REXHEP KASUMAJ: ZHBURRNIMI VULLNETAR (HERONJËT QË DESHËN TË MASHTROJNË VDEKJEN)

Berlin, 13. 07. 2014 – 1. Kultura e turpit – “Gëzohu dhe qëndro paqësor në mesin e të indinjuarëve”, këshillon filozofia larglindore. Kam admiruar përherë urtinë, paqen dhe prehjen e saj, po si mund të jesh i lumur ndër njerëz të trishtuar? Përveç nëse indinjata kthehet në Rezistencë, e cila, nga ana e saj (Hessel), njëjtësohet me krijimin. Ndaj ajo, me gjasë, flet më shumë për individin dhe raportin e tij të vështirë me mallkimin e epërm që beh në formën e riqarkullimit ndëshkues të ekzistencave, e më pak për dramën e popujve të shtypur. Kur nxìn horizonti në tokat amtare, sikur nuk më ndih dot. Më ngjan e largët dhe eterike… Dhe kthej me besë tek mendësia shqiptare: e pashkruar, por e skalitur e kanonizuar në shpirtin pararendës. Aty gjej përgjigjen e sfidave. Ato, lidhkat dhe shnyjëzimi i tyre, nuk janë ndërsjelltësisht të panjohura. Ka rastisur të takohen shpesh në ftomat e kalesës dhe do ndeshen sërish në të ardhmen.
Midiskoha e tashme tranzicionale, e një tranzicioni të lodhshëm permanent, cilësohet e tillë, pse vërtetë, është fluide, e padefinuar e shtinjake. Rendi vleftor vijon të jetë amorf e i hallakatur: njerëz që duan të kapërdijnë botën, keqkuptimi i lirisë, hezitimi për Europën – vulosin asnjanësinë mes miljeut të ri që s’lind dhe të vjetrit që s’vdes.
Virtytet e trashëguara të etikës dhe nderit shpallen tani, në vrujimet e modernitetit, si të dala boje e arkaike, kurse referuesit e tyre, madje, piketohen si antipost i qytetnisë. Është spekulim i kulluar kundrimi i kategorisë së tyre fine si fragmentë mbetjesh nga patriarkaliteti lirindrydhës. Justifikimi i rremë i “levantinëve” të pangjyrë (si do ti quante Konica) është një rudiment i modelit bolshevik që prente fijet e lashta të shpirtësisë nacionale, në një anë dhe, në anën tjetër, poaq dhe vel tymnaje për të fshehur ligësitë ordinare. Vetë fjala burrë e burrni në dimensionin human jashtë mbrapësisë përdhunëse, sikur ka tretur lehtësinë përdorake në jetën e bujshme sociale shqiptare.

Po a është gjetur, vallë, ekuivalenti përkatës? Është një galeri e tërë termash e nocionesh që rrahin të substituojnë ato: “respektim i ligjit”, “institucionalizëm, “dedikim shërbimi”, e të tjera floskula që janë adoptuar e deklamohen mërzitshëm. Natyrisht, nuk është aspak faj i tyre. Përkundrazi. Janë rrëfyese të harmonisë së një societeti në rendin e vetëjetesës së re. E keqja, ndërkaq, qëndron tjetërkund. Ambienti politik pisanik dhe titullarët e tij shpërdorantë, janë faktori i njëmendtë i zbehjes së besimit në sublimitetin e tyre.
Megjithatë, sado joshtare e stolindritëse, farkimet neologjiste nuk përthekojnë a përjashtojnë përherësinë e vlerave morale të etabluara ndër shekuj. Ato, prandaj, nuk divergjojnë asnjëherë. Janë thelbësisht komplementare. Në fakt, një larginë ekziston vetëm mes eksponentëve të tyre: të gjuhëve që kodifikojnë gjeste e veprime të ndershmërisë. Ndërsa, pra, të parët, përpos me ligjin, kanë një relatë substancore me publikun, “qarshinë” e pra, për mungesë anonimiteti si në vendet e mëdhenj, me rrethin e kudogjendshëm – të dytëve u mbetet zotimi solemn për mosshkeljen e ligjit. Kjo qasje, principialisht, nuk është e padenjë. Do t’ishte një fillesë vitale për qeverisjen dhe klimën e europianizmit të munguar, sikur hipokrizia të mos hidhte pëlhurën e saj mbi gjithçka. Tharmin apo efektshmërinë e legalitetit të pretenduar e vret ditë e natë snobizmi, arbirtrariteti dhe sadizmi shtetëror.
Pastaj, nëse rojtësit e begatisë zakonore pozitive, edhe kur janë në rregull me ligjin, për asgjë në jetë nuk cënojnë prestigjin, namin e tyre në sytë e njerëzisë – ithtarët e kodit novator, mjaftohen të jenë puthadorshëm lojalë ndaj konjukturave politike, duke injoruar blamazhin e demosit të heshtur. Zhurmëtarët që blofojnë “ligjzbatimin”, nuk i referohen zërit, ndjesive a pëshpëritjeve të shesheve të mohuara veshtare. Autoriteti i shibluar i tmerrohet atyre si mortit. Dhe, për të shijuar sërish këndelljen, ose s’bëzajnë fare ose përdhosin jehun e prajshëm e qortues të tyre…
Dhe, së mbrami, ndërkohë që të parët janë të çiltër edhe ndaj ligjit edhe ndaj opinionit “qarshiak”, – të dytët, ndërkaq, janë tinzarë e cinikë ndaj të dyve bashkë: shpërfillin filozofinë popullore, të cilën e përskajojnë, pra, thjeshtë si marrëzi e turmash, porse, njëkohësisht, distanca nga konceptet e saj në emër të civilitetit bashkëkohor, nuk është veçse një investim i ulët e taktik për të shpëtuar nga turpi kur nëpërkëmbin ligje, interes e fate të vogla njerëzore. Për këtë lloj kulture si kapërthyese të ndërdijësimit politik, flet dhe Ruth Benedickt, një antropolog amerikan që magjepsej (në vitin 1946) nga “kultura e turpit” e japonezëve, krejt e ndryshme nga “kultura e fajit” e vendit të tij. Ndërsa e dyta, shkruan ai, ka një ndërvarësi kryesisht me ligjin, e për pasojë me frikën prej tij – e para, e turpit, ka substancë e ndjeshmëri tjetër, madje edhe kur turpësi nuk është aspak fajtor, dhe e tillë, ajo ka vorbë përlindëse ndërgjegjen dhe interesin publik. Duke pasur këtë shtysë, “kultura e turpit”, është më e thellë e fisnike. Ah, sikur elitat e Kosovës të kultivonin, së paku, njërën prej tyre. Kulturën e turpit që, më parë se tek banorët e vendlindjes së diellit, ishte rrënjosur ndër shqiptarë, e kanë sakrifikuar në lterin e rremë të demokracisë, kurse tjetrën, atë të fajit që bën imanencën e saj, nuk e përvetësojnë dot kurrësesi. Është pikërisht ky vakum që krijon gjëndjen e amullt të gjahut për zogorinë e nxirakëve të gjithësojshëm!..
2. Zhburrnimi vullnetar
Ku nis e zanafillon brejca e zhburrnimit të njeriut? Në ç’konstelacion rrethanor, në ç’orë të ligë dhe në ç’rrëzomë të yllit të tij? Athua ka një reflektim të vonë që ndiqet me ofshamë dhe çfarë është intensiteti i kënaqësisë së shfytyrimit apo i pendesës së rrëknimit?
Sidomeqenë fenomenologjia e procesit të errtë dhe almiseve gropuese, zhburrnimi është përherë vullnetar! Ndaj, askush dhe askënd nuk mund ta zhburrnojë pa bashkëpunimin paraprak të viktimës. As shantazhistët, sado të egër, as gverri sado i helmët dhe as dhuratat sado verbuese të jenë, nuk e shtyjnë dot njeriun ti shpallë fletëvdekjen burrnisë së vet. Përmasa dhe idealiteti i saj njeh, ndoshta, një të vetmin limit: klithmën e thekshme “dru me prè”, por dhe ajo, tashmë, duke prekur vetë qendrën e qenies, bashkë me zinë ka, njëherësh, mirëkuptimin komunitarë për zhburrnimin e vuajtësit të pafat.
Që këtej, nga ç’sipërthamë, ka një mënyrë unike zhburrnimi të njeriut: zhburrnimi vullnetar! Motivet janë të ndryshme, ashtu si fytyrat dhe shkallët e rrokullisjes në fundinë. Ngasja lakmitare e pluhurit për lakmi, pushtet e lavdi – është, me sa dëshmojnë kohët që zgërdhìhen, mbretëresha e të gjithave. Pasioni për mbushullimën (veçanërisht për atë që është vënë padrejtësisht), dhe urrejtja për frymën, ndërdymja e shkëlqimit fizik dhe mjerimit shpirtëror, janë emblema e tyre e përjetshme. Shtegu ndërvajtës dhe instrumentet e tij do t’kalojnë prore nëpër dhunë, mashtrim e trathti! Këto shfaqje, rëndom, kënetëzojnë që nga rrethet e poshtme e deri në votrën sipërore kombëtare. Në ngjizje të t’gjithë zvetnimit nismëton – vullneti i lirë për tjetërsim, i keqkuptuar si kusht i përvijimit, ngjitjes dhe sundit mbi sehirtarët e nënshtruar…Po dhe këtu mund të tërhiqet një fije e hollë përndarëse. Zhburrnimi i tribunëve vocërranë të odave a mejhaneve, edhepse i hidhur gjithësesi, është disi më pak rëndësor. Rrezatimi i tij ka një cak të ngushtë, ndanë tjetërsimit zhburrnor të prijësve. Fatal gjithmonë, ai rrëmben me vete ardhmërinë e brezave: qoftë si kult i inauguruar apo si ravijëzim turbullues i ditëve që vijnë! “Ditari sekret” i Pushkinit flet akuzueshëm për degjenerimin oborrtar, por është e paimagjinueshme që afro 200 vjet më pas të rishfaqet skema e shthurjes së parisë në një truall e kontekst tjetër. Dhe pyetja dëshpëruese: është ky njeriu përgjithsisht, apo, mbase, veç njeriu shqiptar i lirisë?
3. Paraprimja e vdekjes
Rrjedhimisht, shtjella e temës, me ç’duket, do t’çojë në një zhgënjim të dytë: ata që vetëçheroizohen aq lehtësisht, athua paskëshin qenë, vërtetë, të tillë çfarë i dinim? Apo kishin vënë kryehershëm maskë dhe njerëzia e shkretë i brohoriste e beatifikonte si gjysmëhyjni që jepnin e merrnin me qiellin?
Kishin shpejtuar të çertifikoheshin në heronjë pa bërë mirë llogaritë me Naltmadhninë e saj vdekjen!.. Ajo dhe vetëm ajo, do të bëj prerjen e kostumit të lavdisë dhe të vendzënjes në fronin e dritës. Formatimi i parakohshëm në “burra të mëdhenj” a “heronjë të shquar”, si rregull, është i lajthitshëm dhe për vetë laureatët autistë. Dehja e titulldhënjes, përnxitë tek karakteret e lëkundshme ato instinktet e ulta parasociale me shpresën meskine se ashtu, parzmuar vezullueshëm, përligjet bëma e tyre…Dhe ata që janë nisur apo kanë rënë tashmë në terrin e gropës, s’mund ti ndalë dhe as ti nxjerrë askush e askurrë. Megjithatë, nëse vetëgroposja ka tagrin e gjakut dhe dhimbjes kolektive – aherë, jo për tu rizbardhur profilin e blozuar, por për t’ndaluar rrethmbylljen e tragjedisë, duhet prishur me çdo mjet e çmim pakti fatzi me shndërrestarët e së keqes.
4. Njëjtësia e gjakut
Mbi përplasjen e trilluar mes normash pozitive të traditës e mondanes, mandej dhe për damkën e zhburrnimit a të ç’heroizimit të vullnetshëm, do të përsiasja një muzg zymtor teksa shihja udhët e Shkupit tonë, të rimuna me gjak shqiptar. Mendimi, gati një thirrnajë furioze, e pamëshirë, e sërish, vegimtare e Niçes, se humbja e kuptimit të jetës – humb dhe të drejtën për jetën, ishte stacionuar në kujtesën time e nuk shqitej dot. Do të bëja vetishëm një paralele interesante me Kosovën e 81 –shit, e atij viti të paharruar epokal! Më ngjante ekzemplarisht po ai kuadër historie: sajesë artificiale shtetërore që synon të gjallojë kundërvajtshëm si klienteliste jashtë dhe hegjemoniale brënda, kontroll politik i territorit të huaj dhe, poashtu, kontroll virtual i resurseve të tij, nyjëtim i stisur gjeo-etnik me Maqedoninë antike, bashkëjetesë e pabarabartë ku statusi i rezevuar i të “dytëve” stolis subordinimin nacional, tutje, grabitje pasurish nga guvernantët e vobektësim i kronik të segreguarëve, diskurs poshtërues politik, epitete ofenduese, përtallje e gjenit shqiptar, fantazi ekspanzive sllave, doktrinë të hapur për dealbanizim trualli, mërgim i pashpresë si mjet për dominancë në hapsinë jetike, shpirtshitje e elitave shqiptare dhe, mbi të gjitha – refuzim i së drejtës natyrale për jetë. Për një çast, që do t’më ngjante sa amshimi vetë, mu duk se pashë udhët e përgjakura të Prishtinës: falangat armërënda serbiane që përpiqeshin barbarisht të ndalonin të pandalshmin – vullnetin titanik të shqiptarëve për liri…
Po, fundja, a s’është kjo e njëjta dramë? A s’është po ajo dorë vrastare, a s’është e njëjta ëndërr, e njëjta tokë dhe a s’është po ai gjak që më shumë se shiu i qiejve ka lagur atë ndër mote?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura