Berlin, 8 maj 2018: I përfshirë zjarrshëm në debatin identitar – e Skënderbeu është qendra e tij, Kadare thotë: ai nuk luftoi muslimanizmin, por osmanizmin.
Ky shpjegim konkluziv, sado përgjithsisht real, ka një shkitje, një cen e paplotësi të vogël.
Osmanizmi ishte një ideologji, ashtu si kjenë me program, shenjë, kohë e përmasë tjetër, fjala vjen, fashizmi e sovjetizmi i mëhershëm a jugosllavizmi i vonë. I tillë, osmanizmi ishte mbinacional e, që këtej, mashtrues. Ndaj dhe do ishte e njësojtë sikur të thuhej se janë luftuar regjimet e jo pushtimet gjermane, ruse apo, së fundmi, serbiane.
Rrjedhimisht, ai nuk luftoi rendin, sistemin dhe ideologjinë. I pajuar njëj koncepti politik dhe kulture të lirisë, Kryezoti do të luftonte bërthamën: pushtimin dhe kolonializmin turk.
A s’është vërtetë kështu?
Një përvojë e hidhur nga shekulli ikur, provon të argumentojë këtë. Rendet e idetë serbe përftonin emblemash të ndryshme: mbretërore, republikane, komuniste e demokratike (de jure e tillë), por si fill i pakputshëm i zi, substanca koherente e së keqes, pushtimi, mbetej mbi to e përherë.
Ngasje të liga pati që dhe luftën e re të shqiptarëve në Kosovë t’a paraqesin një rebelim fetar kundër serbëve të krishterë (filozofi frëng Henri Lévy) ose, madje, përpjekje avancimi politik lokal. Po si kështu? Kroatët kjenë edhe të krishterë edhe pjesë e doktrinës, sistemit dhe ideologjisë jugosllaviste. E cila ishte kauza e luftës së tyre? Padyshim: jo krishterizmi e as jugosllavizmi, por vullneti për vetëjetesë të lirë kombëtare që çonte në përballje me aksin e betonuar të tyre: hegjemonin serbian.
Një e tillë përzierje e kuptimeve për perandoritë, ideologjitë e pushtimet, në mos kur ngjan e keqqëllimtë (frëngu i sipërcekur, kumbonat serbe…) është, shpesh, një ngatërri që dhimbshëm çorienton.
Postime të Lidhura
KMDLNj: A PO DESTABILIZOHET SITUATA NË KOSOVË?!
Prishtinë, 25 shtator 2020: Me urdhër të Gjykatës Speciale në Hagë, policë të EULEX – dje arrestuan, Salih…
SI TA KUPTOJMË NATYRËN E NJERIUT?!
SI TA KUPTOJMË NATYRËN E NJERIUT?! Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 25 prill 2023 Filozofi anglez, Thomas Hobs, (1588…
Hajnat e Fondeve 3% dhe Vendlindja thërret – Gani Hoxha flet me shifra dhe fakte (VIDEO)
Hajnat e Fondeve 3% dhe Vendlindja thërret – Gani Hoxha flet me shifra dhe fakte (VIDEO) Rrëfimi i…
BRIKENDA REXHEPI: SI BËHET SHTETI?! KOSOVA KA NEVOJË PËR NDIHMËN E TAJVANIT!
Prishtinë, 13. 12. 2105: Tajvani ka pesë vjet që është liruar nga vizat për zonën Schengen, pa qenë…