Berlin, 02. 12. 2013 – 1. E imagjinojmë dot, diku botës së lirë, një mbrëmje leximi të poezisë në gjëndje shtetrrethimi të vërtetë: siguruar nga toka e ajri me komando armërënda, helikopterë që patrullojnë dridhshëm, me ndalimfluturimin e shpallur mbi hapsinë ku tubohen artdashës për të shijuar lirikën e sedeftë?
Kështu do ti ndodhte të martën e fundnëntorit, lirikut të ri, emigrantit palestinez 18 vjeçar, Jahja Hasan, që paraqet një sensacion rrëzëllitës letrar këta dhjetëvjetshët e fundit në Danimarkë. Ishte ora poetike që mbahej në Odense, qytet verior në vendperëndimin e diellit.
Nëse njohja a ritakimi bëhej në ishullin Fyn, kjo nuk e ishullonte, nuk e burgoste poezinë. Shkëndijonte lirshëm dhe purpuriteti magjepsës çante ngushtoret e veglërisë meskine që i vret bukuria e saj. Poezia ka kodin e pazbërthyeshëm për të mbrojtur veten dhe – të tjerët, mujsharë a mercenarë, nga vetja e tyre. Kështu ka ekulibruar ajo fuqinë ndër shekuj, duke dhuruar pejsazhe të mahnitshme për zemrën njerëzore. Por mendonim se ishte arkivuar ajo kohë. Koha kur verbi letrar mallkohej ose shpëdorohej në pragun e ideve të mëdha tek përfundonin prore në kampet e vdekjes. Do të evokoja prandaj, natyrshëm, Kamynë që, duke i replikuar Sartërit pse i përfalej ethshëm bolshevizmit të sovjetëve, thoshte se individualizmi nuk mund të flijohej duke bjerrë esencën, emanacionin e epërm, në altarin fiktiv të lumnisë kolektive. Dhe, që këtej, ai më tepër preferonte njerëz të angazhuar – se letërsi të angazhuar!
Ndaj ç’mesazhe mund të përhapte lirika e Jahjasë që posa kishte lënë pas një adoleshencë problematike? Kishte “angazhuar” penën e tij në përplasjet ideologjike planetare me shenjën e munxosjes apo skena e një “prove gjenerale të luftës” ishte drojë nga revanshi i së keqes që, alternativisht, herë ka fytyrën e pasojës nga kanosja reale e atentatorëve trushplarë dhe herë u përgjason fantazmave të higjienës racore? Viktima, në fakt, nuk është vetëm ajo vetë, e larë në gjak a mbështjellë me qefin morti.Viktimë pokaq trishtuese është, njëherësh, dhe vetëvdeksësi i depersonalizuar që sakrifikon gëzimin e kësobotshëm dhe riformatohet për të kryer “veprën shenjtore” si uratë, si prehje e rezervuar në amshim.
Fatkeqësinë e të voglit, nga të gjithë nënqiejt e motet, mbase, më mirë se askush tjetër, e japin vargjet e një tjetër poeti:
“Kam parë njerëz të lidhur të varfër
që i shoqëronin
njerëz të armatosur të varfër”!
2.
Një kuvendim i shkurtër mes vjershtorit të ri dhe një panelisti ngulmës, sikur rrekej të ftillonte shtjellën. Por, me gjasë, do ta drynonte atë ende më vështirshëm. Dy-tri fjalë që ndërruan, do të përvijonin, ashtu, krejt dramën e diskursit shkumëzues europian mbi “leit-kulturën”, prurjet dytësore të ardhësve dhe emigantët me integrimin, alienimin apo misionarizmin e tyre. Dhe, si pyetja ashtu dhe përgjigja që pasonte, kjenë të çuditshme: e para ishte e vjetër dhe stereotipe, e gatshme dhe kujdestare, ndërkohë që e dyta, tingëllonte sfidante dhe largndikuese, reflektive dhe shfajsuese! I pyetur se a ishte një kryengritës (me aluzion për shpatën e islamit të frustruar, ndoshta) ai do të shprehej paksa ftohtë e lakonikisht: “Mund t’më cilësoni si të doni. Kryesorja është se ju mbani përgjegjësinë”!
Rojat e poezisë janë, mbase, fillesë e një miljeu social, të shibluar nga frymë e refuzimit. Margjinale, njëmend, po ç’është aherë trëmbja prej saj dhe a mund ta davarisin atë, si ernat tymin e zi, karrot e hekurta dhe tytat e pushkëve? Europa duhet të ruajë baraspeshën e ndjeshme paqëtuese midis interesit dhe vlerave (Elmar Brok, eurodinjitar i shquar gjerman): interesit për ekspandim territorial në kufinjtë e saj ende fluidë apo për pranimin e një kuote të banorësisë së huaj si korrektim të normës së vdekshmërisë dhe, poaq, vlerave të filozofisë sublime të njëjtësisë në fatkërkimin jetësor.
E, njëkohësisht, a nuk qenkësh e ndashme dhe përgjegjësia që i referohej aq krenisht e shkujdesshëm poeti Hasan? Njeriu rrudhet për ti lëshuar pak vend nëvojtarit, i cili, nga ana e tij, nuk mund të pretendojë as rendprishjen e as zotshtëpinë. A nuk kanë dhe emigrantët, sidomos ata që janë lindur në strehë-egzilin e prindërve të tyre, të drejtën dhe detyrimin, aq sa u mbajnë krahët, për harmoninë e koekzistencës që merr shije e kuptim në bedenat e qytetnisë së re të demokracisë? I krijuar, a gati i klonuar vleftërie të tillë, liriku i adhuruar do të duhej të bënte, edhe ai, me logjikën e interferimit kauzal, dëshminë e njeriut të Europës si resurs kulturor i saj: i ndryshëm në gjenealogji – por i njëjtë në aventurën e shpirtit të lirë njerëzor!
3.
“Me sy drejt së nesërmes” apo “moskthim në të shkuarën” – janë sintagma, gati shkollore, përmes së cilash prijës politikë e autoritete moralë, me hipokrizi a çiltërisht, i dërgojnë kumte turmës, veçanërisht në epokën e re pastiranike në Europë. Por të ftosh atë për tu zvarritur gaforshëm prapa – kjo marrëzi mund të mbijë e kundërmojë vetëm në Gadishullin e saj juglindor. Ndonëse dhe aty brohoriten aq thekshëm, ato, si shumëçka tjetër, deformohen në gjetje autentike të sojit absurd. Ditë më parë kisha dëgjuar një t’thëmne, një britmë metafizike, të panjohur dhe të errtë të një titullari të rrëzuar shteti, këndej poshtë në Ballkan. I zhytur thellë në llumin e humbjes, ai çirrej: përpara drejt së kaluarës, e kjo nënkuptonte thirrje drejt ferrit ku ishte katandisur jeta popullore nën primjen e tij.
Analogjia, ndërkaq, nuk ngjan fort e mirë sepse Europa, thjeshtë, megjithë rropamat e tragjedive të saj, identifikohet e gjitha nga momente luciditeti verbues që kanë iluminuar botën. Kujtesa dhe referencat janë madhështore. Mirëpo njeriu, natyra dhe gjeni i tij i pandryshueshëm, vështrojnë përherë përtej: drejt ëndrrës së re! Humbja e të ligut nuk është veçse fitorja e tij. Një depoziturë moraliteti për ardhmërinë. Përceptimi i kundërt shpie drejt gropës dhe fanitja e saj është zanë shituese që përhihet vranshëm e fisnikëron paprerë.