REXHEP KASUMAJ: ZGJEDHË…

Berlin, 28 maj 2017: Hierarku politik i Kosovës është një lumturak i pasfidueshëm në botë: sundon një popull që kurrë s’merr pjesë në fatin e vet. Ai, si ushtari gjerman i fundluftës, Hans (tek Heinrich Böll), në çdo ag ndërron emër, ftyrë e fjalë, por turmësi vijon ta admirojë idhujtarisht, pa idenë se vetëm e vërteta është çlirimi i tij.
Hierarku, në principin luledjellës, thotë të jetë i djathtë, por papritur lëviz e del të duket i majtë. Mandej, në një kohë tjetër, riprofilohet i qendrës, e gjithnjë në këtë shndërresë maskash, përflaket patriot që, më pas, pa turp e frikë, të heq maskën e të përshfaqet vrasës e hajn popullor. Mëtej, në transmigrim të paprerë, kërcënon Serbinë, merr hov të bëj Ushtri, madje vizaton Kosovën pa serbë, të kulluar e këndellur. Dhe tutje akoma, vesh kostum europian e, në galerinë e mashtrimeve, i bën një pikturë romantike atdheut që do ngryset ballkanës, e një mjes të bukur do gëdhijë Zvicër. Pastaj, Oligarku i palodhshëm m’një pamje herake i mëshon kumbonës së bashkimit me Shqipërinë, ndërkaq në muzg, kur hijet shtohen, rreket ta tregtojë atë: pak lekë e pushtet, është mesazhi tij fshehatar, dhe unë përdhosi gjithçka. Pastaj, i devotë ndaj llojit e me besim në gënjeshtrën e vet dhe në bindjen e atyre që dëgjojnë, mbyllet shpejt, shpallet autarkik për të përfolur keq Europën, por çelet menjëherë e ikën drejt Azisë. Po në këtë hulli, me përulësi të perëndishme dredharake, afron çupëza shamiblerta afër vetes me sy nga resursi i votave të Meshihatit ndikimor. Në rrethnajën e re, Oligarku priret të shkëlqejë dhe si shtetar i vërtetë, me kulturë e flijim, që paskësh bërë koalicionin e djegur – me kriminelët, njëri apo me titistët, tjetri, për interesat madhorë kombëtarë…

Athua? Po cila është shtysa dhe cakmbërritja e alienimeve të Tij?
Këtë pyetje dyshimtare, në fakt, nuk e bën dot turmësi zgjedhor. Por, si zulutë, ndjekë oligarkun e vet n’për identitete ndërrimtare, me brohori e dedikim në kufi transi kolektiv…
Ndaj dhe ka, vallë, më të lumtur se dinastët e Prishtinës?
Rrjedhimisht, askund tjetër në Europë, termi fushatë apo cikël zgjedhor, nuk merr kuptimin e tij, ad litteram, si në Kosovë! Sepse, ndërsa zotërit frémbajtës alternohen pambarim – tërheqësit e karrocës së drunjtë, mbi qafën e të cilëve rëndon zgjedha e stolisur, janë – kush tjetër veçse pjestarët e turmës që fatkeqësohet vullnetarisht..!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura