Berlin, 18 maj 2019: (Drejt shpresës së Hyjit)
Sa gjatë, lodhshëm gjatë do prisnim këtë zbulesë.
“Flora s’mund të dorëhiqet. Duhet pasur mirëkuptim. Sepse, qysh në fëmijëri, paskësh qenë viktimë e të atit…”
Këtë justifikim bëri, ndërsa i dilte zot deputetës së karrierës, kryekuvendari Veseli.
Dhe ja, më në fund, zbërthehet ngadalë enigma mundtare. Kodi i fshehtë i gjenealogjisë negative. I një ligështie fatale. I mësimit kurrë të panxënë që ka një faj të largët, fluid, gati anonim. Tashmë e kemi në dorë çelësin shpjegues: pse shqiptarët kanë aq shumë problem me kulturën e përgjegjësisë. E sidomos, si pjesë e saj fundore, me institucionin e bekuar të dorëheqjes.
Ndaj dhe, në kohët që vijnë, do
përpiqem t’a shoh ndryshe, me keqardhje personelin e klikës pushtetëse.
Kushedi ç’kanë përjetuar të shkretët në vegjëli. Ç’dhunë, ç’përbuzje, ç’tirani…Dhe tani, kur janë ngjitur lartë në kupolën e Fuqisë: ose kanë humbur ndjeshmërinë ose, në principin e kompleksit të trashëguar hakmarrës, shrfyjnë mbi të tjerët kudo që i zënë udhën!
Meqë formula zbriti mëshirëplotë, prijës e sherbëtorë të tyre, e kanë të lehtë, elegant shpëtimin nga darët e poshtra të dorëheqjes. Arsyetimi popullor do jetë i dhimbshëm e përfalës. Etika e punës, morali publik, llogaridhënja shtetërore janë spostuar nga tabela e vlerave të rendit që i thonë demokraci.
Më tej akoma, janë fshirë fare, si një shpikje konspirative, përbetim i huaj. Për lumninë e përbashkët të të gjithëve: të atyre vetë dhe, poaq, të banorësisë që tani s’ka përse të ndjejë pezm, zhgënjim, revoltë…Apo dhe, thjeshtë të mendojë…
Gjithçka është shndërruar në pritje. Në një pritje të vjetër, sa vetë qenja e tyre mbi këtë truall. Në pritjen e prajshme, të qetë, prehëse e plot shpresë: që i Epërmi t’marrë pranë vetes “viktimat e fëminisë”!
Postime të Lidhura
ABAS FEJZULLAHI: SHEFQET TREPÇA NË MOSHËN 7 VJEÇARE, SHPËTON 4 HEBREJ NGA GESTAPOJA GJERMANE!
Bern, 29 janar 2020: – Me rastin e kujtesës së 27 Nistorit ( Janarit) 1945 si ” Ditën…
ELIFE PODVORICA JASHARI: KLITHMA ‘BONI ME SEVAPË’!
Prishtinë, 25 nëntor 2019: … Do të pyesja: a ka qytetar apo shofer veture, që nuk e ka…
HALIL BREGASI: MJEGULLA PËR MBULIMIN E TË VËRTETAVE
Vlorë, 4 mars 2021: Këto ditë fatkeqësish që po ndodhin në truallin shqiptar, kur nuk mjaftoi tërmeti i…
KMDLNJ: PSE NUK DUHET TË VOTOHET THEMELIMI I GJYKATËS SPECIALE KUNDËR UÇK’së NË KUVENDIN E KOSOVËS?!
Prishtinë, 22. 04. 2014 – (Reagim i KMDLNJ’së) – Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive…