RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE – VIDEO (I)

Flet Hydajet Hyseni

RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE (I)

Prishtinë | Datë: 7 qershor, 2015 |

JETA REXHA (INTERVISTUESJA), RINA KRASNIQI (KAMERA)

Dënimi nuk ishte vetëm individual, po praktikisht dënohej gjithë familja. Unë për një kohë të gjatë të burgut tim, kam pasë bindjen se e gjithë familja ime ndodhej n’burg. Kështu m’ishte thënë, dhe kështu m’ishte krijuar bindja n’forma t’ndryshme, e shkresa, e tjera, që m’i hidhnin përpara. Ndonjëherë edhe me zëra t’fëmive që ose improvizoheshin, ose inskenoheshin atje, e tjera, dhe kishe bindjen se e gjithë familja është… mbahet në burg. Kishte pasur edhe raste kur janë burgosur familje. Kanë burgosur edhe familjarë t’mi, ma vonë kam marrë vesh. […]  Si thonë, në çdo luftë, e para që vdes është e vërteta. Edhe n’luftën politike, edhe më shumë se sa n’luftën e armatosur, e vërteta vritet! Pas ngjarjeve të ’81-shës, e para që qe vrarë, qe vrarë e vërteta për atë që kishte ndodhë në ’81-shën. Dhe unë tek më vonë kam gjetur, kam lexuar, që ka pasur edhe intelektualë të shquar serbë, si Sergja Popoviç, që qysh atëherë, në ’81-shën, ka ngritur zërin kundër asaj që po ndodhë në Kosovë. Dhe kanë pasë guximin dhe vizionin që t’thonë që megjithatë është e drejtë ajo që kërkojnë shqiptarët. Dhe, me politikën ndaj Kosovës, dëmtohet jo vetëm Kosova, po dëmtohen Serbia edhe të tjerët. Është dëm që nuk ka pasë më shumë fuqi ky zë. Dhe nuk është e rastit! Pushtuesit janë edhe sundues t’popujve t’tyre. Prandaj ata i frikësohen t’vërtetës edhe ndaj t’pushtuarëve, sepse e vërteta ndaj tyre mund t’i ngrehë në këmbë edhe t’sunduarit në vendet e tyre, te popujt e tyre. Prandaj edhe kanë bërë gjithçka për ta pamundësuar të vërtetën që të depërtoj atje. Unë madje jam i bindur që edhe sot e gjithë ditën, ne nuk kemi arritur ta themi t’vërtetën tonë para… edhe para qytetarëve serbë. Kur kemi arritur ta themi, efekti ka qenë befasues dhe pozitiv.

***

Hydajet Hyseni u lind me 10 mars 1954 në Përlepnicë, Gjilan. Studio gazetarinë dhe diplomacinë, si dhe gjuhën dhe letërsinë frenge në Universitetin e Prishtinës. Punoi si gazetar në të përditshmen “Rilindja”. Hyseni ishte anëtar i lëvizjës ilegale nacionaliste shqiptare dhe njëri ndër ideatorët e protestave të vitit 1981. Ishte i burgosur politik nga viti 1981 deri në 1991. Pas luftës e përfaqësoi Partinë Demokratike të Kosovës në Parlament. Në vitin 2014 iu bashkëngjit Lëvizjes Vetëvendosje. Jeton në Prishtinë me familjen.

Pjesa e Parë

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarin për vendin e vitin e lindjes, si dhe të flasë për familjen dhe fëmijërinë e tij.]

Hydajet Hyseni: Jam Hydajet Hyseni Kaloshi, siç jam aktualisht në Regjistrin e… Regjistrin Civil, dhe kjo ndonjëherë ka shkaktuar dilema tek njerëzit, “Ç’është ky mbiemër i pazakonshëm?” Është pasojë në fakt e një anomalie që ka qenë e pranishme, dhe shumë e përhapun në Regjistrin Civil të qytetarëve të Kosovës. Shpesh herë, edhe me qëllime të caktuara që të ngatërrohet funksionimi zyrtar, institucional… Ndoshta për këtë, po deri vonë, mbiemri im, sipas origjinës ka qenë Ibrahimi, siç ishte gjyshi im. Po kur kam shkuar në shkollë të mesme, e kam parë se nuk mund t’jetë ai mbiemër, sepse në regjistrat civilë ishte ishkruar mbiemri Iseni.

Dhe Iseni është emri Hyseni, që administrata serbe – që nuk e përdorte y-në dhe kishte një mërzi sidomos për y-në e ë-në, si shkronja puro shqipe – kishte shkruar Iseni. Por, Isen nuk kishte në gjenealogjinë time. Hysen, ishte xhaxhai im. Për pasojë, ata e kishin regjistru babain tim në emër të vëllait të tij. Emri i babait tim, vëllai i tij si mbiemër. Kështu ka qenë deri pas luftës, kur u bë një regjistrim i ri, për ne i pari i mirëfilltë, dhe ishte rasti për ta korigjuar mbiemrin tim, dhe u përcaktuam që ta marrim një mbiemër familjar. Është familjari… mbiemri familjar Kaloshi, që është emri i fisit tonë, lagjes ku kam lindur, kam jetuar.

Kam lindur në një fshat të Gjilanit, quhet Përlepnicë. Është një fshat i hershëm, mesjetar, ose ndoshta edhe më i lashtë se mesjetar. Sipas kronikave historike e legjendave, aty kishte një qytezë ose qytet, Përlep. Ndonjëherë me prapashtesën sllave, Përlepc, ku sipas kronikave e legjendave, edhe është lindja e Princ Lazarit, më saktë Princ Lazit, i cili edhe ka qenë nji nga udhëheqësit e Betejës të Kosovës, udhëheqësi kryesor i Betejës të Kosovës, dhe që eshtë përvetësuar krejtësisht nga historiografia serbe, dhe konsiderohet si nji nga figurat historike, mitologjike, të Serbisë.

Ndonëse unë kam gjetur në burime serbe, ka qenë në “Politikën e Ilustruar” dikund në vitet e ‘83 ndoshta, nji shkrim i nji autori serb, në të cilin ai thoshte se ky Princ Lazi, deri në vitin… deri n’shekullin e XIX-të, në të vërtetë kishte emrin Laz, dhe mbiemrin Hrebelan. Dhe kjo “ar” dhe… te emri Lazar që bëhej, dhe Hrebelan që bëhej Hrebelanoviq, është bërë tek atëherë kur n’njifarë mënyre nacionalizmi serb edhe synonte, dhe arrinte të përvetësojë edhe figura që nuk ishin serbe. Sipas këtij shkriminë “Politikën e Ilustruar” thuhej se Princi Lazër kishte prejardhje ose vllahe, ose të ndonji etnie tjetër në atë rrethinë, po që nuk ishte serbe.

Megjithate, kjo është histori e lashtë, por që lidhet me faktin që fshati Përlepnicë është një fshat vërtetë i bukur, me burime termale përreth, me mbeturina të ndonji kalaje a kështjelle, me fusha shumë të veçanta, të plleshme dhe t’bukura, rrethuar me brigje e male plot blerim, plot zogjë. Dhe është vërtetë ndër vendet e bukura, që ja vlenë të vizitohen. Unë jam rritur në Përlepnicë dhe jam shumë i lidhur me Përlepnicën. Aty kam kaluar fëmijërinë… dhe për mua është e paharrueshme. Në fëmijëri… edhe me figura tash të t’pavdekshme, për mua shumë t’dashura, si: Zija Shemsiu, dëshmori Zija Shemsiu, nji nga ata që mbeti i vdekur nga torturat në burgun famëkeq, CZ, Centralni Zatvor [Burgu Qendror]e quanin, të Beogradit. E me Xhavit Ahmetin, një intelektual e veprimtar i shquar po ashtu, i cili pësoi në një aksident komunikacioni, në fund… n’vitin ‘97-të, në nji udhëtim që atëherë bëhej për t’u takuar me përfaqësi diplomatiketë botës, e tjera.

Dhe kujtimet e mia për Përlepnicën lidhen gjithmonë edhe me këta dy emra shumë të dashur dhe t’respektuar për mua, që ishin më t’moshuar se unë, dhe ishin në një mënyrë edhe pjesë e nji brezi rinor, që atëhere në përfundim të tmerrit t’viteve ‘60, pas rënies të Rankoviqit, po gufonte në çdo pikëpamje. Edhe n’formën e nji fryme atdhetare, progresiste… Këta dy, ishin nxënës të Normales, edhe me shumëshokë t’tjerë, çdo rrugë që e bënim… dhe rruga ishte e gjatë – më shumë se një orë në secilin drejtim- e bënim me këngë, me mandolina, që i akordonin si çifteli e sharki, dhe këndonin këngë pa censurë. Këngë të cilat ishin t’ndaluara, dhe për t’cilat mund të dënoheshe rëndë.

Përlepnica edhe shquhet me një frymë patriotike e rezistuese ndaj pushtuesve të të gjitha llojeve. Ka qenë vatër edhe e kryengritjeve t’ma hershme. Shumë përlepnicasë kanë marrë pjesë në luftën e Idriz Seferit, beteja t’tjera n’atë rrethinë, Kaçanik e, Karadak e… Kurse n’Luftën e Dytë Botërore, vetëm që kanë marrë pjesë në betejat e mëdha, që janë bërë në Malësinë e atëhershme t’Gollakut, e të Hashanisë… si e kanë quajtur në Kikë, Ushë, e gjetiu. Por edhe pjesa më e madhe, edhe kanë marrë pjesë në luftimet për Gjilanin. Në Përlepnicë ka qenë shtabi i kryengritësve shqiptarë atëherë. Pikërisht në familjen e Zija Shemsiut, të gjyshit të Zija Shemsiut. E nji pjesë, në nji familje tjetër të respektuar po ashtu, që eshtë familja e Reshat Eminit, një nga pishtarët e arsimit shqip. Për pasojë, numri i të vrarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore n’Përlepnicë ka arritë rreth 24 vetë. Kurse, nuk iu është ndalur pastaj kurrë zullumi.

Përlepnicë… i cili edhe ishte qendër e grumbullimit t’kryengritësve para se të mësynin Gjilanin. Kjo Përlepnicës i kushtoi me shumë të vrarë, diku rreth 24 të vrarë, kryesisht paria e fshatit, dhe nji etiketim… si të thuash, si fshat armiqësor, që fshatit i ka kushtuar shumë. Është një fshat i madh, që ka pasë shumë intelektualë, dhe ka furnizuar me intelektualë praktikisht gjithë rrethinën. Por që karrierë politike me vështirësi iu është lejuar, sepse janë konsideruar fshat armiqësor.

Unë jam rritur në nji ambient të tillë, në të cilin midis fshatit, popullatës, dhe pushtetit, kishte nji distancë t’madhe. Po në rrethin ku ishim, dhe në atë fshat në përgjithësi, ka pasë një liri për t’folur hapur kundër pushtetit. Dhe çuditërisht, nuk ka pasë shumë denoncime e spiunime, që kanë qenë atëhere praktikë shumë e përhapur. UDB-ja ka qenë një hidër që ka pasë lëshuar pipthat e saj gjithkund, dhe qe krijuar bindja se as s’mund t’flasësh diçka, e t’mos merret vesh. Po, fshati Përlepnicë ka qenë në nji mënyrë përjashtim.

Në fëmijërinë time, ka qenë edhe nji linjë tjetër shtrënguese, përveç asaj që e bënte atë brez të ketë një rini të varfër në nji mënyrë, një rini pa rini. Nga linja e nënës, po ashtu kishte nji trashëgimi… Ky fakti i një fryme të vazhdueshme patriotike e rezistuese ndaj pushteteve, ka qenë në nji farë mënyre atmosfera n’cilën jam rritur, dhe ka qenë… t’them sinqerisht, edhe nji burim gjithmonë frymëzimi e krenarie, bashkë edhe me një rrethanë tjetër që e ka karakterizuar fshatin tim t’lindjes. Për shekuj t’tërë, në fshatin tim të lindjes – që është fshat i madh, me më shumë se 400 shtëpi, e që janë katër pesë fise, do të thotë nuk janë një fis, një familje – nuk ka pasë vrasje mes vete. Dhe ka pasë shumë intelektualë.

Në fëmijërinë time ka qenë edhe një linjë tjetër që ka determinuar jetën time të mëvonshme: linja e nënës. Nana ime vjen prej një familje atdhetare t’anës së Dardanës tash i thonë, Kamenicës, fshatit Roganë. Është mbesa e njërit prej krerëve të asaj ane, t’pushkatuar nga pushteti i pushtuesit serb pas hyrjes së tyre në Kosovë, n’mënyrë spektakolare, n’ditën e Panairit në Gjilan, si një nga krerët e rezistencës shqiptare, Murat Kryeziut. Babai i nënës sime, do të thotë gjyshi im, Zylfi Kryeziu, ka qenë një nga luftëtarët e dalluar dhe prijatarët e luftës n’atë anë, dhe për nji kohë edhe nji nga kaçakët e asaj ane.

Burrë shumë i respektuar në atë anë, bijtë e tij, Sejdi Kryeziu dhe Vehbi Kryeziu kanë qenë pjesëtarë të njërës nga organizatat më të hershme të Lëvizjes sonë, të ripërtrirë pas ripushtimit, pas Luftës të Dytë Botërore. Sejdi Kryeziu, ka qenë tri herë i dënuar politikisht. Ka qenë shok i ngushtë i Metush Krasniqit, dhe dhëndërr i tij. Kurse vëllau i tij, Vehbiu, ka qenë pjesëtar i dalluar po ashtu i organizatës, dhe gjatë procesit të hetimeve, ai po ashtu ka mbetur i vdekur në spitalin e Gjilanit, në rrethana shumë të dyshimta, nën mbikëqyreje dhe shtrëngim të organeve represive të kohës, të UDB-së të atëhershme famëkeqe.

Nëna ime, ka qenë e fejuar me babain tim në prag të Luftës së Dytë Botërore. Babai im, atëherë ishte ushtar i Mbretërisë Jugosllave, Kraljevina Jugosllave, edhe në këtë cilësi arrestohet në Slloveni, pas shpërbërjes së Ushtrisë Jugosllave. Dhe pas një golgote të vërtetë nëpër kampe të ndryshme e tjera, dërgohet në kampe të përqendrimit në Gjermani. Nëna ime e ka pritur gjashtë vjet babain tim, kurse kanë qenë vetëm të fejuar, dhe asnjëherë s’e kanë parë njëri tjetrin. Ka qenë bindja se ai është i vrarë dhe se nuk do t’kthehet më.

Megjithatë, edhe rrëfimet e të tjerëve përreth, edhe të nënës sime, shpërfaqin një rast shumë të veçantë. Ajo si 16 vjeçare, megjithate vendosë që t’mos martohet n’asnjë mënyrë me askend, por të presë me çdo çmim të fejuarin e saj. Dhe, meqë ishte luftë, dhe ajo pjesë ishte nën pushtim që ndërohej prej pushtuesve të ndryshëm, edhe pushtuesit bullgarë, që kishin një nam të zi për sjellje jo vetëm të egra, brutale, por edhe jomorale e tjera. Thonë që ishte praktikë që vajzat të martoheshin sa më shpejtë, vetëm për t’i rahatuar disi, dhe për t’i mbrojtur n’atë mënyrë. Nëna ime, ka mbajtur përgjatë gjithë kohës të luftës dy bomba në brez, e gatshme që po t’vie puna të hidhet në ajër bashkë me to, po nuk ka pranuar të martohet, dhe t’mos e presë të fejuarin e saj.

Fati e ka dashur, që pastaj pas Luftës së Dytë Botërore, babai im të kthehet shëndoshë e mirë, të martohej dhe të bëjë një familje të shëndoshë, të ngrohtë, dhe kanë jetuar në harmoni, dashuri dhe respekt të jashtëzakonshëm reciprok. Babai im kishte pasë sjellë prej Gjermanie një frymë liberale, progresiste, përparimtare, në nji masë edhe perëndimore, që është shfaqur pastaj edhe në qëndrimin ndaj fëmijëve. Babai im ishte shumë liberal dhe mendjehapur. Bënte gjithçka për ne fëmijët, shkrinte gjithçka! Edhe pse familja e tij ishte rrënuar gjatë kohës së robërimit të tij dhe humbjeve të tjera që kishin ndodhë në familje. Një vëlla i tij, që ishte gardist i ushtrisë së atëhershme, për shkak se ishte shtatëlartë e tjera, kthehet i vdekur në rrethana të paqarta nga ushtria.

Kurse familja shkatërrohet ekonomikisht, siç ka ndodhur shpesh. Dhe, prindërit e mi fillojnë jetën nga fillimi. Nëna ime ishte shumë e devotshme, besimtare e jashtëzakonshme ka qenë, e dinte Kuranin përmendësh. Dhe ishte një enciklopedi e tërë e tregimeve, legjendave, këngëve historike. Unë prej saj e kam mësuar gjithë ciklin e Këngëve të Kreshnikëve: këngë për Gjergj Elez Alinë, Oso Kukën, Sali Shabanin, e plotë rapsodi që janë kënduar, e pjesët e eposit, unë i kam thithur bashkë me qumështin e nënës.

Të gjitha këto edhe kanë lënë rrënjë… si t’thush, në shpirtin tim, të vëllait tim të ndjerë që vdiq i ri, dhe motrave të mija që janë rritur dhe janë shkolluar me kujdes të jashtëzakonshëm të prindërve t’mi. Nëna ime ishte shumë fetare, shumë e devotshme, por ishte shumë e interesuar që t’i shkollonte vajzat e saj, dhe nuk i pengonte në asgjë. Unë jam rritur në ni atmosferë të tillë, me skamje, me mungesa, por me bollëk dashurie, respekti, kujdesi, dhe për mua mbetet pjesë e kandshme e jetës. Nuk e bënë gjithmonë bollëku, pasuria, jetën dhe familjen. E bënë mbi t’gjitha ngohtësia shpirtërore. E unë i kisha ato me bollëk!

Po daja im, kalonte prej burgu në burg. Familja e tij vuante shumë. Burgu, politika, atë kohë sillte edhe shumë mënxyra tjera, bojkotime, izolime, rrënime ekonomike, pushteti rrënonte gjithçka. Dhe nëna ime e ndjerë, shkyhej në përpjekje edhe për t’na rritur ne, me mish e me thoj, edhe për t’ndihmuar familjen e vëllait të saj, të cilët i donte shumë, shumë, shumë. Unë shoh shumë familje, po ni dashuri si n’atë familje… ndoshta pse ka qenë e ndjekur, e persekutuar, me shumë të vrarë, me shumë të ndjekur, edhe në Shqipëri nji pjesë e tyre ka qenë e arratisur. Prandaj ndoshta edhe e kanë pasë atë afërsi të jashtëzakonshme. Në familjen time është bartur pastaj një pjesë e asaj fryme.

Po mbeten kujtime të paharrueshme për mua: ato mbrëmje kur në dritën e llampës, nëna ime ose do të lexonte librin e saj të shenjtë Kuranin, e na këndonte ilahi të ndryshme, ose ulej e… si i themi… nxiste duhan, ose palonte duhan, varësisht nga stina. Se kjo ishte puna që bënim ne në fshat, jetonim nga duhani. Një punë shumë e rëndë, shumë e bezdisshme. Dhe, fshehte lotë nga ne, po qante, qante, qante, pa zë, për vëllain e saj të vdekur të ri, për motrën e saj të vdekur nuse t’re, për dy kunatat të saj të vdekura nuse të reja, për nji familje që po rrënohej si pasojë e represionit politik, që ushtrohej në kohën e Rankoviqit, e pas Rankovoqit.

Rritesha unë, me vëllaun tim ma të vjetër se unë, që ishte në nji mënyrë mësuesi im i parë, dhe frymëzuesi im, sepse ishte gjashtë vjet më i vjetër dhe ishte i brymosur me një frymë atdhetare, përparimtare, arsimdashëse. Lexonte shumë dhe bënte ç’bënte, më blinte librat e reja që dilnin. Dhe ato vite kishin filluar dhe të vinin nga Shqipëria, Tirana… pas vitit ‘66. E ajo literaturë që vinte edhe legalisht, dhe filloi të vinte dikur edhe ilegalisht, ka pasë një ndikim të jashtëzakonshëm në edukimin atdhetar të brezave të atëhershëm. Dhe jo vetëm në edukimin atdhetar, brymosjen me një frymë liridashëse, por edhe të ni emancipimi të përgjithshëm kulturor. Ju prandaj do t’shihni plot emra t’asaj kohe që iu viheshin fëmijëve, po mund t’mos e dini, që në të vërtetë ata emra vinin pikërisht prej protagonistëve, personazheve, të librave që lexoheshin gjithandej.

Dhe mendoj, është rast edhe për të shprehur nji mirënjohje, falenderim të jashtëzakonshëm, për gjeneratat e tëra të mësuesëve, arsimdashësve, arsimtarëve të atyre brezave, që kanë bërë një punë prej rilindasëve, në edukimin, përgatitjen e brezave, që ma vonë do të vazhdojnë rrugën tyre, dhe në rrethana të ndryshme edhe do të luajnë rol të rëndësishëm. Vëllai im i ndjerë, Nezir është quajtur, e ka pasë emrin… ishte prej mësuesve të ri të asaj kohe. Dhe ai bënte gjithçka që unë të lidhesha me librin, dhe të edukohesha në frymën, siç thoshte ai, “Të asaj porosie që kishim prej dajës tonë, dhe borxhit që kishim ndaj tij.” Kështu disi është rinia ime… fëmijëria ime, më falni! Kështu disi është fëmijëria ime.

______

Hydajet Hyseni / Pjesa e Parë, Intervistë

VIJON …

_________________________

Flet Hydajet Hyseni

RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE – VIDEO (II)

Prishtinë | Datë: 7 qershor, 2015 |

JETA REXHA (INTERVISTUESJA), RINA KRASNIQI (KAMERA)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura