REXHEP KASUMAJ: TRI PAMJET KONTRASTIKE PËR TURBULLIRAT E PRISHTINËS

Berlin, 20. 11. 2015: (Një rezyme e trishtme) – Pas çdo rrokullime, trazuese a përmbysëse, një pasmendim i distancuar rreh të rikonstruojë imazhin e saj. Në mbresëlënjen për turbullirat e Prishtinës, pas një nate reflektimi, do t’më thadroheshin tri pamje të habitshme kontrastike.
1.
E para kje shpërpjestimi i madh mes palëve në udhë e sheshe. Askund nuk më ka rënë të shoh në përplasje të tilla, disaherë më shumë policë sesa demonstrues!
Përse?
Sepse, me gjasë, oligarkët jepnin kumtin e trëmbjes, jo nga “fëmijët e gurëve”, veç nga Akuza e tyre. Por a fishket ideja dhe a fshehet faji nga tymi a mburojat?
2.
Mandej, dhe pamja e dytë do të shfaqej poaq groteske në absurdin e saj. Ndërsa kudo të shket këmba gropave dhe gjithçka të vret syrin në ambientin e irnosur kryeqytetas – mbanë tjetër, si një kontrastim pervers, në ndjekje të kundërshtarëve politikë dolën tërbueshëm aradhë e karro policie plot arrogancë e shkëlqim mondan. Dinastët e barrikaduar primitivë, ngasin ashtu, ti përgjasojnë Botës së lirë me mjetet moderne të rendmbajtjes, por vijojnë të mbeten dëshpërimisht e kundërta, fundërrina e saj me kulturën e shtetit dhe moralin e shërbesës.

3.
Dhe e treta, do rezultonte sërish përjashtimore. E si mund të ndodhte ndryshe? Ishte metaforë e vetë miljeut që shenjëzonte. Zotimet rituale të guvernantëve për një Republikë të “Egal-Libertesë”, ku shejtnohen vlerat e qytetnisë europiane, do ti trathtonin represaljet e brutale të komandove të maskuar ndaj atyre që, si lisat, ishin shenjuar për tu prerë: në rrugët e mësuara me qizme tiranësh, në trotuaret paqësore, në shtëpitë që gëzojnë të drejtën e denjësisë. E kjo shpaloste, tutje, dy dimensione t’ndryme të së keqes: ndërhyrja e paralajmëruar e, më pas, e porositur, si shpërdorim privat i monopolit të forcës dhe tjetra – urrejtja aq barbare e njësitëve specialë për rivalët e zotërve të tyre, që i shndërronte ata në falanga të fashistizuara regjimesh të Slobodanit të afërt a Trujillos së largët..!
Fantazma e tyre, me ç’duket, endet akoma hakmarrshëm në horizontet e Republikës së brishtë. I pari me dhunën e mashtrimin, kurse i dyti me qejfërinë shpërfillëse e guacën e fildishtë autokratike..! Bota është zvogëluar dhe qiejëve të saj transmigrojnë, tashmë, përvoja e hire që nxijnë a ndrijnë jetën…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

HOLOKAUSTI

HOLOKAUSTI Nga  Xhelal Zejneli Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht nga faji –…