Berlin, 26. 03. 2014 (Betejat e Amerikës për Kontinentin mëmë) – 1. “Dritat po fiken mbi Europë dhe s’kemi për ti parë më të ndizen sa të jemi gjallë”! A nuk ishte ky trishtim i E. Grey-t, tek shihte të fikeshin dritat në Whiteholl, natën kur britë e gjermanë filluan përballjen e armëve, një thirrje përligjëse e ndihmës në pragun e “megavdekjes”? Dhe, poashtu, shpresë e përkorë e një bekimi? Po nga të vinte? Nga qielli demoniak i luftës? S’ishte e para herë që ato shkimeshin mallkueshëm e pa shpresë. Europianët ishin përgjakur luftërash kronike që, ndonjëherë, zgjasnin dhe 100 vjet. Veçse e mnershme e totale dhe idhujtare e fantazmagorike, do t’kje epoka e re, kur ajo ndodhej akoma e vetmuar në kobet e saj. Ishte jehu i Monrosë (James Monroe, President i Shteteve të Bashkuara) dhe e doktrinës së tij të vitit 1823, që përskajonte pikëthemele strategjike të Amerikës: njëra, izolacionizmin selektiv, pra ajo mund të identifikonte interesa gjithandej botës, mjaftonte të mos përzihej në punët e Europës dhe, tjetra, funddhënja e kolonializmit, hapsirë, vakumin e së cilës gatitej ta rimbushte ajo vetë.
Por doktrina e famshme do të evoluonte. “Ajo ( interpretuar sugjestivisht nga G.G.Smith, Prof. i Yale-it), si fjala e Zotit, parathoshte shumë gjëra, për njerëz të ndryshëm në kohë të ndryshme”! Përshtatja e saj me sprovat e botës dhe fuqizimin planetar, deri aherë modest, të kolosit që po lindte, do ta bënte Amerikën në nisje të qindvjetit të shkuar, pjesë e arbitër fatprerës të zallahive të Europës. Megjithatë dijetarë të temës ngrejnë akoma dilemën se ç’do të ndodhte sikur Hitleri, të mos ishte ngashnjyer nga Londra e Parisi për të invaduar në Poloni, i gjendur ashtu papritur e frikshëm përballë Rusisë e Amerikës dhe, poashtu, sikur t’mos i shpallte luftë kësaj të fundit, luanit që dremiste? Sidoqoftë, ai u zgjua dhe u nis për të rindezur prapë dritat mbi Europë!
Pa u tretur në përimtime historike, biografia e bujshme politike e Europës rrëfen për shumë beteja që do ti shkaktonte vetë, për të ngelur në fund veçse një peng i tyre i plagosur. E kush i zgjidhte ato ndër vite? Ndër “mote fluturakë kur e shkuara nuk kthehej, e ardhmja kje shtyrë dhe e tashmja ishte e hidhur” (Hobsbawn)? Aleatja dhe, njëherësh, rivalja e fuqisë që i ka llastuar paq europianët me komocionin e zotërisë i cili ka gjithë të drejtën të punojë, të kamet e gëzojë lirshëm – se për të tjerat punë është strehësi i madh i përtejdeteve…
2.
Është, prandaj, krejt logjike pyetja: do ta fitojë Amerika (me mënyrën dhe mjetet e mundshme) si kampione e lirisë, dhe “betejën e re ukrajinase” për Europën?
Në fakt, kjo do ishte beteja e pestë për qenien e saj. E para kje arritur në mbyllje të Luftës së parë të 14-tës, në Konferencën e Paqes në Paris (1919), kur fuqitë e errta latino-sllave kishin shkrojtur kartat e zeza, ku shlyheshin si një njollë, popuj të tërë, midis të cilëve sidomos populli i lashtë shqiptar. Padrejtësia kishte ndodhur. Trungu shqiptar ishte prerë. Mirëpo Wilsoni legjendar me parimin etnikogjuhësor të vetëvendosjes së “një komb-një shtet-i”, së paku, do të shpëtonte atë gjysmë trualli Atdheu, të lodhur Azie e të shqyer Sllavie.
Mandej, e dyta betejë e Amerikës, e cila tash e tutje do të inaugurohej në instancë vendosjeje e ikonë moraliteti planetar, ishte çlirimi i Europës nga hekurat e makthit arianist të messhekullit, kur pëllumbat, të trëmbur nga gjakprishja njerëzore, nuk fluturonin më mbi Katedralen e Salzburgut dhe as trëndafilat e përbuzur nuk çelnin më në fushat e Shlezisë!.. Ajo Luftë në Europë s’ishte më një përplasje e kufizuar aristokratësh e nuk kallej për hire të fisnikërisë. Ishte, si e cilësojnë paksa përçudshëm, “demokratike”, e kjo dmth totale e popullore, plot armë shfarosëse, urrejtje e helm. Për të mposhtur Gjermaninë që ndehej nga tokat spanjole e deri në Ural, u deshën afro 4 vjet, ndërkohë që Japonia e sertë do të mposhtej vetëm për tre muaj!..Ndaj, sikur Amerika të mos impenjohej në katrahurën e saj vetëshojtëse, Rajhu i tretë, nëse aq, do të mbijetonte shumë gjatë, harrueshëm gjatë!
Një mesbetejë tjetër që do ti printe asaj të mëpasmes, ishte dhe ribërja e Europës së rrënuar nga vetë bijtë e saj. Natyrisht, kjo nuk rezultonte vetëm një dalzotësi familjare (mes ëmës e të bijes) dhe as mbëltim idealesh të lirisë. Ishte poaq, si sot e përherë, interes i saj kombëtar. Vetën një ekonomi dhe treg i riaftësuar europian, do të konsumonte mbiproduket amerikane. Po interesat e ndërsjellë, nuk hijesojnë askurrë solidarësinë: rrethimi rus i Berlinit, ura ajrore dhe duart e të pandihmëve që zgjateshin drejt qiejve – janë prova e saj e gjallë dhe e paharruar.
Amerika do të mandatohej, kështu, misionarisht për ta rilindur Kontinentit mëmë: me rimëkëmbjen e ekonomisë së rrëzuar (Plani Marshall –oficialisht ERP- që përfshinte kredi, mallra e ushqime në vlerë prej afro 14 miliardë dollarësh), mandej me arkitekturën e sigurisë (Nato, që do të ngrihej pas idesë çërçilljane të Perdes së hekurt, 1949), dhe me asistencë kultivimi politik të demokracisë. Qarkullonte, tashmë, ngutshëm shprehja apotheotike “përtrirje materiale”, sepse duhej të shprishte ekuivalencën paraprake të saj që kishte shpikur imagjinata negative naciste. “Materialschlacht”, krahas mortit kolektiv, ishte nocioni programatik për asgjësimin e të mirave materiale të armikut, si taktikë ndihmëtare për gjunjëzimin e tij. Rinisja e një jete të mirëqenë duhej, njëkohësisht, të zvetnonte agjitacionin e bolshevistëve që, si rregull, vigjëlonin gjasën e nxënjes së idesë në gjëndjen e demoralizuar dhe skamnore të turmave. Sovjetët imnspironin e nxisnin grupe ekstreme majtiste për të destabilizuar botën e “kalbur” kapitaliste, porse do të ndeshej me doktrinën e Trumanit (Harry S.Truman, President i Shteteve të Bashkuara), të vitit 1947, që angazhohej “të mbështeste gjithandej kombet e lira nga ataku i pakicave të armatosura”! Pikërisht për këtë, do t’rrjedhonte më e lehtë ringritja infrastrukturale e ndërtesave, fabrikave, udhëve e shkollave të bëra hi e pluhur, sesa ana tjetër vitale e misionit madhor: rikuperimi shpirtëror i njeriut!
E mëtej, beteja e tretë e kurorëzuar prapë, kje triumfi në Luftën e ftohtë dhe disfata spektakulare e komunizmit. Ajo do ti printe frontit paralel kundër së “Perandorisë së të keqes”. Si u quajt drejtësisht (nga furiozi Ronald Regan) shteti lubi i Sovjetëve. Përmes prangash vorfnore që i shtrëngonte gara e pandjekshme në armatim (“Lufta elitare e yëve”), do të gërryhej përtokshëm ngreha mizore e carëve të kuq. Shkërmoqja e Murit berlinez dhe bashkimi i dy Gjermanive i pararendnin ashtu, si një sihariq historie, bashkimit të të dy Europave: të vjetrës, të lirë dhe të së resë, të shtypur e robnuar 50 vjet nën sundin e zotërve barbarë të Kremlinit! Berlini i ri (që kishte bërë katarsis e nuk ushqente më andrrallat e “shpirtit superior që do të përtrijë botën”) merrte përsipër rolin e Piemontit për tu dhënë krahun e për të këndellur jo veç bashkëkombësit e saj, por mbarë fqinjësinë e sfilitur.
Dhe kur dukej se dielli do ndrinte të gjithë, në zemër të kontinentit të harbuar, kishte ende terr. Populli i viktimizuar në altarin e paqes së pistë të një “Belle Époque”-e të dytë dëshirake, (si e thotë diplomati anglez në përfundim të Konferencës së Londrës, 1913), ishte pranguar ende nën zinxhirët e pushtimit serbian, barbarë e të vjetër sa bota. Ishte një epigon i vonë e voglan, i shartuar egërsisht nga mbeturinat ariozofike dhe frymësia testamentale e Naçertanies hegjemoniake, me emrin përjetësisht të urryer, Millosheviq, që orvatej me hekur e gjak të përligjte stau-quo-në koloniale edhe në Rendin e ri, të vranshëm e të pakthim. Kishte provuar të pamundshmen, holokaustin e dytë në mbarim mijëvjeçari. Por, Amerika, në gjurmë flijimi, gati biblik, të vetë shqiptarëve, do ta fitonte dhe këtë betejë: betejën për ndreqjen e ligësive fatale të europianëve miturakë, për mëvetësinë e Kosovës dhe arkivimin e gjithmonshëm të Jugosllavisë serbiane, sajesë e trilluar burgëtare nga ruso-francezët për ta vënë në unazë rrethimi hapsirën jetike gjermanike. E, pra, kishte bërë dhe betejën e katërt sublime për Europën: lirinë dhe natyrshmërinë e saj.
Në fakt, mëvetësia e Kosovës nuk është akoma epilogu, kapitulli i fundmë i lirisë së Europës. Ka gjithnjë popuj a pjesë të tyre (shqiptarë në Iliridë, Malit të zi, Preshevë, pastaj baskë të shumëvuajtur, katalonës, skocezë…), për të cilët kuptimi dhe shija e lirisë janë një ëndërr e ndaluar.
3.
“Koncerti” i Fuqive të mëdha të Europës (si shkruan H.Münkler) patën dikur dy tipe ose nivele kufijsh: kufijtë e qartë e të paprekshëm të shteteve territoriale dhe, poashtu, kufijtë e tjerë alternativë të perandorive koloniale. Europa e sotme, ndërkaq, ndërdyshet midis kufijsh të shteteve territoriale dhe kufirit të jashtëm, kuazi-perandorak të saj, krejt fluid e i pahorizont! Dhe pikërisht ky është, shpesh, nyjëtimi i orientimor: hapi i pasigurtë dhe e ardhmja e amullt e saj. Nëse më parë kufijtë kolonialë kishin prerje të rreptë, por nuk përfaqësonin njësojshmëri identitare, Europa tani ka përmasë e strukturë tjetër: gjeografia (kufijtë) dhe filozofia (vlerat) mund të pleksen në një tërësi traditash e asimetrish të pashmangshme, po të bukura dhe unike të saj.
Së mbrami, pra, a kanë marrë mësim europianët për të mos krijuar kriza e nyjëtime që nuk mund ti zgjidhin vetë? E prapë: a do laurohen ata ngadhnjimësisht apo, si kurdoherë, do të jetë sërish Amerika që do ta bëj këtë për Europën, e cila konfirmohet a goditet këtoditshëm në votrën e Kijevit?
Real-Politika, mbi të cilën Putini mbajti një leksion shkollaresk, ka përcaktuar përherë marrëdhëniet ndërkombëtare. E drejta, etika a parimet janë përfillur, ose është parë ashtu, vetëm kur kanë përkuar me interesat e zhveshur. “Bota tjetër” ku, sipas kancelares Merkel vegjeton Putini, është e vërtetë dhe e arsyeshme (konsideron kolumnisti i “Sternit”). Është, vijon ai, bota e të mashtruarit në vitet 90-të, kur mori premtimin jokontraktual se sistemi i Nato-s nuk do të përshtrihej në Lindje dhe tani, aspiratës së rishfaqur, iu gjegj me Politikën e Fuqisë, që së paku, Flota 200 vjeçare e Detit të Zi, të mos bjerë në radiusin e tyre. Cila do të jetë hullia, poashtu, real-politike e Europës dhe protektorit të saj ndanë revanit rus? Do të pozicionohet maturisht si pledon, bie fjala, Laschet i CDU-së diktuar nga sensi i përfitimeve (gati 200 miliardë dollarë europianë gjenden “në flakë” në Rusi), ose me abstinencën absolute të majtistëve dhe ekologjistëve, që i pat bezdisur zbarkimi i aleatëve në Kosovë (viti çlirimtar 1999) dhe tash lexojnë Krimenë si faturë për të? Apo, ndoshta, me Politikën e pashmangshme të Fuqisë, që nuk nënkupton përherë vringëllimën e armëve?
Europa? Do të bëj ajo politikë krye në vete? Dhe a ishte vrulli lindor vetëm ide e menagjim i saj? Vështirë e besueshme!
Sidomeqenë, Rusia despotike, e njëj populli të skamur e nëpërkëmbur, që hodhi gurin e precedentit me ngasjen dinake për ta turbulluar Europën, nuk bën të dalë e fituar kurrësesi! Do të ishte, që s’mund të jetë, një traumë kundërhistorike dhe, rrjedhimisht, një brejë në portat e trandura të perëndimit të lirë.