RIFAT MURIQI: …U TMERROVA, ASKUND S’E GJETA NENIN QË AMNISTON URINIMIN TIM NË OXHAKUN E SERBIT!

Pejë, 05. 07. 2013 – (Një satirë tragjiko-komike për Amnistinë ose paradoksi i jetës në një shtet amorf) – Kur në vitin 2000 u ktheva në shtëpinë e djegur nga fqinji Serb, nga inati shkova në tullat e oxhakut të tij dhe urinova që të ia lagu hirin, sepse zjarrin e kishte shuar vet para se të shkoj andej prej nga ka ardhur. Që nga ajo ditë ika për në shpellë të fshehëm, sepse më thanë se, “Po të zuri KFOR-i ke me ia pa sherrin”. Por tani kur dola nga shpella dhe e lexova ligjin për amnisti, u tmerrova, askund nuk e gjeta nenin që amniston veprën e urinimit në oxhakun e Serbit. Por para se të iku atje (në shpellë), për ta prit ndonjë amnisti tjetër ndonjëherë, dola të shoh si jeton ky popull.
Fqinji që para luftës ia punonte tokën Serbit për lesh, tani prapë ia kishte uzurpuar për lesh dhe sillej si mbret.
Zyrtarit që para lufte shkruante vetëm Çirilicë tani i pengonte Gegërishtja.
Një polic që para lufte bëri dasmën e vet me flamur të Serbisë tani bënte dasmën e djalit me dy flamuj të ngjitur njëri pas tjetrit, të Kosovës dhe atë Kombëtarë, por polic ende ishte.

Mësuesin e amvisnisë që ishte spiun, tani me biznesin e kontrabandës ishte bërë pasanik.
Udbashin, që dikur më mësoj se si durohet tortura ecte nëpër korzon e Pejës si hero lufte, i sigurt se do të mbetej në histori si i përndjekur politik, sepse në ditët e fundit të luftës iku nga serbët për të fsheh gjurmët e vrasjes dhe hedhjes së një të riu nga dritarja e policisë.
Ish pasuria shoqërore e gjithë Pejës ishte blerë nga tre persona që i kishin ruajtur markat e konvertuara nga puna me kriminelin e njohur Arkan.
Duke mos u hyrë në punë gjuha serbe, të gjithë ish spiunet ishin të detyruar të mësojnë gjuhën angleze për të ushtruar zejen e vjetër tek ndërkombëtarët.
Bustin e Haxhi Zekës e kishin vendos tek “Ura e Gurit” sepse atje lart tek “Ura e zallit” i kishin uzurpuar hapësirat trashëgimtarët e vrasësit të Haxhi Zekes, Adem Zajmit.
Nga Peja për në Prishtinë hetova se pasuria kombëtare ishte shit për lesh, dhe leshi kishte mbetur vetëm në letër.
Në hyrje të Prishtinës mora vesh për heroizmat e Ushtarit të UÇK-së, Azem Vllasi dhe se Pushtetin dhe bizneset në kryeqytet i kishin Komitetlit e ish Jugosllavisë, kurse rrugët e Prishtinës ja kishin lënë Albin Kurtit për të gjuajtur gur, domate dhe ve. Por ku i merrte të hollat askush nuk e dinte, sepse, ai ishte i vetmi që nuk i kërkohej deklarimi i prejardhjes se pasurisë për këtë lloj harxhimi.
U gëzova kur mora vesh se në qeveri, zot shpije është Princi i Rambujesë, por kur u ngjita përpjetë ndërtesës së përhirtë pos disave të pakët që e kishin me tapi të tjerët ishin një kombinim i imponuar disa edhe të importuar) që flisnin gjuhën Esperanto.
Në parlament nga ballkoni i ndërkombëtarëve luhej me disa parlamentarë si me figurat e shahut. E vetmja ishte Rada Trajkoviçi qe s’kishte luajtur kurrë nga pozita e vet. Aty pash disa shok që dikur ua fshija qyrrat me boçë misri, kurse tani nguteshin qe vikendet ti kalojnë në Karaibe.
Nëpër qytet flitej se të gjithë pushtetarët i kanë duart e përlyera, por për çudi duart i kishin shumë të pastra. Me siguri të gjithë bëjnë Pedykyrë tek Tajlandezët.
Me treguan, se nga të gjithë ambasadorët, shumica janë milionerë që kanë paguar për postet, veçuar ndonjërin, si Antoni dhe Skënderi, që u shpërblyen për shërbimin e bërë, por jo ndaj shtetit.
Por ata që duhej që diku këtu të ishin, nuk i pash. Pyeta një plakë (deputete e pdk-së), – Se ku janë burrat, ma kthej – Disa në burg, disa në mal, e të tjerët ndër varre. Ia ktheva, po më dhimbsen burgjet, malet e varret, sepse po thonë se janë pesëdhjetëmijë, ma kthej, – Le rrenën e tyre hallë.
Ika, besoni ika, për të gjithë këta që i përfola kishte arsyetim në Ligjin për Amnisti, vetëm për mua që urinova në hi dhe ushtarët e lirisë nuk kishte amnisti. Por më që nuk jam trim që të shkoj ndër varre, as në mal, por as në burg, po kthehem në shpellë që të pres ndonjë Amnisti tjetër.
P.S. Pos që më dhimbset vetja që më duhet të jetojë në shpellë, besomëni “ma ka ni pak” edhe për Salustron që s’ka më punë, por në fund të fundit “s’po ma nin” se kur të kthehet në shtëpin e vet ka me gjet shumë vëllezër e motra nga “lëvdatat” që i bënë nënës së tij shqiptarët.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura