REXHEP KASUMAJ: ZBËRTHIMI SHPËTIMTAR …

Berlin, 18 maj 2019: (Drejt shpresës së Hyjit)
Sa gjatë, lodhshëm gjatë do prisnim këtë zbulesë.
“Flora s’mund të dorëhiqet. Duhet pasur mirëkuptim. Sepse, qysh në fëmijëri, paskësh qenë viktimë e të atit…”
Këtë justifikim bëri, ndërsa i dilte zot deputetës së karrierës, kryekuvendari Veseli.

Dhe ja, më në fund, zbërthehet ngadalë enigma mundtare. Kodi i fshehtë i gjenealogjisë negative. I një ligështie fatale. I mësimit kurrë të panxënë që ka një faj të largët, fluid, gati anonim. Tashmë e kemi në dorë çelësin shpjegues: pse shqiptarët kanë aq shumë problem me kulturën e përgjegjësisë. E sidomos, si pjesë e saj fundore, me institucionin e bekuar të dorëheqjes.
Ndaj dhe, në kohët që vijnë, do
përpiqem t’a shoh ndryshe, me keqardhje personelin e klikës pushtetëse.
Kushedi ç’kanë përjetuar të shkretët në vegjëli. Ç’dhunë, ç’përbuzje, ç’tirani…Dhe tani, kur janë ngjitur lartë në kupolën e Fuqisë: ose kanë humbur ndjeshmërinë ose, në principin e kompleksit të trashëguar hakmarrës, shrfyjnë mbi të tjerët kudo që i zënë udhën!
Meqë formula zbriti mëshirëplotë, prijës e sherbëtorë të tyre, e kanë të lehtë, elegant shpëtimin nga darët e poshtra të dorëheqjes. Arsyetimi popullor do jetë i dhimbshëm e përfalës. Etika e punës, morali publik, llogaridhënja shtetërore janë spostuar nga tabela e vlerave të rendit që i thonë demokraci.
Më tej akoma, janë fshirë fare, si një shpikje konspirative, përbetim i huaj. Për lumninë e përbashkët të të gjithëve: të atyre vetë dhe, poaq, të banorësisë që tani s’ka përse të ndjejë pezm, zhgënjim, revoltë…Apo dhe, thjeshtë të mendojë…
Gjithçka është shndërruar në pritje. Në një pritje të vjetër, sa vetë qenja e tyre mbi këtë truall. Në pritjen e prajshme, të qetë, prehëse e plot shpresë: që i Epërmi t’marrë pranë vetes “viktimat e fëminisë”!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura