REXHEP KASUMAJ: RENDI I SPIUNËVE (KËTA DY SHQIPTARË TË SERBISË)

Berlin, 9 qershor 2018:
1.
Në Mynih gjendet varri i tij. Aty, me një pllakëz të thjeshtë sipër, prehet një njeri i veçantë. Është Iliaz Bazna, shqiptari i Prishtinës që desh të përcaktonte fatet rruzullore.
E kishin rekrutuar gjermanët në vitin, tashmë të largët, 1943, me shifrën “Cicero” në Stamboll. Njëj dite që, në pakt me dramën e botës, ngrysej zymtisht, do të futej si shërbyes në dhomën ku rezidonte gjenerali anglez. Dhe pedantërisht, pa u hetuar nga askush, arrin të shtjerë në dorë planin e aleatëve për zbarkim vendimtar në Normandi.
Por Adolfi që dyshonte në besnikërinë e shqiptarëve të Kosovës, nuk e dëgjoi dhe humbi luftën.
Megjithatë, Gjermania, as ajo e tij, as ajo e mëpasmja, nuk do t’a harronin asnjëherë. I akorduan një pension jetësor, i bënë një film artistik e i dhanë një varr. Dhe, natyrisht, një vend në kujtesën kolektive.

Iliaz Bazna, Cicero, (1904 – 1970)

2.
Ju sy të pafjetur të Faraonit, i cilësonin ata egjiptianët e periudhës së “Perandorisë së re”. Kini mëndjen, unë kam shumë sy e vesh, këshillonte dhe Kyros, mbret i lavdishëm i Persisë. E “sytë e Republikës” si quheshin nga venecianët dy fortesat e tyre – Koroni e Methoni, nga survejohej trafiku ujor i Turkisë në Adriatik, s’ishin veçse përskajim figurativ i rivalitetit spiunor.
Po, po, këta ishin, vërtetë, sytë e tyre, sytë e padukshëm të shërbimeve të nënujshme. Sytë pararendës të epilogëve të luftës e sytë përgjues të etheve të fronmbajtjes. Dhe këta sy pushteti që shtegtojnë epokash, do jenë agjentët, spiunët a fshehatarët e të gjitha orëve madhore të historisë.
Dritën e tyre zhbiruese romakët do t’a kuptonin vetëm pas disfatës nga Hanibali i Kartagjenës. Nismërisht kjo punë duhej t’u përkiste dinjitarëve të Kishës. Flisnin shumë gjuhë dhe zhguni meshtar i ndihte të hynin më thellë në fjalët dhe zemrat njerëzore. Mandej ushtarëve, tregtarëve e dërvishëve të zhelosur që munxosnin fushimet armike…E, tevona, ndërsa kardinali Richelieu ndiqte me “kabinetin e zi” letërkëmbimin mes diplomatëve dhe personave të dyshimtë, në Vjenë do ftillohej Zyra e shifrave të fshehta.
Ndër vite që rrodhën, ata morën status nëpunësi të karrierës rregulltare. Ishte sovranja Elizabeta që do t’a institucionalizojë shërbimin e parë sekret në Angli, e, mbase, në Europë.
Ndërkaq, vetë etimologjia e fjalës spiun buron nga latinishtja “spicere”, posi shprehja “in agentes rebus” që domethënë “agjentë për raste të përgjithshme”. Por shqipja, poaq lashtësore dhe e bekuar, ka barasvlerësin e saj të bukur “spicëtar”. Pra një spicë, çarje, pykë në zemrën e interesit t’një populli të trathtuar.
2.
Nëse “sytë fshehatarë” kishin aq shpesh qëllime të liga: përgjakje dhérash të huaja ose levë ndytësore për piramidën e tiranëve, sërish kjenë, si të thuash, brenda rrethojës kombëtare.
Mirëpo tipologjia e tyre, ashtu si ylberi në furtunë, përshfaqet plot ngjyrash mashtruese. Galerinë e anës tjetër të spiunëve, e bëjnë ndjekësit e çoroditur që, të pajtuar a vullnetarë, rrogojnë për mbretëri apo kanceleri të huaja. Dhe, për dallim nga të parët, këta janë fundjetshëm më tragjikë. Statura e tyre karakteriale vete përtej moralit a higjienës së racës. Është, ndaj, një lëngatë patogjene, sepse, ndryshe, si mund të shpjegohet: pse vritet shpresa e krijesës së vet!?
Tani, pra, ç’janë këta dhe, nëse s’kanë mision vendor, kujt i shërbejnë, vallë, sytë e spicëtarit?
Sytë e Belgradit në Kosovë, fjala vjen?!
Natyrisht, nuk do imagjinatë a inspektim dosjesh për të konstatuar: ata janë sytë shqiptarë të Serbisë. Dhe krejt shkëputur nga bota e qytetnisë, këta sy morti nuk mallkohen, nuk leçiten, nuk ndëshkohen.
Përkundrazi. Arnojnë jetëshkrimet e moralit të ri. Dhe ligjërojnë e dëgjohen, këshillojnë e adhurohen. Ashtu të rinuar, zbulojnë fragmentë të stisur shërbimi që rreken të etablojnë të vërteta, të orientojnë procese a rezervojnë kryerole në skemën përftuese apo të asaj që vjen…
3.
Motivi për të shkruar është shpesh i errtë. Një gjeth që bie pikëllueshëm, një zog në dritare, jehona e një varke të përmbytur, pritja n’udhëkryq me shi, ndoshta një fëmijë që ofron lule e s’ia blen kush, marrëzitë politike, një urnë ëndrrash që t’vështron mbi komodinë, hija e vdekjes…
Ndërkaq përcytja e këtij shkrimi të vogël, ishte tepër e kapshme e ngulmëtare: një laurim poshtërues! Laurimi i epërm presidencial i një dinjitari aktiv të shërbimit të fshehtë serb në Kosovë. Dhe prova e tij fatkeqe, mjerisht.
Zotnitë, ashtu si Baznën stambollit, nuk i harrojnë kurrë vartësit, shërbëtorët e vet. Qysh në fillim, si kod, formulë pakfjalëshe përbetimi të fshehtë mes tyre, ngjizet ngadalë një nyjë rendi, gati mistik, i besës së përjetshme.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura