REXHEP MORINA: INTEGRIMI EVROPIAN, GLOBALIZMI DHE POPULLI SHQIPTAR

Pashtriku.org, 26. 06. 2016: (Botuar në vitin 2003) – Kohëve të fundit po trumbetohet zhurmshëm si nga mediet e shkruara edhe nga ato elektronike, nga konferenca e samite të ndryshme të nivelit evropian dhe atij botëror, për dy çështje që kanë rëndësi të veçantë dhe me synime të shtrirjes, njëri në kufijtë kontinental të Evropës dhe tjetri me përmasa të tërësishme të globit botëror. Pra, këto dy rryma politike apo rende janë: Integrimi Evropian dhe Globalizmi. Ky shkrim nuk mëton të nxjerr ndonjë përfundim shkencor, por vetëm t’i prekë në mënyrë sipërfaqësore disa prej segmenteve të këtyre dy çështjeve, të cilat lansohen me bujë nga vetë qendrat që janë duke bërë hapa konkret në konsolidimin e këtyre dy rendeve politike, ekonomike dhe ushtarake.
INTEGRIMI EVROPIAN
Politika evropiane, qysh herët është duke bërë përpjekje për t’u konsoliduar në një bashkësi shtetesh. Në këtë vazhdë ajo ka pasur rëniet dhe ngritjet e veta. Ekziston një gërshetim interesash gjeostrategjik të disa shteteve të Evropës të cilat çuan në krijimin e bashkësisë që quhet Bashkimi Evropian. Bashkimi Evropian, pra shtetet themeluese të tij, qëllim parësor kanë interesat e veta politike, ekonomike dhe të dominimit mbi popuj dhe vende tjera, zgjerimin e territoreve dhe zonave të ndikimit, si dhe zotërimin e tregjeve e të eksportit. Gjithashtu ky bashkim synon gllabërimin e pasurisë mbi e nën tokësore dhe shfrytëzimin e fuqisë punëtore të vendeve me ekonomi të prapambetur.

Duke dominuar në të gjitha aspektet, shtetet më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian synojnë t’i mbajnë nën kontroll ato shtete dhe vende të cilat e zgjerojnë atë dhe t’ua mohojë shtetet e tyre kombëtare, e në emër të demokratizimit t’ua eliminojë traditat kulturore e shpirtërore të atyre vendeve. Rreziku që u kërcënohet shteteve evropiane nga ngritja dhe zhvillimi ekonomik i shteteve apo i grup shteteve në kontinentet tjera, i ka shtyrë këto shtetet evropiane që t’i bien kambanës së alarmit për integrim sa më të shpejtë të disa vendeve në kuadër të Bashkimit Evropian.
Kjo bëhet për arsye të shtrirjes së ndikimit në ato vende ku nuk janë prezent në njërën anë, dhe në anën tjetër për të thithë kapitale të reja, për të bllokuar hapësirat e tregjeve në mënyrë që të mos depërtojnë mallrat e shteteve jashtë kontinentit evropian. Kështu shtetet evropiane duan të krijojnë një bashkësi sa më të madhe shtetesh, me të vetmin qëllim: rritjen e zhvillimit ekonomik dhe krijimin e një fuqie sfiduese përball disa vendeve, që pretendojnë të janë fuqi dominuese në ekonomin botërore. Prandaj, në këtë mënyrë, Bashkimi Evropian do ta ruante stabilitetin e kësaj aleance dhe do ta forconte politikën e saj në kontinent, me tendencë të kthimit të këtyre shteteve, tani jo si të veçanta, por si aleancë në ish vendet koloniale të tyre.
Për t’u shtrirë më lehtë dhe për të qenë e pranueshme politika e Bashkimit Evropian në vendet tjera, ato gjejnë edhe shtresa të tilla të atyre popujve, të cilat kanë gatishmërinë të mbështesin këtë politikë të re evropiane.
Edhe në vendin tonë kjo politikë zë një vend me rëndësi sidomos në ato shtresa, të cilat kanë dëmtuar vazhdimisht interesin kombëtar, si në rrethanat e ruajtjes së ststusquo-s, ashtu edhe në rrethanat e luftës së armatosur, dhe ende në jetën tonë të përditshme janë aktuale, si pacifizmi i vjetër,po ashtu edhe neopacifizmi.
Sidomos në territoret e pushtuara shqiptare, kjo rrymë politike zëshëm e propagandon Integrimin Evropian, për arsye se interesat politike të tyre janë të njëjta, ndaj shtresave të varfra popullore, por edhe degraduese ndaj interesit të përgjithshëm kombëtar.
Aq më keq, kjo politikë minimizon çështjen e pazgjidhur të popullit shqiptar deri në asgjësimin e tërësishëm të saj, duke u deklaruar me pompozitet se: “Çështja shqiptare në Ballkan nuk ekziston”?!…
Pacifizmi po i ringjallë teoritë e vjetra për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura të territoreve të pushtuara, sipas formulës së tyre, ata duan ”Shqipërinë shtet, Kosovën e pavarur, shqiptarët nën Maqedoni të barabartë me pushtuesit, ndërsa shqiptarët e Kosovës Lindore dhe të Malit të Zi t’i gëzojnë të gjitha të drejtat politike dhe kulturore”.
Me teoritë e pacifizmit mund të pajtohet edhe bashkësia ndërkombëtare, sepse e para është në shërbim të së dytës dhe kjo çështje është një argument shtesë për ruajtjen e statusquo-s në një formë të re.
Kjo përpjekje për ta tjetërsuar problemin shqiptar në Ballkan, jo vetëm që është një veprim antishqiptar, por edhe që sjell rreziqe të mëdha.
Çështja shqiptare nuk mund të shuhet pa u zgjidhur drejt ajo. Kjo si proces edhe mund të ndalet, por vetëm përkohësisht, që të shpërthejë pastaj edhe më fuqishëm. Trojet e pushtuara shqiptare kanë qenë dhe aktualisht janë një çështje mjaft e mprehtë në Ballkan.Vetëm bashkimi i natyrshëm i popullit shqiptar në një shtet të vetëm do të jetë zgjidhja më e drejtë, e qëndrueshme dhe afatgjate. Me sendërtimin fundamental të kërkesave të popullit shqiptar, atëherë do të konstatonim se problemi shqiptar nuk ekziston, kurse tani çdo teori tjetër është e gabuar dhe afatshkurtër. Ata që do të provojnë realizimin e kësaj teorie do të nxisin e thellojnë pashmangshëm kriza me përmasa përtej Ballkanit.
Gjithashtu zgjidhja përfundimtare e çështjes sonë, çlirimi dhe bashkimi kombëtar do të shtyjë popullin shqiptar drejt angazhimeve të reja, për një bashkëpunim reciprok mes shtetesh, për fqinjësi të mirë e paqësore, për zhvillim ekonomik, stabilitet dhe përparim të gjithëmbarshëm në sferat e ndryshme të jetës.
GLOBALIZMI
Politika globaliste ose Rendi i Ri Botëror, siç e quajnë ndryshe vetë kreatorët, të cilët qëllimet dhe planet e tyre gjeopolitike i fshehin prapa frazave të bukura. Globalizmi si rend apo politikë ka disa decenie që qarkullon nëpër qarqe të ndryshme të diplomacisë botërore, poashtu përpjekjet janë këmbëngulëse për t’u zbatuar ky rend sidomos nga vetë SHBA-të, sepse janë qendra ideator e këtij rendi. Duke arritur në një stad të lartë të zhvillimit ekonomik, SHBA-të fituan edhe politikisht në arenën ndërkombëtare, pra morën rolin e lidershipit botëror, dhe aktualisht këtë rol nuk duan ta humbasin, përkundrazi ta mbajnë fort deri në shtrirjen e ndikimit të tyre edhe brenda disa shteteve që kanë pretenduar dhe pretendojnë të jenë fuqi botërore.
Roli prej superfuqie, deri me tani, SHBA-ve u ka sjellë avantazhe dhe përfitime mjaft të mëdha në rrugën që janë duke ndjekur. Në darën e globalizmit kanë futur jo vetëm vendet e prapambetura, por edhe vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim e sipër. Në mungesën e forcës ballafaquese të këtyre vendeve, me orientimet dhe angazhimet e SHBA-ve, ato po i nënshtrohen kësaj politike ose pajtohen për bashkëpunim multilateral, prapa të cilit bashkëpunim fshihen qëllimet kolonialiste ndaj vendeve të pa zhvilluara dhe dominimi mbi to.
Veprimet e përbashkëta në fushat e ndryshme mes SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian tregojnë qartazi vërtetësinë e qëllimeve dhe interesave të tyre politike për dominim tërësor mbi globin tokësor. Edhe pse kontradiktat mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve janë evidente, ato kamuflohen me artin e politikës së globalizmit.
Ditë më parë dy zyrtarë amerikan deklaruan se: ”do të angazhohemi në ruajtjen e paqes dhe lirisë prej detit Baltik deri në Detin e Zi”. Kjo nënkupton se edhe pse Bashkimi Evropian pretendon të jetë një forcë e shumëfishtë, ai nuk mund të qëndrojë jashtë rrjedhave të politikës globale, për arsye se duke qenë nën patronatin e SHBA-ve, pra një fuqi e kontrolluar, konsideron se kështu do të përfitojë më shumë. Mirëpo një bashkëpunim i tillë artificial, ku parësore janë interesat vetjake, padyshim se nuk do të zgjasë shumë, sigurisht deri në ndryshimin e raportit të forcave në botë.
Fryma globaliste, viteve të fundit ka përshkuar edhe territoret shqiptare në tërësi. Elitat aktuale politike po qëndrojnë me kurriz të kërrusur para kësaj politike, me lajka, servilizëm dhe gjunjëzim butakësh, ata justifikojnë pafuqishmërinë kinse para të fortit, por nuk mund t’i fshehin interesat e njëjta që kanë, veçanërisht ndaj çështjes së pazgjidhur shqiptare, të cilës edhe ashtu po i shkaktojnë dëme të reja.
POPULLI SHQIPTAR
Ne, si popull me çështjen e tërsishme të pazgjidhur, do të mirëpresim çdo ndihmë miqësore të faktorit ndërkombëtar në mbështetje të zgjidhjes së drejtë e të natyrshme të çështjes shqiptare. Nëse faktori ndërkombëtar ka shfrytëzuar të metat dhe dobësitë e luftës sonë çlirimtare, është instaluar këtu duke pasur edhe interesat e veta në rajon, populli ynë nuk lejon që për ndonjë ndihmë formale të bie pre e politikës invaduese dhe të hyjë në shërbime të saj. Për ne primare është mbështetja në politikën kombëtare, e cila çon në realizimin e aspiratave jetike të popullit shqiptar,në çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm,pavarësisht nëse politika jonë bie ndesh me interesat e politikës globaliste. Ashtu siç e dëshirojmë ne çlirimin kombëtar, territorial dhe shoqëror për vetveten, ashtu duhet të përkrahim edhe kërkesat e popujve tjerë për liri nacionale ose shoqërore edhe nëse ato manifestohen përmes ndonjë lufte të armatosur.
Sido që të jetë, luftërat çlirimtare kundër shfrytëzimit të egër diktatorial e antinjerëzor janë të drejta. Prandaj, përkrahja e luftërave të tilla është e arsyeshme sepse janë të drejta, çlirimtare dhe të udhëhequra nga motive liridashëse. Kjo ndjenjë e lartë fisnike dhe humane duhet ta karakterizojë popullin shqiptar, edhe për faktin se barrën e rëndë të pushtimit, ende një pjesë po e bart vetë mbi supet e tij.
Duke e pasur parasysh edhe atë që u tha më lart, shtetet dhe popujt pashmangshëm dhe me vendosmëri duhet të ecin në rrugën e ndërtimit të lirisë dhe sovranitetit të vendeve të tyre, që të kenë stabilitet ekonomik, politik dhe ushtarak, përparim kulturor e shkencor dhe dinjitet individual, familjar, shoqëror dhe kombëtar.

Rexhep Morina – Prizren, 2003

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura