REXHEP KASUMAJ: TË MENDUARIT VOCËRRISHT (SERBËT, KËTA ҪLIRIMTARË!)

Berlin, 05. 11. 2013 – 1. Është vështirë të vrojtosh kohët, sistemet shtetërore a rendet vleftore dhe morale e, sidomos aherë dhe aty, kur ata që pasvinin shpallnin gjithherë armiqë pararendësit e tyre. Kjo qasje interesante e Christian Graf von Krockow, që në hyrje të librit „Portrete të burrave të shquar gjermanë“, do t’më ngjante krejt e trollzueshme për trungun shqiptar dhe miljetë e tyre gjatë ftomash të historisë. Kam shkruar modestisht dhe ndonjëherë tjetër për Kadarenë, këtë shkrimtar të madh të mendimit të vogël politik. Përherë kam admiruar (lexuar e rilexuar) letrarinë e tij artistike. Madje, ndërsa shfletoja botimin gjermanisht të „Prillit…“, do të ekzaltohesha ( edhe si shqiptar) nga vlerësimi i i recensentit gjerman, se autori të bën të varur me artin e tij magjik.
Mirëpo m’ka habitur, përherë dhe poaq, mendimi i tij politik: i çuditshëm, kundërthënës dhe, shpesh, i errtë. Këto ditë, i përfshirë në debatin mbi mburojën osmane të shqiptarëve përballë trysnisë asimiluese sllave, do të godiste ashpërsisht marrëzinë e pandehmës së tillë.

-Ismail Kadare –

 Në një shkrim të mëhershëm „Pluhnaja e kaloshinës turke“, do të merrja distancën intelektuale nga murmurima mbi njësojsinë e ridëshmuar të interesave shqiptaro-turke në këtë motin e ri. Jehu i rizgjuar hovshëm i trokut neo-osman, natyrisht, nuk vjen për të mirë, ashtu siç nuk kishte ardhur nëpër qindra vitet e natës së gjatë. Por, në përplasjet dhe rikonfigurimet e reja gjeopolitike ballkanëse, turku i përtrirë fuqie, tashmë përtej ndjeshmërisë apo përkimit kulturor, është gjithësesi një aleat natyral (jo ad-hoc) i shqiptarëve. Karroja bosforike, tek ngjitet përpjetë, ekspandon interesat e saj, po dhe shqiptarët mund të kapin pragmatikisht vegëzat e lojës për favorin e tyre, në rrethimin e përjetshëm sllav.George Friedman në „100 vjetët e ardhmë“, parathotë rimëkëmbjen perandorake të Turkisë deri në fushat e largëta polake. Profecia mund të duket një futurizëm sharllatanesk, por, megjithatë,në përthekim të saj, përmbledhja e gjerdanshme e mendimeve të Imam Aliut, do t’më dhuronte një ditë këshillën urtake:“ Asnjëherë të mos armiqësohesh me askënd përgjithmonë“! Ndaj evokoj atë, tani, si veçanërisht të vyer për politikën dhe për shqiptarët.Otomanët nuk u instaluan në hapsirën shqiptare që ajo ti dredhojë shfytyrimit sllav, por dhe shqiptarët patën, si me thënë, një përfitim kolateral nga efekti dytësor i pranisë së tyre. Këtë tezë, në fakt (me sa jam n’dijeni), do ta hidhte fillimisht, me shumë tymnajë, historiani i shquar kërçovar Hasan Kaleshi, për do ta adoptuar, si shumë të tjerë pas tij, dhe vetë Kadare. Në intervistën që do ti jepte shtypit spanjol pas marrjes së çmimit „Kalorsi i Asturias“, do të thoshte se shqiptarët e Kosovës, shumica e tyre, bënë mirë që u konvertuan në Islam sepse, ashtu, i shpëtuan tretjes së paemër në masën e ndëkryer sllave.
2.
Nuk kam aspak ngasjen për tu bërë pjesë e këtij kuvendimi të ethshëm mbarëkombëtar. Por indinjimi që do t’më cyste për të shkruar këto radhë, ishte kur autori i madh prononcohet vocërrisht: asnjëherë njësoj dhe kurdoherë i pasaktë!
Thoshte (në vitet 90-të): serbët po u hakmerren shqiptarëve për mizoritë që u kishin shkaktuar atyre gjatë shekujsh të sundimit osman. Mandej, si për të thëlluar keqkuptimin, do rreket të zbërthejë idenë me një dyzim të kulluar përjashtimor: nënvizonte se shqiptarët nuk kaluan më mirë se ballkanësit përreth nën okupimin turk dhe, po aty, krejt në kundërshti për sa sipërfliste, do të shtonte se shqiptarët, duke u identifikuar në delir përzgjërimi me imperatorinë si të tyren, shtypnin popujt e tjerë. A nuk rezultonte nga ky vështrim ngathtësia mendimore dhe, njëkohësisht, përligjja e terrorit serbian në Kosovë?
Pastaj (në një roman) do t‘gjejmë këtë zbulesë: mbërritja e ushtrive europiane në luftërat ballkanike (që, si dihet, patën pararojë kobi soldateskën serbe),u prit me mallëngjim nga shqiptarët. Ishte, thotë ai me patos, malli i munguar për Europën! Ç’ishte, mëtej, kjo kundërthënësi? Ushtritë serbe kishin etnociduar shqiptarët, dhe njëherësh, në pamjen e përmbysur të autorit, ato nyjëtoheshin barasvlershëm me Europën dhe nostalgjinë e vakët pët te!
E, tash, së fundmi, rikthehet ai diku në një pikë të vjetër: “…ishte e turpshme ideja se kombin shqiptar do ta kishte shuar prej kohësh vala sllave, në qoftë se nuk do ta mbronin osmanët. Se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi i parë, ai i Europës, e tregoi në mënyrën më të bujshme fundi i mijëvjeçarit, kur Europa do të bënte luftë për t’i mbrojtur shqiptarët”. Edhe mbi këtë krytemë, që, si një plagë e hapur, dominon diskursin e përvëluar politik, Kadare, tashmë si emblemë shenjëzuese e mendimit të tij, i bie mohit fjalës (biseda spanjole), për ta ripohuar atë lehtësisht në një kontekst dhe kohë të dytë. Mbi të gjitha, është prore i trishtë përceptimi i tij i padiferencuar për serbët dhe Europën. Ai, disi, nuk arrin të bëj distinksionin e doemosshëm, të prerë e qenësor mes tyre në rrëzoma të përgjakura historie. Ndryshe prej tij, Fishta, në Fjalimin e mbajtur në Konferencën e paqes në Paris (1919), duke qenë vetë i krishterë, shprehte zhgënjimin idhnak me fuqitë e krishtera të Europës, të cilat, për ironi, bënë që shqiptarët të ëndërronin sërish turkun, kur mbi trojet e tyre do të mësynin barbarisht hordhitë e fqinjëve sllavë për të djegur, vrarë e grabitur tokat arbnore. “Dhe këtë e banë, u drejtohet ai me zemër të plasur atyre që e dëgjonin, jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështuqë prej kësaj pikpamje duhet me thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej kristjanëve”. Dhe shihni: është pikërisht ajo koha dhe ai malli kadarean i shqiptarëve për ushtritë e munguara të Europës!
3.
Që këndej, cila është këtu Europa që nuk paskësh rrezikuar me “valë asimilimi” dhe që, për më tepër, ka ndihmuar lirinë e tyre? Ajo s’ka qenë kurrë unike. Një krah i saj dhe serbët s’kanë e njëjta gjë. Dhe ky është filli që shpjegon gjithçka. Kishte, si sot vijimisht, dhe një tjetër Europë që, megjithëse, nuk i vuri vetë prangat e shuarjes trupit shqiptar të rrëzuar përdhe – ishte, sërish, vullneti i saj politik dhe rezoni i saj shtetëror, që do të lëshonte zogorinë sllave (indinjata e Fishtës) për të kryer, edhe për ta, punën e përbetimit sallonesk. Po tani jemi fokusuar, më ngushtësisht, në një shtjellë tjetër.
E pra, nuk kërcënoheshin shqiptarët me denatyrim etnik apo mort grupor, nga gjermanë a skandinavë, të cilët, njëmend (nën mentorësinë amerikane) i çelën udhë, sa mundën, lirisë së tyre. Kush e konteston këtë? Askush. Nuk ishin as sllavët veriorë, çekë e polakë që, poashtu,do t’njihnin arsyeshmërinë, argumentin dhe legalitetin e të drejtës shqiptare për shtetin e lirinë. Shqiptarët, prandaj, i kanoste vdekshëm një tjetër „valë“. Llava dyndëse, e uritur dhe e egër e sllavëve të jugut, me serbët si kryekolonë e fatkeqësisë së tyre tash njëqind vjet. Mirëpo Kadare, mjerisht, nuk endë fijen ndarëse (si i madhi Fishta) në doktrinat dealbanizuese mes Europës së iluminuar dhe ngulimtarëve të vonë e të pakultivuar të tribuve serbianë në Gadishullin e huaj. Aherë, rrjedhimisht, rezulton përfundimi logjik, ekzemplarisht i pavërtetë dhe tragjik, se serbët jo vetëm nuk provuan, paprerë e programatikisht, sllavizimin dhe zhbërjen kombëtare të shqiptarëve – por, madje, për paradoks të paparë, i paskëshin ndihmuar dorëlirshëm për tu çliruar prej atyre vetë!
Në mbyllje fare: ka dashur, vallë, ai të formulojë vetë kështu kundrimin e apo është një përvjedhje e turbullt e tij? Le ta besojmë gjasën e dytë, po sërish: për se dhe për kë? Verniliteti ndaj Europës është, njëmend, krejt i panëvojshëm. Ajo i njeh mirë fëmijët dhe mëkatet e saj…
Në botën e lirë të qytetnisë demokratike, ndryshe nga antika apo tiranitë e çdolloji, e vërteta nuk është privilegj i të epërmëve. Nuk është i askujt. Një anëmbajtje e rezervuar kritikisht ndaj pozicionit të ri, ndonëse shpesh të lëkundshëm e të mugët, të Kadaresë, nuk është asfarë ndërdyshje ndaj Shtëpisë sonë Europë dhe aspiratës për të qenë banorë i denjë i saj. Mendimi politik shqiptar, mbase, është i çorientuar. Është e dhimbshme, ndërkaq, kur mjegullnajën e shtojnë ata prej të cilëve pritet dritë e tejpamësi – atje ku të tjerët, për punë verdikti qiellor, nuk mund të shohin dot!..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura