lëkurë e u bërë sërish turk? I bie tani që s’je veçse një “turk qenefi”… Pse jo. Identitet i admiruar. Erëmironjës. I kulluar. Me të ardhme të ndritur si ky diell i lehtë vjeshtak.
U hidhërua pak. Më shikoi sikur kërkonte mirëkuptim. Por nuk foli asgjë. Thërritëm garsonin dhe ikëm!
Postime të Lidhura
“COVID19” ËSHTË PATENTUAR NË VITIN 2015! (VIDEO)
Shkruar më 3 dhjetor 2020 kur politika dhe jo vetëm me PLANdeminë e Kovidit e mbylli njerëzimin ……
PËRPARIM DEMI: NJERIU NUMËR NË SHOQËRINË GLOBALE!
Bukuresht, 3 Dhjetor 2018: Deri më sot shoqëria njerëzore është si fusha e “piramidave” të dimensioneve te ndryshme,…
PRESIONI I GJITHANSHËM PËR THEMELIMIN E ZAJEDNICËS MUND TA RRËZOI QEVERINË!
Një parashikim para 14 shkurtit 2021! PRESIONI I GJITHANSHËM PËR THEMELIMIN E ZAJEDNICËS MUND TA RRËZOI QEVERINË! Nga…
ALARMI I OBSH-së!!!
ALARMI I OBSH-së!!! Nga Sheradin Berisha, Facerbook 6 Prill 2022 Sot xhandari i shëndetësisë globale, Organizata Botërore e…