(Berlin, 18 maj 2013) – 1. E kujtoj si sot atë panel dertarësh në një studio mediale, para shumë motesh. Në dukje asgjë e rrallë. Njerëz që kuvendojnë, ankohen a premtojnë e të tjerë që i dëgjojnë, shpesh, me buzëqeshje të porositura, kishte, siç ka dhe sot e gjithmonë.
I paharruar mes tyre, si emblemë e dhimbjes, m’ka mbetur portreti i një burri të zbardhur e thyer në kalvarin e rrojtjes. Ai ishte tjetër. Rrëfimi i tij kje i padëgjuar dhe, gati, i dorëzuar nën hekurat e urisë kronike, si një personazh i Sartërit (tek “Muri”) që priste ta vdisnin. Por, ndryshe nga rebeltari spanjol, ky nuk mbahej në qelinë e terrtë. Nuk pati për te as dënim të epërm me vdekje për subverzion antishtetëror. Ishte i lirë. Madje punonte e gjallonte. Mirëpo qelinë dhe dënimin i kishte arkivuar në shpirtin e këputur. Pikërisht këtu zanafillonte rrëzoma e tij që ngjante me fundin e botës. Jepej më i moçëm seç ishte. E digjte apatia e jetës. Me zë të mekur e thërritës ai bënte një ankesë. Po ankesa e tij, si do të thoshte një i ditur, ishte një akuzë: gjithë ditën e lume, shfrynte plaku hamall, bredh për pesë euro me kalin tim qilak. Tani, si do t’shpjegonte vetë, vinte dilema apokaliptike: ç’të bënte me to? Të mos ushqente kalin, i cili, të nesërmen s’do të qitte më hap – apo të shkonte në shtëpi duarthatë para fëmijëve? Një tabllo patetike, do të thoshin të kamurit e dyshimtë, kasta e kapitalizmit barbar dhe megalomanjakët politikë që kanë shaluar liritë e pasuritë kombëtare. Apo, që shpesh, të përballur me skenën e llahtarisë, i qarkullojnë gjithnjë lehtësisht justifikimet, tashmë të boshta, me robninë e gjatë, statusin kontestimor dhe ngecjen e trashëguar!
Por, jo! Ajo i shëmbëllen, më tepër, një skice realiste migjeniane, që bën kompediumin e papërligjshëm hidhtan të miljeut kosovar.
Përse kështu?
2.
Ata që vulosin pësimet kolektive, me gjasë, rezonojnë tjetërsoj. Ne admironim përvuajtësit, pohonte At Pllumi, sepse ashtu shpresonim ti afroheshim Hyut dhe flisë së tij. Athua këtë fillesë të keqkuptuar kristiane blujanë ata në ndërmëndje, tek kultivojnë përsosurisht pandjeshmërinë e organizuar?! Që, ndoshta, popullin e tyre e mbajnë peng të vuajtjes e, mandej, në ballkon të shpresës – për mbushullimën e munguar që kërkojnë perënditë?!
Ah, sado të përpiqesh, dhuntarët e vdesësit (ata që të vdesin) nuk amnestohen dot. Ata janë tepër të trashë për fije të tilla arsyetimi finok. Janë lëkurelefantë që, thjeshtë, duan të bëjnë atë që bëjnë: grykësisht e mizorisht!
Ndaj, ky s’është veçse një cinizëm i zi. Vobektësia që prodhon froni i lig i politikës, është e pambarim. Dhe, që këtej, e ngujuar në rrethin e përpetuimit fatal, është krejt e pagjasë për të çarë atë. Urtakë të çmuar i kanë dhënë asaj atribute infernale. Skamja është poshtërim (pohonte Ten Hsiao Pini, kur vendi i tij do të zvetnohej nga kulti i barazisë vorfnore), pastaj ajo, përveç përulje, del të jetë poashtu – dhunë, një sadizëm i kulluar pushtetar (a nuk thoshte Gandi se më e rënda dhunë është të shtrëngosh një popull të jetojë në mjerim?) dhe, së fundi, krusma skamnore, përveç një poshtërim e dhunë, rrjedhon, madje, të mbështillet qefinshëm edhe në – fytyrë vdekjeje (anise doktrina e fesë së tij i sugjëronte, se të palosh ar gjithë natën, s’ke pse i paraqitesh të Madhnueshmit, Imam Aliu deklamonte prekshëm: varfëria është variant i vdekjes). Përmbledhësisht, ndonëse paraja nuk çertifikon lumninë, një shoqëri e mirëndërtuar, do të duhet të ruante shejtnisht dinjitetin njerëzor.
3.
Do të mësoja këto ditë i mrekulluar, se në Arabinë e saudëve, bie fjala, ka një organizëm që merakoset për kultivimin e virtyteve dhe luftimin e veseve, kurse në Itali qëmoti paskësh ekzistuar një dikaster i veçantë ministror për shanset e barabarta. Ja, qeveritë që ushtrojnë kapitalizmin e konsoliduar, e poaq, dhe altruizmin e maturuar! Ndërkaq, në Republikën e re, ndodh kundërta. Më e keqja, prandaj, është se ky lloj i poshtërimit, dhunës e vdekjes, ka absolvuar statusin e përkohësisë. Është shndërruar në kulturë, masë morale dhe rend vleror të përhershëm. Shpërdorimi i interesit publik dhe frigjiditeti i guvernantëve për hallemëdhenjtë e vegjël, nuk përceptohet si çështje e etikës – por e zotësisë! Ç’mallkim!
Po, përse ka heshtje e nënshtrim? Kjo, sigurisht, veç të të drejtës diskrecionale të pandëshkueshmërisë që gëzojnë mëkatarët korruptivë, i referohet dhe sistemit të kontrollit tiranik të të sunduarëve: shantazhues e joshtarë, përgjues e veshtarë bredhin paprajshëm netësh të portave të hapura, për të mbytur nervin e revoltës. Megjithatë, prapë e sërish: “lëre njerëzit, po edhe sikur ndër qentë e sallhanes të tundje shkopin, vështirë të mos kryengritej ndonjëri kundër ngucjes së species në paqen e tyre” (thotë bukur ky fragment nga “Shpellarët” e shkrimtares M. Daci)!
E pra, përse?
Përse, pra, fatpajtimi me këtë lloj dhune e vdekje?
Plaku i fillimrrëfimit ende jeton dramën e tij. Kanë kaluar vite, por druaj se fati vijon të jetë i shtrirë drejtvizorshëm në grinë e asgjësë. Nuk do të ketë pasur hope të befta. As rënje të mëtejme, se s’kish ku të vente më poshtë. Kje vetë fundina trishtimit. Po dhe n’pastë ikur, janë miqtë e vujatjes që i jetojnë pasosshëm rishfaqjet e saj dhe, mos o Zot, fëmija i tij në epiqendër të dilemës tragjike: mes kalit të lodhur dhe shtëpisë së untuar që pikon lagështinë e qiellit të pashpresë…
Postime të Lidhura
GJOKË DABAJ: NE DO T’U NGREJMË PËRMENDORE NËNAVET TË PËRDHUNUARA TË FËMIJËVET TANË
Durrës, 28. 07. 2013 – Zonja Fatbardhë Demi botoi para 2 ditësh një shkrim (studim) me titull “Çnderimi…
XHEMAJL RUDI: REXHEP R.KRASNIQI – VEPRIMTAR I DALLUAR
Zvicër, 10. 04. 2016: Ne burgun e Prizrenit ne gusht te vitit `81…ishim takuar per here te pare…
IRIDA XHENETI*): DIPLOMACIA E SË ARDHMES…
Tiranë, 24. 07. 2014 – Si do të jetë Diplomacia pas qindra vitesh, a do të ndryshojë ajo?…
SYLEJMAN E.SYLEJMANI: BASHKËBISEDIM ME VEPRIMTARIN ILMI RAMADANI
Gjilan, 08. 09. 2013 – (Kujtime nga fëmijëria ime e hershme) – Shtëpia ku kam lindur në Zarbincë,…