RRAHIM BEKTESHI: NË 19 VJETORIN E RËNIES SË DËSHMORIT TË KOMBIT, LULZIM LLUGIQI

Pashtriku.org, 6 qershor 2018: Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e nderoi edhe pushka e lirisë së dëshmorit LULZIM (HASHIM) LLUGIQI.
Dëshmori Lulzim Llugiqi, biografinë e vet e shkroi me heroizmin e treguar në luftën çlirimtare për lirinë e Kosovës, ku la jetën e ëmbël rinore, familjen, vendëlindjen, shokët, farefisin, për ti DALUR përballë armikut.
Lulzim Llugiqi u lind më 05.01.1973 në fshatin Kroibardhë (ish-Dobrajë e madhe) e komunës së Lypjanit. Shkollën fillore e kreu në vendëlindje ndërsa atë të mesmen, në drejtimin xehëtarisë, me sukses të shkëlqyeshëm në Lypjan.
Babai i Lulzimit, Hashim Llugiqi ishte minator i minierës së Magnezit ‘Goleshi’ në Magure.
Ai kishte punuar me vite të tëra në zgafellën e kësaj miniere, ku nxirrej lënda e parë dhe dërgohej për tu eksploruar, me tren special në Kralevë të Sërbisë.

 

Lulzim H.Llugiqi (5. 01. 1973 – 5. 06. 1999)

Në vitin 1999 me rastin e futjes së masave të dhunshme nga regjimi kriminal i Millosheviçit dëbohen rreth 1000 minatorë shqiptarë në mesin e tyre ishte edhe babai i dëshmorit Lulzim LLugiqit.
Kushtet e vështira ekonomike tani Lulzimit ia shkurtuan mundësinë për të studiuar në ndonjë fakultet vendor, por dëshirën dhe shpresën se do të vinin ditët më të mira nuk i shuajti kurrë me qëllim për ta ndihmuar familjen, sikur edhe shumë bashkëmoshatar detyrohet të marrë rrugën e mërgimit.
Në 17 prill të vitit 1997 vendoset në Zagreb të Kroacisë ku kishin mërguar shumë shqiptarë që mirëpriteshin si miq.
Lulzimi kryente punë të ndryshme fizike dhe ndihmonte prindërit, vëllezërit dhe motrat në Kosovë. Në mars të vitit 1998 në kohën kur në altarin e lirisë së Kosovës kishte rënë komandanti Legjendar i UÇK-se Adem Jashari dhe 56 anëtarë të familjes së tij të ngushtë e të gjerë, mijëra shqiptarë nëpër vendet e ndryshme të Evropës kishin filluar të dyndeshin drejt Shqipërisë, me qëllim që atje të armatoseshin dhe të hynin në frontet e luftës çlirimtare.
Në prill të vitit 1999 pas dy vitesh qëndrimi në Kroaci, Lulzim Llugiqi me shumë vullnetarë shqiptarë niset nga Zagrebi dhe pas disa ditësh arrin në portin e Durrësit, ku sistemohet në Qendrën stërvitore në Feken të Dajtit dhe pas përgatitjeve të duhura që do të merr Lulzimi së bashku me mijëra vullnetarë tjerë të përgatitur nga eprorët dhe kadetët e Akademisë “Skenderbej” nga Tirana, Lulzimi i sistemuar në togun e parë të kompanisë e parë, të Batalionit të II-të të Drejtimit taktik nr 2 të Operacionit “Shigjeta” me komandant Bilall Syla – në pozicionet në Majen e Pashtrikut.
Qëllimi i operacionit ishte që të sulmoheshin forcat serbe, me një mësymje të vrullshme të forcave të frontit operativ, me qëllim që të dërmoheshin forcat serbe edhe me sulme nga ajri i avionëve të NATO-së dhe të hapeshin korridoret për futjen e armatimit, municionit dhe vullnetarëve të shumtë që kishin ardhur nga mbarë Evropa por edhe nga Amerika e largët nga ku ishte organizuar dhe ishin futur në frontet e luftës çlirimtare edhe Batalioni ”Atlantiku” me vullnetarë nga SHBA.
Luftëtari trim Lulzim Llugiqi së bashku me shumë bashkëluftëtar tjerë po luftonin ballë përballë me forcat serbe, të cilat ishin të fortifikuara në transhet e tyre, kurse luftëtarët e UÇK-së po shfrytëzonin fortifikimet natyrore, lufta sa vinte e bëhej më e pergjakshme përparimet tona në territor po i ndihmonte edhe Artileria e Ushtrisë Shqiptare dhe bombardimet e avionëve të NATO-s.
Më 5 qershor të vitit 1999 Lulzimi ndodhej në frontin e luftimeve në majë të Pashtrikut dhe deri sa arma e tij po villte zjarrë mbi armikun ai goditet për vdekje nga breshëria e granatave të forcave armike, të cilat duke parë humbjen e sigurt ishin egërsuar ashtu sikurse bisha e plagosur kur merrë goditje vendimtare.
Bashkëluftëtarët kishin arritur ta tërheqin trupin e Lulzimit, i cili në kushte dhe rrethana të luftës së pandërprerë u varros në pozicionet e luftës te vendi i quajtur ”Lendina e dëshmorëve”, ashtu i kishin vën emrin këti vendi bashkëluftëtarët ku preheshin dëshmorët :
1. Avdi Xhaçku
2. Florim Rushiti – Kingji
3. Bedri Gashi dhe tani Altarit të lirisë po i shtohej edhe
Lulzim Llugiqi.
Më 1 qershor të vitit 2000 trupi i dëshmorit Lulzim Llugiqit ishte zhvarrosur nga Maja e Pashtrikut dhe ishte sjellur në fshatin e tij të lindjes dhe ishte varrosur me nderime dhe me pjesëmarrje të mijëra liridashësve nga mbarë vendi.
Në vitin 2002 në shenjë respekti u zbulua pllaka perkujtimore në vendëlindjen e dëshmorit. Djali i vëllaut të Lulzimit, Fitimit e ka ripërtrirë emrin e dëshmorit.
Lulzimi kishte lënë pas prindërit: babain Hashimin, (i cili vdiq në vitin 2002), nënën Mevlidën, motrat Ibadeten, Vjollcën e Linditën si dhe vëllezërit Fitimin dhe Valmirin.
Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së , nga Ministria e Mbrojtjes ë QPK-së, nga Shoqata e Luftës dhe nga Kuvendi komunal i Lypjanit .
Emri i dëshmorit Lulzim Llugiqit i është vënë një rruge në Lypjan.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për dëshmorin e Kombit, Lulzim Llugiqi!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura