Dëshmi arkivore
“RILINDJA”, ISH ZËDHËNËSJA E TANJUG-ut TË BEOGRADIT – JANAR 1982! VRASJET E VËLLEZËRVE GËRVALLA DHE TË KADRI ZEKËS I CILËSOI SI “QËRIM HESAPESH MIDIS EMIGRANTËVE TË NËNTOKËS”!
Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 27 Janar 2024
Nga mesi i viteve 70-të sistemi medial – informativ gjegjësisht tri shtëpitë botuese e informative “Rilindja” në gjuhën shqipe, “Jedinstvo” në gjuhën sebe dhe “Tani” në gjuhën turke si dhe Radio e Televizioni i Prishtinës – RTP, u bashkuan në një institucion të njëzëshëm – integral të quajtur OPGBG – RILINDJA. Dhe ky gjigant medial drejtohet nga Kolegjiumi i Përgjithshëm i Redaksive.
Kolegjiumi përbëhej nga eksponentë të drejtpëdrejtë të strukturave politike të regjimit komunist, dhe kishte për detyrë t’i përpunonte dhe harmonizonte të gjitha kriteret e politikës redaktoriale të kësaj shtëpie të madhe. Ndërkaq, në nivel të gazetave dhe të revistave punonin redaksitë me një kryeredaktor kukull që përfaqësonte opinionin publik të dizajnuar nga strukturat e partisë – shtet!
Pas demonstratave të pranverës së vitit 1981 dhe miratimit të Platformës politike të KQ të LKJ-së për Kosovën (nëntor 1981), në mjetet e informimit publik në gjuhën shqipe u aplikua një mobilizim i jashtëzakonshëm.
Fillimisht u formuan komisionet e diferencimit ideo – politik, të cilat bënin spastrimin e parë në garniturat udhëheqëse (në RTP, Rilindje e në revsita në gjuhën shqipe), pastaj u formuan shtabet e ashtuquajtura të aksionit për agjitacion dhe propagandë (agjitpropi) kundër nacionalizmit, irredentizmit dhe seperatizmit shqiptar. Dhe mbi të gjitha u përcaktuan qartë obligimet e elitës intelektuale dhe të punëtorëve shkencorë më të njohur të partisë – shtet, që ta mbrojnë e zbatojnë me përpikëri kursin politikë të LKJ-së për Kosovën! Dhe, ky kurs i dëgjueshmërisë intelektuale ndaj regjimit serbo – jugosllavë ka vazhduar deri në fund të viteve ’80-të!
***
Se gazeta e përditshme „Rilindja“ ishte në shërbim të regjimit serbo – jugosllavë si zëdhënëse e TANJUG-ut të Beogradit, dëshmojnë edhe shkrimet e janarit 1982, me rastin e atentatit të kryer nga UDB-ja më 17 Janar 1982 në Untergrupenbach të Gjermanisë, ndaj Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës.
DËSHMI ARKIVORE
Më 19 janar 1982 „Rilindja“ në faqen 2, boton një kumtesë të Agjensisë shtetërore serbo – jugosllave TANJUG, me titull: „Në RF të Gjermanisë, u vranë tre emigrantë“, duke e cilësuar këtë vrasje makabre si „qërim tipik hesapesh midis emigrantëve të nëntokës së RFGJ“!
Në vijim lexoni të plotë (pa e komentuar) kumtesën e TANJUG-ut:
NË RF TË GJERMANISË
U VRANË TRE EMIGRANTË
Sipas kumtesës së policisë këta janë Bardhosh e Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka.
Bon, 18 janar (1982)
(TANJUG)
Policia e Shtutgardit kumtoi se gjatë natës së kaluar në vendin Untergrupenbah afër Hajlbronit, në Krahinën Baden – Virtenberg u vranë tre emigrantë me prejardhje jugosllave. Këta janë Bardhosh Gërvalla (31), Jusuf Gërvalla (36) dhe Kadri Zeka (28).
Policia ende po i gjurmon dorasit, por mund të supozohet se është fjala për qërim tipik hesapesh midis emigrantëve të nëntokës së RFGJ, të cilëve, siç mendon policia, i kanë takuar edhe viktimat e kësaj përleshjeje.
Ky supozim jipet nga rezultati i parë i hetimeve të policisë, i cili nuk është definuar në mënyrë plotësisht të qartë, por që është mjaftë indikativ. Konsiderohet në të vërtetë se „fjala është për krim me prapavijë politike“, sepse ndërmjet emigrantëve të këtij lloji të orientuar armiqësisht ndaj Jugosllavisë, ka më shumë „rryma“ dhe „grupacione“.
Bardhosh e Jusuf Gërvalla siç merret vesh janë vëllezër. Ata tash, sipas të gjitha gjasave, janë bërë viktima të mesit, të cilit i kanë takuar. Viktima e tretë, Kadri Zeka, siç pohon policia, para kësaj, ka jetuar në Zvicër, ku ka pas marrë azil. Nuk ka dyshim se të vrarët tash një kohë të gjatë kanë jetuar në RFGJ.
Policia e Shtutgardit kumtoi se ka organizuar ndjekje përmasash të gjera për zënien e vrasësve të mundshëm.
Qeveria e Bonit, siç deklaroi përfaqësuesi i saj për shtyp, e dënon rrept vrasjen e tre personave. Ky përfaqësues shtoi në konferencën për shtyp se „qeveria shpreh keqardhje për shkak të përleshjeve të tilla“.
(Burimi: Gazeta „Rilindja“, datë 19 janar 1982, faqe 2)
Lexoni faksimilin e Rilindjes:
***
REAGIMI I AGJENSISË TELEGRAFIKE SHQIPTARE!
Po atë ditë (më 19 janar 1982), Agjensia Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe Radio Tirana, duke u bazuar në Agjencinë gjermanoperëndimore të lajmeve DPA, agjencinë franceze të lajmeve AFP, dhe në agjencinë amerikane të lajmeve ASPRESS, reagojnë mbi vrasjen e kobshme me titull “Kosovës po i vriten djemtë nga serbomëdhenjtë”. Ky reagim i shpejtë njëkohësisht ishte edhe si reagim ndaj Agjensisë jugosllave të lajmeve TANJUG, e cila vrasjen e Jusufit, Bardhoshit dhe të Kadriut e cilësoi si “larje hesapesh midis emigrantëve”! Këtë reagim më 20 janar e botoi edhe Gazeta “Zëri I Popullit”.
Në vijim lexoni reagimi e ATSH-së:
KOSOVËS PO I VRITEN DJEMTË NGA SERBOMËDHENJTË
TIRANË, 19 janar, – Sikurse njofton agjensia gjermanoperëndimore e lajmeve, DPA, të dielën më 17 janar, natën vonë, në fshatin Untergruppenbah, në afërsi të qytetit të Shtutgart të Gjermanisë Perëndimore, u vranë kosovarët Bardhosh Gërvalla, Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka. Sipas burimeve zyrtare gjermanoperëndimore, sulmi u krye të dielën natën, pak kohë pasi të tre kosovarët dolën me makinë nga një garazh. Vrasësit e armatosur hapën zjarr kundër makinës dhe vranë në vend Kadri Zekën (28 vjeç) dhe Bardhosh Gërvallën (31 vjeç). Jusuf Gërvalla (36 vjeç), i plagosur rëndë vdiq më pas në spital.
Agjencia gjermanoperëndimore e lajmeve, DPA, agjencia franceze e lajmeve, AFP, dhe agjencia amerikane e lajmeve, ASPRESS, duke dhënë lajmin e vrasjes së tre shqiptarëve, theksojnë se, sipas deklaratave të zyrtarëve të sigurimit gjermanoperëndimor të Shtutgartit dhe sipas shërbimit lokal të hetimeve kriminale, Jusuf Gërvalla duke dhënë shpirt në spital, akuzoi policinë sekrete jugosllave se qëndronte pas këtyre tri vrasjeve.
Ndërsa agjencia jugosllave e lajmeve TANJUG, lajmin që dha për vrasjen e tre djemve kosovarë e cilëson si “larje hesapesh” midis emigrantëve, shprehje kjo që e kemi dëgjuar shpesh nga udhëheqësit kryesorë jugosllavë dhe ata të Kosovës, kur është fjala për masa shtypëse e terroriste kundër shqiptarëve në Jugosllavi. (ATSH)
Lexoni faksimilin e ATSH-së:
KUNDËREAGIMI I “RILINDJES” NDAJ ATSH-së DHE RADIO TIRANËS!
Pas reagimit të ATSH-së përmes valëve të Radio Tiranës, ka pasur një kundëreagim i ashpër, si koment i redaksisë së “Rilindjes” me titull “MLLEFI I RI SHOVINIST NGA TIRANA”!
Në vijim lexoni komentin e stafit redaksioinal të Rilindjes:
KOMENTI YNË
MLLEFI I RI SHOVINIST NGA TIRANA
Lexuesit e “Rilindjes” patën rastin që në faqet e gazetës sonë, si dhe të gazetave të tjera të lexojnë para ca ditësh lajmin për vrasjen e tre emigrantëve shqiptarë nga Jugosllavia në Gjermaninë Federale (vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka). Kjo vrasje, sipas informatave të shpallura nga policia e vendit, ishte larje hesapesh ndërmjet grupeve emigrante në Gjermani.
Radio Tirana pas dy ditësh emitoi lajmin e ATSH-së për këtë ngjarje me titull të paskrupullt se “Djemtë e Kosovës i vranë serbomëdhenjtë”! ATSH-ja dhe Radio Tirana pohimin e vetë “mbështesin” në fjalët e të vrarit Jusuf Gërvalla gjoja të thëna para vdekjes.
Shprehja e mllefit shovenist nga valët e Radio Tiranës dhe të shtypit të Shqipërisë s’është shfaqje e re. Është vetëm për t’u çuditur se si një organ zyrtar dhe radioja zyrtare e një vendi, rastet të tilla mund t’i shfrytëzojë për të mbjellë urrejtje shiviniste ndërmjet popujve në Jogusllavi, për të bërë dezinformime dhe shpifje kundër fqinjit pak ditë pas deklaratës solemne të kryetarit të ri të qeverisë së Shqipërisë – se dëshiron marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Jugosllavinë?
Përgjigjja e kësaj pyetjeje gjendet vetëm në faktin e vërbërisë politike dhe të ngarkesave shoviniste të vetë autorëve të artikujve e informatave të tilla në shtypin dhe propagandën e Shqipërisë. Vetëm nga një ngarkesë e tillë mund të dalin pohime të tilla, siç janë ato të ATSH-së dhe të Radio Tiranës.
Sa u përket “deklaratave” të të vrarëve, ato, edhe po të thuheshin, nuk mund të ishin të tjera, sepse për ta vetëm Jugosllavia e sistemi i saj janë armiq. Miq të tyre janë vetëm reaksioni botëror, grupet e ndryshme antijugosllave të vjetra e të reja, të lidhura me kushedi çfarë shërbimesh informative sekrete. E mu këto shërbimë, siç duket, ua kanë ngrënë kokën duke i përdorur ata si viktima për kusur ndërmjet tyre, qofshin ballistë, çetnikë, ustashë, “marksist-leninistë” e kushedi çfarë.
Popujt tanë, as shqiptarët e as serbët nuk kanë të bëjnë me aktet e këtyre grupeve kriminale emigrante, desertorësh e tradhtarësh të vendit.
Radio Tirana e ATSH-ja as kësaj here nuk zgjodhën as rastin e as mjetet për të shfaqur armiqësi kundër Jugosllavisë, për të nxitur urrejtje në mes shqiptarëve dhe serbëve – dhe kështu edhe një herë vërtetuan dyftyrësinë e politikës së udhëheqjes, së cilës i shërbejnë: në njërën anë fjalët e mëdha për bashkëpunim, e në anën tjetër shpifje e urrejtje.
Është punë e ATSH-së, si dhe e Radio Tiranës si sillen. Por është edhe punë e jona të themi se: kur dikush me dikënd lan hesapet në botë, nuk duhet të shftyrëzohet për shprehje të shovinizmit dhe të urrejtjes kundër nesh, as kur autorët e informatave të tilla si kjo e ATSH-së dhe Radio Tiranës që qëndrojnë prapa veprimeve kriminale, antishqiptare e antijugosllave – siç qenë ato të Jusuf Gërvallës dhe të shokëve të tij.
Lexoni faksimilin e Rilindjes:
(NO COMENT!)
NGA ARKIVI I GAZETËS “HEILBRONNER STIMME”, MË 19 JANAR 1982
Faksimil i shkëputur nga “Heilbronner Stimme” 19 janar1982: (X) Banesa e vëllezërve Gërvalla, shigjeta në krahun e djathtë –) Shtëpia ku kanë qëndruar vrasësit dhe shigjetat në rrugë, tregojnë lëvizjen e makinës nga momenti i daljes prej garazhës e deri te përplasja në garazhën tjetër pas aktit të ekzekutimit me atentat! Bardhosh Gërvalla ishte shoferi, Kadri Zeka ishte i ulur në karrikën e parë në krahë të shoferit, ndërsa Jusuf Gërvalla ishte i ulur në ulësen e prasme.
Nga arkivi © Pashtriku.org