REXHEP SELIMI: ATA QË HOQËN DORË LEHTË NGA UÇK-ja,… NUK HOQËN DORË KURRË NGA SHIK-u!

(Prishtinë, 05. 07. 2012) – E di që opinioni, qytetarët dhe Kuvendi i Kosovës pret nga unë të shprehë ndjenjën e keqardhjes për gjithë atë çfarë ndodhi javën e kaluar në hapësirat e Kuvendit të Kosovës. Do ta bëjë, por jo para se t’i them nja dy tri fjalë paraprakisht.
Me përfundimin e luftës, në vitin 1999 gjegjësisht 2000, një grup njerëzish që po përgatiteshin për politikë dhe për të përfituar edhe politikisht nga ajo luftë që lamë pas, duke u thirrur pikërisht në emër dhe në vlerat e asaj lufte, e dhanë UÇK-në dhe luftëtaret e saj. Ata hoqën dorë lehtë nga UÇK-ja, hoqën dorë lehtë nga betimi i ushtarit, hoqën dorë edhe nga Qeveria e Luftës, por nuk hoqën dorë kurrë nga SHIK-u.
Pra, e çarmatosën UÇK-në dhe e shuan, e armatosën SHIK-un dhe e ruajtën.

Deputeti Rexhep Selimi, në foltoren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

_______________________________

Prandaj, ishte vetëm ky rrjet spiunazhi i quajtur SHIK i cili pa asnjë bazë ligjore vazhdoi veprimtarinë e tij subversive edhe pas Janarit të vitit 2000 kur edhe u shuan të gjitha institucionet e përkohshme bashkë me Qeverinë e dalë nga lufta.
Por, megjithatë populli i Kosovës e meriton dhe ka të drejtë ta dijë se kush ishte dhe kush është kjo organizatë që po e mban nën stres dhe nën presion opinionin me qenien e saj.
Pse nuk përgjigjen?
Nëse jo ata, pse s’flet kuvendi, pse s’flasin të zgjedhurit e popullit, pse s’flet qeveria, pse s’përgjigjet askush?
Së paku, pse s’flet asnjë nga deputetët e PDK-së të cilët nuk kanë të bëjnë me SHIK-un? Ata, i inkurajoj të distancohen nga ky klan brenda tyre para se ta marrin përgjegjësinë dhe të mbyllen brenda imazhit të spiunazhit që ende besoj se jo të gjithë janë të nënshtrueshëm.
Ne, si Grup Parlamentar i falenderojmë të gjithë deputetët të cilët e kanë përkrahur dhe nënshkruar iniciativën e deputetit Krasniqi për ta ngritur një komision hetimor parlamentar. Po ashtu presim dhe i inkurajojmë edhe të tjerët që ta nënshkruajnë dhe qytetarëve t’ua kthejmë përgjigjen për të cilën ata kanë nevojë dhe kanë të drejtë ta dinë.
– Duke qenë kjo organizatë e quajtur “Shërbim”, ne duam thjeshtë ta dimë se kujt i kanë shërbyer dhe kujt i shërbejnë edhe sot.
– Duke e ditur se ata e kanë pranuar qenien e vet edhe publikisht, ne duam ta dimë se kush ishte struktura.
– Duke e ditur se ata vetë e kanë pranuar që kanë vepruar si shërbim sekret, ne duam ta dimë se mbi çfarë baze ligjore kanë vepruar.
– Duke e ditur se ata s’kanë qenë vullnetarë e as humanitarë ne duam ta dimë kush i ka financuar.
– Meqë ata janë deklaruar se e kane ndërprerë aktivitetin e tyre në vitin 2008, ne duam ta dimë se ku është arkiva.
Pra, këto përgjigje i duan qytetarët nga SHIK-u para se SHIK-u ta marrë përgjigjen nga qytetarët.
Megjithatë, në vend që vetë ata të përgjigjen, provuan ta bëjnë të kundërtën, të heshtin. Ata shkuan edhe më larg, guxuan ta kërkojnë një gjë të tillë edhe nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Por ky guxim ju doli i pallogaritur mirë. Ata morën përgjigje që në vend që të përgjigjeshin, por kjo nuk i ka bërë të ndjehen mirë shumë qytetarë të cilët presin më shumë nga ne, presin që të mos biem në provokime të tilla. Prandaj, ndjej keqardhje ndaj atyre që nuk u ndien mirë kur panë lajme të tilla në media. Por, njëkohësisht kërkoj, le të na kuptojnë se sa vështirë është edhe t’i durojmë njerëz dhe provokime të tilla. Madje, le të na kuptojnë sepse edhe në të ardhmen asnjëherë nuk do t’i durojmë.
– Ky është fjalimi i Rexhep Selimit në deklarimet jashtë rendit të ditës, gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës. Prishtinë, 5 korrik 2012
(Autori i këtij fjalimi është deputet i Grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!)

————————————-

Deklarata e Rexhep Selimit pas Rrahjes, më 28 qershor 2012!

———————————-

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura